Romani “Trandje zemrash” – tablo nga jeta në kurbet

Libra

Romani “Trandje zemrash” – tablo nga jeta në kurbet

Nga: Zymer Mehani Më: 2 nëntor 2020 Në ora: 17:23
Kopertina e librit

Romani “Trandje zemrash” i shkrimtarit Shefki Përvetica është i shkruar me një përpikëri letrare, sepse atë e karakterizon qartësia narrative, si dimension thelbësor, ku përshkrimet janë të realizuara me detaje. Përgjatë gjithë rrëfimit, autori lexuesin e fut në labirinte magjike, duke e shëtitur me imagjinatën e tij të pasur nëpër kohë e vende të ndryshme dhe duke e njohur me persona, kryesisht të një familjeje shqiptare të Kosovës. Lexuesi, lundron thellë në ujërat e fantazisë, ballafaqohet me andralla të jetës së prindërve, babës Xhemë e nënës Zarë, që djemtë e tyre, Limanin e Skënderin i kanë në kurbet.

“Xhema, djalin e madh, Manin e kishte në shtëpi, ndërsa dy të tjerët, Limanin dhe Skënderin që prej dhjetë vjetësh i kishte në kurbet. Për aq kohë sa i kishte larg shtëpisë, shumë pak ua kishte parë hajrin. As njërin, as tjetrin kurrë nuk i kishte shtrënguar pse ata s’iu kishin gjetur sa duhet për t’iu bërë krah për punët e shtëpisë. Për ta thoshte çdoherë se kushedi a mund të punonin, apo jo. Besa, druante se mos po i hiqnin për kafshatën e gojës etj. Brengosej për të bijtë dhe këtë shqetësim s’ia shfaqte askujt, e as të shoqes, ngase ajo, menjëherë do të shpërthente në akuza, çfarë t’i vinte në gojë”.

Edhe tëhuajësimi e vetmia për këta prindër, tanimë në moshë, janë të shkallës së padurueshme.

Ja si e ilustron shkrimtari këtë fakt:

“Është afërmendsh me luejtë krejt, e jo veç me lotue. Sa dhentë i kemi pasë, dhitë prej më të mirave, lopë, me u tutë njeriu se po u bjen mësysh, pastaj atin, që në shpinën e tij ka pasë vend për një kazan ujë… E sheh pra se duhet me kajtë që edhe përtej kodre me u dëgjue zani, nuk është marre. Gjallni, Zarë, gjallni ka pasë, e sot, kur duart tona janë thatë, nuk është lehtë me u pajtue. Për katër kamë lope që i ke në ahur, ti mos i kallëzo kurrkujt, se është marre. Ani veç edhe me tregue se kemi harrue edhe tamlin si e ka, pasi nuk e qet pikën, tamam do të bëhemi gazi i botës! Pra, ka të drejtë Xhema me lotue, e qe besa edhe me luejt mendsh, s’i zihet për të madhe. Mall ka qenë gjithë ajo pasuri, grujo, por sot s’e kemi më. Tash me të renë po themi se kjo punë nuk është modë me u lodhë me kafshë. Lum për këtë modë me pritë veç prej shitores çka po t’qet n’kaqep! Oh, po më dhimbsen fëmija që po hjekin për një ushqim të shëndetshëm, se sa për mue, e pat kjo punë! Drejt po të kallëzoj, grujo, se kur po e kujtoj atë kohë, veç sa s’po më lëshon zemra. Sot, ky vend po më duket më i shkretë sesa me hy n’vorre”.

Veç tjerash, në roman lexuesi ndesh pasuse të pasura letrare, ku autori përshkruan mjeshtërisht ndikimin e madh të plagëve të kurbetit edhe në formësim (Limani) a në deformim (Skënderi) të karakterit të njeriut. Ai përshkruan edhe hallet dhe telashet e tyre që i kanë çuar në vend të huaj.

Jeta në kurbet është e rëndë, askush me dëshirë nuk është larguar nga vendlindja e vet. Shkrimtari i trajton me shkathtësi artistike tipologjitë e njeriut, të ambientit tonë (shqiptar), por edhe të ambientit të huaj (gjerman), atë që është vazhdues i traditës dhe atë, që mund të jetë verbuar nga paraja dhe teket.

Personazhet e romanit “Trandje zemrash”, pra, janë pjesëtarë të një familjeje fshatare, që jetojnë me djersën e vet. Baca Xhemë me të shqen Zarën, tani në vitet e tyre të pleqërisë, vend për të pushar dhe për t’u ngushëlluar do ta kenë atë cung të bungut, në skaj të oborrit dhe hijen nën qershi, në kopshtin e tyre. “ Prej aty, edhe derës së hymjes ia shihte, madje edhe dorezën, kur e hapte mysafiri dhe hynte brenda; nga aty numëronte edhe krerët e bagëtisë, kur në mbrëmje i kthenin djemtë nga kullosa; nga ai vend, vetëm pakëz i kthyer në të majtë, i përgjigjej zërit të të shoqes, që e thërriste për të ngrënë bukë. Edhe mysafirët kur vinin, shikimet i drejtonin më tepër te vendi ku qëndronte i ulur baca Xhemë, sesa nga dera e odës, ku ai i priste bujarisht ata”.

Edhe këta, si shumë prindër të tjerë do të ballafaqohen me vështirësitë dhe ndryshimet që i sjell jeta. Veç tjerash, Xhema e Zara do të vuajnë edhe për faktin se djemtë e tyre, Limani e Skënderi, në vend se të kontribuojnë dhe të punojnë këtu në atdhe, ata detyrohen të marrin udhët e kurbetit, duke lënë bashkëshorte e fëmijë.

“Lehtë e kanë ata. Na i kanë lënë këtu nuset e reja me fëmijë dhe as që mërziten a kanë apo jo çka të mbathin e çka të veshin. Ata nuk e dinë çfarë kanë lënë në shtëpi, as që i njohin. Këtë veç Zara e di. Ani, ani se vinë ata prapë, se s’kanë kah t’ia mbajnë”, e shumë e shumë llafe shfrynte e ëma për të bijtë e saj, madje shpeshherë”.

Babës Xhemë dhe nënës Zarë do t’u kujtohen përherë ato çaste të vështira të ndarjes së djemve (Limanit e Skënderit) nga familja. Atyre u kujtohen ato ditë dhe net të gjata që i kanë kaluar në lot dhe mërzi. Po ashtu u kujtohen edhe detajet më të imta të atyre përshëndetjeve dhe lamtumirave të bijve të tyre.

Nëse njeriu ka shkuar në kurbet për hallet dhe telashet e veta, a duhet ta humbë edhe veten e tij, a duhet të harrojë se kush është dhe pse ka mërguar, a duhet ta harrojë identitetin e tij?! Janë këto pyetje dhe çështje që i shtron hapur autori i romanit për dukuritë që hasen dhe i shohim te shumica e bijve dhe bijave tona që jetojnë në kurbet. Autori me të drejtë frikësohet se mos është ky fillimi i tjetërsimit të tyre, fillimi i tëhuajësimit të tyre. Ai shpreh dilemën se mos njerëzit tanë kanë filluar të treten dhe t’i humbin të gjitha vetitë dhe tiparet që duhet t’i kenë.

Ta kujtojmë figurën e Skënderit, që shkrimtari e ka ravijëzuar në detaje. Ai sikur u nënshtrohet tekave të tij dhe për një kohë e humb arsyen, edhe pse ka kush i flet dhe e këshillon (vëlla Limani). Ai për një kohë do të harrojë përse ka marrë rrugën e kurbetit. Po ashtu do t’i harrojë prindërit e tij, madje edhe gruan e vet, Hanën dhe dy fëmijët e vegjël, Dritanin e Diellzën. Rreziku për t’u përmbysur në greminën e dështimit për të është tejet i madh.

Shpeshherë Skënderit do t’i flasë vëlla Limani. Ai, duke e vërejtur atë se ka devijuar nga rruga e drejtë, do t’ia kujtojë pse janë në kurbet dhe se nuk duhet ta harrojnë familjen, prindërit e fëmijët, duke mbajtur lidhjet me ta.

Limani kërkon nga Skënderi që të jetë i vetëdijshëm se mbi supet e të dyve tanimë po binte barra për kujdesin ndaj prindërve, ndaj fëmijëve të tyre dhe se janë të parët ata që do duhet të japin llogari për ta, andaj duhet të përvjelin krahët dhe të fillojnë angazhimin e tyre për të punuar dhe kontribuuar për vete dhe për familjen e tyre e të mos shkojnë kurrë në lokalet, që mund të shndërrohen në vend të bixhozit dhe të shfrenimit, që me automatizëm mund të sjellin hidhërimin, zënkat dhe dëshpërimin.

Njeriu çdo herë ka nevojë për ushqim dhe gjallërim. Këtë gjallërim e gjen në punë, vetëm në punë, e cila njeriut i jep jetë dhe ia ndriçon rrugën, duke i dhënë edhe stabilitet shpirtëror për t’i kaluar sa më lehtë streset e jetës. Këto janë këshillat e Limanit edhe për vetveten, edhe për vëlla Skënderin. Ai do t’i thotë atij se zemrat e tyre do të qetësohen vetëm nëse e dinë pse janë në kurbet, për të punuar e për të siguruar fitime me djersë e ndershmërisht, me sjellje të mira, ngase sjellja e njeriut është ajo që i bie në sy gjithkujt, është pika e parë e takimit dhe i le mbresat më të mëdha tek njerëzit. Për këtë arsye njeriu me sjelljen e tij duhet lënë përshtypje të mira, sidomos kur jeton dhe vepron në mesin e huaj.

Të gjitha këto pikëpamje për jetën, të gjitha këto fjalë e këshilla të Limanit janë dorë zgjatur e tij për të vëllanë, Skënderin, të cilin e shpëtoi nga përmbysja në greminë.

Personazhe tjera janë edhe Mani me të shoqen, Sofijen dhe vajzën, Valbonën.

Mani është i biri Xhemës dhe i Zarës, që merret me punët e shtëpisë dhe përkujdeset për prindërit. Sofija është një grua me karakter të fortë, punëtore dhe krah i fortë i të shoqit në çdo situatë. Valbona është vajza e tyre, i vetmi fëmijë, pas trembëdhjetë vjetësh martesë. Ajo është një vajzë e sjellshme, e dëgjueshme dhe e kujdesshme, sidomos ndaj gjyshit e gjyshes.

Edhe Kumria është një personazh, që do të mbetet në kujtesë të lexuesit. Ajo ndonëse është martuar me Limanin kaherë (9 vjet martesë), tek tani, kur mërgoi në vend të huaj, do t’i shijonte frytet e asaj martese, ngase do të bëhej nënë.

Hana me fëmijët, Dritanin e Diellzën janë personazhe simpatikë. Është Hana që do të përjetojë drithërim zemre, ngase i shoqi i saj, Skënderi në momente të caktuara, në vend të ngrohtësisë, asaj do t’i dhurojë ftohtësi ndoshta deri në zhgënjim.

“Atij po i mungonte dashuria për gruan dhe ngrohtësia bashkëshortore. Përqafimet, ledhatimet, fjalët e ngrohta Hana nuk po i dëgjonte dhe as po i shijonte nga i shoqi. Ah, sa ndihej e thyer shpirtërisht ajo në këto çaste. Ç’t’i thoshte të shoqit? Prapë i dhimbsej që të zbrasej në të me akuza e fjalosje. Këtë s’e shihte të udhës për ta bërë as këtë herë ndaj tij. Ajo në këto çaste i donte përkëdheljet e Skënderit, përqafimet e tij, e jo kacafytjet e zënkat, as fjalët që ia vrisnin shpirtin. Këto të fundit asaj i dukeshin pa vend.”

Shpesh Hana mendonte edhe për më të keqen:

“Mua po më dhimbsen këta dy fëmijë të vegjël, se do t’ia kisha lënë këpucët te dera Skënderit tem, pa u mendue dy herë. Po ma djegin zemrën këta fëmijë, që nuk kanë faj, se atij zotnisë do t’ia kisha thënë të gjitha në sy menjëherë, një nga një. Sa për një burrë, dynjaja nuk është në të sosur. Burra gjen, po çka me iu bë fjalëve mbasandej!? “Çka pat? Si e lëshoi burri?”, do të thonë menjëherë; “Pse u nda Hana e i la gjithë ata fëmijë si rrezja e dritës? Uh, mos kofsha n’lëkurën e saj, se kurrë s’do të kisha mund t’i lë ashtu” etj. etj. Këto do të ishin fjalë, që s’do t’ishte lehtë për t’i duruar...”

Jeta ka dy anët e medaljes, gëzimet e hidhërimet. Kontrast i madh: Kumria e Limani gëzimin e tyre se do të bëhen prindër duan ta ndajnë edhe me familjarët e tjerë, sidomos me babë Xhemën, por, ja që ligjet e jetës janë të tilla. Atë lajm të shumëpritur, Xhema i ndjerë s’do ta dëgjonte kurrë.

Kjo është jeta, që nganjëherë di të na befasojë!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat