Romani “Karvani i bardhë”-rrëfim i mirëfilltë klasik

Libra

Romani “Karvani i bardhë”-rrëfim i mirëfilltë klasik

Nga: Zymer Mehani Më: 20 qershor 2020 Në ora: 07:29
Zymer Mehani

1. Hyrje
Romani ”Karvani i bardhë” është vepër e shkrimtarit tonë të njohur Azem Shkreli, në të cilën është trajtuar tema e Luftës Nacional-Çlirimtare, ku autori futet edhe sferave të thella të një historie jo të largët të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Duke rrëfyer historinë e Dyl Mehmetit, në romanin "Karvani i bardhë", Azem Shkreli përdor rrëfimin e mirëfilltë klasik, me gjakim të zbardhjes së konfliktit tragjik të brendshëm të botës shqiptare. Në këtë kontekst, kryepersonazhi, Dyl Mehmeti, të thuash, edhe për lexuesin edhe për kritikën, ka qenë figurë e pakuptueshme dhe kontraverze deri në versionin e ri të botuar më 1996.

2. Tema

Në romanin “Karvani i bardhë” të shkrimtarit Azem Shkreli është trajtuar tema e Luftës Nacional-Çlirimtare, e shikuar nga një këndvështrim i veçantë. Këtu lufta është konceptuar nga një kënd shumë i ngushtë i observimit të figurës së kriminelit rugovas, Dyl Mehmeti, të cilin rrethanat e reja pas Luftës Nacional-Çlirimtare e kanë sjellë në dilemë para jetës dhe vdekjes. Këtu lufta qëndron si retrospektivë e së kaluarës, ose në rrethana të veçanta të jetës së mbeturinave të saj, “fosileve”, si i quajti vetë autori në dramën omonime, në të cilën është ripunuar subjekti i këtij romani.

Në realitet boshtin e ngjarjeve të romanit e përbën jeta e Dyl Mehmetit, i cili së bashku me një grup vendasish rugovas mbetet në mal si kundërrevolucionar në ditët e para pas çlirimit të vendit. Autori i është përkushtuar gati në tërësi krijimit të kësaj figure, nën hijen e së cilës personazhet e tjera kanë ngelur fare të zbeta dhe gati krejtësisht episodike.
Është një realizim kompozicional që shmang klishetë e deriatëherëshme dhe një sintezë mes romanit të personazhit dhe romanit psikologjik. Shkreli me këtë roman i bën portret Dyl Mehmetit, një malësori rugovas. I bindur për drejtësinë e veprimeve të veta, ky është kundër ndryshimeve. Parimi dhe vlera e tij jetësore është vdekja burrërore nga plumbi i pushkës.

3. Subjekti

Ngjarja vendoset në Rugovë. Romansieri zbulon madhështinë e rrejshme të protagonistit. Dyl Mehmeti, personazh gjysmëlegjendar që ka pirë ujë dhe gjak malesh, zbulohet si njeri që nuk ka dashur t’i ndërrojë flamujt sipas motit. Mirëpo, pikërisht i biri, Shpendi, është aty për ta rikujtuar të atin se koha e Dyl Mehmetëve ka perënduar. Dyl Mehmeti do ta ndjejë veten të thyer, por të papushtetshëm dhe do t’ia marrë vetes jetën. Jeta do ta vazhdojë rrjedhën e vet në vazhdën e re, me Shpendin, i cili është i vetëdijshëm se me luftën e fundit “as toka, as njerëzit nuk janë më ata që ishin” .
Te romani “Karvani i bardhë”, Dyl Mehmeti pastrohet nga shpifjet dhe sajesat e kohës.

4. Ideja

Lufta që fitohet doemos vjen nga një varg betejash të humbura. Me këtë roman Shkreli synon ngritjen e vetëdijes së njeriut, e veçanërisht atij shqiptar.

Botimi i romanit “Karvani i bardhë”, u përjetua si një ngjarje letrare në Kosovë, jo vetëm pse autori i tij ishte një gjimnazist i panjohur, por para së gjithash për faktin se përballë asaj pak letërsie (poezi) dhe kurrfarë proze, romani i Azem Shkrelit qëndronte superior si vlerë. Edhe për këto dy arsye: lufta e fundit që është tema e romanit, jehona e së cilës ndihej akoma, nga autori i ri shihej ndryshe dhe nuk përputhej aspak me parimet e pasqyrimit bardhë e zi. Ndërsa, njerëzit që e mbartnin atë luftë, bota e tyre rrëfehej me një gjuhë të avancuar, gjuhë që s’provonte aftësinë e një të rrëfyeri burimor, efikas për të dhënë situta dhe përfytyrime komplekse shpirtërore.

Aso kohe, romani mbi Dyl Mehmetin, siç njihet më shpesh “Karvani i bardhë”, nuk arriti t’i hapë udhë një konflikti tragjik të brendshëm të botës shqiptare: si të ruhet profili pozitiv i Dyl Mehmetit nga njëra anë dhe të kundërshtohet lufta e tij nacionaliste, antikomuniste nga ana tjetër; pra si të rezervohet simpatia e lexuesit, përkatësisht e autorit për të dhe të refuzohet lufta që bën Dyl Mehmeti.

Autori i romanit e ndjeu thellë këtë mospajtim dhe konflikt të brendshëm të imponuar artificialisht nga jashtë: jo të gjithë ata, për të mos thënë pjesa dërrmuese që e bënë luftën e vet, edhe pse kundër shumicës, nuk ishin djaj të zinj. Autori shkon dhe më tej, jo të gjithë ata e donin më pak Kosovën dhe shqiptarizmin. Zgjidhja e brendshme e konfliktit në roman prandaj erdhi si rezultat nga jashtë: u desh që Dyl Mehmetit t’i vihet një njollë nga e kaluara. Edhe pse kështu, lexuesi asokohe e dalloi qartë njollën artificiale që iu vesh kryepersonazhit. Ndërkaq, pikërisht për tendencën e brendshme të romanit dhe të kryepersonazhit të tij, si dhe të pranisë së emocionit negativ që e përshkon luftën e Dylit, për mënyrën dhe gjuhën e rrëfimit, “Karvani i bardhë” me dekada vazhdoi të jetë njëra nga veprat më të kërkuara.

Autori i këtij romani, Azem Shkreli është i shkollës së rrëfimit të mirëfilltë klasik. Ai, llojin më të ndërlikuar letrar, romanin, e lidh me rrëfimin e një historie, pra është rrëfim i rrëfenjës. Rrëfimi në romanin “Karvani i Bardhë”, lidhet me historinë e Dylit. Rrëfimtari është i gjithëditur, dhe nga kjo perspektivë rrëfen duke ndjekur kronologjinë kohore.
Lexuesi që e ka të qartë dhe të njohur fundin e luftës së Dylit, përqëndrohet në shtytësa dhe thurrje, me motivime dhe tensionime dramatike të kryepersonazhit dhe të personazheve të tjerë. Pra, fjala është për një luftë të humbur që në nismë.
Luftën e Dylit duhet ta pranojmë si një metaforë dhe mesazh, në frymën që del nga bindja se lufta që fitohet pëfundimisht, vjen vetëm pas një vargu betejash të humbura. Në faqet e romanit është një pasazh i fuqishëm, ku përsiatet rreth luftës, por që vjen si digresion apo ndërhyrje jashtë rrjedhës së fabulës, ku njëri nga personazhet do të shprehet kështu: “E kemi krisur kur duhej dhe kur s’duhej, kahmos dhe për këmos. Por luftë për të fituar jo, nuk kemi bërë” .
“Edhe si roman, “Karvani i bardhë” ka mjaft elemente dramatike (…), prandaj, dramatizimi i kësaj proze, në vete ruan mjaft momente nga romani, i cili mund të cilësohet si roman dramatik.”

5. Personazhet

Personazhi negativ i ndërtuar sipas skemës, pa motivim të mjaftueshëm të veprimeve të veçanta e të përgjithshme, është i pranishëm edhe në shumicën e romaneve të autorëve shqiptarë, të cilat janë botuar në vitet 60-65, që trajtojnë tematikën e LNÇ-së në Kosovë.

“Në veprat e këtyre autorëve në shumicën e rasteve personazhi negativ është edhe protagonisti i romanit. Kështu ndodh edhe te romani “Karvani i bardhë” të Azem Shkrelit që ka si protagonist kontrarevolucionarin, Dyl Mehmeti” . Dyli na del si kontrarevolucionar dhe veprimi i tij nuk përputhet me logjikën e tij si njeri i ambientit të caktuar dhe i moralit të veçantë shoqëroro-historik. Këtij personazhi i mungon gati në tërësi struktura e parimeve morale, pra ky është njeri pa kurrfarë parimesh ideologjike e etike, plot kundërthënie, sepse si luftëtar për mbrojtjen e së vjetrës, vetë në mënyrë anarkiste i shkatërron parimet e moralit etj.
Mandej mënyra e transponimit artistik të personazhit Dyl Mehmeti është fort e zbetë, sepse është realizuar pa invencion për t’i zbuluar anët e vërteta të realitetit të kohës, kur dihet se LNÇ në trevën e Kosovës kishte disa karakteristika specifike për shkak të pasojave shumë të rënda nga e kaluara dhe politika demagogjike e pushtuesve nazistë dhe fashistë, veçmas ndaj popullatës së kësaj treve. Kjo çështje, si duket, pos tjerash, është kushtëzuar edhe nga faktorët jashtëletrarë, sidomos të periudhën para vitit 1966

Kategoria e dilemës e kushtëzuar nga rrethanat e veçanta, është shumë e dukshme në romanin “Karvani i bardhë” të Azem Shkrelit. Këtu dilema e Dyl Mehmetit kushtëzohet nga pozita e vështirë në të cilën kishte mbetur protagonisti pas përfundimit të luftës. Në një situatë pa shpresë për grupin e njerëzve të gënjyer, kur krimbi i dyshimit kishte hyrë sidomos midis të rinjve Rexhës dhe Shpendit, Dyli, pas përpëlitjeve të mëdha shpirtërore, detyrohet ta pranojë disfatën e tij. Edhe në këtë rast dilema nuk është e thellë, sepse kushtëzohet nga faktorët e jashtëm, por thyerja e karakterit është e madhe, sepse Dyli është vënë në sprovë midis dy rrugëve pa shtegdalje. Prandaj nuk kemi të bëjmë me ndonjë kthesë në vetëdijen apo ndërdijen e protagonistit, por për përfundimin e një aventure, së cilës autori i ka dhënë një zgjidhje të tillë, që e ka konsideruar më të suksesshme.

Duhet thënë qysh në fillim se figura e Dyl Mehmetit është ngritur midis kontradiktave të papajtueshme. Me virtytet më të larta të heronjve legjendarë janë gërshetuar edhe veset më të ulëta të një krimineli të luftës, kështu që veprimet e tij, të bazuara në kontradiktën e thellë të karakterit të tij si njeri dhe si përfaqësues i ambientit rugovas, në shumicën e rasteve nuk janë motivuar. Në kuadër të figurës së tij qëndrojnë krenaria tipike malësore, trimëria legjendare e heronjve të këngëve popullore, karakteri i pathyeshëm anarkist: polici (xhandari) i Jugosllavisë së Vjetër, bashkëpunëtori i okupatorit, feministi i papërmbajtur dhunues dhe shpërdorues i moralit patriarkal të ambientit të vet. Të gjitha këto elemente që e përbëjnë figurën e Dylit, të gërshetuara edhe me cilësitë e tjera të botës së tij shpirtërore, përbrenda të shqetësuar, por me një qetësi dhe rreptësi të jashtme, në të cilën bazohet edhe autoriteti i tij përballë shokëve, e bëjnë personazhin kryesor të romanit “Karvani i bardhë” të pamotivuar jo vetëm në aspektin artistik, por edhe në atë të realitetit jetësor, sepse në të dy aspektet, përkundër përpjekjeve të autorit, e vërteta nuk është thënë. Një konstatim i këtillë nuk kërkon ndonjë hulumtim të veçantë, sepse vetë autori na shpie në këtë rrugë duke paraqitur përmes retrospeksionit të kaluarën e Dyl Mehmetit. “Këtu po i përmendim vetëm tri fakte që janë në kundërshtim me të vërtetën jetësore e bashkë me të edhe me përgjithësimin e saj si fakt artistik:

-Dyl Mehmeti ishte xhandar i Jugosllavisë së Vjetër që ishte bërë tmerr për dhunën dhe terrorin ndaj bashkëvendësve të tij. Për çfarë arsyeje do ta shkarkonte pushteti i atëhershëm antipopullor një njeri të këtillë, kur dihet se mu njerëzit e kalibrit të Dylit ishin mbështetja më e fortë e këtij pushteti dhe sundimi të egër, sidomos në trevat si Rugova, ku tradita liridashëse ishte vazhdimisht e gjallë!?

-Dyl Mehmeti i papërmbajtur në epshet e veta dhunonte (e dashuronte) gratë më të bukura të trevës së Rugovës. Shtrohet pyetja: një ambient patriarkal me paragjykime të prera për nderin dhe moralin, që kishte lindur trima, çfarë ishte edhe vetë Dyli, a mund ta duronte dhe të heshtte përpara turpeve që u shkaktonte ai?!

-Shkrimtari nuk e ka paraqitur e as arsyetuar bazën ideore të luftës së Dyl Mehmetit. Se ai luftonte për të vjetrën, është një konstatim shumë i përgjithësuar e tek e fundit edhe një kontradiktë, kur dihet se mu Dyl Mehmeti me veprimet e veta anarkiste e dhunuese i merrte nëpër këmbë parimet morale të së vjetrës.

Dy pyetjet e para dhe konstatimi i tretë janë elemente të pamjaftueshme të konstatohet se shumë veprime të personazhit autori i ka motivuar në mënyrë të njëanshme, pa u thelluar sa duhet në aspekte të veçanta të realitetit jetësor” .
Kthesa që përjeton Dyl Mehmeti si edhe veprimet që e pasojnë, ndonëse autori është shumë më i kujdesshëm për të depërtuar në botën shpirtërore të protagonistit të tij, gjithashtu na duken pak të shpejtuara dhe pa një sistem më të plotë motivacioni. Dilema e Dylit duket se fillon pas vrasjes së të birit, Shaqës, sado që ai këtë e pranon me një gjakftohtësi dhe qetësi të përmbajtur të karakterit të tij si malësor. Kjo dilemë e kushtëzuar nga rrethana të veçanta, në të cilat grupi i njerëzve të shpellës kishte arritur në gjendje pa rrugëdalje, zihet në shpirtin e shqetësuar të Dylit, në një kohë kur ai është bërë i rrezikshëm edhe për shokët e tij.

Kjo kthesë dhe dilemë, mbase fillon përnjëherë në botën shpirtërore të shumicës së personazheve të romanit, por është më e dukshme në vetëdijen e Rexhës dhe të Shpendit. Gjendja thuaja letargjike e ankthit dhe ëndrrave që i shqetësojnë “banorët e shpellës” është dhënë në mënyrë të fuqishme, por kjo është vetëm një anë e çështjes në të cilën zbulohet dilema e përgjithshme gjatë përpjekjeve për të dalë nga rruga e pakrye. Veprimet e Dyl Mehmetit, kur ai dëshiron ta vrasë të birin, Shpendin, vetëm pse është takuar me kumbarën e tij komunist, Selmanin, motivohen vetëm nga gjendja e tij e pashpresë, nga dështimi i tij i plotë, të cilin nuk mundet ta pranojë. Pra, këtu kemi të bëjmë me motivacionin psikologjik, kur shqetësimi shpirtëror kalon prej një ekstremi në tjetrin. Veprimi shumë i shpejtë për dorëzimin e shokëve dhe të birit, i cili si pohon vetë Dyli “nuk kishte vrarë asnjë lepur”, mund të arsyetohet nga aspekti psikik si ekstremitet tjetër në kategorinë e dilemës, por edhe ky nuk është arsyetuar artistikisht, duke pasur parasysh karakterin e Dylit, prandaj kjo na duket si një nxitje e panevojshme e autorit për ta përfunduar veprën mu në kohën e intensitetit më të madh të saj.

Çështje e diskutueshme është edhe vetëvrasja e Dyl Mehmetit si veprim që nuk përligjet duke pasur parasysh karakterin e personazhit. I vetëdijshëm, më sa duket për vështirësitë për realizimin e suksesshëm artistik të një skene të këtillë, shkrimtari iu ka shmangur përshkrimit të drejtpërdrejtë dhe në këtë mënyrë e ka evituar deri diku mungesën e dukshme të motivacionit të këtij veprimi.

Konstatimi i shkrimtarit në fund të romanit “Dyl Mehmetin e ka vra koha” është kuptimplotë në relacion me pozitën në të cilën kishte arritë protagonisti i veprës, por shikuar objektivisht, ai ishte Dyli njeri që do t’ia shkrepte vetvetes, pa marrë parasysh rrethanat, mbetet pikëpyetje e madhe, kur dihen cilësitë e karakterit të tij. Vetëvrasja si akt nuk është karakteristikë për shqiptarin e sidomos për malësorin e tipit të Dylit, ndërsa çfarëdo analogjie me ngjarjet e rralla historike, duhet përjashtuar, kur është fjala për veprat letrare si krijime imagjinative të autorëve të tyre.
Personazhet e tjera të romanit “Karvani i bardhë” me përjashtim të Rexhës dhe Haxhi Manit, janë krejtësisht episodikë dhe fare të paindividualizuar. Rexha është i pari që e zbulon hutimin dhe mashtrimin e tij dhe fillon të ëndërrojë për bukurinë e jetës së qetë dhe të lumtur fshatare, duke ringjallur kujtimet e ëmbla të rinisë së tij. Kështu zbërthehet një anë e karakterit të tij, kur ai e sheh kontradiktën e thellë të dy botërave që janë në luftë të papajtueshme ...

Literatura

Aliu, Ali – Kritika, Rilindja, Prishtinë, 1980;
Aliu, Ali; Sinani, Shaban; Çapaliku, Stefan; Çobani, Tonin. – Letërsia bashkëkohore shqiptare 4, “ Libri shkollor”, Prishtinë, 2002;
Bytyçi, Sali – Fjalë prej guri (Vepra letrare e Azem Shkrelit), Instituti Albanoligjik i Prishtinës, Prishtinë, 2010;
Raifi, Mensur – Mbi prozën bashkëkohore shqiptare, Rilindja, Prishtinë, 1978;
Ramadani, Musa – Fjala në skenë, Rilindja, Prishtinë, 1980;
Rexhaj, Besim – Drama shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore 1048 – 2008 (II), Faik Konica, Prishtinë, 2009;
Riza, Shefqet – Trajtime letrare, Rilindja, Prishtinë, 1983;
Solar, Milivoj – Teoria e letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1978;
Shita, Vehap – Kur ndizen dritat, Rilindja, Prishtinë, 1977;
Shkreli, Azem – Karvani i bardhë, Rilindja, Prishtinë, 1980;
Shkreli, Azem – Sytë e Evës 4, Rilindja, Prishtinë, 2006.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat