Një libër i mirë për freskimin e shpirtit

Libra

Një libër i mirë për freskimin e shpirtit

Nga: Baki Ymeri Më: 26 qershor 2020 Në ora: 16:39
Kopertina e librit

Në librin më të ri të Remzi Bashës defilojnë edhe këto vargje: ”Shtrati i dashurisë/ Rrëshqet porsi lumi/ I luleve të ëndrrave./ Bota ime është lëndina/ E ëndrrave të lumturisë./ / Shtrati i dashurisë/ Është i mbuluar gjithmonë/ Me qilim përjetimesh të ëmbla/ Atje lindi historia e dashurisë sonë/ Me lulet e ëndrrave në parajsë.” Poetin nuk e ka shastisur mungesa e muzës, sepse ajo gjithmonë ia freskon frymëzimet dhe dashurinë: ”Mos më pyet si të të dashuroj/ Kur më afrohesh./ Mos më pyet/ Pse kjo dashuri/ Më dhuron kënaqësi!”

Remziu na befason me çdo libër të tij. Ai është poeti më i zjarrtë dhe më i thellë i mërgatës shqiptare të Skandinavisë. Praninë në kohën e tanishme ia mundësojnë fjalët që i ka hedhur në letër. Ato të befasojnë me dritat e ndezura të një kujtese të gjallë, duke e lidhur burimin e gjithçkaje me zjarrin e zemrës dhe thelbin e shpirtit. Remzi Basha është i vetmi poet i diasporës që arriti të shprehte një sistem të tërë mendimesh nëpërmjet lirikës së dashurisë, të cilën e përshkon një fill i përveçëm dhe i papërsëritshëm estetik. Që nga libri i parë e deri te ky i fundit (pas të cilit pasojnë edhe vëllime tjera), poezia i Remziut ka frymëzuar dhe vazhdon të frymëzojë dashamirë të panumërt në vendlindje dhe diasporë.

Me mjeshtërinë e fjalës poetike, me shpirtin e besimit, me thellësinë dhe thjeshtësinë e vargut, poeti e hymnizon femrën si një ideal estetik dhe si një dhunti hyjnore. Ai është një shkrimtar kompleks që u bë i njohur duke shkruar me talent vargje të denja për fisnikërimin e botës letrare të atyre që janë të ftuar për ta kexuar dhe adhuruar me sinqeritet e besnikëri. Një nga gjinitë letrare që e trajton ky poet, është lirika e dashurisë të cilën e krijon me cilësi të mirë. Vëllimi "Shtrati i Dashurisë" vjen para nesh si një dhuratë hyjnore. Në pjesën më të madhe të poezive, autori shkëlqen me ndjeshmëri, qartësi dhe sinqeritet. Poeti thekson se tema kryesore është jeta, arti dhe dashuria. Arti ka thelbin e dashurisë së pakushtëzuar me flakën e gjallë të rrëfimit të sinqertë dhe të natyrshëm. Arti është streha e perëndive në frymë dhe dimensione të reja krijuese, me dashuri të zjarrtë, me imagjinatë, me shpresa dhe me përmbushje.

Arti është një përkushtim i vazhdueshëm për bukurinë, për dashurinë, për pastërtinë dhe për besimin! Arti duhet të jetë gjithnjë vetëtejkalim, vetëmohin dhe vetëpërsosmëri. Jetës pa art i mungon bukuria dhe balsami i vërtetë. Ilaç për shpirtin është arti, lulëzimi në dashuri, shpresimi për lumturi, përmallimi për dashuri, bashkim dhe përmbushje. Në art, çdo qark duhet të respektohet si thelbi i një qarku tjetër, çdo thelb duhet të krijojë një thelb tjetër, që çdo lulëzim shpirtëror të marrë petale të bukura e të reja, energjike dhe dinamike. Në art, jo sakrificat janë të rëndësishme, por fitoret. Me një fjalë, arti qëndron përmbi të gjitha dyshimet.

Remzi Basha e imagjinon botën e tij si një "Kështjellë të Gëzimit", një qendër e kënaqësive në të cilin gërshetimet e trupit ndërlidhen me botën shpirtërore. Poemat e tij duken si do lutje të shprehura nën kupolën e natës, në dritën e hënës, duke dëshmuar se ai është një krijues i talentuar që shkëlqen me stil briliant, me imagjinatë të bujshme, me përjetime të çiltërta, me vëzhgime thelbësore që provokojnë jo vetëm kënaqësinë e leximit, por dhe meditimin e lexuesve. Tekstet e nënshkruara nga Remzi Basha janë pjesë e një regjistri të pasur, i cili nuk është shkëputur ende nga zjarri i stinës së dashurisë. Hipersensitiviteti lirik manifestohet me mprehtësi të veçantë. Përmbushjet dhe lumturimet diktojnë lëvizjet e shpirtit poetik, duke iu nënshtruar sprovave të panumërta.

Në vargjet e poetit ndjehet lumturia atraktive dhe dinamike. Shprehjet lirike sjellin në plan të parë zjarrin e zemrës së sprovuar. Magjia mbizotëruese e vargjeve të Remziut favorizon rrethana komplekse, thellësisht sentimentale. Shpesherë, peizazhi lirik merr kuptime të gjalla. Poemat e mbretërimit të tij gjenden nën një ndikim të butë erotik, duke u realizuar një sinkretizëm misterioz midis hijeve të së kaluarës, të gërshetuara gjithmonë me jetën reale të asaj që do të pasojë. Në pragun e dëshirës, ​​poeti depërton në thellësi të jetës, duke e gjetur atë pikëmbështetje që do të rregullojë dimensionet e emocionit lirik. Diskursi i përdorur nga R. Basha na bind me faktin se është një diskurs i drejtpërdrejtë. Autori vjen para nesh me një botë të pasur ku projektohen imazhe dhe tema të reja lirike, të cilat artikulohen me fjalët që kërkojnë poezinë dhe krijuesin e tyre. Në poezitë e tij zbulojmë një seri të pasur mendimesh dhe ndjenjash, një sentimentalizëm personal në planin estetik, një rigjallërim të tanishmërisë dhe arrdhmërisë së vazhdueshme, por edhe të kujtesës afektive.

Vizioni i tij poetik mahnitet nga pyetjet e mëdha ekzistenciale. Para nesh kemi një botë shprehjesh lirike konvencionale, nga e cila shpërthejnë pytjet dhe pohimet, poeti gjithmonë duke qenë në gjendje të gjejë përgjigje për qytetërimin e përditshëm. Me një fjalë, para nesh kemi një krijim të fuqishëm, flakërues, madje edhe atëherë kur dashuria është plot forcë, me trupa të prekur nga një lumturi e plotë, kur e gjithë qenia dridhet para mistereve të ekzistencës me kujtime dhe histori të përbujshme, të transmetuara nga shirat e pranverës, atëherë kur liqeni i dashurisë është i përmbushur me zambakë uji. Përfundimisht mund të themi se Remzi Basha është një poet i pjekur, reflektues dhe origjinal për zbukurimin e botës me fjalë dhe emocione të përshkruara në vargje të paharrueshme. (Bukuresht, 25 Qershor 2020)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat