Në shërbimin e Huaj

Libra

Në shërbimin e Huaj

Nga: Refik Ramaj Më: 16 prill 2021 Në ora: 10:10
Refik Ramaj

Sot dita për mua filloi më herët. Shkova tek çanta për t’i kontrolluar se a i kisha futur në të, të gjitha gjërat e nevojshme. Akoma pa i përfunduar, në dhomë hyri befas vëllai im duke më thënë se koha është që të nisemi. Të nisemi ca më herët, tha ai, sepse treni nuk pret. U ngrita, po nisem në rrugën e të të bërit burrë. Kur dola në oborr pashë gjyshin tim, i cili kishte ardhur për të më uruar rrugë të mbarë. Posa më pa, babushi erdhi dhe mu afrua. A je bërë gati, më tha. Po babush, i gatshëm jam. Jashtë pashë turmën e grave, fëmijëve dhe burrave, që  kishin ardhur për t’u përshëndetur me mua, sepse unë po shkoja ushtar. Kur shikova grumbullin e njerëzve, u emocionova. Kisha dilemën se nga kush të fillojë

përshëndetjen. Të fillojë nga nëna apo nga babushi. Kisha frikë se nëna do të më emociononte dhe se nuk do të mund t’iu shpëtoja lotëve. Prandaj, e projektova skenarin në mendjen time, që të filloja nga gjyshi im- babushi dhe të përfundoja me nënën. I vura vetit detyrë që të mos qaja, nuk doja ta mërzitja nënën. Doja t’i tregoja nënës se shkuarja ushtar është një gjë e thjesht dhe se nuk meriton vëmendje të veçantë. Fillova t’i përqafoja me radhë. Babushi më uroi rrugë të mbarë. Më këshilloi që të bëhem ushtar i denjë, të jem i kujdesshëm, sepse po shkon në ushtri shkau, e shkau nuk ka besë, po shkon në kohë të pa përshtatshme, kur shkau është quar peshë, donë të na gllabërojë. Bën kujdes bir. Ardhsh me faqe të bardhë. Tërë këtë e tha me zë të lartë. Ktheva fshehurazi shikimin tek nëna dhe pashë se asaj i shkonin lotët. Vazhdova me babanë, dhe me të gjithë me radhë. Në fund më mbeti nëna, ajo qante dhe dëneste. Më shtrëngoi fort dhe nga dënesja nuk mund t’i shqiptonte fjalë të artikuluar. Isha i lumtur që kreva detyrën e parë që i shtrova vetit-të mos qaja, kur përshëndetesha me nënën.

U ula në makinë për të shkuar deri në stacionin e trenave, ku do të vinte Akropolisi, me të cilin shkoja në ushtri.

Gjatë rrugës mendoja, a thua pse ne shqiptarët e bëjmë kaq tragjike shkuarjen në ushtri? Në mendje më erdhën mendime të shumta. Doja shpjegim dhe njëherësh arsyetim.

Fillova nga tregimet e gjyshit tim për përvojën e tij në ushtri shkau, si thoshte ai. Ai kishte qëndruar 24 muaj ushtar, kishte përjetuar luftën e dytë botërore dhe kishte pasur përjetime rrëqethëse. Ai kishte ardhur nga Ruma këmbë maleve, deri në vendlindje, maleve në mungesë të ushqimit. Kishte ecur plotë një muaj në këmbë maleve e shkrepave, duke fjetur maleve, në kushte të mjeruara. Kur e kishte kapluar uria, natën ishte futur në një shtëpi për të kërkuar bukë. Duke u futur në shtëpinë e huaj,ai u ndesh me një plakë, e cila u tremb. Mos u tremb nëna, jam ushtar i uritur. Qe shtatë ditë nuk kamë ngrënë bukë, i kishte thënë asaj, me ç’rast plaka i kishte dhënë një bukë dhe një copë djathë, duke i thënë ik sa më parë dhe kujdes birë, mos e ha bukën përnjëherë, por pak nga pak, sepse do sëmuresh. Babushi e kishte pyetur se kah i bie rruga për Kosovë, ajo me dorë ia kishte treguar drejtimin, por ky merr drejtimin e kundërt, duke pasur frikë se kjo nëna mund ta lajmëronte policinë, e cila mund t’i vihej pas dhe ta zinte, duke e vrarë apo burgosur mandej. Babushi me atë bukë kishte ecur një javë maleve, për mos të rënë në dorë shkau. Pas një ecjeje të gjatë, i lodhur, i pa gjumë dhe i uritur, papritmas, në një fshat serb bie në dorë të disa serbëve të cilët do ta plaçkitnin. Ishte pranë një gardhi me skllotë, gjatë natës. Para se të nisej ushtar e ëma e babushit i kishte qepur një kuletë nga harrna të ndryshëm dhe se grykën ia kishte lidhur me një pe të trashë dhe të fortë, e cila mbyllej pothuajse hermetikisht. Në këtë çast ankthi, ai e kishte nxjerr kuletën dhe afër gardhit e kishte hedhur në skllotë si dhe e kishte shkelur. Por në xhep, si zakonisht kishte lënë ca para, me të cilat do të mund të blinte nga çobanët bukë sa për ta mbajtur shpirtin. Ata e rrethuan dhe e urdhërojnë që t’i mbante duar lartë filluan ta bastisin dhe duke rezultuar me gjetjen e parave që kishte lënë në gjep. Ata e rrahin se pse nuk kishte më shumë para. Dhe të rrëzuar në skllotë, ia zhveshin rrobat dhe e lënë vetëm në pizhame. Pasi shkojnë plaçkitësit serb, ngrihet dhe vazhdon rrugën natës, bashkë me të ftohtit. Gjatë të ecurit shef në mal një shtëpi që kishte një dritë llambe vajguri. I afrohet dritares dhe thirr me zë të zotin e shtëpisë. Pas pak del i zoti i shtëpisë dhe babushi i thotë me një zë të fuqishëm se jam një ushtar i ikur nga ushtria, jam i rrahur dhe i plaçkitur, njëherësh edhe i uritur. Plaku fisnik serb pasi e shef në pizhame dhe të përlloçur, i thotë hyr brenda. Plaku e thirr gruan, ia ndërrojnë rrobat, kurse pizhamet plaka ia pastron dhe i qet për t’u terur. Plaku serb e pyet babushin se qe sa kohë je pa ngrënë, qe katër ditë-thotë babushi. Plaka i sjell bukë, djathë dhe vezë të ziera. Sërish, i kujtohet këshilla e plakës që të mos hante bukën përnjëherë, por në ca intervale me pushim. Plaku mikpritës vazhdonte ta pyeste babushin se nga vjen, kush është ai dhe me çka merret tek shtëpia e tij. Pas bisedash të përzemërta, mikpritësi serb e kupton se është një bir fshatari tokë punues, i cili preokupim të vetëm ka se si ta mbaj familjen e tij. Pasi e fiton besimin e babushit, ky vendosë që t’i tregojë mikpritësit serb se i kishte fshehur paratë nën skllotë dhe me që më strehove ato para do t’i falë ty. Mikpritësi i thotë se a mund ta gjesh vendin ku i ke fshehur. Babushi i bindur se do të mund t’i gjente, e pohon se e din vendin se ku i ka fshehur paratë. Atëherë plaku serb me mirësi i thotë, se nëse ke pushuar mjaftueshëm sa për të mundur me ecur, do të shkonim gjatë natës t’i kërkonim paratë. Dhe zgjohen, marrin që të dytë nga një sfurk me vete dhe shkojnë. Babushi printe, kurse plaku fisnik i vinte pas. Kur vinë tek gardhi, babushi e lëshon sfurkun si grabujë për ta kapur kuletën nën baltë. Pa vonuar shumë, sfurku e kapë kuletën prej harrni. Kthehen në shtëpi dhe i terë paratë tek stufa e plakut fisnik. Nëna i kishte dhënë shumë para me veti, duke i thënë merr shumë para, sepse serbit vetëm paratë ia thyejnë qafen dhe po erdhe në rrezik jepi, mos të dhimbsen. Erdhi agu, kur i del gjumi babushit në dhomë nuk ishte i zoti i shtëpisë, sepse ai kishte shkuar në stallë për t’i ushqyer kafshët. Hanë mëngjes dhe ia sjellin ca rroba për t’i veshur, të cilat, babushi do t’ia paguante. Kur përshëndeten, babushi e shikon plakun në sy dhe i thotë se ti bëre gjithçka për mua, kurse unë për ty kam një falënderim të madh si dhe kam vendosur që këto para të humbura t’i japë ty, në shenjë falënderimi për tërë atë që bëre për mua, sepse këto edhe ashtu ishin të humbura. Plaku serb kategorish refuzon. Me që është kështu babushi i thotë, atëherë merri vetëm këto, por ai edhe ato, me vendosmëri i refuzoi. Plaku e përcjell babushin deri në mal dhe i tregon se në ç’drejtim duhet shkuar për në Kosovë. Mikpritësi serb tashmë kishte fituar besimin e babushit, i cili e pranoi drejtimin për Kosovë, duke mos dyshuar në këtë plak të urtë dhe fisnik.

Babushi tregonte se si shqiptarët nuk i trajtonin shqiptar, por si një nacionalitet i pa qenë- mysliman. Shqiptarët i ngarkonin me punë të vështira fizike. Por, se edhe në ato rrethana, shqiptarët veçonin krenarinë e tyre kombëtare, në forma të ndryshme, duke treguar trimëri të pa shoqe. Kudo shquheshin për trimëri.

Po ashtu babai im kishte shërbyer 24 muaj në ushtrinë jugosllave. Edhe ai kishte përjetuar padrejtësi në këtë armatë. Gjithandej dëgjoje tek shqiptarët rrëfime keqtrajtimi, nënçmimi dhe hileje nga oficerët e armatës jugosllave, të cilët ishin serb në shumicën absolute.

Prandaj, këto do të ishin arsyet se pse shqiptarët shkuarjen në ushtri e përjetonin me aq dhembje. Këto ishin arsyet pse derdheshin gjithë ata lot . Nënat dërgonin bijtë e tyre në ushtri të huaj. Ishin shumë shqiptarë që gjatë luftërave të ndryshme ballkanike u vranë për interesa të të huajve.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat