Përdhunimet në stacionin e policisë - Bota Sot
Përdhunimet në stacionin e policisë

Libra

Përdhunimet në stacionin e policisë

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 5 gusht 2020 Në ora: 06:04
Kopertina e librit

«Kam pushime dhe pas dy javësh kthehem përsëri. Mos u bëj merak!» më tha Milani, afërsisht pas shtatë ditësh nga koha që unë ndodhesha në stacionin e policisë. Dhe iku.

Nga ai moment situata u kthye kundër meje. Më trajtonin si një mace të bezdisshme por, që nuk e hidhnin dot jashtë. Rregullisht më jepnin diçka për të ngrënë. Vazhdoja të mos flisja me asnjeri. Dy ditë më vonë filloi përsëri dhuna, nga e para, kundër meje.

Deri në atë ditë, burrat nuk kishin vënë pikë alkooli në gojë por, atë mbrëmje, njëri nga ata erdhi i dehur në shtëpi dhe deshi të grindej. Ai vinte vërdallë në dhomë, duke bërtitur dhe, dikur nxori pistoletën dhe deshi t’ia ndizte vetes. «Hiqe atë send të keq nga dora dhe rri urtë!» i bërtiti tjetri. Dikur arritën ta qetësonin. Në mes të atij horrori, unë u zhduka në dhomën time. Që kur iku Milani unë flija vetëm në dhomë.

Lexo edhe: Vetëvrasja e “koleges”

Në mes të natës, i dehuri hapi ngadalë derën time. U ul menjëherë në cep të krevatit dhe provoi të më hiqte panatllonat. U ngrita menjëherë sikur të isha goditur me elektroshok. Era e alkoolit nga goja e tij qelbi menjëherë gjithë dhomën. U mbrojta aq fort sa të dy përfunduam në dysheme. Pa thënë asnjë fjalë, të dy luftonim në dysheme si dy mundësa në ring. Arrita të çlirohem nga krahët e tij dhe të dal jashtë nga dhoma. Duke uluritur u turr pas meje. Unë arrita të dal jashtë. Duke qarë me të madhe u mbështeta në murin e oborrit. «Ajo u arratis», bërtiti i dehuri me zë të lartë. Dëgjova hapa. Njëri nga policët më pa. «Pse u largove?» më pyeti ai. Unë heshta. Nuk doja të flisja me asnjërin prej tyre. Më futi në dhomë dhe iu drejtua të dehurit: «Deshe t’i bëje gjë ti vajzës?» I dehuri iu përgjigj duke bërtitur: « Mos vallë ju doni të luani rrolin e shpëtimtarit të kësaj kurve? Mendoni se ju jeni më të mirë se unë?» Përsëri burrat u grindën ashpër me njërit-jetrin. Me dhëmbë të shtërnguar, unë ndiqja skenën e dhunshme. Në fund u morën vesh që, asnjëri prej tyre, nuk do të guxonte të më mbronte më. Si një qen i rrahur u përvodha në dhomën time.

Tri ditë më vonë ndodhi përsëri. Si zakonisht, tre burra shkuan me shërbim dhe tre qëndruan në shtëpi. Në shtëpinë aty afër ishte vendosur një kuzhinë fushore serbe dhe dy nga policët shkuan ta shikonin, për kuriozitet. Kur unë po laja fytyrën në banjo, papritur, i treti u shfaq pas meje, në banjo. Ishte relativisht trupmadh, me sy bojëqielli, të ftohtë si hekur. « Më në fund jemi vetëm », tha ai dhe mbylli derën.

Deri në atë moment nuk kisha menduar keq për atë mashkull. Çfarë kishte ndodhur me atë papritur!? Unë nuk e kisha parë asnjëherë të dehur.

Si një kafshë e zënë ngushtë në nje vrimë, u ula para tij. Pastaj u ngrita dhe shpërtheva me forcë. Doja të dilja menjëherë jashtë por, ai më mbërtheu fort në kyçin e dorës. Kafshërisht më futi gishtat në vaginë. Meqënëse unë po mbrohesha fort, më rrahu sa më la pa ndjenja. Ashtu si gjithë të tjerët më shante, qelbësirë dhe ku ta di unë. Ishte i njëjti fjalor, fjalori tipik i kriminelve. Të gjithë kriminelët kanë të njëjtën sjellje, të njëjtin fjalor. Më në fundi ia doli ai, jo unë. Kur mbaroi punë me mua, u largua pa thënë asnjë fjalë. Komplet si e vdekur mbeta e shtrirë në dysheme. Kur u ngrita dhe shkova tek lavamani, po më rrihnin tëmthat, sikur donin të hidhnin kafkën në erë. Fytyra më ishte ënjtur, lëkura ishte plot me njolla blu. Megjithatë, policët e tjerë, bënin sikur nuk kuptuan gjë. Përdhunuesi im u largua menjëherë nga dhoma, sapo hyra unë.

Dhuna, përdhunimet, poshtërimet, nuk do të kishin kurrë një fund. Më duhej të largohesha nga aty. Dhe menjiherë. Por, si dhe ku!? Nuk shikoja asnjë rrugëdalje. Gjithçka vazhdonte si më parë. Vazhdimisht ulesha në gjunjë pranë përroit dhe laja fashot e pista.

Një ditë, kur unë isha duke larë në përrua, erdhi një i panjohur dhe filloi të llomotiste diçka. «Hallo, jam fqinji i ri. Jam aty tek kuzhina fushore serbe. Quhem Darko Miri. Si quhesh ti?»

Burri rumbullak, me flokë të zinj, dukej si cigan. Sytë e tij të medhenj rezatonin mirësi. E shikova si memece.

Të nesermen, ai Darko, erdhi përsëri tek përroi dhe donte të llomotiste me mua. «Ne kemi ardhur nga Bosanski Novi. Me çfarë merresh ti këtu? Mos je edhe ti police? Shtëpia është e jotja?» Vinte vërdallë që të merrte një përgjigje nga unë deri sa u mërzit dhe tha: « Pse jeni të gjithë kaq fodullë? Askush nga ju nuk don të flasë me ne». Në atë moment më shpërthyen lotët. Pas tri javësh fillova të flisja përsëri.

Gjithë urrjetje i thashë atij se, dikush, më mban të arrestuar në këtë shtëpi. «Të lutem mos më trego përralla!» u përgjigj ai. «Si quhesh?» më pyeti ai përsëri, për të disatën herë. «Leila» u përgjigja unë si e shushatur. Aty ai qeshi me të madhe, pasi nuk e besonte kurrë që policët myslimanë mund të mbanin një vajzë myslimane në burg. «Ti je e çmendur», tha ai dhe u largua me humor të mirë.

Në darkë trokiti dera jonë. Pesë burra, nga kuzhina fushore serbe, donin të njiheshin me ne. U dhanë policëve cigare dhe konserva, si shenjë miqësie. Në të vërtetë ata kishin ardhur se Darko u kishte treguar për mua. Të gjithë u ulën në dhomën e ndejës dhe flisnin kopalla. Edhe unë isha ulur aty por, nuk ma varte askush. Vetëm njëri nga ata të kuzhinës fushore, nuk po m’i hiqte sytë. Mësova se ai quhej Ratko. Më vonë më tha se, ishte dashuruar në mua, në shikim të parë.

Të nesermen e asaj nate, shkova përsëri tek përroi, për të larë. Kur hodha shikimin nga pas, pashë Ratkon, duke ardhur drejt meje. Kokëbjond, i gjatë afërsisht sa unë, dhe ndoshta, njëzet e pesë vjeç. Më dha diçka të ëmbël. E falenderova me shenja dhe e hëngra menjëherë çokolatën. Ratko më pyeti nëse mund të flisja. «Po» i thashë unë shkurt. «Çfarë bën ti tek ata policët?» donte të dinte ai. Unë rrudha supet. Ratko vazhdonte të gërmonte : «Me çfarë merresh ti këtu?» «Laj, ja siç e shikon». Ai nuk ndalej : «Je kuzhiniere e policëve?» «JO ?» Çdo fjalë i duhej të ma nxirrte një e nga një nga hunda. Dhjetë minuta më vonë unë mora legenin me tesha dhe shkova në shtëpi.

Që nga ajo ditë, Ratko, vazhdimisht tregonte merak për mua. Këtë radhë më dha cornflakes. Megjithëse ai dukej një njeri shumë miqësor, unë as që e besoja fare miqësinë e tij. Pak gëzohesha edhe unë, nëse mund të gjeja dikë, me të cilin mund të këmbeja një fjalë. Ai më tha se po behej shumë merak për faktin se, Korpusi i Pestë, po afrohej gjithnjë e më shumë. Hamendësisht do t’u duhej që, shumë shpejt, të tërhiqeshin me kuzhinën e tyre fushore. Befas më pyeti nëse mund të më thërriste me emrin Suzana (serbo-kroatisht-lot). Nga trazimi fillova të qaja. Pas kaq kohësh, ishte njeriu i parë që m’u lut për diçka. Ratko mendonte se ky emër më shkonte me sytë. Nuk kisha asgjë kundër./Vijon

Përktheu: Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat