Faqe nga libri “Filimi i Lëvizjes Demokratike në Vlorë 1990 - 1991”

Libra

Faqe nga libri “Filimi i Lëvizjes Demokratike në Vlorë 1990 - 1991”

Nga: Enver Memishaj Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 09:43
Faqe nga libri “Filimi i Lëvizjes Demokratike në Vlorë 1990 - 1991”

Vlora u zgjua në saje të lajmeve që vinin nga Tirana nëpërmjet radios, televizionit por sidomos nëpërmjet studentëve vlonjatë dhe qytetarëve që shkonin e vinin atje. Një rol të rëndësishëm luajtën edhe radjot dhe televizionet e huaja që flisnin në gjuhë shqipe apo edhe në gjuhë të huaj, veçanërisht teleizioni italian që shikohej vazhdimisht në Vlorë pavarësisht prej përgjimeve të shërbëtorëve të sistemit.

Vuajtja dhe mjerimi që kishte pllakosur qytetin e Vlorës, si gjithë Shqipërinë, ishte një tokë e begatëshme ku mbiu guximi dhe trimëria, për t`u ngritur kundër diktaturës. Studentët vlonjatë muarën pjesë masivisht në Lëvizjen Demokratike, dhe aktivisht, përfshi edhe vajzat, ndër të cilët

përmëndim: Mimoza Ferra, Herkole Sava, Yzeir Muço, Enela Pici, Ardi Stefa, Arjan Nika, Adrian Kollozi, Luan Meçe, Shkëlqim Alushi, Vullnet Karafili, Ramiz Alliu, P.Zeqiri, D. Shtylla etj

Janë shumë ata që sillnin lajme nga Tirana, dhe që ushtronin propagandë për të ngritur njerëzit kundër regjimit diktatorial, ashtu siç po bënin studentët në Tiranë të përkrahur nga qytetarët tiranas.

Pas themelimit të Partisë Demokratike në Tiranë, vlonjatët me ndjenjën e atdhetarizmit dhe intuitën e lirisë, si gjithmonë në historinë e Shqipërisë vrapuan në Tiranë që të mos mbeteshin pas nga shtetasit e tjerë.E ndjenin se po afronte ndryshimi i madh, se Partia e re po hapte për vendin një epokë të re.

Atje shkuan shumë individë. Alfred Ziaji, që duke përfituar nga miqësia me profesor Gramoz

Pashkon luajti një rol aktiv në përhapjen e ideve demokratike dhe themelimin e Partisë Demokratike, në Vlorë. Bilal Çela tregon se: Në dhjetor të vitit 1990, unë isha shef i financës së Kooperativës Bujqësore të Nartës. Këtë muaj, atje u hodhën trakte kundër diktaturës komuniste... Kjo ngjarje më nxiti që më 20 dhjetor 1990, të shkoja në Tiranë dhe të takoja Arben Imamin, Gramos Pashkon dhe Azem Hajdarin. Ata më pyetën në se e njihja Alfred Ziajin, futbollistin e famshëm të "Flamurtarit" ? U përgjigja se jo vetëm e njihja por e kisha edhe fqinj. Athere më dhanë një autorizim dhe më thanë të krijoja seksionin e PD-së dhe t`i prisja se ata do të vinin në Vlorë për të themeluar Partinë Demokratike.

Atje shkoi edhe Aleks Tahiri zootekniku i Kooperativës Bujqësore të Mesaplikut, pasi kishte formuar seksionin e Partisë Demokratike në krahinën e Smokthinës. Në datën 21dhjetor, thotë Roland Tafili, dërguam në Tiranë, Ajetin, djalin e madh të Vendigjar Hamzarait, për të bërë

rregjistrimin e emrit si anëtar të Partisë Demokratike. Ajeti shkoi në shtëpinë e Gramos Pashkos dhe mbasi bëri rregjistrimin, mori autorizimin për të formuar seksione të Partisë Demokratike në Vlorë si dhe programin minimal të kësaj partie. Më 21 dhjetor 1990, kanë shkuar në Tiranë edhe dy inxhinjerë të Fabrikës së Çimentos, Fatos Veipi dhe Mario Sota, të cilët kanë marrë autorizim prej Azem Hajdarit për formimin e seksioneve të Partisë Demokratike në Vlorë. Të dy këta inxhinjerë, sapo u kthyen nga Tirana, bashkëpunuan ngushtë me shokët e tyre Alfred Ziajin dhe Ferdinand Sulën, duke u bërë kështu eksponent të themelimit të Partisë Demokratike. Këta kanë bërë më pas, që Ferdinand Sula të dilte në krye të Sindikatave të Pavarura të qytetit të Vlorës. Atje shkuan edhe shumë qytetarë të tjerë vlonjatë. Nga kërkimet tona për dokumenta dhe materiale të asaj kohe të

lavdishme, pasi arkivi i Partisë Demokratike u dogj, nga komunistët vlonjatë dhe Sigurimi i Shtetit, më 11 mars të vitit 1997, mundëm të gjejmë ditarin e mbajtur nga Maksim Hitaj, teknik i mesëm mekanik, përgjegjës i ofiçinës së Ndërmarjes së Shpim Kërkimit për Naftë e Gaz në Vlorë, i cili pati mirësinë, me bujari të na e vërë në dispozicion:

14 dhjetor 1990

Vajta në Tiranë, atje u takova me Luan Shakaj me të cilin biseduam për formimin e Partisë Demokratike. Luani kishte marrë takim me shokët nismëtar të formomit të Partisë Demokratike dhe

kishte marrë prej tyre programin e Partisë të cilin ma dha mua për ta shumëfishuar dhe shpërndarë në Vlorë.

15 dhjetor 1990

Bisedoj me sh. Afrim Jupi, Manol Bono, Asllan Shakaj etj për programin e partisë. E lexojmë dhe mendojmë për shumëfishim dhe shpërndarje. Bisedojmë edhe me shokë të tjerë në ndërmarje

dhe rrethet shoqërore e familjare, konstatojmë simpati dhe mbështetje të madhe nga të gjithë, në të kundërt nga ata të Partisë së Punës të cilët pezmatohen.

17 dhjetor 1990

Fillon shtypja dhe shumëfishimi i programit të Partisë deri në 60 kopje që shpërndahet në mënyrë të rrufeshme në shumë qëndra pune e prodhimi, në shkolla e rrethe shoqërore e familjare. Interes

i jashtëzakonshëm, kërkesa të mëdha për të, por pamundësi për kopjo të tjera. Kërkohet ndihmë edhe nga intelektualë të tjerë për shumëfishimin e programit dhe shpërndarjen e tij.

18 dhjetor 1990

Vazhdon shtypja dhe shumëfishimi i programit të Partisë. Shpërndarja e tij kudo. Kërkesa dhe interes i madh nga të gjithë. Nëpër ndarmarje e shkolla kanë filluar diskutime e debate nga të

gjithë për programin.

19 dhjetor 1990

Popullaritet kudo për programin e Partisë Demokratike. Përshëndetje për ne si nismëtarë nga të gjithë ata që na njohin. Në gazetë doli vendimi i Presidiumit të Kuvëndit Popullor për

pluralizmin politik. Fitore e madhe për demokracinë. Sfidë për diktaturën e konservatorët, komente e diskutime, optimizëm nga njera anë, sfidë nga ana tjetër. Takimi ynë si celulë mbi situatat e ditës, porosi dhe udhëzime.

20 dhjetor 1990

Ministria e Drejtësisë miraton formimin e Partisë Demokratike. Sukses i madh, disfatë dhe e pa pritur e konservatorëve, fitore për tërë popullin shqiptar. Mbledhja e celulës, diskutime të çiltëra, shpallje e programit në kolektiv. Mbledhja jonë me gjithë subjektet në ndërmarje, takim i hapët,

lexim i gazetës, diskutime të zjarrta. Mbledhja e Partisë Demokratike, nënshkruan më shumë se 20 punonjës për t`u bashkuar me të.

Vendosëm të shkojmë në Tiranë si përfaqësues të celulës për të marrë takim me nismëtarët e Partisë Demokratike: Unë, Maksim Hitaj, Afrim Jupi, Manol Bono dhe Asllan Shakaj, më datën

21.12.1990...

Problemet që duhet të diskutojmë me drejtuesit e Partisë Demokratike në Tiranë:

- Problemi i seksioneve të Partisë Demokratike në Rreth.

- Lidhja e seksioneve me Partinë Demokratike.

- Cili është statusi i pranimit të aktivistëve ?

- Përfaqësuesit e Partisë Demokratike për të ardhur tek ne.

- Anëtarët e rinj, a duhet të nënshkruajnë, cilët duhet të jenë këta?

- Ç`farë kontributi shoqëror dhe ekonomik duhet të japim ne?

* * *

Më 21 dhjetor 1990 një grup i Ndërmarjes së Shpim Kërkimit për Naftë e Gaz i përbërë prej drejtorit Afrim Jupit, shefit të planit Manol Bono, përgjegjësit të ofiçinës Maksim Hitaj,

mekanikut Asllan Shakaj, me makinën që drejtohej nga shoferi Koço Ninia, shkuan në Tiranë dhe në kushtet e vështira të kohës mundën të takohen me udhëheqësit e Partisë Demokratike: Azem Hajdarin e Sali Berishën i cili ishte shprehur: - Ne Vlorën kemi pritur!

Vazhdojmë me ditarin.

21 dhjetor 1990

Takim në Tiranë, në Qytetin Studenti me sh. Sali Berisha i cili na shpegon:

- Kaluam një hop cilësor pa gjakderdhje më mirë se çdo vënd tjetër i Lindjes.

- Duhet të shmangim gjakderdhjen dhe gjakmarrjen, vetëm për interesa kombëtare, gjëja më e shenjtë që mund të bëhet nga ne. Seicili prej nesh duhet të ketë parasysh këtë, që të mund të bëhet anëtar i Partisë Demokratike - Ne nuk jemi që të mos shikojmë të kaluarën, por me gjakftohtësi dhe brënda ligjeve që kemi e do të bëjmë.

- Hakmarrja do të jetë armiku i demokracisë.

- Vlora ka një të kaluar politike, ndërmjet qyteteve të tjera.

- Leximi i programit, propogandimi

- Ne jemi vetëm nismëtar. Udhëheqësit do të zgjidhen nga poshtë lartë. Ne nuk jemi udhëheqësit, duhet të kalojmë në një psikologji moderne qytetare.

- Kemi shumë problem fshatin. Jemi për privatizimin, por nuk jemi kundër fermave dhe kooperativave.

- Forcat e errëta po përpiqen ta sabotojnë këtë punë, në çdo formë. Këtë duhet ta zgjidhim me zgjuarsi e gjakftohtësi.

- Të shpartallojmë burokratët duke i demaskuar në popull.

- Punësimi i rinisë është një nga problemet e mëdha për ne.

- Të krijohen sindikatat e lira që do të mbrojnë interesat e punëtorëve.

- Duhen ndihma ekonomike …

Në këtë moment, Radio Prishtina i kërkon sh. Sali Berisha një intervistë të cilën vazhdon ta japë në prezencë tonë, për problemet demokratike në Shqipëri. Duke dhënë intervistë ja ndërpresin bisedën me telefon dhe ai pezmatohet por nuk jepet. Mbas një pauze me kërkesë të Radio Prishtinës rifillon intervista. Në këtë moment vijnë studentë së bashku me Azem Hajdarin, i cili ndërhyn në bisedat tona. Në bisedë morën pjesë edhe Arben Demeti, Vangjel Kozmai e Jani Mëhilli. Grupi mori autorizimin për themelimin e Partisë Demokratike në Vlorë, si një masë urgjente, programin minimal të Partisë , statutin e partisë, Himnin e flamurit të plotë dhe udhëzimin e më poshtëm për organizmin e Partisë:

UDHËZIM NR. 1

PËR

KRIJIMIN E SEKSIONEVE E TË DEGËVE TË PARTISË DEMOKRATIKE NË RRETHE QYTETE E FSHATRAT E VËNDIT

Struktura organizative e ndërtimit të Partisë Demokratike është ajo që përcaktohet në statusin e

saj, por gjatë fazës së parë për krijimin e hallkave përbërëse e të organeve të Partisë, do të mbahen

parasysh rregullat e parashikuara nga komisioni nismëtar në këtë udhëzim:

1. Fillimisht seksionet e Partisë do të krijohen pranë çdo ndërmarrje, institucioni ose qendre pune e

prodhimi nëqoftëse në të ndodhen më tepër se katër persona, që dëshërojnë të jenë anëtarë të Partisë

Demokratike. Seksioni formuar do të njihet si hallkë e Partisë vetëm në qoftëse komisioni organizator i Partisë Demokratike për degën e rrethit përkatës miraton krijimin e tij dhe përbërjen e anëtarëve të tij. Akti i krijimit të një seksioni të ri, duhet të shoqërohet me një vendim me shkrim, ku shprehet programi i Partisë Demokratike nga pjesmarrësit, lista emrore e tyre, emri i kryetarit të zgjedhur . Ky vendim i paraqitet Këshillit Drejtues të degës për miratim. Me miratimin nga Këshilli i degës, bëhet rregjistrimi i anëtarëve të seksionit në librin e seksionit ashtu edhe në atë të degës.

Regjistrimi duhet të përmbajë: Emrin e personit, datëlindjen, profesionin, arsimin, adresën e banimit.

2. Në rast se në një qendër pune apo prodhimi, ndodhen më pak se katër persona që dëshirojnë të bëhen anëtarë të Partisë Demokratike, ata nuk mund të formojnë seksion të veçantë, por mund të regjistrohen në çdo njerin prej seksioneve të krijuar në vëndbanimin e tyre. Në qoftëse në të ardhmen numuri i tyre rritet, me miratim të Këshillit të degës formohet seksioni përkatës i

qëndrës së punës ose prodhimit. 3. Këshilli Drejtues i degës së rrethit përbëhet nga personi apo personat e autorizuar me shkrim nga Komisioni Nismëtar i Partisë Demokratike si dhe nga

kryetarët e seksioneve ekzistues. Në qoftëse numuri i tyre është më i madh se 11 persona, athere anëtarët e nevojshëm të Këshillit të Degës zgjidhen nga mbledhja e përgjithshme e kryetarëve të seksjoneve të rrethit. Në mbledhje duhet të jenë të pranishëm edhe personi apo personat e autorizuar nga Komisioni Nismëtar. Krijimi i Këshillit Drejtues të Degës, vërtetohet nëpërmjet një vendimi me shkrim që i dërgohet Komisjonit Nismëtar.

4. Në qëndrat e banimit ku ka një numur të vogël anëtarësh mund të krijohet një seksion i vetëm partie.

5. Këshillat Drejtues të Degëve, duhet të mbajnë lidhje të vazhdueshme me Komisionin Nismëtar, duke e informuar atë rregullisht për problemet që lindin në lidhje me organizimin e strukturave të Partisë, për pranimet e reja në Parti, për rezultatet në zhvillimin e propagandës etj.Kontaktet me Komisionin Nismëtar i mban kryetari Këshillit Drejtues, ose një nga anëtarët e ngarkuar me këtë detyrë.

6. Personat që propagandojnë programin e Partisë Demokratike, që veprojnë për krijimin e seksioneve të sajë, ose që vihen në marrëdhënie me organet e shtetit ose të Partive të tjera, duhet të jenë të paisur me autorizim të posaçëm, me shkrim, nga Komisioni Nismëtar ose nga kryetari Këshillit Drejtues të Degës.

7. Degët dhe seksionet e Partisë Demokratike duhet të distancohen shprehimisht nga çdo person, apo grup personash, që vepron ose propagandon në emër të Partisë Demokratike, pa qënë i paisur me autorizimin përkatës.

8. Vetëm Komisioni Nismëtar ose anëtarët e tij të autorizuar posaçërisht mund të përfaqësojnë Partinë Demokratike në marrëdhenie me organet e shtetit, të partive apo organizatave të tjera.

9. Për zgjidhjen e problemeve të tjera në lidhje me ndërtimin dhe organizimin e Partisë Demokratike, veprohet sipas neneve të statutit të sajë.

Tiranë, më 21.12.1990 KOMISIONI NISMËTAR

Këtij grupi ju rekomandua të bashkëpunonte me këta qytetarë: Alfred Ziajin, Roland Tafilin, Lefter Shtëmbarin, Qesar Çoratin, Thanas Qirixhindi, Buli Veizi, në shkollën "Halim Xhelo", Nestor

Nepravishta, pensionist dhe Jani Mëhillin, ekonomist në hekurudhë.

Pas kthimit nga Tirana, grupi shumëfishoi programin minimal të Partisë, me anë të sekretares Shqiponja Mema (Veraj) dhe e shpërndanë atë pothuajse në të gjitha ndërmarjet kryesore të

qytetit si në Uzinën e Sodës, Fabrikën e Llampave, Grumbullim, S M T, dhe në disa fshatra.

Grupi u informua se një grup tjetër i përbërë prej Roland Tafilit, Hasko Hoxhës e Ventigjar Hamzarajt, mendonte të themelonte Partinë Demokratike dhe vendosën të bashkëpunojnë me të.

22 dhjetor 1990

Sot kemi bërë një takim me simpatizantë të Partisë Demokratike me këtë përbërje:

- Të persekutuar politik

- Punonjës të PVC-së

- Punonjës të Përpunim drurit.

(Sipas arkivit të protagandistit të atyre ngjarjeve, Maksim Hitaj).

Ç`FARË NDODHTE NË VLORË, NË FUND TË VITIT 1990

Ibrahim Vasiari, flet për mbresat e tij në atë pragdhjetori 1990: “Shirat e parë të vjeshtës erdhën vonë atë vit, pas një vere të gjatë përvëluese. Pastaj shirat nuk kishin të mbaruar. Njerëzit prisnin me ankth dimrin. Paksa të ndrojtur ndaj Qytetit, të shpërndarë kryesisht nëpër fshatra të gurtë rrëzë

maleve, në faqe kodrash e gryka përrenjsh, me sa duket ne shqiptarëve na kishte rënë në pjesë fati të mbeteshim më pranë natyrës se vëllezërit e tjerë indoeuropianë. Të përcëlluar nga dielli e të rrahur nga erërat, ne e kishim pranuar fatin pa u gëzuar e pa u qarë prej tij, duke treguar aftësi të rralla mbijetese. Ky tipar i kishte dhënë shtysë folklorit modern. Për këtë natyralizim e besnikëri ndaj paraardhësve tanë të lashtë, kishte mendime të ndryshme: disa studiues këtë e konsideronin tipar të karakterit etnogjenetik, ndërsa "miqtë e Shqipërisë" në botë theksonin me të madhe se kjo kulturë ishte përsosur në vitet e socializmit e, veçanërisht, pas orientimit të Partisë "T'u qepemi kodrave e

maleve!"… Punë opinionesh shkencore.

Gjithsesi, dimri po vinte. Kohët kishin ndryshuar. Ndihej kudo ankth e brishtësi njerëzore ndaj ngricave, ashtu si dhe ndaj represionit e acarit politik. Në autobuzin që çonte e merrte arsimtarët e zonës Vllahinë - Gorisht- Mallkeq, çdo ditë kishte biseda e debate të reja. Kohët e fundit debatet ishin bërë më të zjarrta jo si zakonisht për tifo futbolli, po për situatën dhe zhvillimet politike. Binin në sy për pasionin, këmbënguljen dhe forcën e argumentit disa prej tyre, si: Fitus Radhima, Xhevdet Mici, Eduard Veçani, Merko Ferruni etj.

Kishte vërtet ngjarje që nxisnin debat. Dyndja e mijëra shqiptarëve në ambasadat e huaja në korrik 1990 ishte si një tërmet për komunistët. Shumica e atyre që po iknin, ishin fëmijët e tyre, ai brez i ri për të cilin thuhej se do të merrte në dorë "stafetën e revolucionit". Më kujtohet sesi një komunist i tillë mohonte djalin, i bënte harram qumështin e nënës. Ishte vërtet impresionuese. Nuk bëhej fjalë për disa që humbisnin privilegje. Shumica ishin të varfër, si gjithë të tjerët, fëmijët i kishin pa punë,

por nuk u bënte zemra të tradhtonin socializmin. Vështirë të ndaje dramën nga humori, veçanërisht kur komunistët ndienin me sinqeritet përgjegjësi ndaj fateve të proletariatit botëror. Ata përjetonin shpirtërisht rolin e lidershipit të lëvizjes komuniste botërore, sidomos pas "tradhtisë" së turpshme

të revizionistëve sovjetikë e kinezë. Nuk di në ishte e vërtetë apo anekdodë, por njerëzit tregonin ato ditë për një organizatë partie të Vlorës që ishte ankuar në Komiteti Qëndror të Partisë Punës së

Shqipërisë se nuk ishte pyetur për ribashkimin e Gjermanisë. Arratisja e Ismail Kadaresë, intervistat në Zërin e Amerikës dhe tek-tuk ndonjë artikull i guximshëm (aq sa e lejonte shteti), kishin thyer rutinën e ishin bërë tema e bisedava tona të përditshme. Veçanërisht ishin bërë të njohur e përmendeshin kudo Ylli Popa, Sali Berisha e Gramoz Pashko. Më kujtohet sesi një ditë ca arsimtarë debatonin me zjarr.

- E dëgjove mbrëmë "Zërin e Amerikës"?

- Jo, nuk isha në shtëpi.

- Ah, ke humbur një gjë të bukur. Dha intervistën e Ismail Kadaresë. Unë qava kur e dëgjova, - thoshte Eduart Veçani, - Edhe tani më dridhet mishtë. Është i madh Ismaili.

Midis intelektualëve të Vlorës, ndër të parët që u evidentuan gati masivisht përkrah zhvillimeve demokratike ishin arsimtarët. U shquan herët si të tillë nëpër zona të ndryshme: Ylli Bora,

Zaim Hoxha, Fitus Radhima, Caush Banushi, Xhevdet Mici, Agron Shehu, Merko Ferruni, Eduart Veçani, Selfo Beqiri, Shpresim Kasaj, Rexhep Veliu, Petrit Derraj, Kujtim Malaj e shumë të tjerë.

Qysh me fillimin e atij viti shkollor, gjithandej flitej për ndryshime, për liri mendimi e progres. Po gjuha e përdorur ishte e kujdesshme për të mos dalë jashtë kornizave. Shpesh kjo ishte e vështirë, bile debati bëhej qesharak, me gjithë përpjekjet e mësuesve për të pajtuar mundësitë shprehëse gjuhësore me strukturën alogjike të ideologjisë. Ndonëse edhe propaganda zyrtare nuk guxonte të bënte si dikur panegjirike, ajo përsëriste natë e ditë "rrethimin" e i bënte thirrje qëndresës, sakrificës, "bukës me kripë, po me nder". Përralla ishte e vjetër, por ne, si gjithë ballkanasit, i pëlqejmë shumë përrallat. Ardhja para ca kohe e Sofokli Lazrit nga Meksika me çmimin ndërkombëtar të ushqimit, e kishte thelluar më tej humorin e krizës. Kriza, rrethimi imperialisto-revizionist dhe armiqtë shtoheshin çdo ditë. Krizën e ndienim të gjithë, sa për të tjerat nuk çante kokën njeri. Po thyhej frika.

Sipas studiuesve të kësaj fushe, totalitarizmi e krijon vetë psikozën e frikës, sepse ka nevojë për një motiv të qëndrueshëm kohezioni, për një unitet që nxitet jo aq nga aspiratat unike sesa nga frika unike që mbërthen bashkësinë. Motivi i frikës, edhe kur nuk ekziston realisht, krijohet artificialisht. Gjeneratori më I fuqishëm që prodhon frikën unike dhe solidaritetin, është lufta. Po luftë dukej se nuk kishte. Edhe armiku i brendshëm kishte humbur kuptimin e gogolit, sepse të tillë u bënë gati të gjithë. Bile, rrethi i "armiqve" ishte zgjeruar aq shumë saqë nuk të bënin më përshtypje omplotistët, tradhtarët, devijatorët e poliagjentët. Ndërsa klasat dhe lufta e klasave ishin bërë një lëmsh i tillë, saqë mund të ngatërronin dhe vetë Marksin.

… Më 12 dhjetor u ndodha në Tiranë, se martohej vajza e tezes. Për mungesë lokalesh, darkat e dasmave bëheshin edhe në mesjavë. Shtëpinë e kishte afër Kinostudios dhe darka u bë në një lokal diku pranë shkollës "Bajram Curri". Ishte një natë e ftohtë. Drita pothuaj nuk kishte fare. Lokali ndriçohej me llamba vajguri dhe qirinj. Atë natë, shumica e të ftuarve vinin direkt nga mitingu i madh organizuar në Qytetin Studenti me rastin e shpalljes së formimit të Partisë Demokratike. Në atë lokal gjysmë të errët, nën mjegull qirinjsh, befas nisën të vegonin drita ëndrrash të bukura. U krijua një atmosferë e gëzueshme e plot humor ku dollitë më të shumta u ngritën për Partinë Demokratike sesa për çiftin. Dikush nga dasmorët tiranas më tha:

- Po Vlora, ç'thotë? A do na përkrahë Vlora?

- Patjetër! iu përgjigja unë.

- Le të shpresojmë - tha tiranasi me një ton skeptik.- Ju vlonjatët e keni ca të vështirë.

Mbizotëronte ideja se Vlora ishte "bastion i kuq". Kur u ktheva në Vlorë, vura re se diçka lëvizte, por krejt e fshehtë, e pasigurtë dhe e kujdesshme. Në shtëpinë e Ventigjar Hamzarajt, të cilin e

kisha njeriun tim, mora vesh se puna kishte nisur mbarë. Te Ventigjari shkoja zakonisht në raste vizitash familjare. E dëgjoja me kënaqësi fjalën e tij. Ventigjari ishte burrë i respektuar, një personalitet me përmasa të veçanta vlerash, sintezë e rrallë e mençurisë natyrale me përvojën e jetës dhe intuitën e politikanit, bir i denjë i një prej familjeve më fisnike të Vlorës me tradita patriotike e demokratike, intelektual i kompletuar, shkolluar në Francë, zotëronte disa gjuhë të huaja. Si gjithë të rinjtë demokratë të kohës së tij, me kulturë dhe prirje perëndimore, provoi qysh herët zhgënjimin e më vonë një kalvar të gjatë vuajtjesh në burgjet e diktaturës.

Pa mësuar emra konkretë, mora vesh se po krijohej Dega Partisë Demokratike në Vlorë. (Saktësisht duhet thënë: Komisioni Nismëtar...)

- Është një grup nismëtar - më tha në konfidencë Ventigjari. - Hë për hë, janë sekret për arsye sigurie. Aty jam dhe unë. Mos kij merak, se aty e kemi vendin të gjithë. Sidomos shtresa jonë.

Dhe ashtu ndodhi… Ishte fund muaji, vërtet duhej nxituar. Ndihej kudo meraku i sedrës sonë tipike që Vlora të mos dilte jashtë Dhjetorit. Më 29 dhjetor 1990 u formua Komisioni Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike Vlorë nga disa intelektualë trima e të mençur si: Afrim Jupi, Roland Tafili, Ventigjar Hamzaraj, Hasko Hoxha, Alfred Zijai, Bilal Çela, Manol Bono, Aleks Tahiri, Bujar Borshi, etj, të cilët treguan në atë moment madhor historik se ishin trashëgimtarë të denjë të të parëve të tyre, mishërim i atij shpirti të lirë vlonjat që ka bërë emër e ka zënë vend nderi në historinë tonë.

… Vlora s'mund të mbetej jashtë Dhjetorit. Ky Dhjetor ishte në logjikën e historisë vlonjate, vazhdimësi e traditës së kësaj krahine patriotike që mbetet si gjithnjë "bastion i shqiptarizmit".

Flakë për flakë, mbas një jave, në mitingun e madh të 6 janarit 1991, populli demokrat i Vlorës vërshoi në Sheshin e Flamurit me thirrjen: " Vlora jonë heroike, me Partinë Demokratike!"

Këtu mbarojnë mbresat e Ibrahim Vasiarit.

* * *

Kështu, në Vlorë, fillojnë të lëvizin, të bisedojnë, të komentojnë dhe të fund të organizohen pothuajse në të gjitha ndërmarjet e qytetit. Por edhe Komiteti i Partisë së Punës dhe policia nuk flinte. Komiteti organizonte mbledhje me punonjësit e ndërmarjeve të ndryshme, për të sqaruar "drejtësinë" e vijës politike të Partisë së Punës, dhe për të qënë vigjilent ndaj "propagandës armiqësore", kundër sistemit socialist!?

-- Fund --

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat