Fragment nga romani “Qyteti i fundit” i Petro Markos

Libra

Fragment nga romani “Qyteti i fundit” i Petro Markos

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 19:10
Petro Marko

Dhe as ajo nuk e kuptoi dot pse u bë dy Ana-Maria!

Njëra ngulte këmbë e thoshte:

-Do të vijë se më pëlqen. Ai është njeri i vërtetë. E ka kuptuar se këtë jetë nuk e bëra ngaqë më pëlqente, po më zvarritën.Ai më do se dhe unë e dua. Do të vijë, se, kur është pranë meje ëndërron, çlodhet, bëhet trim kundër atyre që tallen dhe shkulin lulet e dashurisë. Do të vijë patjetër, patjetër. Kështu ma thotë zemra. E në ardhtë, ç’do t’i them? Nuk do t’i them asgje. Vetëm të jetë pranë meje. Është nata e fundit… Ah, sikur të kishte të tillë rojë dashuria…

Tjetra ia priste:

-Nuk ka për të ardhur, jo. Nuk vjen. Ç’më do mua? Ai e dëgjoi historinë e jetës sime. Ca më shumë shtoi dhe ai katili që deshi të më merrte shpirtin. Pse të vijë këtu? Të flejë me mua? Ai s’eshtë nga ata! Të më premtojë? Ai nuk premton! Të më pushtojë, se është nata e fundit? Të më mbajë? Jam, a s’jam në vete?! Ai është officer…Ai ka rrugën e tij. Ç’më do mua? Të tallen shokët e tij me të? Pse t’i bëhem ferrë! Ai është kaq i mire! Më dha dritë jete… Më bëri të kuptoj se në këtë botë paska edhe njerëz të vërtetë! Po ku janë këta njerëz të vërtetë? Vetëm një, vetëm Leka…Leka. Sa ia di për nder! Ndaj nuk vjen… Nuk do që unë të vuaj më… Nuk vjen,se ai s’di të tallet… Nuk vjen… Nuk vjen…

-Do të vijë patjetër…

-Nuk vjen! Kot e pres. E në ardhtë, ç’kuptova? Nesër unë iki…iki.

-Jo, unë e pres… dhe s’dua të iki. Ku do të vete? Kush më pret mua? Ë. Kush më pret mua?

-Unë e pres, se e dua, apo e pres, se shpresoj mos më mbani këtu? Këtu… se atje më pret fundi…fundi! Ah, tani që njoha dashurinë…

Luftë mendimesh!

Dhe, ndërsa nata, me këngën e saj të yjeve dhe të valëve përpiqej ta qetësonte, ajo vlonte nga një ankth që e lëndonte, e mundonte… Lotët që rridhnin lehtë, zor e kishin ta ngushëllonin, ta lehtësonin! 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat