Aromë lirie e atdhedashurie

Libra

Aromë lirie e atdhedashurie

Nga: Ajete Zogaj Më: 13 shtator 2020 Në ora: 06:14
Kopertina e librit

E botuar këtu e tetëmbëdhjetë vite më parë, libri poetik (tekste këngësh) i Rrushe Behlulit – Sadikut, edhe pas kaq vitesh nga botimi, lexohet me ëndje nga lexuesi, ka ‘aromë’ lirie, atdhedashurie, mallëngjim kurbetçari...

e këtij libri, Rrushe Behluli – Sadiku, e lindur në Mushtishtin e këngës, atdhetarisë e traditës, ka ditur me mjeshtëri artisteje (me që edhe vet në rininë e hershme, me zërin e saj të bukur interpretoi këngë popullore); kësaj radhe me penën e një poeteshe të vyer, të na dhurojë këto buqeta të bukura poetike.

Vetë titulli i librit “ Lulet e lirisë” ngërthen në vetvete dy simbolika të veçanta, simbolika të cilat kalojnë në përjetësi: Lulja simbol i së bukurës dhe vazhdimësisë së jetës, dhe liria pa të cilën nuk kuptim as jeta e madje as lulja nuk ka bukuri kur nuk ka liri; sikur edhe lulet në Kosovë shijuan peshën e hidhur të robërisë...

Libri “ Lulet e lirisë” (Tekste këngësh) i autores Rrushe Behluli - Sadiku është i strukturuar në tre kapituj : “Lulet e lirisë” (prej nga e ka marrë titullin ky libër) me dhjetë poezi – tekste këngësh kryesisht me motiv patriotik; kapitullin e dytë “Kurbeti” me pesë poezi dhe kapitulli i tretë “Këngë rinie” i cili përmbledhë tetë poezi idila fshati me motive të ndryshme nga përditshmëria.

Libri hapet me tekstin “ Mendimi i recensentit” nga Jetish Kadishani (tani i ndjerë), për të vazhduar me Parathënien nga autorja e librit Rrushe Behluli – Sadiku e cila sqaron lexuesin për motivimin e saj që të hartoj këtë libër si dhe frymën popullore që përshkruajnë pothuajse të gjitha tekstet e këtyre poezive (Teksteve të këngëve), për çka autorja nuk ka lejuar ndërhyrje në tekst me të vetmin qëllim që ato ta ruanin origjinalitetin e tyre.

Libri hapet me poezinë “ Lum si ti Kosovë” në të cilën poezi (tekst këngë) autorja shpalos gjithë gëzimin dhe entuziazmin e një artisteje kur sheh vendin e saj të lirë pas shumë vitesh robëri. Ja se si shprehet ajo:

“Lum si ti, Kosovë, o lule

T’freskon flladi i lirisë

Lum si ti, kurrë s’u përkule

T’ujit gjaku i rinisë.”(fq. 11)

Për autoren Kosova është vendi i saj i dashur e i bekuar, është lulja e bukur, lule që sipas saj, pas shumë vuajtjesh e sakrificash e ujit gjaku i rinisë dhe freskon flladi i lirisë, dy gjëra të çmuara për të cilat u bën sakrifica sublime: për lirinë e Kosovën u derdh gjak, që nga fëmijët e djepit e deri tek të moshuarit...familje të tëra u bënë gurë-themel lirie...

Derisa në disa nga vargjet e saj (tekstet e këngëve të saj), Rrushja kërkon (lëshon kushtrimin) ‘ Mos ma qaj moj nënë dëshmorin” ngase për dëshmorin:

“Do të këndoj për të Kosova

Se dhe jetën për vatan” (fq.14)

Lule që nuk veniten janë dëshmoret e kombit

Autorja me pasion u ‘këndon’ me tekstet e saj figurave të shquara të kombit tonë, që nga kryetrimi Skënderbe, vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës, por edhe Familjes legjendare të Adem Jasharit e cila bëri historinë më të re të Kosovës, u shndërrua në simbol lirie, u bë vet kënga e kushtrimit dhe e lirisë!

Lule që nuk veniten janë dëshmoret e kombit: Shotë Galica, Shukrije Obërtinca, Ylfete Humolli e Nurije Zeka...

Përmes këtyre vargjeve të bukura, autorja synon të lartësojë figurën e femrës shqiptare e cila gjatë gjithë historisë qëndroi burrërisht jo vetëm si nënë dhe edukatore, por edhe si luftëtare e lirisë...

Në kapitullin e dytë, në tekstet e saj autorja trajton një temë shumë të hidhur, temën e kurbetit e cila fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite na përcjell si popull dhe si komb.

Sipas autores, kurbeti hap plagë e vragë të rënda shpirtërore:

“Plagë e zemrës dot s’shërohet

Në dhe t’huaj më shumë zgjerohet

Kur le vendin të mjeruar

Kurrë askund, s’ke për t’gëzuar.”(fq. 27).

Në tekstet e këtij libri trajtohen edhe drama të hidhura jetësore siç janë dasmat në kurbet:

“ A ashtë kjo dasmë

A po jam në andërr

Nusja në Kosovë, nanë

Në kurbet një dhandër.” (fq. 30).

Kapitulli i tretë “ Këngë rinie” kryesisht ka motive idilike nga jeta në fshat: vajza duke përgatit pajën e nusërisë, motive nga dasma dhe tingëllimat e daulles, mallëngjimi i vajzës kur ndahet nga prindërit dhe familja, jeta e saj e re në shtëpinë e burrit, etj.

Autorja me shumë pasion i këndon lumturisë, siç do të shprehet:

“ Kështu ne na shkon jeta

Në prehje e kënaqësi

S’ka asgja ma t’mrekullueshme

Kur jemi bashkë të dy.” (fq. 43)

Tekste të bukura - me shpirt e dell artisteje

Janë tekstet e bukura të shkruara nga dora e një krijueseje me shpirt e dell artisteje, Rrushe Behluli- Sadiku, të cilat u interpretuan në shumë skena koncertale, nga artistet e këngës shqipe Shyhrete Behluli e Shkurtë Fejza, të cilat u mirëpriten nga dëgjuesit e adhuruesit e këngës burimore shqiptare.

Nëse thuhet se, ‘ajo që shkruhet ruhet’, tekstet e këngëve të Rrushe Behlulit – Sadikut, do të këndohen e do të ruhen si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore në artin e këngës dhe artin e fjalës së shkruar...

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat