Alexandra Cavelius: Leila akuzon - Pasthënie - Bota Sot
Alexandra Cavelius: Leila akuzon - Pasthënie

Libra

Alexandra Cavelius: Leila akuzon - Pasthënie

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 11 gusht 2020 Në ora: 17:51
Kopertina e librit

«Përdhunime masive në Kosovë»- shkruanin të gjitha gazetat e botës së lirë, në kryeartikujt e tyre, gjatë luftës së serbëve në Kosovë. Përsëri gra të panumërta ishin përdhunuar. Dhe pjesa më e madhe nga të njëjtët kriminelë të Bosnies. Përsëri një protestë e madhe botërore por, që u shua shpejt.

Në atë moment mua më lindi pyetja, çfarë kishte ndodhur në të vërtetë me gratë e përdhunuara në Bosnie? Si jetonin këto viktima? Kush i ndihmonte ato? Gjithçka kishte rënë në heshtje.

Kampi i përdhunimeve: Një fjalë që të kujton tragjedi të mëdha por, njëkohësisht, që harrohet shpejt. Gjatë luftës jugosllave, u përdhunuan dhe torturuan me dhjetëra, ndoshta me qindra gra, për t’i poshtëruar dhe zhdukur ato dhe familjet e tyre. Aq shumë sa, sado që të denoncojnë dhe numërohen, numri i vërtetë nuk do të dihet kurrë. Përdhunimi, strategji e luftës, e cila nuk harxhon as benzinë dhe as municion. Padyshim që në çdo luftë kanë ndodhur dhe do të ndodhin përdhunime. Megjithatë, në Ballkan, u duk diçka e re në këtë rast. Përdhunimet masive ishin pjesë e politikës. Torturat sistematike ishin qëllim më vete, që të linin nga pas të sakatuar shpirtërisht dhe fizikisht, qindra dhe mijëra viktima të luftës.

Lexo edhe: Takimi me nënën

Sipas mendimit tim, gatishmëria e grave të përdhunuara, për të denoncuar dhunën dhe përdhunimet e tyre, është shumë e vogël. Nga rrethi i grave të njohura nga unë, asnjëra prej tyre nuk ishte e gatshme që vullnetarisht, të denonconte kriminelët e trupit dhe shpirtit të tyre. Jeta e sotme ishte e pandarë me jetën e djeshme.

Psikologët, të cilët mjekonin gratë e traumatizuara, më këshillonin që të distancohesha nga kjo temë. Viktimat kishin ngrirë në heshtje. Një e treta e grave nuk ishin aspak në gjendje që të reagonin emocionalisht. Të tjerat, e kishin humbur aftsinë që të flisnin për veten e tyre. Ato i tregonin ndodhitë në vetën e tretë, sikur nuk kishin të bënin fare me to. Në drejtësi, nuk besonte kush më. Deri më sot, kriminelët ishin të lirë. Pjesa më e madhe e viktimave vuanin në heshtje. Kishin kaluar në harresë.

Pas disa javësh u anëtarësova në një lidhje (Lidhja e të Burgosurve të Luftës për Bosnje-Herzegovinën) me qendër në Sarajevë. Me ndihmën e kësaj lidhjeje, munda të siguroj kontakte me shumë gra të përdhunuara, të cilat, në vitin 2000, do të dëshmonin në Hagë. Gra me kurajo civile. Me personalitet shumë të fortë, të cilat kishin mbijetuar një martirizim të tmerrshëm. Gjatë bisedave, tregonin tmerre të paimagjinueshme. Bëhej fjalë për shtatzëni të qëllimshme, elektroshok në organin gjenital dhe përdhunimet sistematike dhe në grupe, për një kohë të gjatë, të grave shtatzëna në muajt e fundit të lindjes. Shumë nga ato kishin parë me sytë e tyre përdhunimet seksuale të vajzave të tyre, dhe torturimet deri në vdekje.

Askush nuk mund të thotë sa familje u rrënuan nga dhuna dhe përdhunimet. Midis të përdhunuarave, tendenca për vetvrasje ishte shumë e madhe, më tha dikush nga të shoqatës. Nga frika e burrave dhe opinionit, shumë prej tyre vazhdojnë akoma të heshtin. Pjesa më e madhe kanë kaluar në vartësi të qetësuesve. Ndihma mjekësore dhe psikologjike ka qenë vetëm për një numër të vogël të të përdhunuarave. Pjesa më e madhe luftonin me të kaluarën e tyre tragjike, brenda mureve të shtëpisë, në vetminë e tyre. Të mbaruara, shpirtërisht dhe fizikisht, plotësisht nën pushtetin e frikës. Bashkë me ato, edhe fëmijët e tyre.

Ndër ato gra ishte edhe Leila. Ajo ishte më e reja. Dhe ishte ndryshe. Nuk merrte hapa dhe tregohej e qetë, thuajse stoike. Një vajzë e cila, falë projektit ndihmës terapik, kishte mësuar që të qeshte dhe të fliste përsëri. Me atë kishte ndodhur një mrekulli e vogël. Leila ishte dashuruar. Ajo ishte një vajzë, e cila, edhe në momentet e tragjedive më të mëdha, nuk e humbiste shpresën.

Pas fasadave të saj të heshtura, shpërthenin furishëm stuhitë shpirtërore. Në takimin tonë të parë (në kuadrin e një reportazhi) më tregoi se, nga të gjitha gratë e përdhunuara, ajo kishte qënë më me fat. Më vonë ajo më tregoi se, nuk pati kurrë forcë që ta thërriste horrorin në emër. Historia e saj, edhe pas punës time, nuk më la të qetë. Guximi dhe këmbëngulja e saj më mrekulluan. Indiferentizmi i shoqërisë po më tërbonte.

Në takimet e mëvonshme, Leila, shumë gjëra, i tregonte rrëmujë. Disa i ndrydhte brenda vetes dhe kurrsesi nuk donte t’i publikonte. Ajo provonte që t’i zvogëlonte të përjetuarat. Me ndihmën e një psikologeje, e cila njëkohësisht ishte edhe përkthyese, arritëm që pas disa ditësh, të sqaronim shumë gjëra. U bë i qartë edhe roli i madh i nënës së Leilas për jetën e Leilas. Dashuria e saj ishte për vajzën si një stomak ku kishte tretur të gjitha tragjeditë e veta prej disa vitesh. Fati i asaj vajze, reflektonte përsëri gjithë çmendurinë e luftës në Ballkan. Fytyrat e kiminelëve u zhdukën. Të gjithë ishin fajtor. Pa përjashtim, myslimanët, serbët, kroatët. Megjithatë, midis atyre kriminelëve, kishte edhe të mirë.

«Padrejtësia nuk duhet të fshihet dhe as të harrohet», ngulte këmbë Leila. Ndërkohë tërhiqte me shumë dashuri djalin e saj Zoranin, në prehër. Edhe fëmijës së vet, dikur më vonë do t’ia tregonte historitë e veta. «Por, pa i zgjuar ndjenjën e hakmarrjes.»

Me qëllim që horrori të kishte një fytyrë dhe kriminelët, të cilët ia kishin shkatërruar jetën, të kapeshin dhe të dënoheshin, nëna e guximshme kishte vendosur të tregonte historinë e saj në këtë libër dhe në vitin 2000, të ulej përballë tyre, si akuzuese, në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Me çdo kusht, edhe nëse ajo do të ndjente frikën e vdekjes nga ballafaqimi, me ato fytyra, të cilat kurrsesi nuk donte as t’i shihte dhe as t’i kujtonte më.

Rruga për në Hagë është pabesueshmërisht e mundimshme. Gratë, pa ndihmë psikoterapie, duhej të dëgjonin dhe të përballonin pyetje të panumërta. Shumë prej tyre binin pa ndjenja, nga ngarkesa që u shkaktonte dëshima e tyre. Gjithçka duhet ta dëshmojnë me detajet më të holla dhe pastaj, t’i lexojnë përsëri, të gjitha tmerret e përjetuara, çka do të thoshte, një përjetim i dytë. Nëse gjatë dëshmive të tyre harronin diçka, gjë kjo që është fare normale nga njerëzit e traumatizuar, mendoheshin nga gjykata si dëshmitare të pabesueshme. Për gratë dëshmitare, nuk ka asnjë masë mbrojtëse nga ndonjë hakmarrje e mundshme.

Në tetor të vitit 1999, në një proces gjyqësor në Sarajevë, Leila, kishte deklaruar gatishmërinë e saj, vullnetarisht, si dëshmitare kryesore kundër Iuvuz Begi. Begi ishte komandant i kampit të përqëndrimit ku, ajo u burgos me muaj të tërë dhe njëri nga kokat drejtuese të horrrorit me Fikret Abdi. Ai duhet të përgjigjet për shumë tortura, vrasje dhe përdhunime. Me Leilan u bashkuan edhe shumë gra të tjera.

Avokatja i mohoi të gjitha krimet e Begit. Përsëri viktimat ndiheshin fajtore. Që nga fillimi i proçesit, Leila mori disa kërcënime të njëpasnjëshme. Megjithë mbrojtjen policore 24 orëshe, një i panjohur iu afrua shtëpisë së saj dhe e goditi duke e lënë pa ndjenja. Një grua, fqinjë, dëgjoi britmat e gruas dhe evitoi më të keqen. Megjithatë, Leila është e guximshme dhe këmbëngulëse. Ajo, si dëshmitare kryesore, ka vendosur që kriminelëve të luftës t’u japë fytyrë dhe emër. Leila denoncon!/Fund

Përktheu: Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat