Përdhunimi

Libra

Përdhunimi

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 31 korrik 2020 Në ora: 14:09
Kopertina e librit

Kishin kaluar dy muaj e gjysmë. Nuk kishte grua që nuk ishte përdhunuar. E dija se, dikur, edhe unë do ta përjetoja një gjë të tillë.

Më caktuan përsëri që të mbushja ujë. Nga të dyja anët dëgjoheshin breshëritë e automatikëve. Granatat shpërthenin afer nesh. Toka dridhej. Nuk guxova të shkoja asnjë hap përpara dhe qëndrova në vend, e përkulur. Copat e granatave dhe bombave plagosën rëndë dy gra, në këmbë dhe bark. Ushtarët i futën në stallën tonë dhe, për ditë të tëra, nuk u kujtua më njeri për fatin e tyre. Dikur i transportuan ato gjysëm të vdekura, për diku. Sigurisht që jo për tek ndonjë mjek.

Kur roja më pa se po hezitoja, reagoi me zemërim: « Do ta tregoj unë ty qejfin tek burimi, ti feçkë frikacake ». Burri me kafkë të rruar, ndoshta ishte në moshën e babait tim. Dhe një mysliman, si unë. Gratë e tjera ecnin pak larg meje. Burri tullac e mbushi kovën me ujë dhe ma dha në dorë. Kur ecëm një copë rrugë, dhe plumbat nuk po vërshëllenin më mbi kokat tona, më urdhëroi që ta ulja kovën. Më pushtoi paniku. Çfarë kishte ndërmend të bënte me mua !?

Lexo edhe: Shpërthimi i luftës

Më mbërtheu fort, dhe më shtriu përtokë. U ul në gjunjë, më shtyu bluzën lart dhe filloi të më fërkonte gjoksin. E dija se si do të vazhdonte. Megjithatë shpresoja se ai do të mendonte diçka tjetër. « Jo, të lutem ! », e kundështova unë me sa munda. Fillova të qaja. Megjithatë ai sillej si kafshë, m’i grisi pantallonat. Pastaj m‘i hapi këmbët me forcë. Sytë i ishin zgurdulluar aq shumë, sa dukej sikur do t’i dilnin nga zgavrat. Brutalisht e futi sendin e tij të ftohtë dhe të fortë, brënda trupit tim. Më dhembi shumë. Pse dhemb aq shumë !?

U mbrojta me të gjitha forcat e mia, aq sa munda. Nuk ia dola dot, isha e dobët. Kisha uri dhe etje. Megjithatë e dija se nuk duhej të kundërshtoja. Ndryshe ai do të më vriste. Për atë, gjithçka mbaroi shpejt. Për mua, zgjati në pafundësi. « Luaj, nxito!» më bërtiti mua kur tërhoqi përsëri zinxhirin e pantallonave lart. Më duhej që ta transportoja kovën me ujë në kamp. Gjaku më rridhte gjithkund këmbëve. Deri në atë moment unë isha e virgjër.

Lexo edhe: Zerina

Atë ditë nuk më duhej të punoja më. Kur rojat e tjerë e kuptuan ndodhinë, filluan të zgërdhiheshin me mua. Vrapova për në sallë. Po dridhesha e tëra si purteka në ujë. Më mbytën të vjellat. Ndjehesha e pisët. Ai burrë më mori mua edhe të fundit, nga të gjitha ato që më kishin mbetur. Dinjitetin tim. Për herë të parë dëshirova që të më vrisnin sa më shpejt.

Të gjithë e kishin mësuar, shumë shpejt, tragjedinë time. Në mbrëmje, kur u kthyen gratë në sallë, më shikonin me vëretje, pa folur asnjë fjalë. Rabija u afrua tek unë dhe bëri sikur nuk dinte gjë.

Lexo edhe: Ferma e pulave

Gjithë natën përjetova gjendjen e të vjellurit. Në fillim, nga frika, nuk i ndjeva dhe aq shumë dhimbjet. Tani më dhimbte pjesa e nënbarkut, si një plagë e qelbëzuar, e mbushur me pleh. Mallkoja veten që nuk luftova sa duhej për t’u mbrojtur nga ai përbindësh. Ndjehesha shumë budallaqe. Turpi po më pushtonte. Më bënte të vuaj mendimi, se do të më duhej të mbaja, gjithë jetën time, një armik në zemrën time. E dija se, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, edhe me një kontakt seksual, mund të mbetesh shtatzënë. Po sikur… !? E tmerrshme !

Urreja veten dhe gjithë botën. Kur përballesha me tullacin në oborr, ai shikonte dikund tjetër. Unë ia ngulja sytë me urrejtjen më të madhe. Me shumë dëshirë do ta kisha vrarë. Pas një jave, gjendja e shokut sikur po më kalonte. Përdhunimin e parë unë e ndjeva si të keqen më të madhe. Nëse do të ishte kjo e keqja më e madhe !? Me siguri që jo. Pastaj u përgatita për ato që mund të më ndodhnin në të ardhmen.

Lexo edhe: “Loja” therja

Gradualisht gjeta forcë ta mblidhja veten disi. Akoma kisha vetëm një dëshirë përvëluese: Mbijetesën.

Me jetën në kamp isha pajtuar. Trupi më kishte vdekur. Nuk kishte të bënte më me mua.

E bëja punën time si një robot. Vetëm mbrëmjeve, kur mbyllej dera e burgut, fillonte truri im përsëri të funksiononte disi. Më sillte pamje të bukura nga bota e mëparshme. Akoma shpresoja se së shpejti do të më lironin. Herë pas here, liroheshin gra, të cilat i nisnin në shtëpi. Të paktën dikush ua premtonte atë gjë, para se të transportoheshin. Askush nuk e dinte se ku përfundonin.

Ishte mesi i nëntorit. Të ftohtët po bëhej gjithnjë e më i padurueshëm. Në shi dhe dëborë, na duhej të qëronim patate ose të transportonim kovat me ujë. Fshikza e urinës më digjte si zjarri dhe kolla sikur donte të më nxirrte shpirtin nga trupi. Pantallonat dhe këpucët i harrova në gropë kur, më perdhunoi tullaci. Të vetmet gjëra që unë kisha akoma ishin, këmisha prej mendafshi, një palë mbathje dhe një palë sytjena. Me qëllim që të mos më ngrinin këmbët, vazhdimisht mbaja njërën këmbë mbi tjetrën. Dikur edhe këtë nuk e bëja dot më. Energjitë e mia kishin mbaruar.

Natën ndiznim një zjarr të vogël në kovë. Një rojë na kishte dhënë copëza të vogla druri. Kashtën e pavlerë e dogjëm. Gratë më treguan se si mund të dezinfektohej buka e mykur mbi flakët e zjarrit. Për të fjetur, shtriheshim rreth vatrës së zjarrit. Megjithë të ftotët e madh, secila mbante distancë me tjetrën. Dridheshim nga të ftohtët.

Disa gra ishin dorëzuar. As që bënin më përpjekje për t’u ngritur në këmbë. Asgjë më shumë nuk i dëshironin vetes, se sa vdekjen. Megjithatë vazhdonin të jetonin. Kur ngrihesha në mëngjeset e akullta, e ndjeja trupin të ngrirë. Nuk mund të thoja nëse isha e sëmurë apo e ngrirë. Ndoshta zieja nga temperatura, ndoshta vuaja nga një infeksion në mushkëri. Nuk kuptja asgjë se çfarë po ndodhte me trupin tim. Natën, pranë kovës me zjarr, lutesha: « O Zot i dashur, jepi fund kësaj tragjedie këtu!

«Kujdesu për veten tëndë!» më tha Rabija kur pas pak ditësh u nda nga ne. Ajo u lirua nga burgu. Ishte aq e emocionuar sa me zor nxirrte një fjalë nga goja. « Do të kujdesem për vete », i premtova unë asaj. Pas tre muajsh, isha disi e bindur se do të mbijetoj dhe një ditë do të kthehem përsëri në shtëpi. Natë e ditë nuk pushonin të shtënat me armë, jashtë. Linja e frontit nuk ishte më larg se dy kilometra nga ne dhe lëvizte vazhdimisht. Hamendësisht, Korpusi i Pestë, provonte të na lironte ne. Në të vërtetë kjo na ngjallte më shumë pasiguri, se shpresë. Kishte raste kur granatat e tyre, shpërthenin aq afër nesh, sa dridheshin muret e burgut. Në raste të tilla, për efekt sigurie, nuk dilnim jashtë. Rojat na lejonin të hapnim dyert dhe në vend të erës së qelbur, futej ajri i freskët. Ishte nje kënaqësi e madhe për ne.

Një herë, kur unë po thithja ajrin e pastër në derë, po më shikonte një rojë bullafiq. Erdhi tek unë duke u lëkundur dhe më futi një petull në dorë. Nuk kishte fat më të madh për mua. Në momentin që unë isha duke vdekur nga uria, afrohet ai burrë tek unë dhe më fut në dorë një petull të mbushur me marmeladë! «Zhduku, para se të të shikojë dikush!» më tha, dhe u largua menjëherë nga unë.

Një mbrëmje, kur ne po ngrohnim duart e ngrira në zjarr, u fut një çetnik tek ne, me mjekër të gjatë dhe shirit në ballë. Ishte gjë normale që ushtarët futeshin në çdo kohë tek ne per të zgjedhur gruan e dëshiruar, për seks. Papritmas m’u drejtua mua: «Ti më duhesh!» Filloi të më dridhej toka nën këmbë. Për herë të parë po më ndodhte një diçka e tillë. Në atë moment, vrapoi drejt nesh roja bullafiq i petullës duke bertitur: « Kjo nuk bëhet ! Sonte atë e dua unë!» Çetniku nuk u ndie më por zgjodhi një tejtër aty afër meje. «Hajde!» më urdhëroi mua bullafiqi dhe, unë iu vura pas, gjithë frikë. Ai më priu në një paradhomë të ushtarëve, më urdhëroi të ulesha në tavolinë dhe më dha ushqime e pije.

«Unë quhem Zahid», u prezantua ai. Pra, ai ishte një mysliman, si unë. Në fillim ngurrova t’i thoja diçka. Pastaj e mblodha veten dhe e pyeta: « Kështu është lufta, si kjo që bëni ju ketu? Pse silleni kështu?» Pyetja ime e preku rëndë. Zahidi, mendonte se nuk i kishin mbetur shumë alternativa për jetën, dhe prandaj ndodhej aty. Prej shumë kohësh ai kishte luftuar, si efektiv i Korpusit të Pestë, në Kladusha. Kur forcat paramilitare boshnjake mposhtën Korpusin, atij iu desh të ndërronte anën. «Po pres rastin më të parë që të largohem prej këtu», guxoi të më thoshte mua. Ai ma dha fjalën se do të informonte familjen time për mua, nëse do t’ia dilte që të largohej. Pas dy javësh iku.

Në muajin e katërt, më dukej se e gjithë ajo që ndodhte aty dhe që përjetoja unë, nuk kishte të bënte me mua. Nuk isha më njeri. Pas shërbimit në fekale, nëse tepronte pak kohë, shtrihesha menjëherë dhe flija gjumë. Natën ëndërroja sikur një sobë e ngrohtë bubullonte afër meje. Përpiqesha të ngrohesha pranë saj. Nëna ime dhe gjyshja ime ndodheshin pranë meje. Flisnim me njëra-tjetrën. Nëna thoshte: «Gjithçka do të bëhet mirë! Do të të marr me vete në shtëpi». Unë qaja vazhdimisht dhe doja të dija se kur do të shkojmë. «Nuk do të zgjasë shumë», vazhdonte ajo. Kisha shumë për t’i thënë por, nuk arrija dot. Papritmas ajo zhdukej. Unë filloja të qaja me dënesë dhe i lutesha që të kthehej tek unë. Ajo zhdukej./Vjion

Përktheu: Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat