Poezia e poetes Mihane Hoxha

Libra

Poezia e poetes Mihane Hoxha

Nga: Zymer Mehani Më: 26 qershor 2021 Në ora: 15:36
Kopertina e librit

Poetja Mihane Hoxha njihet nga lexuesit me përmbledhjet: “Ënfërroj e jetoj” (2006); “Durimi mbi të gjitha”(2011); “Më fajësojnë pa të drejtë” (2012); “Dashuria që nuk mundet t’i takojë brigjet” (2013) dhe me shumë vëllime tjera poetike dhe me libra të zhanreve të ndryshme.

Kjo poete e krijoi poezinë e vet në çastet e frymëzimit të sinqertë, kur me tërë qenien e përjetoi dufin shpërthyes të vargjeve të veta duke i këngëtuar, në radhë të parë atdheut dhe vlerave njerëzore, pastaj pse jo edhe dashurisë (në kuptimin themelor të fjalës), dhe përgjithësisht këso fare e kultivon poetikën e lartë të lirikave të saj.

Edhe përmbledhja “Ngjyra malli” e poetes Hana Hoxha është e strukturuar tematikisht dhe motivisht me poezi ngjyrash të llojllojshme (edhe të mallit, siç thotë vetë autorja) të koloritit tonë shpirtëror e imagjinativ.

Duke u nisur nga këto fakte, konstatojmë se motive kryesore të përmbledhjes në fjalë janë atdhedashuria dhe dashuria ndaj njeriut. Poetja Hoxha është dashamirëse e mendimit të përsosur, e simbolikës së zgjedhur, e metaforave të pasura. Ajo është dashamirëse e kontrasteve vërtet poetikë e të gëditur. Kjo poete e talentuar nuk resht së kërkuari për të gjetur forma të reja shprehëse dhe mjete të pashfrytëzuara artistike. Poezia e saj është në përputhshmëri me urdhrin teoriko-letrar të krijimtarisë artistike. Ajo e don lirinë e shprehjes gjer në pafundësi, duke iu shmangur shablloneve dhe rregullave të metrit klasik.

Si çdo poezi e çdo poeti, ashtu edhe poezia e poetes Mihane Hoxha e ka porosinë e vet, qëllimin dhe idenë, si dhe tërësinë e kuptimit intelektual. Poezitë e saj hapin para lexuesit shtigje të mëdha të jetës, ku hero kryesor mbetet prore njeriu i thjeshtë dhe puna e tij e vlefshme.

Theksojmë fare në fund se poezitë e Hana Hoxhës janë të pasura etiko-estetikisht dhe kryejnë me sukses misionin e tyre shoqëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat