Zbulohet vepra e panjohur e Marin Barletit

Libra

Zbulohet vepra e panjohur e Marin Barletit

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 16:33
Foto Ilustrim

Deri më tani, Marin Barleti njihet për dy botimet e tij, këto të njohura botërisht: “Rethimi i Shkodrës” dhe “Skënderbeu jeta dhe vepra e tij”. Por, humanisti ka lënë edhe një vepër të tretë.

“Po e prezantoj veprën, të cilën e kam gjetur gjatë hulumtimeve disavjeçare mbi figurën e Gjergj Kastriotit, – shkruan Gjon Keka. Ky libër, siç pohon ai, gjendet në Bibliotekën Nacionale të Vjenës dhe duket të jetë si dorëshkrim.

Libri mban titullin: “Përmbledhje ose shkurtore e jetës së papëve deri te Marcellini II dhe i perandorëve romakë”, botim i vitit 1555. Në fakt, janë dy botime, njëri me dy emra të familjes Engjëllore të Arbërisë, atë të Andrea Engjëllit dhe të Pjetër Engjëllitn që në hyrje të librit.

Kjo vepër e Barletit do të publikohet së shpejti, siç thotë Gjon Keka, në librin e tij.

***

Marin Barleti është figura më e madhe e lëvizjes së humanistëve shqiptarë të shekujve XV-XVI. Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër. Fare i ri, më 1478, mori pjesë me armë në luftën për mbrojtjen e qytetit të lindjes nga rrethimi i forcave osmane. Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftrave për të mbrojtur atdheun “nga kujtimi i të cilit – shkruan ai,- tani përtërihem si për mrekulli, por edhe për të cilin s’mund të shkruaj pa lot në sy”. Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si shumë të tjerë, të mërgonte në Venedik me 1504. Por vepra që i dha emër Barletit në kulturën shqiptare dhe në botë ishte “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë rreth viteve 1508-10. Kjo vepër në kohën e vet u ribotua latisht tri herë, u përkthye në shumë gjuhë evropiane dhe u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, që nga italishtja, spanjishtja, rusishtja, frengjishtja, greqishtja e deri në japonisht. F.S.Noli ka shkruar me të drejtë se vepra e Barletit “fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë”.

Popullariteti i madh që gëzoi vepra shpjegohet me dy arsye: e para lidhet me subjektin që trajton, me figurën e Skënderbeut, e cila u bë e njohur dhe legjendare qysh në kohën e vet; e dyta qëndron në forcën dhe bukurinë e stilit me të cilin ajo është shkruar, një stil që të rrëmben.
Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut është, në radhë të parë, një vepër historike, por e shkruar nga një dorë mjeshtri. Stili i gjallë dhe elegant me të cilin e ka shkruar Barleti, e bëjnë atë një vepër edhe me vlerë letrare. Këto vlera qëndrojnë në gjuhën e pasur dhe në figuracionin e pasur, në mjeshtërinë plastike të vizatimit të figurës së Skënderbeut, në frymën patetike dhe vrullin tronditës që përshkon tregimin, si dhe në bukurinë, gjerësine dhe lehtësinë e frazës. Vepra e Barletit përshkruan historinë e luftrave heroike të shqiptarëve, të udhëhequr nga Skënderbeu, kundër hordhive osmane. Atë e përshkon nga fillimi në fund ndjenja atdhetare, krenaria e autorit për vetitë luftarake të popullit të vet, dashuria dhe adhurimi për heroin, që i dha emrin një epoke të tërë në historinë e popullit shqiptar.

Vlera më e çmuar që gjen Barleti te bashkatdhetarët e vet, është dashuria për lirinë, për trojet amtare, vendosmëria për të dhënë edhe jetën për mbrojtjen e tyre.

Nuk ka gjë më të çmuar për njeriun sesa atdheu, nuk ka detyrë më të shenjtë sesa lufta për ta mbrojtur atë nga i huaji. Kjo është një nga idetë e mëdha të veprës. Kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin asnjëherë nuk duhet kujtuar se është derdhur gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër, shkruan Barleti.

Duke folur për qëndresën e shqiptarëve gjatë shekullit XV, Barleti ka vënë në qendër të veprës së vet protagonistin dhe heroin e saj qendror Gjergj Kastriotin. Kjo figurë është vizatuar me dashuri e ngjyra të gjalla; ajo është dhënë me tiparet që ia njeh historia, pra gjithmonë në frymën e humanizmit e të konceptit humanist për njeriun dhe luftëtarin e lirisë.

Barleti e jep Skënderbeun si personifikim të heroit që mishëron forcën e njeriut, aftësinë dhe bukurinë fizike e morale të kësaj krijese të mrekullueshme, sipas botëkuptimit humanist. Figura e tij del madhështore, si një hero legjendar, simbol i çlirimtarit dhe i mbrojtësit të lirisë, prijës i një populli luftëtar e trim , të dashuruar deri në dhembje me trojet e veta dhe me lirinë.

Luftëtar i ashpër dhe prijës me një zemër të madhe njerëzore, madhështor dhe legjendar – e tillë të mbetet në mendje figura e heroi , skalitur si me daltë nga pena e Barletit.

Në veprën “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut„ autori mbron të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, himnizon njeriun dhe forcën e tij, heroizmin njerëzor dhe dashurinë e natyrshme për trojet e të parëve.

Duke qenë një vepër historike, libri i Barletit ka rëndësinë për të dhënat dhe faktet që sjell. Pa këtë vepër historiografisë për Skënderbeun do t’i mungonin burimet e para, që e kanë ushqyer dhe vazhdojnë t’a ushqejnë edhe sot. Në disa raste, i rrëmbyer nga entuziazmi që i shkakton kujtimi i ngjarjeve heroike që përshkruan edhe urrejtja për pushtuesin, Barleti i zmadhon ngjarjet e‚ sidomos ndryshon shifrat e pjesëmarrësve në luftime. Por, prapëseprapë, në thelb dhe në frymën e saj të përgjithshme vepra i përmbahet së vërtetës historike.

Me librin e tij Marin Barleti qëndron në fillimet e letërsisë shqipe, që kësisoj nis udhën e saj me një vepër të përmasave të mëdha. Kjo vepër është shkruar në latinisht, që asokohe ishte gjuha e kulturës në Evropë, por ajo i përket kulturës shqiptare, jo vetëm se është shkruar nga një shqiptar, por se është bota shqiptare që i ka dhënë jetë këtij argumenti madhështor të kulturës së hershme të këtij populli të lashtë. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat