Në Kostajnica

Libra

Në Kostajnica

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 8 gusht 2020 Në ora: 17:34
Kopertina e librit

«Lufta mbaroi», kështu mendoja unë e sigurt, në korrik të vitit 1995. Ishim me humor të mirë dhe po rreziteshim në diell. Në kokë kisha rrugën e kthimit për në shtëpi. Kostajnica ishte një vend i vogël, me rreth tridhjetë shtëpi. Si për kënaqsinë time, para hundës tonë, mes fshatit, gjarpëronte një lumë i vogël. Shtëpia jonë ishte e mobiluar shumë mirë dhe kishte një bodrum të madh, të cilin unë e mendoja si fat. Burrat u vendosën në dhoma nga tre ose katër vetë. Mundesha ta kaloja natën, vetëm në dhomë, në një krevat fushor.

Ishte fillimi i gushtit kur një shpërthim, si rrufeja, goditi vendqëndrimin tonë. Në bregun e lumit, nga ana tjetër, ishin fshehur ushtarët kroatë, pas thasëve me rërë. Linja e frontit ishte vetëm pesëdhjetë metra larg nesh. Kroatët na vunë në shënjestër. Mund të na vrisnin të gjithëve si lepujt në kafaz. «Kjo është e pamundur! Jo më luftë!», bërtita unë. Të zbehtë si shkumësi, u mblodhëm në një dhomë dhe po diskutonim se çfarë mund të bënim. Nga mund ta dinim ne se kroatët, me kodin «Sulmi», brenda shtatëdhjetë e dy orësh, kishin rimarrë Krajinën ? Ne të gjithë nuk merrnim vesh nga politika dhe as nga lufta.

«Dikush duhet të mbushë ujë», tha Mishan prerë. Ndryshe nuk do të mund të rezistojmë gjatë këtu. Por, kush do të shkonte të mbushte ujë!? Asnjërit nuk ia mbante të luante me rrezikun. Në atë moment, Ratko, ndodhej tek nëna e vet. Pas shumë ecejakeve poshtë e përpjetë, unë dhe Mishan u bëmë zemërfortë.

Lexo edhe: Në Ravnice

Ishte pasdite dhe mbretëronte qetësi. Të armatosur vetëm me kovat, ecnim të përkulur si macet pas miut, drejtë lumit. Papritmas, ushtarët kroatë, hapën zjarr mbi ne. Na mbuloi llumi i breshërisë së plumbave, të cilët binin afër nesh. Vrapova! Vetëm vrapova! Pa menduar gjë tjetër. Larg nga këtu!

Rash në pritën e dytë dhe u futa menjëherë në transhenë e vjetër. Nuk kisha rrugë tjetër veçse, përsëri të vrapoja nëpër transhe. Mbi kokën time gjëmonin mitrolozët. Zhurma shurdhuese e kishte pushtuar ajrin. Ishte fjala për një sulm të madh. Vrapova deri në fund të transhesë dhe u mbështeta fort pas një muri. Ku ndodhesha unë? Sipër meje gjëmonte, avullonte dhe breshërinin plumbat. Midis krismave të armëve, dëgjoja edhe të thirrura që, më drejtoheshin mua. Hapat e çizmeve dëgjoheshin mbi dërrasat e hedhura si urë, mbi lumë. Sapo kalonin një palë, vinin të tjerët. Nga tmerri, i mbylla veshët. Rrufeshëm, një ushtar kroat, u hodh në transhe. Kur e pashë afër meje, mendova se më ndaloi zemra. Pa shikuar rrotull, ushtari u ngjit në anën tjetër të transhesë dhe doli.

Si një kufomë e gjallë, vetëm shikoja tmerrin e pafund. Gjithë natën nuk pushuan të shtënat e armëve. Plumbat fluturonin lart, drejt yjeve dhe binin përsëri poshtë, si shiu. Shi plumbash. Hijet vallëzonin në mure. Gjithçka dukej për momentin nga drita e shpërthimeve. Me zhurmën e mitrolozëve përziheshin edhe zhurmat e mëdha të minave që shpërthenin. Ajri ishte mjegulluar, dhe i tëri, mbante erë barot.

Shpresëhumbur mundohesha të orientohesha në ato gjëmime. Dëgjoja zhurmën e makinave transportuese të luftës, që i afroheshin vijës së fronit. Nuk e dija se në cilën anë të frontit ndodhesha. Ndoshta, tani në fund të luftës, do të perfundoja në burgjet kroate, si rob lufte. Edhe kjo më mungonte në gjithë historinë time tragjike. Ndoshta edhe ushtarët serbë do të më coptonin. Në atë gjendje tragjike i thirra vetes: «E qetë, Leila! E qetë, e qetë, e qetë!»

Zhurma e luftës, largohej gradualisht. Më në fund u vendos qetësia. Kishte zbardhur. Akoma nuk mund të lëvizja dot nga tmerri që përjetova. Dëgjova hapa. M’u pre fryma. Një hije ra në trupin tim. Një burrë, i përkulur, po vinte drejt meje. Mjekra e tij e gjatë arrinte deri në tokë. Ulurita e tmerruar. Ai u shokua nga bërtitja ime. Ishte Karan. Shpëtova! Karan dukej tamam si ata çetnikët e djallit. Më pushtoi një ndjenjë e ngrohtë sigurie. «Leila, çfare bën ti këtu, në transhetë e armikut?», qeshi ai i çliruar. Çdo qoshe e kishin kontrolluar burrat për mua. Më dha dorën që të dilja nga llogorja. Pastaj shkuam në shtëpinë tonë.

«Kjo është shkëlqimi i diellit tonë!», më përshendeti i gjithë grupi. «Ratko do të na kishte vrarë, nëse nuk do të të kishim gjetur». Të gjithë u qetësuan nga takimi me mua. Fytyrat e tyre ishin të zverdhura nga nata e luftës. Që nga momenti i sulmit në lumë, Mishan ishte zhdukur pa gjurmë. Nuk kishim shumë kohë për gëzim. Menjëherë filluan të breshëronin mijëra plumba mbi fshatin e vogël. Goditjet ishin aq të afërta me njëra-tjetrën, sa copat e predhave binin mbi muret e shtëpisë dhe futeshin brenda nga dritaret. Disa burra qanin si fëmijët e vegjël. «Shpejt, poshtë në bodrum!», i komandova unë. Plumbat na vërshëllenin nga të gjitha anët.

Për gjumë nuk kishte kohë të mendonim. Nata qe një gjëmim i vërtetë. Pa thenë asnjë fjalë, vinim vërdallë, poshtë e lart, duke tymosur cigaret njëra pas tjetrës. Darkos i dridheshin aq shumë duart sa, nuk e vinte dot në buzë, shishen me ujë. Karan e zuri tërbimi dhe, vetëm bërtiste me të madhe: «Punë muti! Punë muti!» Vështirë se ndërronim një fjalë me njëri-tjetrin. Të gjithë prisnim që, nga momenti në monet, të varroseshim së bashku në gropë. Ajo përzierje e qelbur, midis duhanit dhe panikut, ishte e padurueshme. Dolëm jashtë dhe vazhduam t’i thithnim cigaret në ajrin e pastër. Edhe nëse një plumb do ta qëllonte ndonjërin nga ne në kokë. Veç se të përkuleshe, asgjë nuk mund të bëje tjetër. Nuk kishe asgjë në dorë, nëse të kapte plumbi apo të kalonte fare afër dhe, të falte kot. Ndoshta, nga që e dija këtë gjë, isha aq indiferente.

Në një pushim zjarri, Mishan u shfaq përsëri. Dukej komplet i mbaruar. «Ku ishe ti?», e pyetëm ne. Ai u përgjigj: «Në front». Ne qeshëm të gjithë me të madhe dhe e pyetëm, sa njerëz ishit në front. Mishan u përgjigj: «Vetëm unë». Ndërkohë edhe Ratko ishte kthyer. Ishte më i gatshmi nga të gjithë. T’ia mbathim apo të luftojmë. Të gjithë ishin me gishtin në këmbëz.

Pas një farë kohe, ne u bindëm se, me siguri do të vriteshim. Në atë moment, fillova të urreja gjithë botën. Pa përjashtim, të gjithë njerëzit. Askush nga ne nuk guxonte të shkonte në kuzhinë dhe të fillonte gatimin. Ushtarët në front duhej të përballeshin me urinë. Mishan vinte vërdallë poshtë e lart dhe murmuriste lutje. «Ne do ia dalim!», i dhashë unë kurajo atij. Megjithëse në ato rrethana, unë vetë, thuajse isha fare pa shpresë.

Dy ditë të tëra zgjatën bombardimet. Të nesërmen heret, filluam të lëviznim me shumë kujdes, nëpër rrënojat. Çatia jonë ishte goditur nga tri ose katër predha. Ishte shkatërruar komplet. «Duhet të largohemi prej këndej», tha Ratko. Kur po paketonim gjërat, ranë përsëri predhat. Megjithatë nuk ishin aq shumë sa më parë. Rreth nesh dukej sikur një termet gjigand i kishte goditur shtëpitë. Nga disa prej tyre kishin mbetur vetëm copa muresh. Pas një gjysmë ore, u futëm në një strehim tjetër. Ishte afërsisht një kilometër larg vijës së frontit. Ishte më qetë se më parë.

Shtëpia dukej se e kishte përjetuar luftën por, çuditërisht, xhamat e dritareve nuk ishin dëmtuar. Në atë skëterrë nuk doja të isha vetëm. Prandaj e vura shtrirësen time në dhomë me të tjerët dhe dremitja aty. Të tjerët vinin vërdallë në dysheme dhe flisnin me njëri-tjetrin. «Don Zoti dhe është mirë gruaja ime!», tha Karan. Në atë moment u dridhën muret. Më mbuluan copat e xhamave. Kur unë po shkundja copat e xhamave nga trupi, Dule dhe Pedrag po shikonin nga dritarja. Serbët kishin hedhur një urë të fshatit në erë, me qëllim që të bllokonin kalimin e kroatve. Pedragun, na u desh ta përcillnim për në botën tjetër, ndërsa Dule kishte pësuar demtime në bark. Nata pastaj u qetësua./Vijon

Përktheu: Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat