Beatrix Potter, shkrimtarja e gjuhës së kafshëve

Libra

Beatrix Potter, shkrimtarja e gjuhës së kafshëve

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 19:17
Beatrix Potter

Autorët janë gjithnjë rrethuar nga misteret, madje edhe më të njohurit prej tyre. Beatrix Potter, e njohur botërisht për librat e saj kushtuar fëmijëve, pesë muaj para vdekjes kishte lënë të nënkuptohej se puna e saj më e madhe ishte në një koleksion ditarësh të kodifikuar. Mbetur sekret deri në vitin 1952, një adhurues tejet i përkushtuar, Leslie Linder, arriti t’i deshifronte, pas më shumë se 13 vjet pune të palodhur…

Në nëntor 1943, Beatrix Potter, asokohe në moshë të thyer 77-vjeçare dhe e sëmurë nga pneumonia, vendosi t’i shkruante një letër kushërirës së saj, Caroline Clark. Ndërsa autorja britanike kishte botuar tashmë me suksese të jashtëzakonshme tregime si “Zonja Tiggy” ose “Lepurushi Piter”, ajo përmendte për herë të parë një vepër të një natyre krejt ndryshe: ditarë intimë të koduar, që i kishte mbajtur prej moshës 14-vjeçare”., shkruan Konica.al

“Kur isha e re, kisha shumë dëshirë të shkruaja, por nuk kisha asnjë material”,  – shkruan ajo.

“Kështu që shkruaja përshkrime të gjata, copëza bisedash dhe kantika, por gjithnjë duke përdorur një sistem kriptimi”, vazhdoi ajo.

Beatrix Potter sugjeron më pas se këto fletore të vogla të padeshifrueshme mund të ishin kryevepra e saj më e madhe, që përmbante mendimet më intime mbi artin, letërsinë, por edhe shkencën, natyrën, politikën dhe shoqërinë, sikurse dhe shpresat apo zhgënjimet. Ditarët e Potterit u zbuluan në shtëpinë e saj, në vitin 1952, gati 9 vjet pas vdekjes, nga Stephanie Duke, një mikeshë e vjetër e autores. Mirëpo, në atë periudhë nuk përbënin tjetër veçse një seri shkrimesh, të pamundura për t’u deshifruar dhe në pamje të parë gjëra të pavlera. Për më tepër, shkrimtarja nuk kishte lënë asnjë udhëzim për të deshifruar shkrimin, kurse faqet e para të ditarit i kishte përshkruar si “shkrime irrituese dhe absurde” në një nga korrespondencat e saj.

Ishte pikërisht vullneti i Leslie Linder, i cili, duke i shfletuar për të kushedisatën herë kur diktoi në një nga faqet, një çelës: numra romakë të bashkangjitur me datën 1793, që i mundësuan të deshifronte fjalën e parë: “ekzekutim”. Duke përdorur të njëjtin model, ai filloi të deshifronte kodin që Potter kishte zhvilluar gjatë adoleshencës. Pasi zbuloi kodin e famshëm, iu deshën tetë vjet të tjera për të përkthyer pjesën tjetër të dokumenteve. Tjetër vështirësi ishte, se autorja britanike nuk ishte kufizuar në një mbështetës të posaçëm. Kishte fletore, natyrisht, por jo vetëm. Leslie Linder, thotë se gjeti recensione për ekspozitat e koduara në një manual diktimi në frëngjisht. Këmbëngulja e specialistit, për gati 13 vjet, zbuloi një fytyrë krejt të re të Beatrix Potter, veçanërisht gjatë adoleshencës së saj. “Ishte e habitshme të shihnim sesi e harruam Beatrix Potterin, për të mbajtur vetëm veprat e saj”, – tha ai. “Më në fund arrita të njihem me këtë njeri të bukur që ishte Mis Potter”.

Helen Beatrix Potter lindi në Londër më 28 korrik 1866 në një familje të kamur. E kaloi fëmijërinë larg fëmijëve të tjerë, e rritur nga guvernantet. Beatrix filloi të ndërtojë një botë krejt të sajën, formuar nga bretkosa, lepurushë dhe minj. Fantazi dhe përfytyrime përrallash. Gjatë një vere shkon me pushime së bashku me familjen në rajonin e Lumit të Madh, një zonë e Anglisë e dashur nga Wordsworth dhe Colleridge. Këtu Beatrix e zhytur plotësisht në natyrë dhe duke ndjekur mësimet e famullitarit, interesohet për natyrën dhe mëson rëndësinë e ruajtjes së një peizazhi natyror. Në familjet viktoriane ishte zakon që të mos i dërgonin vajzat në shkollë, kështu që Beatrix duhej të ndërmerrte fatin e saj si një grua që drejton shtëpinë, në pritje të martesës. Mirëpo, vajza, duke u rritur, preferoi të jetonte në një mënyrë jo konvencionale, duke u përpjekur t’i shpëtonte dinamikës së familjes, madje shkroi edhe ditarin me kod sekret, i cili do të deshifrohej vetëm pas vdekjes.

Pasioni i saj për natyrën rritej dita-ditës, aq sa ajo do të aplikonte për të punuar në Kopshtet Botanike të Kew. Sidoqoftë, pikëkthesa erdhi në 1901, kur ajo vendosi të botojë fabulën “Lepurushi Piter”, duke mos gjetur botues të gatshëm për ta botuar, ajo vendosi ta botonte me shpenzimet e veta. U shitën 250 kopje, njëri prej të cilëve ra në duart e botuesit Norman Warne. Beatrix më në fund arriti suksesin dhe pavarësi. Frekuentonte fshehurazi Warne, me të cilin ishte shumë e dashuruar, por nuk arriti të martohej me të sepse u sëmur dhe vdiq. Duke trashëguar pasurinë e familjes, Beatrix Potter bleu hapësira të pafundme tokash, që aktualisht përbëjnë një pjesë të madhe të zonës së mbrojtur të Parkut Natyror Kombëtar të Qarkut Lake, sepse dëshironte ta ruante atë për turizëm dhe nga shkatërrimi i dorës së njeriut.

Edhe sot, më shumë se 75 vjet pas vdekjes, përrallat e ilustruara bukur për fëmijë të Beatrix Potter, duke shfaqur kafshë dhe peizazhe të frymëzuara nga shtëpia e saj e dashur në Lake District of England, vijojnë të jenë jashtëzakonisht të njohura.

Libri më i suksesshëm i Potterit: “Përralla e Lepurushit Piter”, u frymëzua nga një letër e ilustruar që Potter i shkroi Noelit, djalit të ish guvernantes, Annie, në 1893. Më vonë, ajo ia huazoi letrën për të kopjuar fotografitë dhe historinë, e cila më pas u përshtat për të krijuar përrallën shumë të dashur. Në vitin 1903, Beatrix Potter dizenjoi dhe hodhi në treg lepurin pelush Piter, duke e bërë personazhin e parë kukull të licencuar.

Aktualisht, në mbarë botë shiten çdo vit më shumë se dy milionë libra të Beatrix Potter. Tregimet simpatike kanë një cilësi të përjetshme, të përcjella brez pas brezi, duke u pëlqyer gjithmonë nga lexues të rinj. Librat e saj, arti i saj, delet Herdwick dhe shpirti i saj i paepur janë të gjitha pjesë e trashëgimisë së saj të madhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat