Virgjiniteti politik i profesorit Çokrevski

Libra

Virgjiniteti politik i profesorit Çokrevski

Nga: Mahi Nesimi Më: 9 korrik 2021 Në ora: 18:19
Mahi Nesimi

Kësaj jave në dy qytete të Maqedonisë Perëndimore (Gostivar dhe Tetovë), Ministria e Punëve të Brendshme çuditërisht, sipas një skenari të përgatitur shumë gjatë, vendosi që natën të realizojë vendimin e Gjyqit Kushtetues të Maqedonisë të miratuar para rreth dy muajsh. Fjala është për një vendim sipas të cilit duhej të hiqen flamujt kombëtarë shqiptarë të vendosur para ndërtesave të organeve të vetadministrimit lokal. Lidhur me këtë aksion të çuditshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme shtrohen shumë pyetje për të cilat vështirë se mund të gjendet përgjigje adekuate. Megjithatë, në këtë rast dhe për këto ngjarje shumë punë janë të qarta. Nëse këtij problemi i bëhet një qasje serioze, atëherë duhet thënë sheshazi një të vërtetë të njohur: vendimet e Gjykatës Kushtetuese deri më tani janë nëpërkëmbur jo njëherë, por si organet përkatëse të obliguara për zbatimin e vendimeve, ashtu edhe individët fare nuk u janë nënshtruar sanksioneve. Andaj, shtrohet pyetja se pse pikërisht në këtë rast u ngul këmbë për realizimin e vendimit. Përgjigjja nuk është e vështirë: shteti dëshiron të dëshmojë se kur është fjala te çështja e “rrezikimit të integritetit dhe sovranitetit territorial” përdorimi i forcës së organizuar shtetërore është i arsyeshëm. Megjithatë, ashtu siç u veprua në Tetovë dhe Gostivar, posaçërisht në Gostivar, nuk mund të arsyetohet veprimi i asnjë organi shtetëror. Nëse Maqedonia dëshiron të bëhet pjesë e familjes së vendeve demokratike dhe të civilizuara të Evropës duhet të jetë e vetëdijshme se: përdorimi i forcës së organizuar shtetërore ndaj shtetasve të vet, madje në atë formë siç u bë në Gostivar, është në kundërshtim me rregullativat demokratike, përkundrazi dëshmon ngritjen e një shteti policor e diktatorial i cili nuk është i peferueshëm në radhët e shteteve të Evropës.

Këtu gjithsesi shtrohet pyetja se kush është ai që vendos në këtë mënyrë të sillet ndaj shtetasve të vet edhe pasurisë shtetërore, e cila është fituar nga kafshata e bukës, që qytetarët në këtë fazë të skamjes maramendëse e kanë ndarë nga goja e vet. Këtu nuk ka kurrfarë dyshimi dhe hamendjeje; faji kryesor për ndodhitë në Gostivar bie në njeriun e parë të organit që përdori dhunën në mënyrën më brutale. Kryepolici i Maqedonisë, Tomisllav Çokrevski, është personi që vendosi t’i qërojë hesapet me qytetarët shqiptarë në mënyrë shtazarake. Shqiptarët ishin të prirur të mos lejojnë sjelljen tekanjoze të politikanëve të Maqedonisë. Çokrevski tashmë s’ka kurrfarë mundësie dhe të drejte, për të deklaruar se është politikisht i papërcaktuar, se në politikë është “i humbur”, sepse tashmë dëshmoi se fare nuk e ka humbur rrugën, por e di shumë hollë e mirë se cilës rrugë duhet të ecë për t’i realizuar qëllimet politike të partisë që e ka emërur. Pikërisht atë natë, partia e tij, duke përdorur policinë si instrument për të kthyer rejtingun e lëkundur politik, e bëri gabimin e pafalshëm dhe dëshmoi se qëndron larg nga njohuritë elementare të veprimit në sisteme demokratike, ku përdorimi i forcës dhe ushtrimi i dhunës, në asnjë mënyrë nuk mund të sigurojnë mbetjen në pushtet, përkundrazi votuesin edhe më shumë e iritojnë dhe e afrojnë nga taboret kundërshtare.

Kot e ka profesori dikur liberal të dëshmojë virgjinitetin e vet politik. Zatën virgjiniteti i tij shkoi në dreq të mallkuar qysh në kohën kur vendosi që në këtë post (në krye të organit që detyrën e kryen me përdorimin e forcës, shkopit dhe plumbave) të vijë pas ushtrimit të detyrës së njeriut të parë të institucionit më të lartë arsimor e shkencor – rektor i Universitetit. Nuk kam të njohur ndonjë rast kur rektori i Universitetit bëhet ministër i policisë. Por, në rastin konkret duket se profesori vendin nuk e ka pasur në krye të Universitetit, por aty ku gjendet tani. Por, pokështu, nuk duhet harruar edhe faktin se profesori i persekutuar për shkak të qëndrimeve liberale, një kohë qëndroi në krye të Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Kjo e vërtetë edhe më tepër duhet të rëndojë ndërgjegjen e një intelektuali. Megjithatë duhet thënë troç se këto kërcime nga funksioni në funksion përveç tjerash flasin për një mjerim të veçantë intelektual. Pra, nuk dihet kur profesori ishte në vend të gabuar, më parë ose tash kur është në krye të policisë.

Duke analizuar atë që ndodhi në Tetovë dhe në Gostivar shtrohet pyetja se çka në të vërtetë dëshiroi policia atë natë në këto dy qytete. Deshi të zbatojë vendimin e Gjyqit Kushtetues apo në radhë të parë deshi të tregojë se ajo mund të bëjë ç’të dojë. Si duket parësore ka qenë kjo e dyta. Siç dihet flamujt kanë qenë të vendosur jashtë ndërtesave, andaj edhe nuk ka pasur kurrfarë nevoje që të demolohen zyrat e organeve të vetadministrimit lokal në Tetovë e Gostivar dhe të njësive rajonale të ministrive të tjera të vendosura në këto ndërtesa. Ç’nevojë ka pasur të thyhen dyert, dritaret, inventari, të përmbyset çdo gjë që është në zyra, të grisen e të copëtohen orenditë. Veprimi i këtillë dëshmon se policia atë natë ka dëshiruar të shkatërrojë çdo gjë në ato ndërtesa. Dhe çka do të bëhet me dëmin e shkaktuar? Kush do ta paguajë atë? Organet e vetadministrimit lokal, populli, qeveria? Hë, merre si ta marrësh prapë do të paguajë populli! Është shumë e rëndësishme të veçohet se e gjithë kjo ndodhi për shkak se dikush për pikë të qejfit, në mënyrë të organizuar, sillet me vandalizëm duke ndërmarrë veprime individuale që barazohen me anarkinë. Befasuese dhe tragjike për një shoqëri është njohuria se e gjithë kjo bëhet nga pozitat pushtetore dhe kundër interesave të qytetarëve të vet. Ku e shpie kjo Maqedoninë? Nëse ekziston një fije sistem demokratik dhe nëse respektohet një për qind e rregullave të përgjegjësisë, atëherë ministri është i detyruar të japë llogari si për dhunën e përdorur ndaj njerëzve, ashtu edhe për dëmin e shkaktuar material që me siguri është tepër, tepër i madh. Pikërisht ministri është më përgjegjësi dhe ai që nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për sjelljet shtazarake të policëve të tij nëpër rrugët e Gostivarit. Aty u tregua një brutalitet i çuditshëm, doli në pah një urrejtje e paparë, patologjike. Aty dominonte dëshira për të sakatosur njerëzit pavarësisht se ku ishin gjendur në çastin kritik. Ministri duhet të japë përgjegjësi për hyrjen e policëve në mënyrë të pakontrolluar nëpër shtëpitë e qytetarëve, nëpër lokalet e ndryshme tregtare e hotelierike e kudo tjetër. Tashmë duhet thënë hapur se qëndrimi i kryepolicit të Maqedonisë ndaj shqiptarëve është qëndrim tepër cinik, përbuzës dhe refuzues. Opinioni është e udhës të informohet se pas ardhjes së tij në këtë post, pavarësisht se në qeveri participon edhe Partia për Prosperitet Demokratik, në këtë ministri nuk u emërua asnjë punëtor shqiptar me kompetenca. Pra, për shqiptarët përfaqësimi në këtë ministri është i pamundshëm ngase atë gjë, pa dyshim, nuk e dëshiron dhe nuk e lejon profesori liberal Tomisllav Çokrevski.

E gjithë ajo që ndodhi në Gostivar është një mjerim i tij personal, por edhe i kryeministrit Cërvenkovski i cili gjithë atë që bën Çokrevski e quan sjellje tekanjoze të ministrit. Opinioni duhet ta dijë edhe atë se ky ministër e ka një fillozofi të sjelljes me të cilën pretendon të tregohet superior ndaj kolegëve të vet shqiptarë, të cilët “nuk duhet as të përshëndeten”. Për qëndrimet e tij të çuditshme ndaj shqiptarëve flet fakti se me ardhjen e tij në krye të policisë kjo ministri tërësisht e ka ndërprerë komunikimin edhe zyrtar me redaksitë shqipe! Në këtë situatë nuk ka ç‘të thuhet më tepër për punën e ministrit, përveç që PPD-ja duhet thënë hapur kryeministrit se mbetja e Çokrevskit edhe më tej në krye të kësaj ministrie është e papranueshme. Por, nuk duhet hequr mendsh se kryeministri të gjitha këto gjëra i ka të njohura dhe megjithatë ka edhe llogarinë e vet politike. Ai dhe partia e tij me siguri vlerësojnë se nga kjo kanë përfituar në planin e brendshëm politik. Përfitimet e këtilla janë të rrezikshme dhe të rrëshqitshme, sepse sipas të gjitha vlerësimeve ky përfitim do t’i kushtojë shtrenjtë LSDM-së, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm. Kryeministri me këtë rast u tregua tejet egoist, por edhe fanatik partiak, edhe pse gjithsesi hiç më pak edhe naiv. Naiv për shkak se të gjithë e kanë të njohur se me nxjerrjen e Ligjit për përdorimin e flamujve të nacionaliteteve (flamurit shqiptar), partia e tij do të gjendej në shënjestër të ashpër të rivalëve politikë. Do të gjendej në shënjestër edhe për shkak të devalvimit të denarit që u bë po të njëjtën ditë. Pra, do të sulmohej edhe nga qarqet shoviniste intelektuale maqedonase si dhe nga popullata tjetër, të cilës tashmë edhe “uji i mbetet në fyt”. Prandaj, për t’u bishtëruar përballjeve me kritika të ashpra, pra për të ndalur tehun e kritikave e për të kthyer situatën në favor të vet, ai me kompanjonët vendosi që vëmendjen e opinionit ta orientojë në një kah tjetër. Sot askush nuk flet për Ligjin për flamujt e nacionaliteteve e as për devalvimin, por të gjithëve u ka hyrë frika në palcë ngaqë janë të pasigurt për jetën e vet. Të gjithë shtrojnë pyetjen se mos vallë lufta mund të bartet në këtë pjesë të Ballkanit. Pra, sido që të jetë, intervenimi në Tetovë dhe Gostivar është një minus i madh për qeverinë aktuale dhe për Maqedoninë. Qeveria kishte kohë - një muaj të tërë, për realizimin e vendimit të Gjyqit Kushtetues. Nuk do të ndodhte asgjë nëse flamujt qëndronin edhe ndonjë ditë aty ku ishin vendosur. Ka pasur mjaft mënyra të tjera për mënjanimin e tyre, ka shteti instrumente dhe mekanizma të ndryshmëm me të cilët punët mund të zgjidhen në mënyrë fatlume. Por, këtu mungoi toleranca, mungoi mirëkupimi, mungoi dëshira për qasje qytetëruese ndaj këtij problemi të krijuar. Këtu iu dha hapësirë vetëm inatit dhe asgjë tjetër, inatit ballkanik të njerëzve që lumturinë e vet e shohin dhe e gjejnë në fatkeqësinë e të tjerëve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat