Femra në poezitë e Remzi Bashës është një mrekulli e gjallë

Libra

Femra në poezitë e Remzi Bashës është një mrekulli e gjallë

Nga: Baki Ymeri Më: 24 maj 2020 Në ora: 12:49
Ballina e librit

Arti poetik ka thelbin e dashurisë së pakushtëzuar dhe flakën e gjallë të rrëfimit të sinqertë dhe të natyrshëm. Arti është streha e perëndive në dimensione të reja krijuese, plot dashuri, shfaqje, shpresë, përmbushje. Arti është një përkushtim i vazhdueshëm për bukurinë, dashurinë, pastërtinë, shpresën, besimin. Arti duhet të jetë gjithnjë vetëtejkalim dhe vetëpërsosmëri. Jetës pa art i mungon bukuria dhe balsami i vërtetë. Ilaç për shpirtin është arti, lulëzim në dashuri, shpresa e gjallë, malli për të dashurën, bashkim dhe përjetim. Në art, çdo qark duhet të respektohet si thelbi i një qarku tjetër, çdo thelb duhet të krijojë një thelb tjetër, çdo lulëzim shpirtëror duhet të marrë petale të bukura të reja, energjike dhe dinamike! Në art, jo sakrificat janë të rëndësishme, por fitoret.

Arti qëndron përmbi të gjitha dyshimet. Pa kurrfarë dyshimi, Remzi Basha vjen para lexuesve tanë me vlera të mirëfillta artistike që meritojnë t’i lexosh dhe rilexosh. Në poezitë e Remzi Bashës zbulojmë një seri të pasur mendimesh dhe ndjenjash, një sentimentalizëm personal në planin estetik, një rigjallërim të tanishmërisë dhe arrdhmërisë së vazhdueshme, por edhe të kujtesës afektive. Vizioni i tij poetik mahnitet nga pyetjet e mëdha ekzistenciale. Para nesh kemi një botë shprehjesh lirike konvencionale, nga e cila shpërthejnë ndjenjat e dashurisë, poeti gjithmonë duke qenë në gjendje të gjejë fjalë të përshtatshme për lexuesit e veprave të tij.

Arti është jetë dhe jeta është art. Arti poetik mund të sjellë lumturi në kujtesën tonë të zalisur. Ai mund të na nxisë të realizojmë ëndërrat e shekujve. Arti dhe imagjinata mund të na sjellë nga mërgimi në shtëpi, në lëndinat e blerta të vendlindjes me këngë dhe vallet e hedhura në kreshtat e Korabit dhe Sharrit antik, duke u lëkundur në valët e detit të kaltër dhe duke u shpërngulur, me tinguj dhe boritë e opengave, në qytetet dhe fshatrat e përmallimit tonë. Duke shfletuar poezitë e Remzi Bashës dhe duke i vërejtur koleksionet e artit, ne admirojmë në mënyrë të plotë barokun, Nicolas Poussin me pikturën e tij të mrekullueshme "Nimfa dhe Satyr" (1627). Pastaj, njeriu që i dha një shkëlqim të veçantë Rokoko, François Boucher, me të admiruarit e tij "Diana në banjë" dhe "Tualetin e Venusit" (1742). Në romancë të plotë, i paharruari Jean-Auguste Ingres sjell një prekje të orientalizmit me kryeveprën e famshme "Banja turke" (1862), ku vërejmë një turmë të parezistueshme të gocave të burgosura, të trupave të tyre të perëndeshave.

Femra në poezitë e Remzi Bashës është një mrekulli e gjallë. Jo më kot ai thot: Ti je mrekullia ime! Paul Cézanne (1906) dhe Pierre-Auguste Renoir (1887) sjelli gjithashtu në skenë, përmes stilit post-impresionist dhe impresionist "Gratë që lahen”, në dimensione të mëdha. Të dy zotërinjtë i pikturpjnë nimfat pa të brendshme, që sjellin hije dhe kufizime të gjesteve dhe i lejojnë ata të përkëdhelen në buzë të ujit. Kërkimi i sensualitetit diafanor duke shoqëruar gruan me ujin pastrues ka një kauzalitet shumë logjik. Arsyeja pse një perëndeshë më shpesh heq dorë nga rrobat e saj, është dëshira për t’u prekur nga përkëdhelja e qetë e ujit, si kujtesë e përqafimit të nxehtë të ofruar nga dashnori i saj. Sepse, siç na tregon historia e artit, disa mjeshtra të rrymave të ndryshme të pikturës universale preferojnë lakuriqësinë që shoqërohet me "thatësinë" e një mjedisi që i mungon uji, por ka një divan ose gjumë relaksues, si në pikturat ku duket gruaja me një shpinë të butë, me trup të bukur dhe senzualitet të veçantë.

Pjesa dërmuese e poezive të Remzi Bashës i kushtohen femrës. Mënjanë ekziston një lidhje thelbësore kozmike midis gruas që lahet dhe ujit të banjos, të lumit, liqenit apo detit. Nga ana tjetër, disa prej piktorëve të mëdhenj evropianë e bëjnë të pavdekshme "poezinë e gruas së banjës", duke e shndërruar thelbin e mendimit oriental në një përrallë vizuale. Vlen të përmendet gjithashtu, një frazë e famshme biblike, ku zbulojmë se "Në fillim ishte fjala... fjala që bën ujë". Gruaja flet për veten në mënyrën më elokuente kur kapërcen drojën e saj pranë dhe në krahët e ujit. Por kjo situatë e pastërtisë dhe sensualitetit u zbulua shumë më herët, sidomos në mitologji, kur gruaja konsiderohej si nimfë.

Me një fjalë, para nesh kemi një krijim të fuqishëm, flakërues, madje edhe atëherë kur dashuria është plot forcë, me trupa të prekur nga një lumturi e plotë, kur e gjithë qenia dridhet para mistereve të ekzistencës me kujtime dhe histori të përbujshme, të transmetuara nga shirat e pranverës, atëherë kur liqeni i dashurisë është i përmbushur  me zambakë uji. Femra në vargjet e autorit konsiderohet si një dhunti e bekuar, si një zjarr i shenjtë dhe si një mrekulli e mirësearrdhur për lumturimin e burrit. Remzi Basha është një poet i pjekur, reflektues dhe origjinal për zbukurimin e botës me fjalë dhe emocione të përshkruara në vargje të paharrueshme. (Bukuresht, 1 Qershor 2020)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat