Libri i Historisë për klasën e 6-të duhet të ndërrohet ose përmirësohet

Libra

Libri i Historisë për klasën e 6-të duhet të ndërrohet ose përmirësohet

Nga: Sali Kabashi Më: 29 qershor 2021 Në ora: 18:29
Sali Kabashi

Meqë jemi në fund të vitit shkollor 2020/2021, të mundohemi që vitin tjetër ta fillojmë më me sukses, aq më shumë kur dimë që po dalim nga një periudhë pandemike me pasoja shumë të rënda, sidomos në sferën e arsimit.

Tekstet shkollore të cilat MASHT i ka fut në përdorim nëpër shkolla, jo gjithmonë i plotësojnë kriteret e të qenit udhërrëfyese për mësimdhënësit se çka të shpjegojnë, e aq më pak për nxënësit se çka të mësojnë. Këto tekste në shumicën e rasteve nuk janë në përputhje me planet e parapara për mësim gjatë një ore mësimore, kjo gjë i vë në vështirësi mjaft të madhe mësimdhënësit, ndërsa nxënësit shpesh duhet të përdorin internetin për gjetjen e materialit të nevojshëm për mësim.

Do të ishte e udhës që kërkesa apo vërejtje të ngjashme si kjo, të bënin edhe mësimdhënësit e lëndëve të ndryshme që të kemi tekste sa më të përshtatshme për nxënësit tanë. Personalisht dua të ndalem tek lënda për të cilën edhe jam i diplomuar, e që është historia, më konkretisht është fjala për tekstin e shkollave fillore të ulëta "Historia 6".

Së pari dua që kritikën time ta bazoj në profesionalizmin i cili është bazë e shkencave, e sidomos e historisë, sepse, nëse përrallën e përziejm me histori, atëherë kemi humbur udhën! Pikërisht këtë gjë e ka bërë autori i këtij teksti për klasën e 6-të! Shkurtimisht dua ti sjell disa shembuj nga ky libër ku logjika dhe e vërteta përplasen ashpër me ato çka është shkruar në këtë libër.

Në faqen 10 njësia "Njeriu i kohës së gurit", është fjala për periudhën para 400.000 vjetësh, për zbulimin e zjarrit thuhet: “Në një ditë me reshje shiu rrufeja kishte goditur disa drunj të mëdhenj në natyrë të cilët kishin ndezur flakë”, këtu na jepet përshtypja se gjyshja është duke i treguar përralla nipit apo mbesës që ta zë gjumi, e jo një tekst që flet për histori! Përralla vazhdon edhe më tej në po të njëjtën faqe dhe njësi: “Me zbulimin e zjarrit njerëzit u bënë të pavarur nga klima, mësuan të piqnin mishin, të ngrohnin ujin dhe të përdorin për nevoja të përditshme”, këtu autori thotë “ta ngrohnin ujin”, shtrohet pyetja: Nga çfarë materiali ishte e punuar ena që ngrohej uji? Sigurisht që ajo enë nuk ishte nga metali sepse është fjala për kohën e gurit e jo të metalit, pa dyshim që kemi enë nga guri, por jo para 400.000 vitesh, kjo është absurde të thuhet, e aq më pak të shkruhet në tekste shkollore!

Për të vazhduar përralla edhe më tej dhe të bëhet sa interesante aq më shumë edhe qesharake, në faqe 14, njësia “Koha e metaleve”, për zbulimin e metaleve autori na thotë kështu: “Një ditë njeriu kur kishte ndezur zjarrin mbi gurë, gurët nga temperatura e lartë ishin shkrirë...Këta gurë kishin sasi të madhe të metalit”, sipas kësaj, njerëzit duke pjekur mish, nga ai zjarrë janë shkrirë gurët! Shtrohet pyetja: Sa ishte temperatura e zjarrit që u shkrinë gurët? Me një hulumtim të thjeshtë në internet, gjënë se kjo është e pasaktë! Për shkrirjen e një guri të thjeshtë, duhet një temperaturë rreth 1200°C! Athua, aq e madhe ishte temperatura e një zjarri të ndezur për pjekjen e mishit 6000 vite para Krishtit? E pabesueshme, por, këtë e thotë "Historia 6"!

Një gjë tjetër e cila është me rëndësi shumë të madhe e që shumë herë bëhet pyetje edhe nga vetë nxënësit, është se në këtë tekst më shumë flitet për Greqinë dhe grekët, Romën dhe romakët, Egjiptin dhe egjiptianët, Kinën dhe kinezët, sesa për Ilirinë dhe ilirët, e aq më pak për Dardaninë dhe dardanët!

Kapitulli i cili flet për Ilirinë dhe ilirët, e që në këtë kapitull janë disa faqe edhe për Dardaninë dhe dardanët, është në fund të librit, që donë të thotë, se ky kapitull do të shpjegohet gjithmonë në fund të vitit shkollor, e të gjithë e dimë se sa mësohet në këtë periudhë dhe në çfarë niveli është interesimi i nxënësve, kur të gjithë janë në stres për notat të cilat do i mbyllen. Pra kjo duhet të ndryshohet me doemos, që në fillim të librit duhet të jetë kapitulli për Ilirinë dhe ilirët, me theks të veçantë për Dardaninë dhe dardanët, pastaj të vijnë vendet dhe popujt e tjerë.

Shpresoj që MASHT të jetë më syçelë, sepse nga lëshime të vogla, ndodhin edhe të mëdhatë, për shkak të lëshimeve të tilla po vijnë historianë ndërkombëtarë, si NoelMalcolm, OloverSchmitt, etj., që po na lënë gojëhapur me atë që po na sjellin për historinë e vendit dhe popullit tonë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat