Kundrajë për librin poetik, “Mirditë dhe Mirditorë’’ të Hasan Hasanit-Përkolës

Libra

Kundrajë për librin poetik, “Mirditë dhe Mirditorë’’ të Hasan Hasanit-Përkolës

Nga: Viktor Gjikolaj Më: 29 maj 2020 Në ora: 12:26
Ilustrim

Pjekja e parë me  poezinë e Hasan Hasanit  është  e hershme  dhe krejt e  veçantë. Para plot 42 vitesh në një  sektor sharrash në bjeshkët e viseve të  mia, në një raft, ku qenë vënë  disa libra, gjeta vëllimin ‘’Krojet e Bardha’’. Dhe ku? Bash krejt afër Kroit të Bardhë të Kunorës së Selitës, i njohur  edhe jashtë  Mirditës për vlerat kurative..

Që asohere , ku më shfaqej emri I poetit  në kopertina  a në kolonat e gazetave e shfletoja   me interes e vemendje ani se  nuk  jemi takuar kurrë fizikisht.  I lindur e rritur në rrethinat e Gjakovës, në Dushkajë. poezia  e tij   frymonte muzë Gjakove  e thënë tjetërsoj ,poeti    në veprën e tij  e kishte gurgullimën e krojeve të bardha  të viseve Dardane, dallgëzimin  dhe shushërimën e valëve  të  Drinit të Bardhë dhe Erenikut, timbrin epik të kangëve të Motit…

I shquar  si poet, studiues, publicist, leksikograf e shkrimtar, Hasan Hasani, deri vonë nuk qe njohur    si biri i një dere të ardhur nga Mirdita( ne publikime). Mjafton të themi se izolimi  me pjesën shqiptare  jashtë ‘’kufinjëve’’ Londinez  ishte i egër, i akullt, me mundësi minimale komunikimi. Kjo, do të thotë se vepra  e Hasan Hasanit dhe kontributi tij,  në shtetin amë,  është  njohur vonë. Me hapjen e kufinjve dhe  me zgjerimin verprimtarive kulturore mes institucioneve analoge dhe disa shoqatave kulturore dhe  studiuesve të veçantë  u identifikuan  nëpërmjet kontakteve fizike  disa migrime  të herëshme e të vona të mirditasve në Kosovë dhe jo vetëm. Në reportazhet e publicistit dhe  shkrimtarit Ndue Dedaj, në studime të  Pjetër Nikollës ,Nikoll Lokës, Vlash Prendit si dhe në faqet e revistës ‘’Mirdita’’, gjejmë shumë dëshmi për vende e ngjarje, që lidhen me  të migruarit  nga Mirdita, që atje  ,në të shumtën e herës  mbajnë për mbiemra fshatrat e zonat nga  janë larguar si psh: Kaçinari, Spaçi, Fani, Domgjoni, Kuzhnini, Selita, etj.Këso migrimesh  ka  në Klinë, Prizren  e sidomos  në Gjakovë   e rrethinën e saj.

 Nga keto  vise  kanë dalë shumë emra të shquar të historisë e kultures shqipe.

Njëri ndër ta është  Hasan Hasani. I lindur në Dushkajë të Gjakovës  në një familje të  ardhur nga Domgjoni i Mirditës para tre shekujsh. I promvuar heret si poet  dhe më vonë si publicist,studiues, shkrimtar e leksikograf, ai është autori i shumë veprave në këto gjini, ku spikatën edhe  disa veprave në poezi e prozë për fëmijë.

Thirrja e Gjakut
Në të drejtën dokesore shqiptare gjejmë  dy togfalësha    me kumte drithëruese e me ngarkesa semantike   të pazakonta: Lisi i Gjakut dhe Lisi i tamlit. Lisi i Gjakut është prejardhja nga baba  dhe  Lisi i  Tamlit(gjirit), prejardhja  nga nëna. Nuk ka orijentues  me të saktë për të sendërtuar  pemën gjenealogjike të një familje. Baba, gjyshi, stërgjyshi… Dhe  njeriun e  grishin rrënjët e thella të Lisit të Gjakut. E bukur dhe  emotive qe  edhe  grishja  e këtij lisi për poetin Hasan Hasani. Merr udhën drejt trojeve stërgjyshore, udhën  drejt ashtit të fisit, drejt  rrënjëve  të identitetit. Ky rrugëtim e bën njeriun poet edhe pa qenë. Muza  trokiti me sokëllimë dhe poeti ‚

‘‘shalon kalin e erërave kryq e tërthuer Mirditës,
Duke kapercyer pellgje gjaku, ku notonin  bjeshkët,kullat

Kudo këmisha të shqyera të vdekurish në degë lisash

Jataganë e  pushkë të ndryshkura nën rrasa e gurë.

Nuk mund të fillonte më  bukur  prologu  i kësaj poeme  për Lisin e gjakut, për këtë vis të mrekullt në Veri e shqiptari..Relievi  me male e gryka, kreshta e livadhe, me lugina  e ujvara afishon  profilin epik të këtij fisi  me cilësi të rralla  e qëndresë heroike në roje të identiteit arbëror. Poeti e kërkon votrën e të parëve, kërkon e kërkon ‘‘ I ikur nga vetja duke tuhajësuar hijen që solla me vete‘‘
 Dhe poema e  Lisit  vijon  me jehonën e  lahutës  në ag e në muzg. Qielli i arbërit plot me yje, me mite e legjenda.  Emocionet bëhën këngë  e kënga jehon udhëve  të Mirditës, brigjeve  e majeve,sofrave të bardha të mikpritjes. Mirdita nuk ngriti kurrë hane. Se ‚‘Shtëpia asht e zoit dhe e mikut‘‘ .

Me mirditas nëpër  Mirditë

Poetin e grishi gjaku, e vllaznit e marrin përdore, kryq e tërthur viseve  të Arbrit, Në Ndëfandinë, Orosh, Malin e Shenjtë, Kaçinar , Blinisht... Dhe Ai  eksploron vise  e njihet me fise, me ngjarje  e  histori të moçme, me folkun e  të drejtat dokesore, me të cilat u vetqeveris  ndër  shekuj  krahina  e të parëve të tij. Poeti shënon toponime  , mite, legjenda. Shënon  parinë tradicionale me  Derën Prencore të Gjomarkut, pra një areal etnokultuor  me vlera të veçanta. Tashmë poeti   e prek Mirditën gjeografike dhe njihet me  shumë mirditas që merren me  letërsi, publicistikë, studime. Shkëmben mendime e ulet në sofrat e mirditasve  bashkë me ta. Ndjenë mirësinë e bujarinë e tyre dhe përfton emocione.  E kështu,  ditë pas dite  sendërton  poemën e tij për Lisin e gjakut prej nga rrjedh. Autori  e hap me prologun  dhe e vijon kumtin me poetizimin e atyre viseve,  me fshatra e bajrakë,me kulla e me gryka e lumenj, me kulla , qafa malesh e kreshta, me gurra e  ujësjellsa të lashtë,me rapsodë e gjamëtarë, me  vendburime minerare. Dhe nëse minierat kanë  heshtur këto kohë,  shpirti mirditas  është një minierë e pasur me arin shpirtëror që mbart dhe përcjellë.

Në këngën e dytë të kësaj poeme shpalohet vlera historike  e këtyre trojeve, që lindën e rritën bij fisnikë, heronj e mentarë , që i dhanë gjakut të vet shqiptarisë ç‘kishin më të shtrejtë. Në  tingëllimat e Hasan Hasanit, tingëllon bukurisht muza fishtjane . Mbi tel të lahutës shkreptim Iliada  shqiptare me gjëmim e mesazhe të larta ,me  dufe shqiptarie. Atë Gjergji, i brof pranë , në Domgjonin  e tyre , në ato oda e kulla,  në hije të maleve  e të pamposhtura si ato.  Në  kuvende urtie ,vjen burri i urtë, Anton Çeta. E sofra  ngjeshet me korifej dal prej një pragu...

Në këngën e tretë poeti na sjellë mirditasit e motit, të besës e besimit ,të fjalës e penës, të çarkut e shpatës, të jataganit e të martinës. Mirditorët e shekujve e të shekullit të XXI-të. që  nga Kapidanët e Abat Doçi dhe klerikët e shquar, deri te mirditasi i thjeshtë. Dhe ata nuk janë pak edhe se  Mirdita ka e do ketë më shumë njerëz të shquar për Mirditën dhe Shqipërinë...

 E, kompozimi  i kesaj poeme  mbyllet me  eplogun  , ‘’Une  mirditori’’. Tashmë ,pas tre shkujsh rrënjët e thella të Lisit të Gjakut ,thellë  trojeve të Pren Kolës e Përkolajve,  në Domgjon, ndjejnë poetin si një rrem i këtij Lisi , që  merr limfë nga ky trung i moçëm. Poeti ndjehet  borxh me ja ngritur një këngë me jehonën  e lahutës së moçme, gëzimin e dashurinë  vëllazërore:

Pinjoll Mirdite ndër humbëtira shkela n’shtatëdhjetat

Fjalë e varg guri në zemër

S’më gjunjëzuan kurrë përpjetat e tatëpjetat

Dushkaja mu ba emër- Mirdita  mbiemër.

Libri poetik, ‚‘Mirditë dhe Mirditorë‘‘ i poetit Hasan Hasani – Përkola e begaton opusin  e tij poetic  si dhe bibliografinë e librave,  shkruar për Mirditën , të cilën autori e deklaron me krenari si mbiemër të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat