Socializmi i kultivoi veset tona më të shëmtuara

Libra

Socializmi i kultivoi veset tona më të shëmtuara

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 21:27
Rexhep Shahu

(fragment nga libri Bisede e perfytyruar me Havzi Nelen)

Pushteti i vrazhdë i varfërisë ka kondicionuar gjithë mënyrën e sjelljes e të jetesës, ka prodhuar skllevër, të bindur, ka shtesuar në thellësi të njeriut mëri e mllef të pafund, mëri e mllef që vdiste ngadalë sidomos në vitet e pushtetit të frikës në komunizëm e diktaturë.

Socializmi ndërtoi në ne dikënd tjetër, atë njeriun e ri që nuk kemi dashur ta kuptojmë e ta shohin në ne, brenda nesh, në jetën tonë, në sjelljen tonë, në mënyrën tonë të jetesës, ndërtoi në ne një individ tjetër të panjohur, një individ të cilit i rridhte në vena jo gjak por urrjetje për tjetrin, mos pranim të tjetrit.

Socializmi u bë serë e mrekullueshme për gjithë veset tona, i kultivoi me dashuri veset më të shëmtuara. Dhe të keqen më të shëmtuar që rrëzon çdo kala socializmi e mbolli në familje, në fis, aty ku ka qenë dhe është synuar të mbahet nën fre. Ne duke i mbajtur fshehur veset ata janë bërë vatra të pashërueshme tumorresh që na asgjësojnë me shpejtësi nëse i prekim apo synojmë t’i shërojmë pjesërisht…

Njeriu i ri i socializmit i përfeksionoi të kqiat brenda rrethit familjar se brenda rrethit familjar njerzit ia dinë njëri – tjetrit të mirat e të ligat dhe e mbajnë peng njëri

– tjetrin për tradhëtitë, hajnitë, ligësitë, vogëlsitë që pjellin mëri deri në vrasje të njeriut të afërt.

A kemi të ardhme ne si shoqëri, si individë? Ku e kemi atë të ardhme? Ku e gjejmë, ku e shohim? A kemi të ardhme këtu në atdhe apo do të endemi nëpër shkretirat e harrimit e humbjes sa të shuhemi edhe më shumë se jemi shuar e zvogëluar si komb?

Kultura e varfërisë duket solli nënshtrimin, mosrea- gimin. Frika nga burgu, nga biografia solli nënshtrimin, poshtrimin. Pamundësia për rrugë e zgjidhje më të mirë solli nënshtrimin dhe e bëri kulturë.

Nëse dikush donte ta prishte këtë rregull, këtë mënyrë jetesë, do të urrehej. Edhe ti je urrye shumë Havzi. Se dole e u shfaqe si përjashtim, si shembull që nuk duhej të ishte se ti po zgjoje atë që nuk lejohej, po zgjoje kundërshtimin ndaj regjimit komunist.

Nuk e di Havzi, por vazhdojmë të kemi shumë përbuzje, urrejtje mes nesh, shumë përgojime. Nuk durohet i dobëti, i bihet me shqelm të dobëtit, kjo është mënyrë sjellje. Përbuzet i pamunduri, i pafuqishmi, i vobekti, sakati. Nuk ka solodaritet me të pamundurin, por ka solidaritet me partinë, me shtetin, shteti ka të drejtë, partia ka të drejtë, i forti ka të drejtë…

Duam ta kemi shok e mik të fortin, nuk duam as kërkojmë të kemi mik të drejtin, por të fortin, cubin, atë që ia hedh shtetit, atë që ua hedh të tjerëve, atë që vjedh e nuk e kapin dot (ani se mbase ai që vjedh vjedh me leje që të tregojë të tjerët që vjedhin siç ndodhte në koperativë…).

Edhe pse fëmijët e diktaturës dhe fundit të diktaturës janë bërë 30 vjeçarë, edhe ata nuk i kanë shpëtuar urrjetjes, mënyrës së sjelljes me urrjetje ndaj tjetrit, ndaj të ndryshmit por edhe ndaj të ngjashmit. Urrejtje ndaj të tuve, ndaj njerzve të afërt, zili e pashoqe për njerzit më të afërt, padurim i suksesit të njerzve të afërt. Servilizëm deri në neveri ndaj të fortëve, ndaj pushtetarëve. Më shumë se servilizëm i ndyrë.

Kultura e përçarjes, e thënë me fjalë të mëdha Havzi, ajo teoria përça e sundo, është prezente ndër ne, në mesin tonë, në fisin tonë, në familjen tonë. Tani në këto kohë që Shqipërinë e qeveris rilindja, tri dekada pas regjimit komunist, edhe popullin e ka ndarë dy pjesësh, progresist e regresist, socialist e jo socialist, rilindas e jo rilindas, popull që jeton jeten e rreme që ofron rilindja në televizion dhe popull që zvarritet në realitet dhe nga mungesa e shpresës të gjithë kërkojnë të ikin nga atdheu, e sidomos të shkolluarit, gjë që s’ka ndodhë më parë…

Nuk arritëm kurrë të dënojmë vesin, as ti ngreme kult virtytit. Bëjmë gjithë të zezat dhe i fshehim. Nuk i dënojmë se nuk duam ta marrin vesh kojshitë për të zezat tonë.

Ne u mesuam që për ne duhet të reagojnë të tjerët, duhet të reagojë partia, rinia, fronti, bashkimet profesionale... Ne u mësuam që të tjerët të na i bëjnë të gjitha, ne vetem të jemi skllevër që mundësisht të duatrokasim për ata që janë në tribuna.

Ne nuk duhet të jemi të aftë të vetmbrohemi, të vetreagojmë, ti dalim zot vetes. Por duhet të jemi të zotët të durojmë, të durojmë edhe pa bukë, edhe me bukë me sheqer, edhe me bukë të mykur misri. Ne nuk na njihet as na lejohet vetmbrojta, reagimi për veten pasi partia na ka mësuar, e ne jemi mësuar tashmë se partia i di punët tona edhe fatin tonë, ne vetem duhet t’ia puthim dorën udhëheqësit.

A beson Havzi se edhe në vitin 2019 viktima popull ia puth dorën udhëheqësit. Një grua, një nënë që lind e rrit jetën, ia puth dorën udhëheqësit, ia përkëdhel dorën udhëheqësit sikur ajo dorë është hajmalia e mrekullisë, sikur ajo dorë është shërimi, kamja, siguria, jeta… Sa shumë frikë kam Havzi nga ky nënshtrim popullor ndaj udhëheqësit…

Ne nuk duhet ta kemi aftësinë të kuptojmë se deri ku na ka shkuar thika në kockë, ne duhet të mos e besojmë se na ka shkuar thika në palcë, ne nuk duhet t’i besojmë dhimbjes që na dhemb, por duhet të mësohemi të durojmë e ta harrojmë dhimbjen, të mos na duket e vertetë ajo ose të na duket se i dhemb dikujt tjetër e jo ne, apo duhet ta durojë dikush tjetër dhimbjen tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat