Vështrim rreth vëllimit poetik “Rektimë zemre”

Libra

Vështrim rreth vëllimit poetik “Rektimë zemre”

Nga: Zymer Mehani Më: 16 gusht 2020 Në ora: 09:29
Ballina e librit

Poezitë e përmbledhjes “Rektimë zemre” të autores Valentina (Shabani) Marra flasin qartë për disa preokupime të mendimit poetik, siç janë dashuria e sinqertë, besa e qëndresa, të cilat gjatë jetës njeriun mund ta përkëdhelin, por shpeshherë edhe e godasin me çekan andrallash. Nga vargjet e kësaj përmbledhjeje mësojmë se trinomi dashuri-besë-qëndresë është vetë madhështia dhe nderi për vetë njeriun, dhe norma morale, që i japin kuptim jetës dhe si të tilla rëndojnë në peshojë të vlerave njerëzore.
Të 45 poezitë e vëllimit në fjalë shënojnë një ndërlidhshmëri narrative preokupimesh të përditshme, herë si përjetime aktuale, herë si evokim kujtimesh (të ëmbla a të hidhura) nga e kaluara. Ato (pjesa dërmuese e poezive) kanë kryesisht motiv të njëjtë (motivi i dashurisë), por kemi poezi motivesh tjera (ssocial etj.), ku trajtohen tematika nga e përditshmja jonë.
Orientimet e autores Marra, ashtu siç na dalin në këtë përmbledhje, janë vërtet angazhime, ku e djeshmja dhe e sotmja flasin me kristalizim mendimesh përmes artit të fjalës (vargjeve).
Gjendja shpirtërore dhe emocionale në jetën tonë dhe ndryshimet që pëson personaliteti ynë për të mirë (nga virtytet) apo për të keq (nga veset), kanë gjetur shprehje me shumë nuanca në poezinë e autores Valentina (Shabani) Marra. Porositë e vargjeve të saj përcillen në mënyrë të veçantë deri te lexuesi me të shprehurit poetik, si shkoqitje dromcash jetësore të një realiteti aktual.
Një tonalitet tjetër të vlefshëm marrin vargjet e autores Marra me rastin e tematikës së subtiliteteve intime gjatë çastesh galdimi a dëshpërimi, atëherë kur edhe vargjet janë më të vrullshme.
Shpalimi i fjalëve është i mjaftueshëm, i shpeshtë, herë i rrëmbyeshëm dhe herë i qetë, por shpeshherë edhe shqetësues.
Mendimet janë skalitur me fjalor e gjuhë krejt të pastër. Aty hasim vrullin e pandalshëm të shprehjes figurative, ngase kemi një vargan të pafund të figurave letrare, si krahasime, personifikime, metafora, hiperbola etj., që vargjeve ua shtojnë vlerën edhe më tepër.
Mendimet dhe porositë e veta, autorja Marra i thur, i hap dhe i mbyll në trajtë të konstatimeve, për të përfunduar se të gjitha ëndrrat dhe zhgjëndrrat janë një mashtrim i madh, ngase njeriu kurdoherë është i flashkët kundruall të papriturave.
Vlerat që u përmendën më lart, bëjnë që përmbledhja “Rektimë zemre” e autores Valentina (Shabani) Marra të lexohet me ëndje dhe interesim nga lexues të të gjitha gjeneratave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat