Zëri i poetit Redenica është një zë që emocionon

Libra

Zëri i poetit Redenica është një zë që emocionon

Nga: Zymer Mehani Më: 30 korrik 2021 Në ora: 08:05
Ballina e librit

Autori Hajrush Redenica si publicist dhe poet tanimë njihet nga lexuesi ynë me vëllimet poetike: “Brengë dhe mall”, “Pluhuri i zemrës” (për të rritur); “Bukuri në atdheun tim”, “Urat e vendlindjes” (për fëmijë), me monografinë “Kika” (në tri vëllime) dhe me një varg veprash të tjera letrare.

Tani, poeti Hajrush Redenica vjen me vëllimin poetik të radhës “Mbi çatinë e shpirtit” me motive kryesisht atdhetare.

Poezitë e vëllimit në fjalë trajtojnë tematika të ndryshme dhe motive të njohura dhe më parë. Kryemotiv i poezive të këtij vëllimi është atdhedashuria. Vërehet evoluimi i poetit si përnga përmbajtja estetike, po ashtu edhe përnga realizimi artistik i vargjeve.

Në këtë vëllim autori Redenica ka bërë përpjekje për ta zgjeruar horizontin, duke e formësuar më mirë botëkuptimin, duke u dhënë përmbajtjeve kuptim më të qartë. Ai shquhet me përfytyrim të pasur poetik, duke na sjellur nota të reja dhe të freskëta të vargut poetik.

Poeti  Redenica edhe në poezitë e vëllimit “Mbi çatinë e shpirtit” është shërbyer dhe mbështetur në traditat tona kombëtare, duke vjelur nga historia tema për figura dhe ngjarje të rëndësisë kombëtare. Duke pasur kujdes për formën, ky autor niset nga frymëzimi, kur shtjellon dhe trajton tema konkrete, motive të qarta dhe mendim të kristalizuar. Vargjet e poetit janë të mbushura me emocione dhe si të tilla, edhe me rrjedhën e mendimit, me ritmin dhe me frymëzim të plotë, te ne lënë mbresa të thella.

Vërehet se te vëllimi në fjalë autori Redenica ka bërë përpjekje serioze për ta skalitur vargun, prandaj poezitë e tij kanë dalë të bukura dhe emocionante.

Autori Redenica ka prirje për të kapur gjëra të thjeshta, të zakonshme, ngase asgjë s’i shpëton syrit të tij, prandaj tenton që edhe vargun ta përpunojë, duke e pasuruar me nuanca të reja.

Formimi i stilit të poetit Redenica sa vjen e sëndertohet, ngase është ndikuar nga konsekuencat e rrugëtimit poetik krejt të veçanta, që kanë rëndësi të jashtëzakonshme, sepse këto e dërgojnë drejt sukseseve si artist i fjalës poetike.

Në poezinë e autorit Hajrush Redenica ka gjetur vend të përshtatshëm materiali nga e kaluara jonë historike, që poezinë e tij e gjallëron dhe e pasuron përnga tematika. Në poezinë e tij mbizotëron një frymë e ngrohtë atdhetare.

Vargu është ndërtuar me figuracion të bollshëm poetik (si me krahasime, metafora, hiperbola etj) dhe gjuha e përdorur është e pastër, e kuptueshme dhe pa krahinarizma a barbarizma. Kryesisht është një gjuhë shprehëse e mendimeve.

Zëri i poetit Redenica është një zë që emocionon, ngase niset nga ndjenja dhe dashuria për truallin amtar dhe njerëzit e gjakut dhe të të njëjtës përkatësi kombëtare, pra të shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat