Shkrimtari Marjan Sebaj-Sopi, për lexuesit ka sjell librin më të ri “Shtigjet jetësore të profesorit, shkrimtarit, studiuesit dhe politikanit, Isak Ahmeti”

Libra

Shkrimtari Marjan Sebaj-Sopi, për lexuesit ka sjell librin më të ri “Shtigjet jetësore të profesorit, shkrimtarit, studiuesit dhe politikanit, Isak Ahmeti”

Nga: Lekë Mrijaj Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 18:55
Ballina e librit

 

Sipas burimeve të informuara mirë nga filozofi, teologu dhe studiuesi i mirënjohur shqiptar, z. Marjan Sebaj-Sopi, ka nxjerrë nga shtypi librin e tij të radhës ““Shtigjet jetësore të profesorit, shkrimtarit, studiuesit dhe politikanit, Isak Ahmeti”.

Parathënia e këtij libri me dy fjalë “ad hoc” për Prof. Isak Ahmetin! është realizuar nga don Viktor Sopi, drejtor gjeneral i "Caritasit" për Kosovën e famullitar i Kishës së Ferizajt, i cili thotë se: Lexova me kujdes ecjen jetësore të Prof. Isakut, përgatitjen e gjerë të tij dhe vetëm sa përforcova bindjen time se ai dha shumë nga vetja pa pritjen për të marrë gjë. Isak Ahmeti me përkushtimin e tij, në shërbim të njeriut tone, si profesor, edukator, politolog, shkrimtar, analist... mbetet një autoritet i pakontestuar në çdo rrethanë dhe nga çdo kategori e shoqërisë. Ishin kohë dhe rrethana të vështira. Ideologjia dhe sistemi monist e kishin halë në sy intelektualin dhe atdhetarin shqiptar dhe në mënyrën më perfide i anatemonte ata.

Të ishe shqiptar dhe i krishterë, trusnia ishte edhe më e madhe, meqë sistemi komunist i konsideronte të tillët si oponencë sistemi dhe si vazhdimësi të një kulture dhe identiteti të lashtë iliro-arbëror-shqiptar. Ndërsa në vazhdim të parathënies dom Viktori e shpjegoj qëndrimin e detyrat përgjegjëse të prof. Isak Ahmetit i cili tha se përgatitja profesionale, entuziazmi dhe guximi intelektual për ta thënë e mbrojtur kurdoherë të vërtetën, përkushtimi për të ecur drejt, drejt idealeve dhe synimeve kombëtare, që kuptimsonte edhe sakrificat, angazhimi i pareshtur për promovimin dhe kultivimin e vlerave të mirëfillta, e bën një personalitet të respektuar dhe autoritar edhe nga ata që ia përgatisnin varrin e ia dëshironin vdekjen.

Prof. Isak Ahmeti, pa pritje përfitimi, pa etje lakmitare, arriti të krijojë emër si profesor e pedagog i shumë gjeneratave, duke i profilizuar në binarin e atdhedashurisë! I tillë ishte edhe si politolog. Ai, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Vitisë, arriti t’i unifikojë të gjitha strukturat dhe të gjitha shtresat pa dallim, duke trasuar shtigjet drejt asaj që gëzojmë sot.  Sa herë dëgjoj ca analistë sot, më kujtohet inteligjenca, intuita, urtia e urtësia e Prof. Isakut për të bërë guximshëm hapin e duhur e në momentin e duhur... Me shumë dashuri dhe autoritet, tek gjeneratat e reja mbolli guximin, idenë dhe idealin e shumë brezave. Në këtë kontekst marr lejen të veçoj dhe një moment nga një takim që kisha me Prof. Isakun. Ishte koha e përndjekjeve, e spastrimit dhe dëbimit të shqiptarëve nga puna dhe institucionet shtetërore. Si meshtar i ri e kisha kremtimin e meshës shenjte në Stubëll, për festën e Shën Jozefit.

Pas meshe takova Prof. Isak Ahmeti, atëherë kryetar komune. Pasi më përshëndeti ngrohtësisht, m’u falënderua për kremtimin e meshës dhe fjalët që ia kisha drejtuar popullit... Për mua ishte jo vetëm përkrahje momenti, por edhe motiv dhe nxitje për të vazhduar edhe më me shumë përkushtim misionin prej meshtari.  Përndjekësit e diferencuan dhe e larguan nga puna, por nuk ia thyen dot idealet për të ardhmen e popullit dhe vendit që i takonte! Të rrallë janë sot politikanët tanë, që mund t’i përngjajnë Prof. Isakut tonë të dashur. Ai gjithnjë veproi sipas mësimi Biblik: “Jepja Cezarit çka i takon Cezarit, kurse Hyjit çka i takon Hyjit!”, ndryshe: Jepja popullit, vendit gjithë angazhimin, përkushtimin, jetën... dhe Hyjit...  

Me përgjegjësi të plotë e them se jo vetëm Anamorava, me admirim vlerëson përkushtimin, sakrificën, jetën dhe veprimtarinë brilante të Prof. Isak Ahmetit në shërbim të qytetarëve, duke kultivuar vlerat e atdhedashurisë. Këtë edhe e kishte prioritet; asgjë më shumë e më tepër se sa t’i shërbente kësaj toke martire sipas idealeve të rilindësve. Kështu Prof. Isak Ahmeti ynë i dashur, ishte dhe mbeti emër, duke mos lënë asnjë njollë në postet që kishte gjatë jetës dhe karrierës së tij.  Shfrytëzoj rastin ta falënderoj edhe autorin z. Marjan N. Sopin, për këtë vepër të mrekullueshme e simpatike, përmes së cilës na ofron njohuri më të thella mbi jetën dhe veprimtarinë e Prof. Isak Ahmetit tha në fund të parathënies së tij, dom Viktor Sopi.

Analizën e librit “Shtigjet jetësore të profesorit, shkrimtarit, studiuesit dhe politikanit, Isak Ahmeti” e ka realizuar recensenti i mirënjohur, mons. Lush Gjergji, studiues e autor i shumë librave të zhanreve të ndryshme, i cili që në fillim tha se me prof. Isak Ahmetin me lidhë shumëçka që nga fëmijëria dhe rinia në Stubëll, udhëtimet e mundimshme dhe të rrezikshme "këmbësore" në Viti, pastaj në Zhegër dhe më vonë në gjimnazin klasik "Rudjer Boskovic" në Dubrovnik.

Ndërkaq më vonë bashkëpunimi ynë shumë i frytshëm, miqësor dhe vëllazëror, u thellua dhe fisnikërua, veçmas nëpërmjet revistës tonë fetare dhe kukturore "DRITA", e vetmja si e tillë në gjuhën shqipe asokohe. Po ashtu, kemi bashkëpunuar shumë në fushën e botimeve duke përgatitur libra të ndryshëm të botuar nga Shtëpia Botuese "Drita". Pra, prof. Ahmeti ka ndihmuar në përgatitjen dhe lekturimin e teksteve për botime të librave tona, atëherë kur njerëzit "strukeshin" nën petkun e ideologjisë dhe politikës... Kjo miqësi, vëllazëri dhe bashkëpunim vazhdon gjithnjë, dhe është dëshmi e mirë dhe e sigurt se atë e kemi ndërtuar në themele të forta, siç do thoshte Jezusi në "shkëmb", që i përballon stuhitë e kohës dhe rrethanave dhe vazhdon tash dhe në amshim.

Prof. Isak Ahmeti, për mendimin dhe vlerësimin tim, është së pari krijues i mirëfilltë, poet "me damar"-frymëzim dhe me profesion-mision, që të mirën, të drejtën, të vërtetën, jetën dhe dashurinë, ia ofron dhe dhuron publikut tonë të gjerë shqiptar, por edhe botës. Prof. Isak Ahmeti shquhet edhe në fushën e përkthimeve, duke ndikuar kështu në lidhjen kulturore e letrare mes shqiptarëve dhe botës perëndimorë. Në veprën e tij të pasur kulturore e letrare, ai ka transmetuar vlera të mirëfillta poetike dhe virtyte të dalluara njerëzore dhe të krishtera sot. Përgatitja e tij klasike si dhe puna e palodhme me dekada, e bëjnë Prof. Ahmetin edhe studiues të traditës tonë të stërlashtë ilire-arbërore-shqiptare. Mendja e tij e ndritur, zemra e tij e madhe dhe penda e tij e mprehtë hetohet në çdo varg apo rresht, në çdo shkronjë apo faqe, në stil unik karakteristik, që e bëjnë atë krijues dhe studiues të dalluar shqiptar.

Marjan N. Sopi, nëpërmjet intervistave depërton në thelbin e frymëzimit dhe të krijimtarisë letrare dhe studimore duke na zbuluar dhe ofruar Prof. Isak Ahmetin-Njeri, Poet dhe Studiues, që lehtëson dhe mundëson shijimin dhe leximin e veprave të tij në kontekstin njerëzor dhe përmbajtjesor. Falënderoj Marjan N. Sopin për punën dhe mundësinë që na jep që për së afërmi të takohemi, shoqërohemi dhe bashkohemi në synimet që krijimtaria e Isak Ahmetit të zbukurojë jetën dhe përditshmërinë tonë, ndërsa studimet dhe botimet e tij t'i pasurojnë mendjet dhe zemrat e lexuesve, bibliotekat shtëpiake dhe institucionale. Ndërsa në fund të recensës, mons. Lush Gjergji tha se prof. Isak Ahmetit, Mikut dhe Vëllait të kamotshëm shëndet, vullnet, frymëzim, kënaqësi, lumturi në jetë dhe krijimtari.

Dhe, fare në fund, libri “Shtigjet jetësore të profesorit, shkrimtarit, studiuesit dhe politikanit, Isak Ahmeti” i Marjan Sebaj-Sopi, do të përjetohet vetëm atëherë kur të lexohet, ndaj edhe këtij autori të mirënjohur i dëshirojmë shëndet, mbarësi dhe suksese të mëtejme në fushën e studimeve, hulumtimeve e krijimtarisë, ndërkaq librit të tij shtrirje nëpër bibliotekat tona kombëtare si në Kosovë poashtu edhe në Shqipëri si dhe një lexim të merituar! Suksese miku im, z. Marjan Sebaj-Sopi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat