Doli nga shtypi libri “Udhëtim nëpër shekuj” të autorit Tomë Berishaj

Libra

Doli nga shtypi libri “Udhëtim nëpër shekuj” të autorit Tomë Berishaj

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 2 shtator 2020 Në ora: 11:36
Kopertina e librit

Këto ditë në duar të lexuesit shqiptarë do të gjendet libri” Udhëtim nëpër shekuj” të autorit  Tomë Berishaj, mërgimtar nga  Malësia, i cili në vitin 1999 u largua nga vendlindja në Michigan , Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky është libri  tij i pestë, ku  ndër të tjera na ofron të dhëna  dhe ngjarje të mëdha  vendimtare historike të shqiptarëve, duke filluar nga  periudha e lavdishme e Gjergj-Kastriotit-  Skënderbeut e deri në ditët  e sotme.  Libri është  ndarë në pesë kapituj.  Në kreun e parë,  të cilit autori Berishaj i kushton më së shumti hapësirë dhe vëmendje, trajton  përpjekjet e shqiptarëve  ndër shekuj për të ruajtur  origjinën dhe identitetin e tyre kombëtar , ngjarjet më të rëndësishme  nga historia e  shqiptarëve, duke filluar nga Besëlidhja e Lezhës të vitit 1444,   e cila hapi një kapitull të ri në historinë e shqiptarëve, duke ndezur aspiratat e  tyre  për liri, pavarësi dhe për krijimin e një shteti të parë  të mirëfilltë shqiptar të konsoliduar me orientim të qartë europiano-perëndimor. 

Autori Berishaj, duke u bazuar në shumë vepra e shkrime dokumentare nga studiues vendas dhe të huaj,  hedh një vështrim historik  mbi kalvarin,  torturën,  keqtrajtimet  e deri në ekzekutimin me vdekje nga ana e osmanlinjve të klerikëve shqiptarë  në Mesjetë. Ai  në këtë libër ndriçon planin djallëzor të Mehmet Reshit Pashës, i njohur si “ Masakra e Manastirit, sjell  tekstin e  plotë të Marrëveshjes ndërmjet mbretit shqiptar   Ahmet Zogut dhe  kryeministrit serb Nikolla Pashiqit sikurse  dhe kontestimet  e disa studiuesve të kësaj periudhë   në botimet e tyre dhe në faqet e shtypit shqiptar dhe  ndërkombëtar. 

Temë trajtimi në këtë libër është edhe Kryengritja e Malësisë 1911, Memorandumi i Greçës, shpallja e  pavarësisë së Shqipërisë dhe firmëtarët e saj, politika e spastrimit etnik, ideologjia nacionaliste serbe e Ilija Grashaninit, dëshmi e fakte për veprimet  çnjerëzore të Perandorisë Osmane, pastaj  jep të dhëna me interes për masakrimin e shqiptarëve gjatë Luftës  Ballkanike nga ushtria serbe,  ndalimin e fesë në Shqipëri,  shkatërrimin e kishave dhe xhamive nga regjimi diktatorial  i Enver Hoxhës,   kalvarin komunist ndaj klerit fetar në Shqipëri, persekutimet e klerit, masakrën e Tivarit e ngjarje tjera tragjike të shqiptarëve.

Në këtë libër, siç thekson autori në parathënie, “do të gjeni  ndonjë kritikë të ashpër drejtuar atyre  shqiptarëve që dëshirojnë të ndajnë e të përçajnë gjakun tonë të përbashkët, të cilët  përpiqen të theksojnë vlerat e atyre kombeve që zaptuan popullin tonë liridashës, të cilët ndërruan komb, gjuhë e fe, të cilët vlerësuan  dhe vazhdojnë të  vlerësojnë virtytet e turqve dhe sllavëve,  e jo atë që kanë trashëguar nga të parët tanë”.

Në kreun e dytë   Tomë Berishaj  ka përshtatur pjesën teatrale   “ Ferexhja” ose  Çarçafi.   Në pjesën e tretë shkruan për fjalë të urta shqiptare të ruajtura ndër shekuj.  Në kreun e katërt  jep një rrëfim interesant të një plaku  nga Kelmendi. Libri prej 230 faqesh i shoqëruar me fotografi   mbyllet me   prejardhjen e fisit Berishaj.

Tomë Berishaj në librin “ Udhëtim nëpër shekuj” i fton pushtetarët,  historianët   dhe elitën shqiptare, që ta ruajnë me çdo kusht  identitetin tonë kombëtar në rrethana të reja në Evropën e bashkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat