​“Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve”, në çdo cep të Kosovës

Libra

​“Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve”, në çdo cep të Kosovës

Më: 6 qershor 2020 Në ora: 10:34
Libri ​“Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve"

Libri “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991”, i autorit Lulëzim Etemaj, është shpërndarë në libraritë më të mëdha të Kosovës.

Të interesuarit librin mund ta gjejnë në këto qytete të Kosovës: Në Prishtinë në redaksinë e gazetës “Epoka e re”, në librarinë “Dukagjini”, “Artini” dhe “Buzuku”; në Pejë në librarinë “Dukagjini”; në Ferizaj në librarinë “Rilindja”; në Istog në librarinë “Smartpoint” dhe “Meshari”; në Gjakovë në librarinë “Tomorri”; në Prizren në librarinë “Altera”.

Libri monografik, “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë (1990-1991)”, është botuar më 2 shkurt 2020 në shënim të 30-vjetorit të pajtimit të gjaqeve në Kosovë nën përkujdesjen e Shtëpisë Botuese “Armagedoni”.

“Ky libër është një shenjë modeste nderimi për mijëra zemërgjerë që, në vend të ngrehjes së gishtit të krimit, shtrinë dorën e pajtimit; gjaqet, plagët dhe ngatërresat i falën në emër të rinisë, flamurit dhe kombit. Kështu i dhanë fund gjakmarrjes dhe i liruan nga burgu shtëpiak mijëra persona. I liruan nga atmosfera e rëndë dhe druajtja, por edhe nga ‘detyrimi’ për ta marrë gjakun. I bashkuan shqiptarët si kusht i domosdoshëm për të ecur përpara drejt çlirimit nga Serbia. Është, gjithashtu, libër nderimi për qindra pajtimtarë vullnetarë dhe për punën e tyre përkushtuese”, ka deklaruar autori Etemaj.

“Një nga të pestë nismëtarët autentikë të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve (1990-1991), që preferuan thjeshtësinë për madhështinë kombëtare, është autori i këtij libri të vonuar tridhjetë vjet, Lulëzim Etemaj. Kjo lëvizje na transformoi në një shkallë më të lartë qytetërimi. Me pajtimin, unitetin dhe solidaritetin që solli ajo, krijoi, në të vërtetë, parakushtet për luftën triumfuese çlirimtare, falë këtij boshti qytetërues dhe drejtimit të saktë gjeopolitik”, ka thënë botuesi i gazetës “Epoka e re”, Muhamet Mavraj, për librin e Etemajt.

Ndërkaq sipas Shtëpisë Botuese “Armagedoni”, “një libër i tillë dhe kaq i rrallë, për lëvizjen e paqes të shqiptarëve, nuk është shkruar asnjëherë më parë. Prandaj, mirë që e ka shkruar Etemaj sepse nuk dimë kush do ta shkruante tjetër me saktësi sikurse një prej nismëtarëve të saj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat