Masakra e kroatëve të maskuar - Bota Sot
Masakra e kroatëve të maskuar

Libra

Masakra e kroatëve të maskuar

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 9 gusht 2020 Në ora: 12:06
Kopertina e librit

Në Kostajnica, drekave frushullonte era. Si e dehur, po shikoja nga dritarja. Dikund vura re dy ushtarë, të cilët po ecnin rrugës poshtë. Ata ishin veshur me uniformën serbe. Në shtëpinë fqinje, jo më larg se dhjetë meta nga ne, trokitën në derë. Në derë doli një grua me dy djemtë e saj të vegjël. Ushtarët filluan të flisnin me zë të lartë. Për një moment mendova se njëri nga ata burrat ishte kthyer nga fronti dhe donte të grindej me gruan e vet. Njëri nga ata, ia drejtoi menjiherë pushkën katërvjeçarit dhe i tërhoqi këmbzën. Voglushi u shemb përtokë. Ushtari tjetër filloi ta qëllonte gruan me bajonetën e automatikut. Gruaja u shokua aq shumë sa nuk u mbrojt fare, megjithëse ushtari i ngulte vazhdimisht bajonetën në trup. Djali tjetër ia mbathi me vrap duke uluritur. Më vonë, ne, e gjetëm djalin të fshehur pas një dollapi, as gjallë as vdekur.

Kur e kuptova se ushtarët ishin kroatë të maskuar me uniformë serbe, zbrita menjëherë tek burrat dhe bërtita me të madhe: « Dy ushtarë therën një grua». Për momentin të gjithë m’i ngulën sytë gojëhapur. Nuk po më besonin. «Shikoni nga dritarja, atje duken gruaja dhe djali i saj, të vdekur. I vranë kroatët me uniformë serbe», bërtita unë me të madhe. Pastaj për pak minuta u bë gjurulldi. Nuk më kujtohet se kush nga ata e kapi pushkën i pari. Si zakonisht, askush prej tyre nuk e dinte se ku e kishte pushkën e vet dhe askush nuk e mbante të mbushur. Dikush nga ne, qëlloi për herë të parë në dritare. Ishte hera e parë që burrat përdorën armët.

Ndërkohë që vazhdonte gjëmimi i shpërthimeve dhe të shtënave, po shikoja nga një dritare tjetër, për të parë se çfarë po ndodhte jashtë. Popullsia po ia mbathte në grupe. Fytyrat e tyre tregonin vetëm dëshpërim dhe tmerr. Disa tërhiqnin me vete një copë mobilje apo një tapet. Shumica e fëmijëve ecnin duke i mbajtur nënat përdore. Papritur, ushtarët kroatë, të veshur si serbë, hapën zjarr kundër grupeve të njerëzve që po mundoheshin të largoheshin nga vatra e luftës. Kaosi ishte i papërshkrueshëm. Njerëzit vraponin të tmerruar, pa ditur se për ku. Pengoheshin në ata që shtriheshin të vdekur në tokë. Gjithkush mundohej të kërkonte shpëtim, por shpëtim nuk kishte. Gjithësecili qëllonte mbi gjithësecilin. Nga breshëria e plumbave, që fluturonin mbi kokat e njerëzve, askush nuk guxonte të ngrinte kokën. Toka dhe qielli ishin ndezur.

Lexo edhe: Në Kostajnica

08. 08. 1995, e martë

Shkova në postë por, nuk gjeta njeri. Te Kryqi i Kuq më njoftuan se nuk kishin mundësi të futeshin në Velika Kladusha. Serbët nuk lejonin.

12. 08. 1995, e shtunë

Shkova përseri në postë por, në Prosiç, nuk funksiononte telefoni i dorës. Nga ditari i nënës

Ushtarët kroatë, të maskuar me uniformën e policisë serbe, qëndronin në anë të rrugës. Kur kalonin makinat, i ndalonin ato dhe menjëherë i qëllonin me automatikë, nga dritaret e makinës, njerëzit që ndodheshin aty brenda. Të gjithë i linin të vdekur. Afërsisht pas një ore, ushtarët serbë, e vunë situatën nën kontroll. Toka ishte shtruar me kufoma. Mbi trupat e pajetë zukatnin mizat.

«Duhet të shikojmë se çfarë po bëhet atje jashtë», tha Ratko. Unë dhe Darko vendosëm. Të dy bashkë u nisëm për në fshat. Nga muret e çara të shtëpive dilte tym i zi. Aty ku kishin qënë dritaret, dukeshin vetëm vrima të zeza. Në rrënoja kishin mbetur ca gjëra personale, një kafaz zogjsh, ose një kukull lakuriq. Era e gjakut ndiehej kudo në ajër. Pamë ushtarët serbë, që kishin zënë rob pesë ushtarët kroatë, të cilët kishin sulmuar turmat, dhe donin t’i transportonin për në Bosanski Novi. Shumica nga ushtarët kroatë, kishte arritur t’ia mbathte. Rrufeshëm u shfaq një burrë si i çmendur, me automatik në dorë, i cili po vraponte drejt ushtarëve kroatë, të zenë rob. Pa thënë asnjë fjalë, ia drejtoi armën njërit prej tyre dhe ia bëri trupin shoshë. Ai ishte burri i asaj gruas, pranë shtëpisë tonë, të cilën kroatët e therën me bajonetë pasi i vranë djalin.

Pas kësaj tragjedie me ushtarët kroatë, të maskuar si policë serbë, kërkova që i gjithë personeli i kuzhinës të armatosej. Si për çudi, Karan më dha mua një pushkë automatike të madhe. Si mund të përdorej, e kisha mësuar nga Darko. Kur mora në dorë armën, flija përsëri si e vdekur. Tani askush nuk mund të më bënte gjë. Për një qime e vrava një ushtar.

Pas pak ditësh, para derës tonë, u shfaq një burrë, rreth njëzet e një vjeç, me uniformë serbe. Flokët i kishte mbështjellur me një kapele të zakonshme. Trupi i tij i hollë ishte ngarkuar me armë nga më të ndryshmet, granata dore, mina, automatik. «Përsëri njëri nga ata që don të na mashtrojë dhe vrasë ne», mendova unë. Hapa me shpejtësi derën dhe ia drejtova automatikun në kokë. «Qëndro aty, mos lëviz!» e urdhërova unë. Ndaloi sikur i ra rrufeja dhe filloi të kollitej me nervozitet. «Kush je ti? Ç’punë ke ti me mua?», tha ai. «Ti kush je?», ia ktheva unë. «Jam Davor». vazhdoi ai. « Cili Davor je ti?»

Djaloshi, duke u dridhur, filloi të tregonte se, ishte larguar nga fronti pasi, sipas tij, nuk e duronte dot më tmerrin e luftës. Si dezertor, nuk guxonte të shkonte në shtëpi. Prandaj kishte ardhur tek ne. «Ti gënjen!», i thashë unë me zë të lartë. Zëri i tij ishte i hollë, si një fije, kur vazhdoi të thoshte: «Eshtë Miri këtu?» «Cili Miri?» e pyeta unë prerë dhe, i vija rrotull me automatikun në dorë, gjithnjë të drejtuar në trupin e tij. Filloi të qante si fëmijë. «Mos po mendon Ratko Miri?», më erdhi mua në atë moment ndërmend.

Me automatik në dorë dhe gishtin në këmbëz, e drejtova atë në shtëpi. «Duart lart!», e urdhërova unë. Burrat ishin ulur në hijen e pjergullës dhe po pushonin. Atyre thuajse u dolën sytë nga zgavrat kur, më panë në verandë duke komanduar ushtarin e huaj. Ratko, duke qeshur, më tha: «Ule armën Leila! Djaloshi është nga fshati im». Mishan i tha: «Davor, çfarë kërkon ti këtu?» Edhe të tjerët e përshëndetën përzemërsisht. Pak si e turpëruar, e ula automatikun dhe u kollita lehtë: «Mirë, atëherë ti je njëri prej nesh». Të tjerët më pyetën si me shaka: «Si, njëri prej nesh?» Ai ushtar, natyrisht që nuk kishte nga ta dinte se, unë isha një myslimane. Kur e mësoi, më kërcënonte me shaka se, do të më vriste. Deri në fund të luftës, Davor, qëndroi me ne. Sa herë vinin ushtarët serbë, atë e fshihnim në dollap ose ku mundeshim. Njëzet ditët e fundit, Davor, përjetoi frikë të madhe.

21. 08. 1995, e hënë. U bënë pesë ditë që, më në fund, Velika Kladusha është përsëri e lirë. Vëllezërit e mi nga Zagrebi dhe Rijeka janë nisur për të vizituar vëllezërinë time në K. Ata jetojnë por, të trishtuar dhe me humbje të mëdha. Për Leilën nuk dinë asgjë. Nuk di çfarë të them. Por e di se nuk do të ndalem së kërkuari për Leilën. Nga ditari i nënës./Vijon

Përktheu: Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat