Opusi historiografik edhe me një libër

Libra

Opusi historiografik edhe me një libër

Selman Etemi Nga Selman Etemi Më 5 korrik 2020 Në ora: 07:06
Ballina e librit

Të shkruash apo të flasësh për një libër, siç na është libri i titulluar “Vitet e krenarisë kombëtare”, i autorit Florim Zeqa, nuk është lehtë, por për mua të gjitha shtjellimet apo të paraqiturat në të me janë më se të njohura. Se, me autorin i bashkëjetuam edhe ditët e rinisë por dhe kohën të cilës i referohet autori Zeqa lidhur me shumicën e ngjarjeve të prezantuara, dhe të cilat na e përbëjnë brumin shtjellues të këtij libri.

Ngjarjet ballafaquese dhe rezistuese të kohës na bënë bashkë në shumë aktivitete përballë sunduesit. E them këtë, se me autorin më lidhin kohërat dhe shumë bashkëveprime, pos etapës së veprimeve të ilegalës, të cilat shumëherë duhej kryer edhe vetëm, të cilat vetë koha dhe rrethanat në njëfarë mënyre na i diktonte, por ja tani na i paraqet edhe në këtë përmbledhje shkrimore konkrete dhe faktografike.

Paraqitjen dhe përshkrimin e ngjarjeve por dhe aktivitetin e tij, autori nuk e bën me qëllimin që të na njoftojë vetem lidhur me punën që e ka bërë, por shfletimi ndër gjenerata si pasardhës të jenë në dijeni me aktivitetin e gjithmbarshëm që dikur është bërë për t’u çliruar nga katrahura shekullore e armikut.

Autori me vetë titullin “Vitet e krenarisë kombëtare” na bën të kuptojmë paraprakisht, se kemi të bëjmë me zhvillim veprimesh dhe ngjarjesh në një kohë dhe rrethanë të caktuar, por dhe që na bëhën pjesë e historiografisë së lavdishme kombëtare.

Ngjarjet e shtjelluara përfshijnë përiudhën e viteve të nëntëdhjeta, që për autorin çmohen si vitet e krenarisë dhe të lavdisë kombëtare, e, që sot për të i janë pasuri shpirtërore, e për ne edhe kombëtare.

Volumi i këtij libri në vete ka nëntë kapituj me gjithsejtë tridhjetë nëntituj.

Në kapitullin e parë autori veçon kohën e vjeshtës së vitit 1989. Kohë kjo ku dhuna e pushtetit serbosllav kishte arritur shkallën e padurueshmërisë tek shqiptarët autoktonë në trojet e veta. Autori këtë kohë na e paraqet si pikënisje e fillimit mobilizues kundrejt këtij armiku, qoftë edhe në formë të armatosur. Fillimisht kishte nisur me formë protestash, shkruarje parullash e deri tek fillimorganizimi i angazhimit të potencialit luftarak. Në po këtë kapitull kemi shpërfaqjen edhe shpirtërore të autorit për çlirim, liri të plotë dhe shtetndërtim. Në mënyrë konkrete na e përshkruan aktivitetin e vet prej një patrioti të bindshëm dhe kënaqësinë që ndjente për suksesin e arritur, përkundër rrezikut përmanent që e ndjekte kudo.

Në fillim të kapitullit të dytë, Rilindja shpirtërore, autori na e paraqet lindjen e një epoke të re me paraqitjen e pluralizmit politik, ku bartëse e atij aktiviteti (në Kosovë) ishte LDK-ja si një lëvizje gjithëpopullore. Kjo edhe bëri të mundur që, e gjithë bota demokratike të njihej me gjendjen e Kosovës së okupuar. Dhe kështu filloi njohja e Bashkësisë ndërkombëtare me të vërtetën e shqiptarëve nën okupim. U shpërfaq për botën demokratike dhuna fizike dhe ajo psikologjike kundër një populli të tërë. Si e veçanta e këtij kapitulli autori Zeqa paraqet edhe pajtimin dhe përbashkimin ndërshqiptar, siç ishte aksioni për Pajtim të gjaqeve, e, që kundër armikut ishte arma më e fortë. Dhe, autori këtë e vlerëson si periudha e artë e kombit shqiptar.

Autori në kapitullin e tretë përshkruan shumë aktivitete të kohës në nivel të komunës së Klinës, e që ndërlidhen ngushtë me vendlindjen e tij, pra me fshatin Bokshiq. Përkundër rrezikut, këtu u mbajten shumë aktivitete dhe tubime me plot vlerë kombëtare, e, që autori në këtë kapitull na i prezanton në mënyrë konkrete dhe bindëse. Po ashtu, na e reflekton kyqjen e tij në politikë si një rastësi por me plot angazhim dhe sukses, përkundër vështirësive të ngjyrave të ndryshme.

Autori Zeqa në kapitullin e katërt bën fjalë për aktivitetin e tij në Forumin Rinor. Punën dhe angazhimin e tij në të dhe me përplot vështirësi përcjellëse përgjatë kohës përsa veproi në këtë organ. Si e veçantë e problemeve, për autorin, i ishin edhe ato të ideologjive të ndryshme, por që binin ndesh me qëllimin final të kombit. Dhe, këto autori i dëshmon me thënjen „Njerëzit që nuk kanë të kaluar të ndritshme nuk mund të kanë vizion të shëndoshë për të ardhmën“. Pra, nga kjo autori reflekton zhgënjim përgjatë punës dhe përpjekjeve të tij që e mira të shpjente në qëllimin e duhur. Forma të tilla destruktive, edhe pse evidente, do të krijonin anarki të sërvuar dhe disi errësi totale në veprim dhe në konceptim të çështjes madhore, por dhe duke krijuar dhe lënë pabesueshmëri tek elektorati i gjerë jo vetëm në komunën e Klinës.

Si qetësim shpirtëror për autorin, në kapitullin e pestë, na është puna në dhënje diturie tek nxënësit. Kjo për autorin është e veçanta e jetës së tij. Shkollën „Azem Bejta“ në Grabanicë na e paraqet tempull të diturisë por dhe të rezistencës kundër pushtetit të instaluar serbosllav dhe sërvilëve të tij. Po ashtu, autori veçon emra konkretë që u përballën me epshet e pushtetarëve, që emri i heroit të kombit Azem Bejta të hiqej si emërtim i kësaj shkolle.

Bokshiqi dhe rezistenca e 23 Shkurtit 1993, autori e përshkruan në kapitullin e gjashtë. Në mënyrë konkrete shtjellon ngjarjen dhe zhvillimin e një dhune të paparë e ushtruar nga ana e policisë serbe, por dhe qëndresa burrnore e bashkëvendasve të autorit si përgjigje përballë saj. Dhunë kjo e ushtruar me pretekstin e dorëzimit të armëve. Ngjarje kjo, të cilën autori e paraqet si alarm i cili jehoi gjithandej botës demokratike. Në këtë kapitull kemi emra të veçuar, të cilët u përballën me policinë serbe duke i penguar për të mos hy në fshat. Po ashtu, i paraqet të viktimizuarit nga ajo polici. Pra, vetë rrjedha dhe pesha e kësaj ngjarjeje, e veçantisht rezistenca e qytetarëve të kësaj ane, na përshkruhen si pasuri kombëtare, e cila i shtoi vlerë historiografisë së mirëfilltë kombëtare.

Kapitulli i shtatë ka në vete gjendjen e Arsimit shqip nën okupim. E gjithë plejada dijëdhënëse bashkë me institucionet përkatëse shqiptare na e kanë epitetin si shtetformuese të shtetit të Kosovës. Si faktorë dominant veçon LASH-in, LDK, Forumin Rinor, etj, bashkë me faktorë udhëheqës të tyre.

Shkolla fillore „Azem Bejta“ në Grabanicë, sipas autorit, na çmohet si vatër e diturisë dhe si bastion i rezistencës përballë pushtuesit shekullor. Përgjatë këtij shtjellimi lehtë vërejmë gatishmërinë por dhe kënaqësinë njëkohësisht të kyqjes së tij në Arsimin shqip në ditët më të vështira. Po ashtu gatishmëria e tij dhe rezultatet e prekshme na paraqiten edhe në krijimin e kushteve për mbarëvajtje të procesit arsimor edhe në shkolla të tjera në nivel të komunës. Vend të veçantë në këtë kapitull ka edhe elementi i shprehjes së vetëdijes kombëtare qytetare të këtij lokaliteti.

Kapitulli i tetë përfshinë përjetime dhe kujtime duke përshkruar lëvizjen demokratike përgjatë viteve të nëntëdhjeta, por dhe vetëdijesimin qytetar për mobilizim kundër makinerisë millosheviçiane. Si e veçantë e kësaj periudhe autori reflekton raste, familje dhe individë që u përballen me dhunën vrastare. Në vazhdimësi autori Zeqa paraqet ngjarjet e vitit ‘92, duke përfshi organizimin e ‚Rojës së Natës‘ në nivel të BL të Grabanicës, armatosja dhe gatishmëria për veprim. Pastaj, besueshmëria e ndërsjellë e këtyre pjesëtarëve zë vend të posaqëm si faktor rezistues. Të veçantën në këtë kapitull kemi edhe ‚Amanetin e babës‘ për autorin, të cilin e përcjell si porosi shoqëruese përgjatë tërë veprimtarisë së tij me plot sakrifica.

Përsonalitete të veçanta nga autori na përbëjnë kapitullin e nëntë. Këtu kemi emra konkretë të cilët në nivel të BL të Grabanicës dhe të shkollës së këtij lokaliteti, të cilët me këmbëngulësinë e tyre dhe gatishmërinë e treguar na paraqiten si digë mbrojtëse përballë pushtetit të instaluar serbosllav të kohës. Si shembull autori veçon moslejimin e ndërrimit të emrit në shkollën „Azem Bejta“, e cila mbeti, siç thotë autori, sinonim i mosndërrimit të emrit edhe në QAMO „Luigj Gurakuqi“ në Klinë.

Pra, ngjarjet të cilat dominojnë në volumin e ketij Libri janë, vuajtja e gjithë popullatës së kësaj ane karrshi dhunës së pushtetit instalues, por dhe mobilizimi i saj për qëndresë dhe kundërvënje. Na është i zbërthyer në mënyrë konkrete aktiviteti i autorin në aspektin kombëtar, duke e përfshi kohën prej viteve më të hershme e deri në emigrim. Besnikëria dhe besueshmëria ndënjerëzore në këtë mes (BL e Grabanicës) nga autori na prezantohen si element shembull edhe për regjione të tjera. Si bastion i shumë aktiviteteve në nivel komune na veçohet fshati Bokshiq, i cili kualifikohej si halë në syrin e armikut, ku ngjarja e Shkurtit 1993 është dëshmuesja më e mirë e një vlere të tillë. Vend të posaçëm në libër ka edhe aktiviteti edukativ e arsimor si dhe ai politik i autorit përgjatë viteve të nëntëdhjeta. Autori po ashtu rëndësi i kushton edhe disa figurave dëshmuese të kohës, e, të cilat ishin bartëse të shumë aktiviteteve në këtë mes. Figura e babait të autorit na është e zbërthyer dhe e vlerësuar si më dominantja në gatishmërinë dhe edukatën patriotike të autorit Zeqa, si dhe ektiviteti në ilegale ta ketë mënyrën e veprimit më të sigurtë dhe të suksesshme. Edhe elementi zhgënjyes i autorit përgjatë aktivitetit politik na paraqitet si faktor vështirësues në arritjen e synimit të parashikuar.

Sipas paraqitjes së autorit, elementi kombëtar dhe ai patriotik na janë të gërshëtuara pandashëm njëra me tjetrën, duke mos e përjashtuar në paraqitje edhe vuajtjen dhe dhunën e shkaktuar nga sunduesi shekullor.

E veçanta në këtë libër na është shprehja e kënaqësisë së autorit për punën e kryer, e cila ishte përplotë me rreziqe por dhe reflektimi i krenarisë në mesin ku vepronte, dhe, që po kryhej diç në të mirën e atdheut na janë elementi dominues në përshkrimin dhe paraqitjen e rasteve vepruese.

Zhgënjimi i autorit dhe shprehja e pakënaqësisë në bashkëveprim, në segmente dhe forma veprimi, duke u përballur me neglizhencë por dhe, siç i quan ai, me destruktivitet thuaja të padukshëm, zënë vend në një kapitull të veçantë të këtij libri. Pra, duke mos i lënë anash edhe mediokritët e paktë si pengesë në realizim qëllimesh të caktuara gjatë përditshmërisë në veprim, e, që si pasojë shkaktonin vështirësi në arritje tek qëllimi gjithëpopullor për mobilizim dhe çlirim.

Libri në vete ngërthen optimizmin patriotik dhe porosinë ndër gjenerata, se atdheu dhe kombi na janë vlera për të cilat duhet sakrifikuar dhe flijuar.

libër na u bë vlerë dhe pasuri e historiografisë së mirëfilltë kombëtare, i cili dëshmon për një pjesë të ngjarjeve me të cilat u përballën pjesëtarë të kombit por dhe vetë autori.

Këtë recensim apo rezyme përshkruese të shkurtër për librin e autorit Florim Zeqa, me titull “Vitet e krenarisë kombëtare”, e bëra duke ia përshtatur gjuhës dhe stilit të të shprehurit të autorit, libër i cili ka kapshmërinë e të kuptuarit për çdo lexues, e që na mbetet porosi dhe dëshmues ndër breza.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat