Fragment nga romani “Shkretëtira e Tartarëve”

Libra

Fragment nga romani “Shkretëtira e Tartarëve”

Më: 18 tetor 2020 Në ora: 15:28
Dino Buzzati

Nga: Dino Buzzati

Pothuajse dy vjet më pas Xhovani Drogo po flinte një natë në dhomën e tij të Fortesës. Kishin kaluar njëzetë e dy muaj, pa sjellur asgjë te re dhe ai kishte ndenjur në vend duke pritur, a thua që jeta duhet të kishte për të një zemërbutësi të veçantë! Megjithatë njëzetë e dy muaj janë të gjatë dhe në rrjedhën e tyre mund të ndodhin plot gjëra: del koha që të krijohen familje të reja, të lindin fëmijë e të fillojnë edhe të flasin, që një shtëpi e madhe të ngrihet aty, ku më parë kishte vetëm livadhe; që një grua e bukur të plaket e askush të mos e dëshiroj më, që një sëmundje, edhe nga ato më të gjatat, të përgatitet (e ndërkohë njeriu vazhdon të jetojë i shkujdesur), ta tresë dalëngadalë trupin, të tërhiqet përkohësisht për të lënë përshtypjen e shërimit, të turret sërish më me vrull duke gllabëruar shpresën e fundit, mbetet ende kohë që i vdekuri të varroset e të harrohet, që i biri të jetë sërish në gjendje të qesh, e që në mbrëmje t’i çojë mikeshat në shëtitore, përgjatë kangjellave të varrezave.
Jeta e Drogos, përkundrazi, sikur qe ndalur. E njëjta ditë, po me ato gjëra, ishte përsëritur me qindra herë, pa bërë një hap përpara. Lumi i kohës kalonte përmbi Fortesë, plasariste muret, merrte teposhtë pluhur e copa gurësh, lëmonte shkallët e zinxhirët, por sipër Drogos kalonte më kot, ende nuk kishte mundur të përqethte gjatë arratisjes se vet.
Edhe kjo natë do të kishte qenë njëlloj, nëse Drogo nuk do të kishte parë një ëndërr… Ishte bërë sërish fëmijë e rrinte natën në parvazin e dritares. Përtej në një pjesë të futur thellë të shtëpisë, shihte fasadën e një pallati luksoz të ndriçuar nga hëna. Drogos fëmijë i kishte tërhequr vëmendjen një dritare gjatoshe dhe e lartë, e rrethuar nga një kornize mermeri. Hëna duke hyrë përmes xhamave, binte në një tryezë, të mbuluar me një mësallë të thurur dhe mbi të kishte një vazo dhe disa statuja të fildishta. Këto pak objekte të dukshme, të shtynin që të përfytyroje, që mbrapa errësirës, fshiheshin intimitetet e një salloni të madh.
– Ç`gëzim, – tha me vete Drogo, – të mundje të jetoje në ato sallone, të sorollateshe me orë të tëra duke zbuluar thesare të reja.
Ndërmjet dritares ku po rrinte dhe pallatit të mrekullueshëm, kishin filluar të faniteshin disa fantazma të brishta, të ngjashme ndoshta me disa shtojzovalle, që tërhiqnin pas vetes bishta të gjatë prej tyli e që llamburisnin në dritaren e hënës. Prania e disa krijesave të tilla që as në botën reale, kurrë nuk i kishte parë, nuk e çudisnin aspak Xhovanin. Këto qenie misterioze kalamendeshin në ajër në shtjella të lehta duke cikur gjithë kohën dritaren gjatoshe…
Ashtu fluide siç ishin, ngjanin si pjesë përbërëse e pallatit misterioz, por që s’po ia varnin fare Drogos, duke mos iu afruar shtëpisë së tij, ia sëmboi sedrën. Pra dhe shtojzovallet i kërkon nga fëmijët e zakonshëm, për t’u kujdesur vetëm për fatlumët, qe nuk ua hedhin fare sytë, por flenë shpërfillës në balldakinën e mëndafshtë.
“Pst, Pst” – ia bëri Drogoja disa herë me droje, për t’ua tërhequr vëmendjen fantazmave, por duke e ditur fare mirë se ishte diçka e kotë. Dhe s’u gabua, asnjëra s’e dëgjoi, asnjëra nuk iu afrua parvazit të dritares së tij
Atë çast njëra prej këtyre krijesave magjike u kap me njëfarë krahu pas skajit të dritares përkundruall dhe trokiti në xham me takt, si për të thirrur dikë…

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat