Ode lirike ditës së mirë ose poezia si festë e shpirtit

Libra

Ode lirike ditës së mirë ose poezia si festë e shpirtit

Nga: Mikel Gojani Më: 24 shtator 2020 Në ora: 09:31
Kopertina e librit

Kësaj radhe, poeti na e ringjall lirikën e odës poetike, atij zhanri antik që i këndonte karakterit solemn për të shfaqur nderim dhe dashuri, a për të shkruar për lavdinë e perëndive, një luftëtari, një mbreti apo në rastet e një ngjarjeje solemne.

Poezia e tillë e ruan komunikimin e qartë me lexuesin: ajo lexohet rrjedhshëm, pa telashe të ndërliqshme.

1.

Mbase, poezia moderne është e vështirë për lexim dhe lexuesit e anashkalojnë, apo pse sot pak lexohet. Kësaj radhe P. Buzhala na vjen ndryshe dhe sikur na e thotë përmes vargjeve:

 

e, secila ditë le të jetë tryezë feste e urtisë,

e Fjalës së zemrës,

si një pishtar statuje që rri i pashuar,

që nuk heq kurrë dorë nga dashuria,

si pishtar i brendaforcës, i jetëkërkimit,

 

Pra, poeti e shpall secilën ditë të mirë, të bukur, të mrekullueshme. Secilin çast e shpall çast magjik. Vijnë këto ode, si këngë lumturimi e gëzimi, si festa të shpirtit. Festë për dashurinë, nderimin, kujdesin, të vërtetën, të drejtën, ecjen në jetë, lirinë, frymëzimin, e deri te çastet, ditët, vitet dhe përjetësia. Kjo këngë feste vjen edhe për një udhëtim a një bisedë, për qetësinë, heshtjen, rrezet, retë dhe yjet. Gjithsesi edhe për diellin, si këngë e përdiellshme, siç thotë poeti. Dhe të këndojë fëmijërishëm(neologjizëm lirike e poetit), domethënë, si këngë e virgjër dhe e pamëkate, si fitore mbi gjithçka të ligë.

E megjithatë poeti na e thotë se në jetë nuk ka gjëra të lehta. Kjo qetësi, ky gëzim e kjo hare jete, për ta mundur vdekjen me lindje, me krijim e me festa të shpirtit, arrihet me shumë sakrifica:

Qenka një trishtim i butë që kundron hapësirën blu.

Fjala prekëse ka intimitetin e saj.

Ka historitë e dashurive të humbura.

Gërmo dhe e zbulon të fshehurën brenda botës sate,

si të gërmosh ar a argjend, një minierë thesaresh,

Dhuroji sytë tu, që Tjetri ta shohë shpirtin tënd.

Dhuroje shqetësimin tënd blu, ta rrëfesh këtë histori.

Mandej ti i sheh të tjerët, se ata janë te mendja jote.

Jepe Dorën tënde, dhe koha të merr në dorën e saj.

Libri ndahet në tri cikle a tri pjesë: "Sa herë humb në jetë shënoje si fitore", "Kryeradhë vargjesh” (i përbërë nga pesëdhjetë këso kryeradhësh a lirikash, si një tërësi poetike) dhe "Emri midis rrezeve dhe reve".

2.

Ç ‘është e vërteta, këto lirika, të shkruara për disa vite, ishin një komunikim i vazhdueshëm me lexuesit në rrjetin social, dhe, si të tilla, u mirëpritën po me atë hare e komunikim të lirshëm. Lirikat ngërthejnë edhe një didaktizëm modern të mendimit a të këshillës së paimponueshme, por të veshur me një lirizëm të çliruar, të rrjedhshëm. Edhe thënia lirike është një proverb i mirëfilltë poetik.

Madje krijuesi këmbëngul që të vihet kufiri i qartë midis mendimit pozitiv dhe atij dëshpërues, negativ. Aty ku shqiptohet një vërejtje a një qortim për jetën tonë, pikësynon të na ngre në këmbë, të mos na lërë të përulur, për të na trimëruar kundruall furive të jetës e stihive të fatit, mëkatit a një dështimi që na rrëzon për tokë. Ai na i tregon edhe burimet se prej nga vijnëligështimi e ligësia, po edhe burimet se ku gjendjen forcat e energjive tona të brendshme, se ku i kemi ato mundësi a kapacitete emocionale a mendimi, veprimi a ecje përpara. Këto energji na ngrenë në vibrime më të larta spirituale e jetësore, në shkallë gjithnjë e më të sigurta të inkurajimit e trimërisë së shpirtit. Kështu, poezia na vjen gjithnjë e më e hareshme, gjithnjë e më solemne, gjithnjë e më e ndritshme. Mund të lexohet edhe si lirikë e empatisë, i identifikuar me dhembjet shpirtërore e me mundimet e të tjerëve,  për t'u shqiptuar, aty për aty, një mesazh çlirues:

Po ece një jetë të tërë me kokën lart,

drejt stuhisë po e mbajte,

mbaje edhe me zemrën gjithmonë të ngrohtë,

e kur në rrugë të trazojnë shirat, vetëtimat,

Thuaj: s'ka gjë, kohë e mirë është sot.

 

Shih si u rrëzuan stuhitë,

Shih si rruzullimi të qetëson me heshtjen e tij.

Po, Ditë e Mirë është sot!

(Poezia "Thuaj: ditë e mirë është sot")

Duke i sublimuar kështu te kjo poezi përvojat e tij të gjata me shkrimin, sidomos me shkrimin kritiko-letrar, me përvojat krijuese të letërsive të ndryshme e tëzhanreve nga më të ndryshmet, ky vëllim na vjen edhe me një ligjërim social-meditativ, psikologjik-shpirtëror, që siç na thotë Buzhala, vjen "simbas shembullit të Artur Shopenhauerit, e që do të quhej një roman eudemonologjik, mbasi Shopenhauer kështu e quante filozofinë mbi rregullat e ekzistencës së lumtur." Në letërsi, ky diskurs i folësve lirikë, "jepet në kërkim të harmonisë e të lumturisë", aty ku ka mungesë harmonie e sigurie, sidomos tek shtresat e goditura në jetë.  Dhe ky folës lirik " e merr rolin komentues autorial e të ndërgjegjësuar, si vetëdije e zgjuar e veprës", pra, si zhanër që lëviz kah ndërthurja e shkrimit letrar me atë të edukimit shpirtëror: "njeriu e gjen rrugën e perspektivës, pa marrë parasysh rrethanat... njeriu kalon nëpërmes procesit të vetëngritjes, të pikës së gjetjes së vetvetes " (shih: te vepra "Amëza e rrëfimit"). Është ky kërkim i gjetjes së vetvetes, si kërkim sidomos shpirtëror, në sfondin e përgjithshëm poetik të kësaj vepre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat