Mbi veprën poetike “Në kthetrat e kohës” të autorit Sead Ramadani

Libra

Mbi veprën poetike “Në kthetrat e kohës” të autorit Sead Ramadani

Nga: Pal Sokoli Më: 26 tetor 2020 Në ora: 07:07
Kopertina e librit

Poeti ynë i mërgimit Sead Ramadani gjatë këtij viti (2020) na solli librin e tij të dytë “Në kthetrat e kohës”, redaktuar nga Bekim Ramadani, që është vijimësi e përmbledhjes poetike “Malli për tokën”. Kjo vepër është poezi e mallit, poezi e hallit dhe e gjakimit për gjenin, për gjakun dhe për gjithë gjeopoetikën me të cilën e lidhë koha dhe për të cilën lirika e tij i bën thirrje të bëjë qëndresë. Ky fryt poetik ka një rrjedhë të natyrshme që lidhet me ngjarjet, me bëmat e kaluara nëpër kohën e autorit e që si prapavështrim i kthehen dhe nuk e lënë të qetë as këtu në mërgatë.

Libri nuk është i ndarë në kapituj po është një tufë poezish, një tufë shfryrjesh patosi, shfryrje brengash që me kohë e kanë ngarkuar shpirtin e poetit. Që nga poezia e parë poeti fillon me dolli për veten duke cakërruar gotat me dashurinë e tij. Pastaj ai “ndërton” një figurë të tij poetike me emrin “Nica”, një atdhe, një ide fikse që na shoqëron shpesh përmes kësaj përmbledhjeje. Shumë poezi lidhen më këtë emërtim, lidhen me ndjenjat dhe gjakimin e poetit për Nicën. Diku e ka kujdesin e madh dhe ndjen dhimbje për të, se mos po i shemben themelet, diku e ka kujdesin se nuk po i zbulohen dhembjet që koha ia ka palosur e mbuluar me tokën e harruar. Seadi shtegton në poezi, shtegton në prapavështrim dhe kujton imazhet e vendlindjes, Arrnjetit, Lumëbardhit, Mikenës, Kalave, Rrugës së Sabitit, Brisë, Iliridës së tij, Dardanisë dhe gati çdo pëllëmbeje të tokës shqiptare. Këto imazhe poeti i sheh nga mërgimi, prandaj i vijnë më të rënda, më të dhimbshme, dhe sikur ngushëllohet kur shpërthen nëpër poezitë e tij. Poeti si një zog shtegtar i kthehet në vrojtim vendlindjes, oborrit të shtëpisë ku është rritur, prindërve dhe mënyrës së jetës se si është rritur. Mërgimi ka dhembjet e veta dhe Seadi i përjeton thellë ato, i përjeton rëndë kur këtu vijnë të rinj dhe përcillen në arkivole e varrosen në tokën amë, siç na dëshmon të poezia “Rekuiem” (Iku nga ana e kalasë / Me këmbët e veta / Me një shkëlqim shprese në sy / U kthye në arkivol...) ose te poezia “Arkivolin ma dërgoni në Iliridë” kur Liman Nuhiu porositë: O ju vëllezërit e mi / Arkivolin me flamur ma mbuloni / Nga kurbeti në Iliridë ma dërgoni...

Poeti me pendën e tij futet labirinteve të kohës për të kërkuar drejtësi, për të kërkuar kujtimet e fëmijërisë, gurët e shenjtë të Iliridës, të Dardanisë, nektarin e kopshteve, ritualët e festave dhe gjithçka që është virtyt i gjenit të tij për t’ju kundërvënë veseve të këqija e çoroditjeve të kohës për çka shpeshherë e ndjen fajtor edhe veten. Mirëpo poeti pas shumë mundimesh arrin që ta zhveshë veten nga këto vese të cilat ua ka veshur koha njerëzve të tij. Te poezia - Unë feudal, (Gardhet me ferra i urrej / Do të na përgjakin ëndrrën që na bashkon), Sead Ramadani në meditimet e veta poetike ka qenien shqiptare të cilën e sodit nga çdo këndvështrim, pastaj e shkruan me maje pene nëpër fletët e historisë. Edhe pse shpirti i poetit është i qetë ai zhgënjehet më mashtrimet që i janë bërë, me tradhtitë në emër të një apo ndonjë ideali të rrejshëm. Poezia e tij “Monopoli” zgjon ndjenja të trishtueshme të mashtrimeve qoftë në Tetovë, në Tivar apo kudo tjetër (...ishin të mbushur me shpirtra të fesë shqiptare...).

Poeti ka mishëruar mirë në poezi edhe urtësitë popullore duke i kthyer në porosi universale si te poezitë “Kush i bën varrin tjetrit, bie vetë brenda” ose “E vërteta vonon, por kurrë s´harron”.

Sead Ramadani te poezia, ”Foli legjenda vetë” “therë” me maje pene edhe përçarjet religjioze duke pllakosur në murin e kalasë se tij, në pragun, në gojën e arrnjetasve, një porosi kur thotë: “foli një legjendë vetë / mysliman apo të krishterë / feja ime është shqiptaria / me mijëra vjetë”. Te poezia “Poetit të Rugovës” Seadi nuk mund ta fsheh edhe shtegtimin e tij për të kërkuar idhujt nëpër bjeshkët e Rugovës. E kërkon Azem Shkrelin, kërkon penën e tij që fluturon si shigjetë shprese nga Shkreli. (...Të kërkova gjithkah / që ta shuaj këtë zjarr / e ta heq këtë mall / të gjeta e s´të humbas / çdo vit të kujtoj këtu në Ennepetal).

Përmbledhja poetike “Në kthetrat e kohës” përfundon me disa poezi lirike ku dominon dashuria me një simbol zemre, që diku në ndonjë vjeshtë të qetë edhe poetin e fut në hall.

Poezia që krijohet në mërgatë është e karakterizuar më ekzistencializmin nëpër kohë dhe hapësirë dhe ajo shpërthen në forma të ndryshme, pareshtur, sikur dhe Sead Ramadani në poezitë e tij. Në pikëpamje poetike poezitë kanë porosi, reflektojnë një vazhdimësi të ushtruar që nga përmbledhja e parë e poetit. Në përmbajtje ontologjike poezitë e Sead Ramadanit qartësojnë domosdoshmërinë e mbijetesës, qartësojnë fatin e qenies së tij në kohë, andaj vepra e tij, me ton të ndjeshëm të mërgimtarit, dita-ditës po zë një vend të veçantë në letërsinë tonë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat