Në Ravnice

Libra

Në Ravnice

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 7 gusht 2020 Në ora: 15:16
Kopertina e librit

21. 06. 1994, e diel

Velika Kladusha u çlirua. Fikret Abdiç ia ka mbathur në Krajina.

11. 09. 1994, e diel.

Lexo edhe: Arratisja në kuzhinën fushore serbe

Mbi Bihaç, K., Buzin, B., Krupa, çetnikët vazhdojnë sulmet. Mijëra herë pyes veten, nëse pjesëtarët e familjes janë gjallë, nëse Leila jeton dhe ku ndodhet. Çfarë mund të bëj? Nuk po e duroj dot më këtë tmerr. Dua të bërtas si e çmendur.

12. 09. 1994, e hënë

Kam nisur për tek radio BIH një kërkesë për Leilan. Nga ditari i nënës

Nëpër një terren si kodrinor, autokolona u fut në një luginë të madhe. Ndaluam në një fshat. Dikush nga të autokolonës kishte studjuar terrenin dhe kishte gjetur një vend të mjaftueshëm për vendosjen e kuzhnës. Shtëpia ishte akoma e papërfunduar, sapo i ishte hedhur çatia. Fatkeqësisht as banjo nuk ishte përfunduar. Kështu që do të na duhej që nevojat personale t’i kryenim jashtë. Korrentin e prodhonim me agregatë. Burrat, për të më qetësuar disi mua, e veshën dritaren e dhomës time me plasmas.

«Kemi një dhuratë për ty», më tha gjyshi Lubjan dhe tërhoqi një shtrirëse plazhi nga kamioni. Burrat e kishin siguruar ekstra për mua, me qëllim që unë të flija rehat.

17. 09. 1994, e shtunë

Mengjes, ora 07. 00. Po dëgjoi lajmet në radio. Leila sot ka ditëlindjen, ditëlindjen e tetëmbëdhjetë. Vajza ime tani është e rritur. Nga radio u transmetua urimi ynë për Leilan.

04. 10. 1994, e martë

Kam nisur te Kryqi i Kuq një kërkesë për Leilan.

02. 11. 1994

Jam shumë e sëmurë. Po më çahet gjoksi. Dhimbja po më pushton gjithnjë e më shumë. Nga Leila nuk kemi akoma asnjë njoftim.

29. 12. 1994, e enjte

Radio transmetoi një lajm për Leilan. Një i njohur ka marrë kontakt me vëllanë tim në Zagreb. Ai më njoftoi se, nëna dhe babai im kanë vdekur. Nga ditari i nënës

I sheshtë, si një tepsi, shtrihej territori rreth nesh. Nëse shpërthente ndonjë bombë, dukej tamam vendi se ku goditi. Nuk e dija se ne kishim ndaluar në Ravnice. Këtë e vura re pas pak ditësh kur po bëja rojë me Mishan, jashtë. Kaluam afër shtëpisë ku unë kisha kaluar natën me shpëtimtarin tim, Milan. Menjëherë m’u kujtua vendndodhja e bordellove. Fillova të villja. «Të lutem, më ço në kuzhinë! Menjëherë!» thashë unë. Mishan ishte mësuar me disa gjëra të miat, megjithatë, tundi kokën. Pastaj, për muaj të tërë, nuk dola më nga oborri. Dikush mund të më njihte mua aty. Ndoshta aty jetonin akoma disa nga përdhunuesit e mi.

04. 03. 1995, e shtunë

E mbytur në lot, u zgjova në oërn 03.00. Ulurita me të madhe. Pashë në ëndërr babain dhe nënën time. Kërkoja Leilan. Ata më thanë se ajo nuk ishte aty. Leila ishte detyruar të martohej me një kriminel lufte. Me gjithë forcë u bërtita: Si e latë ju atë që ta bëntë një gjë të tillë? dhe vrapova jashtë. Nuk guxova më të shtrihesha në krevat. U ula dhe tymosja cigaret, njëra pas tjetrës.

07. 03. 1995, e martë

Sot, për herë të parë, arrita të lidhem në telefon me vëllanë tim në Rijeka (Kroaci). Ai më njoftoi se, burri i motrës time ishte vrarë. Pas vdekjes së tij, ajo kishte lindur një djalë. Për Leilan nuk dinin gjë.

16. 03. 1995

Mora 20 Marka borxh dhe provova të lidhesha në telefon, nëpërmjet postës, me vëllanë tim në Zagreb. E pyeta nëse kishte dëgjuar gjë për familjen tonë. Si gjithë të tjerët, edhe ai nuk dinte gjë. Nga ditari i nënës

Sa më shumë që rrija me ata burra, aq më shumë i pranoja qëllimet e tyre të mira. Megjithatë, vazhdimisht e ndieja frikën se, me erën e parë, tek ata mund të ndryshonte çdo gjë. Nga jashtë, vështirë se mund të kuptonte dikush diçka, nga bota ime e brendshme. Ndoshta unë veproja si në mungesë, nuk më ndienin se isha aty. Vazhdimisht më shfaqeshin në kokë mendime nga më të ndryshmet. Kaloja nga njëri mendim tek tjetri, nga njëra ide tek tjetra dhe nuk vendosja për asgjë. Fatmirësisht burrat më pranonin ashtu siç isha.

Nëse doja, mëngjeseve, mund të flija deri në orën njëmbëdhjetë. Pastaj pinim kafe së bashku dhe hanim mëngjesin. Gjyshi Lubjan peshkonte për mua thelat më të mira nga tenxherja.

Gjithë ditën më mundonte një uri e madhe por, stomaku im pranonte shumë pak. Pas ngrënies, qëronim zarzavate për rreth treqind apo katërqind ushtarë të frontit, lanim enët që i kthenin nga fronti dhe bënim gati ato gjëra që na përkisnin ne. Sapo mbaronim punët, fillonim të merreshim me veten tonë. Për fat, në gjithë shtëpinë, alkoholi ishte i padëshiruar. Në poker unë i mudja të gjithë. Në të shumtën e rasteve, gjatë lojës, pranë meje stivoheshin pesë deri në gjashtë steka me cigare, si trofe e fitores.

«Të lutem, na jep një bisht cigarje!», më luteshin ata mua në fund të lojës. Pastaj e tymosnim bashkë « gjahun » tim.

Nëse më vinte dëshira për të biseduar diçka, e tërhiqja Ratkon mënjanë. Megjithëse ishte tip i mbyllur, prap më tregonte gjëra nga jeta e tij.

Para luftës ai kishte punuar si teknik. Ratko nuk kishte pasur kurrë shumë shokë, pa lëre më një shoqe. Kishte pasur një fëmijëri të vështirë, fëmijë i lindur jashtë martese dhe njerku i tij nuk donte të kishte të bënte me atë bastard. Të afërmit e kishin braktisur nënën e tij. Asaj i duhej të punonte shumë për të siguruar jetën e djalit. «Kjo na saldoi bashkë, mua me nënën» theksonte ai. Ratko, pa mbaruar mirë me historitë e veta, fillonte të më bombardonte me pyetje : «Tani më thuaj, si përfundove ti në stacionin e policisë në Kladusha?» Çfarë të ka ndodhur aty? Ku ke qënë më parë?»

Me kokëfortësi unë i qëndroja versionit tim, të mos e hapja gojën, për asgjë. Me vinte shumë keq që më duhej ta genjeja. Nuk mund të mbrohesha ndryshe.

Në Ravnice, ne kaluam një kohë relativisht të qetë. Rrallë dëgjoheshin të shtëna dhe unë isha e bindur se, lufta do të përfundojë shumë shpejt. Më në fund unë mund ta merrja familjen time përseri në krahë. Si jetonin ata? Nëse atyre u kishte ndodhur diçka? Me urdhër të UNPROFOR (United Nation Protection Force) ushtria serbe ishte tërhequr larg. Rreth Ravnicës ishte krijuar një zonë e madhe e lirë. Me qetësinë më të madhe, i ngarkuam rraqet në kamion dhe, u nisëm pas ushtrisë, drejt Kostancas. Rruga na çoi drejt e në Kraina, mes arave me misër dhe luginave të ngushta të lumenjve. Sa paqësore dukej gjithçka. Pas tri orësh e ringritëm përseri kuzhinën tonë fushore.

18. 03. 1995, e shtunë

Më në fund mora numrin e telefonit tim të dorës në Prosiç, me të cilin unë mund të lidhesha me familjen time. Për një kohë të gjatë e provuam. Në orën 13 arritëm të lidheshim. Sa nuk vdiqa nga gëzimi. Ishte e pabesueshme për mua. Motra ime ishte në telefon. Ne qanim dhe nga lotët vështirë se e kuptonim njëra-tjetrën. Pastaj fola me vëllanë tim. E pyeta për Leilan. Ai tha se ajo ka qënë në Kladusha. Pastaj ai përsëri mendoi se, ajo kishte qëndruar tek një shoqe. I thashë që ta merrte menjëherë prej andej. Qaja dhe i lutesha. Ai më tha se është e pamundur, pasi Velika Kladusha ishte shpallur zonë autonome dhe ishte nën kontrollin e simpatizantëve të Abdiç. Fillova të bërtisja dhe ta pyesja, çfarë do të thotë kjo? Duke qarë m’u përgjigj ai: «Motër, Leila është në kamp». «Në çfarë kampi?», pyeta unë. «Ajo është në kamp përqëndrimi, në burg. Nuk është vetëm. Të shpresojmë më të mirën!»

13. 04. 1995, e enjte

I telefonova vëllait itm, për ta pyetur nëse kishte dëgjuar gjë për Leilan. Nga ana tjetër e telefonit dëgjova shpërthime… Vëllai më tha se po bombardohen nga avionët luftarakë. Nga Leila nuk kishte asnjë njoftim. «Motërz, këtu po digjet vendi nga bombat. Nga të gjitha anët është ndezur.»

18. 04. 1995, e martë

Shkova në postë për të telefonuar në Zagreb, Rijeka dhe K. Askush nuk kishte lajm për Leilan.

21. 04. 1995, e premte

Sot shkova tek Kryqi i Kuq dhe bëra një kërkesë tjetër për Leilan.

26. 04. 1995, e merkurë

Shkova në postë por telefonat nuk punonin. Kalova edhe nga Kryqi i Kuq.

29. 04. 1995, e shtunë

Arrita të lidhem me familjen time. Nuk kishin lajm nga Leila.

09. 05. 1995, e martë

Kanë ardhur njerëz nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar. Fola me ata dhe iu dhashë një infromacion për Leilan.

20. 05. 1995, e shtunë

Sot Gorani dhe Emiri shkuan në postë. Përseri asnjë lajm.

23. 05. 1995, e martë

Dëgjova lajmet. Në Velika Kladusha kanë filluar krime të tmerrshme. U tmerrova nga ato që dëgjova. O Zot, edhe Leila ime gjendet në atë gjakderdhje kriminale. U ula në dysheme për të gjetur forcë që t’i lutesha Zotit. Para syve të mi është gjithçka e zezë.

27. 07. 1995, e enjte

Tek fqinji im, një motër me vajzën e saj, sapo ka ardhur nga Srebrenica. Shkova që ta përshendes. Aty përjetova një shok. Kur u futa brenda, pashë një femër të re, të gjatë dhe flokëzezë. Ishte Leila ime. E përqafova fort dhe vetëm thoja: «Ku është Leila ime ? Ti je Leila ime!» Gjë tjetër nuk më kujtohet. Nga ditari i nënës/Vijon

Përktheu : Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat