Profesor Gjon Frani Ivezaj promovoi në Shkodër, dy libra : "Iliro Paganët dhe Sfidat e Krishtërimit në Shqipëri" si dhe "Rrënjët dhe Malet e Malësisë së Madhe"

Libra

Profesor Gjon Frani Ivezaj promovoi në Shkodër, dy libra : "Iliro Paganët dhe Sfidat e Krishtërimit në Shqipëri" si dhe "Rrënjët dhe Malet e Malësisë së Madhe"

Nga: Rita Shkurtaj Më: 24 korrik 2021 Në ora: 23:06
Foto e kopertines së librit

Rikthehet pas katër vitesh, malsori shqiptaro - amerikan Gjon Frani Ivezaj të dëshmojë për Rrënjët dhe Malet në Malësinë e Madhe.

Ditën e premte me datën 23 korrik 2021 në ambjentet e Bibliotekës "Marin Barleti" të qytetit të Shkodrës u organizua një aktivitet kulturor me tematikë "takim me lexuesin" ku miku i kahershëm i kësaj biblioteke, Profesor Gjon Frani Ivezaj promovoi njëherazi dy librat e tij të fundit "Iliro Paganët dhe Sfidat e Krishtërimit në Shqipëri" si dhe "Rrënjët dhe Malet e Malësisë së Madhe".

Realizimi i këtij aktiviteti u bë nën kujdesin e veçantë të drejtorit të bibliotekës z. Maxhit Cungu si dhe monitorimin profesional të znj. Linda Doda Kavaja. Në këtë aktivitet si kurrë më parë morën pjesë studjues, historianë, analistë, shkrimtarë, poetë, gazetarë dhe mjaft lexues ndër ta edhe të rinj gjimnazist të cilët i dhanë akoma më tepër kuptim tematikës "takim me lexuesin" si një nevojë e munguar së fundmi, për shkak të pandemisë.

Në respekt të Prof. Gjon Frani Ivezaj dhe punës së tij kërkimore shkencore disa vjeçare, të finalizuar në këta dy libra, morën pjesë edhe përfaqsues institucionesh nga qytetet e Shkodrës, Koplikut madje edhe nga Mali i Zi e Kosova, të cilët i dhanë edhe më shumë serjozitet këtij aktiviteti.

Për të pranishmit fjalën përshëndetëse si dhe prezantimin e këtyre dy librave të shoqëruar me një biografi të autorit e mbajti Drejtori i Bibliotekës z. Cungu, i cili mori edhe vëmëndjen e plotë të pjesëmarrësve falë kurjozitetit që kishin shfaqur edhe më herët për ta njohur nga afër këtë autor malsor nga diaspora.

Një vëmëndje akoma më të madhe mori analiza e hollë dhe plot profesionalizëm shkencor e studjuesit dhe historianit Prel Milani, i cili i vlersoi këta dy libra si një punë e mirfilltë shkencore, duke pohuar edhe saktësinë e autorit në konstatimin e ngjarjeve dhe fakteve që lidhen me ndriçimin e historisë që nga antikiteti e deri në mesjetën e vonë.

Gjithashtu ai u ndal edhe në disa pika kyçe që akoma dhe sot shihen si ngërç ¬të pengmarrjes së pranimit të të vërtetave historike që lidhen me organizimin fisnor apo nocionin e Bajrakut, të cilat sipas tij autori i kishte shtjelluar me shumë kujdes dhe mjaft saktë.

Lidhur me këto punime për të pranishmit folën edhe studjues e kritikë si Rita Shkurtaj, Kadri Ujkaj etj, të cilët dhanë gjithashtu vlerësimin e tyre për punën e z. Ivezaj. Nuk munguan as diskutimet e lira si dhe respekti ndaj autorit ku veç fjalës përshëndetëse z. Ndue Sanaj i dhuroi librin e tij të fundit "Dukagjini- Shqipëria ime aty” si shenjë mirënjohje ndaj tij.

Në respekt dhe mirënjohje për të pranishmit mes emocionesh dhe gëzimi për vlerësimin e punës së tij dhe surprizimin nga prania e shumtë e intelektualëve dhe pjesëmarrësve në sallë, si dhe mediave lokale përshendeti dhe falendoroi përzemërsisht pjesëmarrësit, duke i dhënë secilit një emocion të shtuar që vetëm mërgimtarët dijnë ta peshojnë dhe kuptojnë mallin dhe dashurinë ndaj Atdheut dhe të qenurit në mes të bashkatdhetarëve.

Nje pikë lot malli mbi buqeten me lule të njoma, dhuruar autorit nga "njomza shkodrane" Aislin Kavaja ishte xhesti që mori edhe shumë duartrokitje. Në emër të autorit dhe Bibliotekës "Marin Barleti" të pranishmit i falenderoi znj. Linda Kavaja, e cila moderoi edhe ecurinë e aktivitetit.

Aktiviteti u zhvendos në nje bar -kafe ku vazhduan diskutimet e lira dhe vllazërore mes autorit dhe pjesmarrësve nën shijimin e kafes dhe nënshkrimit të autografëve mbi libra, dhuruar nga autori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat