Tri përmasat e një poezie

Libra

Tri përmasat e një poezie

Nga: Prend Ndue Buzhala Më: 14 gusht 2021 Në ora: 07:51
Brahim Avdyli: "Aureolat e dritës", poezi, SHB “Meshari”, Prishtinë 2021

Edhe ky vëllim poetik, që vjen pas librave “Arena e dhembjeve” (2017) dhe “Muzat e vargjeve” (2020), ndër preokupimet kryesore ka dramën jetësore, ndonëse kësaj radhe, po e vështrojmë në tri përmasa që i ngërthen kjo lirikë: në atë të përmasës me fjalën, në atë të rendit të figurave të dritës dhe shpirtit dhe në atë të shtresimeve dramatike të identitetit të qenies sonë nacionale.

Ç‘është vepra e një poeti?

Salman Rushdie do të përgjigjet: "Vepra e një poeti… për të emëruar të paemërtueshmen, për të na i vënë në dukje mashtrimet, për të mbajtur anë a qëndrimin ndaj diçkasë, për t'i vënë në lëvizje argumentet, për t'i dhënë trajtë botës dhe për ta ndaluar atë të shkojë për të fjetur."

Jeta është fjala që duhet të shkruhet. Jeta së bashku me shqiptimin poetik të Fjalës. Me dendurinë e saj të thënies. E thënia e tillë, është një dhuratë që i jepet ligjërimit, leximit. Poeti është ai që shikon e kundron në brendinë e realitetit e jetës dhe përsiat brenda zemrës së gjërave.

Zaten, Brahim Avdyli dallohet për thënien e qartë, për vargun e ngjeshur me pak fjalë. Së këndejmi, kjo shkurtësi e vargut lexohet me gjallërinë që e përshkon dhe me komunikimin e pëlqyeshëm që e karakterizon.

Libri "Aureolat e dritës" është i ndarë në pesë cikle: "Parapikturë e dhembjes", "Shtegtimet e fjalës", "Aureolat e dritës së pashuar", "Rreshka e dhembjeve të mia" dhe "Fjalorët e (pa)kuptimësisë". Po ashtu, në fillim e në fund ka edhe dy cikle, para e pas: "Si fillim", ku përfshihet poezia "Parafjala", dhe "Një fjalë e pafund", ku bën pjesë poezia "Edhe pak shpresë".

1. Metapoezia: parafjala ose sinteza e preokupimeve krijuese

Ndonëse ligjërimet e tij autori i përfton dhe i organizon e sistemon nëpërmes zërit të unit të tij poetik, megjithatë, ky zë herëve të tjera shpërnderohet, duke dalë nga korniza subjektive, dhe duke e thurë distancën objektive me lëndon poetike (motivet e temat për lashtësinë e qenies dhe për shtresimet e identitetit tonë nacional). Skenat dhe imazhet, “nëpër vargjet e pakëputura”, të thurura nëpër cikle e poezi në trajtë poemash, ndjekin njëra-tjetrën, ndjekin gjurmët e ndërgjegjes krijuese e të qenies sonë nëpër kohë, të mbizotëruara nga nocionet (poetike-refleksive). E pra, poeti arrin ta drejtojë zërin tij kah vetja, aq sa edhe kah Tjetri, kah kohët dhe kah lënda e nduarnduartë poetike. Poeti, prandaj, na thotë  që në fillim të vargjeve të tij:

Do ta gjeni

nëpër vargjet e pakëputura

epokën tuaj

e nuk e kanë përjetuar

paraprakisht të gjithë

siç është

e siç duhet të jetë.

Te poezia “Parafjala”, ku përfshihen këto vargje, poeti thur sintezën e këtyre preokupimeve, që i shënjuam më lart.

Kësisoj, vjen edhe zëri dramatik që i ligjëron vetes dhe i drejtohet vetes dhe lexuesit:

Brenda këtyre

kopertinave

parashtrohet jeta

mendoj

se fragmentet

e mendimeve të pa shpresë

i përpin dhembja...

Pulsimi mes këtyre përqasjeve, brendësi-jashtësi, domethënë: uni lirik- koha, tjetri, lexuesi, e bën këtë poezi më të gjallë, më të ndërliqshëm, më të thellë. Një ton bashkëbisedimi  që vrujon nëpër vargje, krijon një ndërlidhje e siguri më të plotë të thënies lirike. Ky ton kuvendues dëshiron ta kërkojë e ta gjejë vendin, në të cilin mund të flitet për vetveten ashtu sikundër flet edhe për qenien kolektive, apo për historinë, ashtu sikundër ligjëron edhe për kohën e sotme me shqetësimet, hallet, plagët e vomet e saj.

Poeti është i gatshëm të ligjërojë për këto dhembje, për t’ua hequr maskën  mistifikimeve të saj, dhe ndan me lexuesit dyshimet e tij.

Dyshimet që na janë njerëzore, dhe jo vetëm racionale e reflektuese, ato duan ta hedhin tutje velin e spekulimit ligjërues.

Luftë e pa fund

në tërë qenien tonë

të krijimit

e përlindjes

është zinxhiri i kohës!...

Dhe përpjekja e tillë, për ta parë këtë “zinxhir kohe” si një tërësi të pashkëputshme, nuk reshtet deri në fund të librit.

Edhe ato hapësira të humbura, apo ato hallka të shkëputura nga ky zinxhir i shpirtit dhe qenies sonë, poeti i mbushullon me artefaktet gjuhësore e arkeo-historike nëpër kohë, deri te prerja e sotme sinkronike.

E Thëna jam

e le të pëshpëritin A Thina

Shqipet tona

në dy botërat,

prej trurit të kohës

e zemrën e madhe

të periudhave

e krijoj të tërën

me mendimet

e shtresuara në gjurmë!...

Mirëpo, poeti është i ndërgjegjshëm për realitetin artistik, i cili ndryshon nga ai që na rrethin sot e nëpër kohë:

E di se lirika

këndohet

edhe përmes ditëve

e vendeve,

bredh

midis fjalëve tuaja

e ndalem

nëpër enigmat e mija.

Më tutje do të lexojmë jo vetëm toponinimë e djeshme e të sotme shqiptare, por edhe atë të vend-krijimeve, ditët dhe vendet (toponimi zvicerane, ku jeton poeti).

Këto reagime nga jashtë, vijnë e shndërrohen në art poetik, duke u identifikuar me të tjerët (“bredh/ midis fjalëve tuaja”) dhe depërtimit personal në thellësitë e reflektimit poetik (“e ndalem/ nëpër enigmat e mija.”)

2. Fjala: ose përmasa e parë e poezisë

Së këndejmi, poeti zbret te ciklet “Parapikturë e dhembjes” dhe “Shtegtimet e fjalës”, të cilave u shkojnë në përplotësim tematiko-artistik edhe ciklet “Fjalorët e (pa)kuptimësisë” dhe “Një fjalë e pafund” e që ne e përkufizuam që në fillim si përmasë e fjalës. Edhe rendi i leksemave poetike (fjalë, shtegtim i fjalës, fjalor, kuptim e pakuptimësi, e pathëna, sistemi i fjalës, sentencat, diskursi, fjalorët, kënga) të shoqërim me epitetizimet e karakterizimet lirike (bie fjala, siç janë sintagmat lirike-figurative “Sentencat e provave” apo “Diskursi i ecjeve”); thurin një përmasë të tërë të kësaj poezie. Poeti e ndien gjuhën poetike mbi atë të zakonshmen, e ndien dhe e kupton fuqinë dhe energjinë e saj kur rrezaton shumë ide dhe përsiatje, dhe arrin ta dhurojë kënaqësinë fisnike nga bota e këtyre ndjesive dhe përsiatjeve. Ai e ka kohën e hapësirën e vet në natën e brengave, në përsiatjet buzë liqenit, apo në shoqërimin me dhembjen e enigmat e fatit. Është ajo hapësirë kur ai i  shndërron vargjet e tij intime në përsiatje për publikun. Herën tjetër ai e pranon që zihet ngushtë me fjalën:

Jam zënë ngushtë

në theqafjet

e këngëtimit

e në pikëçuditëset

e befta

të enigmave!...

Poeti përplaset me botën e tij të brendshme, por nga këto përplasje lind arti poetik, ndryshe nga jeta e përditshme, ku grindja mes njerëzve prodhon vetëm retorikë, siç do të shprehej një poet. Leksemat këngë dhe këngëtim, vijnë si sinonime të fjalës poetike, të krijimit poetik.  Gjithsesi që arti poetik pikësynon shkallën më të lartë të thënies. Vjen me mendimet e formuluara në thellësi, në gjerësi e në lartësi. Percy Bysshe Shelley do të thoshte: “Poezia heq velin nga bukuria e fshehur e botës dhe i bën objektet e njohura të jenë sikur të mos ishin të njohura". Të fshehurën, të panjohurën, enigmën, ai e vjel nëpërmes komunikimit me to;

A janë

mjegulla në sy

frymëmarrja e pëlcitur

Çudi,

fjalët e pathëna

tresin në hapësirë

Ai udhëton me barkën e tij me velat e figurave letrare, porse aty për aty e krijon motin e mirë të poezisë, për ta ulur atë vel dhe për ta shpalosur bukurinë e paanë të hapësirave të përjetimit. Korniza e jashtme e krijimeve ngërthen, pra, historitë personale, ngërthen kërkimin e vetvetes, posaçërisht atë lidhje me kujtimet, me betejat, me jetën.

Ciklet na vijnë si kapituj të saktë, dhe, së bashku me librat tjerë poetikë, sikur e thurin një roman të jetës në vargje. Janë libra që bartin, si ind i pashkëputshëm,  përvojat e autorit. Bartin përvoja të vlefshme e të paçmueshme të jetës njerëzore. Është ai vetë protagonisti që rend e rend që nga “dhembjet e fëmijërisë” e deri te “kthetrat elektronike”. Ndryshe, poeti e kundron fjalën në kompleksitetin e saj, apo, siç thotë ai, kundrimet vijnë, siç është “Sistemi i fjalës”, me lëvizjet e saj, me gnoseologjinë e saj në fenomenologjinë e realitetit: 

forma lëviz nëpër mileniume

për të shpjeguar

pse është krijuar

Njeriu.

Dhe vargjet na vijnë qartësisht të lexueshme nga bota e tillë, ku gjërat nuk shihen qartë, për t’i kuptuar më mirë.

Tani

kjo që keni në duar

është formë e përsiatjes

Kur kaq shumë këmbëngulje e interesime krijuese ka poeti me fjalën, a nuk është kjo një dëshmi se ai merret me pasion me gjuhën dhe me thellësitë e enigmat e saj? E, Fjala e Duhur, është ajo e gjetura, aq e thjeshtë dhe aq qartë e komunikueshme. Fjala që bart një kumt kohësh a një mesazh për të sotmen.

Shkrimi, gjithsesi, është punë e vështirë. I ndërgjegjshëm që kjo vështirësi kërkon edhe vetminë krijuese, në liqe, në mesnatë apo diku tjetër, për t’i ikur demonit të jetës, sado që ai demon bredh si hije shqetësimi nëpër vargje. E, po qe se e lejon që  jeta me realitetin e saj të trishtë, të të përpijë, atëherë edhe vargjet të përmbysin. Por jo! Poeti nuk e lejon një gjendje të tillë, për faktin se ai ngrihet për ta përjetuar e ndërtuar jetën. Gjithsesi edhe qenien e kombit, kohën, historinë.

3. Rendi i figurave në përmasën e dytë: ose alternativa e dritës dhe shpirtësisë

Përpos Fjalës, ky rend figurash çliruese ndjek aureolën e dritës. Sado që titulli “Aureolë drite” sugjeron njërën përmasë, atë të aureolës (shkëlqimit të të madhërishmes), megjithatë, kjo lirikë shkon më tutje, duke i zgjeruar rrathët interesimit krijues, dhe duke i shënjuar edhe hapësirat e vazhdimësisë së zërit të tij poetik. Kodet tjera metaforike bartin mallkimin e një jete demoniake, një përleshje të gjithmonshme e së mirës me të keqen:

ku demoni përplasej

t`ia zë vendin

dritës së Krijuesit!...

Nuk është e habitshme përse Brahim Avdyli mëqaket që ta çlirojë realitetin e tillë të zymtë nëpërmes vargut poetik. Nëse “katër elementet” (sipas Filozofisë së lashtë antike, zjarri, dheu, ajri dhe ujët, një pikëpamje për përbërjen e gjithësisë), i referohen edhe krijimit të qenies, atëherë, ekziston edhe një përmasë tjetër “përtej materies” që gjërat i kthen në dritë:

Qenia e gjallë

të katër elementet

i kthen në aureolë

 

e të pestin

nuk e zënë

grushtat e viteve

sepse

materia përceptohet

vetëm me ato

që i zë vështrimi,

prapavija mbetet

e pakapshme-

enigmë e përjetshme!

Kësisoj, rendin e kryefigurës së aureolës e plotësojnë leksemat: dritë, vizëllim, ditë, pasdite etj., deri te nocioni poetik-refleksiv shpirt. Shpirti ka imazhet e dritës, ashtu sikundër me dritën personifikohet edhe hyjnorja, mu si te librat e shenjtë, ku kjo dritë asnjëherë nuk ndryshon, as nuk pakësohet, “as nuk venitet dhe as nuk prishet asnjëherë.” Pothuajse, edhe në të gjitha mitet antike, spikatet lufta e dritës kundër errësirës, lufta e së mirës kundër së keqes, lufta e mirësisë kundër ligësisë, më në fund, sipas kësaj mendësie mitike, ekziston lufta e perëndive të mira kundër shpirtrave të ligë. Edhe te kjo poezi drita i kundërqëndron errësirës:

Po të mos ishte

drita

në të gjitha shtresat

errësira

do të na përpinte

të gjitha gjërat

e nuk do të shkrihej

asnjë materie.

Krijuesi nuk resht së kërkuari anën shpirtërore të fenomeneve, gjallimit dhe trashëgimisë. Ky kërkim shfaq idealin poetik (do të thoshim: edhe lasgushian) të poetit: shpirtësia është vetë drita; është vetë shenjtëria e jetës dhe e qenies; është forca e padukshme që shfaqet e dallueshme në ekzistencën e njeriut. Mu si te vargu i Xhemaludin Rumit: "Hapni dritaren e zemrës suaj dhe lëreni shpirtin të flasë", Brahim Avdyli i lë të ligjërojë në kaq përmasa dritën si një shpirt që shëron, që lumturon, që lulëzon:

papritur

ia shkrepin

në hapësirë

dënesjes së pafund-

vija e hollë është

e dridhen

regëtimat e shpirtit!...

E, kur e lë të ligjërojë lirshëm shpirti ngjizet me jetën, zbret në rrathët e prozës së vrazhdë të jetës dhe përjeton e ndien dhembjet tona, zemëratën tonë:

Edhe dy-tre rreshta

sa për fund

të kësaj dhembje

(...)

e nuk mund të themi

se po ndahemi

pa këngë,

fundi merret si fillim

e çdo fillim

e ka nga një fund-

ofshamë shpirti!...

krahas shpirtit, vijnë gjendet a situatat shpirtërore të shënjuara me flakën dhe zjarrin, zjarr i brendshëm, që shpërthen në hove e që pikësynon ringjalljen e shpirtit të brendshëm.

Një ditë

do të plasë

zemra e trishtë

kur shpirti vlon

Ndodh që ky zjarr i brendshëm të na shuhet. Porse poeti është gjithnjë në kërkim të ndezjes së kësaj flake. Madje, kund e kund, kur kjo shpirtësi arrin sferat më të larta të qenies, hap një portë të re, portat e mirësisë e të shenjtërisë, të të vërtetës dhe bukurisë hyjnore, aq sa e shtyn poetin të reflektojë:

E si mundet

të shkruhej shpirti

kur nuk është

tabelë e shkrimit,

shkëlqen nga jashtë

me aureolat e ngrohta

e ndjenjat ia dikton

zemrës sonë!

Këto poezi e shquajnë edhe anën tjetër të dritës, siç është një polarizim ekstremesh. Dritë e errësirë janë dy gjëra a dy realitete diametralisht të kundërta. E shquan këtë antagonizëm të përhershëm, ashtu si gjithmonë, që na dalin dy elemente të një tërësie, si një luftë e përhershme midis dy botëve të kundërta.

4. Përmasa e tretë: ose shtresimet dramatike të individit, identitetit e të qenies sonë

Poema “Aureola e dritës apo fantazma e errësirës” na shpie te përmasa e tretë e kësaj poezie: te ajo e shtresimeve dramatike të identitetit të qenies sonë nacionale. Zaten, i tërë cikli “Aureolat e dritës së pashuar”, ashtu sikundër edhe e tërë poema “Aureola e dritës apo fantazma e errësirës”, thuret mbi sfondin mitik, të lashtë, ilirik, arbëror e shqiptar, deri te koha jonë.

 

këto dy festa

janë kaherë

kështu, me njëra tjetrën,

 

Shën Kolli dhe Shën Gjergji

mijëra fluturime

nëpër fraza të fjalëve i bëjnë,

(...)

ndryshe

ia kthejnë njëra tjetrës

peshojat e zotave

Duke e spikatur këtë mendësi, si personifikim të rrënjëve të lashta dhe të shtresëzimeve të qenies sonë; gjithsesi që aty është përvijuar edhe “prapavija e sindromave” (siç shprehet folësi lirik i kësaj poeme, për të shënjuar mungesat e boshllëqet e vetvetes që na kanë përcjellë si fantazma. Si fantazma që personifikojnë gjendet tona psiko-historike e psiko-sociale, me kalendarin “e falsifikuar të psherëtimave”, duke shtrydhur mitet e rrejshme:

Lazar Jezusi e Juda

zgjohen të çmendur

Aluzionet historike që kanë të bëjnë me vjedhjen e shtrembërimin, vijnë përmes një bote sllave. Shkarjet tona nuk kishin të ndalur, deri në vetëharrim. Punën më shkatërrimtare e bënin vetë tempujt fetarë të fqinjëve, aty ku “shenjtëria u bë djallëzi/ e djallëziau bë shenjtëri”.

Çdo gjë sillej

rreth shpërfilljes sonë

që të mos e njohim

origjinën,

Porse zgjimi ndodhi vonë dhe ishte i trandshëm:

Dikur e gjetëm

nëpër fjalorë të begative

kur zbriste

nëpër vite të dhembjes

Festa e cila “Çdo gjuhë drite/ e dërgonte të flasë me fëmijët/ sepse ishin të pastër”, ka vetëm një gjuhë, atë të dhuratës së buzëqeshjes, anekënd rruzullimit.

Kjo poemë përbëhet nga njëzet njësi poetike, të ndarë me numra. Pothuajse, ajo sintetizon në mënyrë poetike edhe qëndrimet e bindjet e poetit të shprehura nëpër sa e sa shkrime me tematikë të ngjashme për lashtësinë tonë, për burimet e qenies sonë. Zhvillohet si një polemikë e akuzë kundër krejt qarqeve të jashtme, duke përfunduar dhembshëm:

Jemi të shkelur

në të gjitha anët

e të përbuzur me derrat,

të urrejtur

deri në kupë të qiellit

ani pse

detyrimisht jemi

gjeneza

e dhembjes suaj!...

e çfarë të bëjë poeti kundër kaq e kaq mohimesh nga jashtë, përveçse ta këndojë lavdishëm e dhembshëm këtë të kaluar të rrënjëve tona.  Poeti sikur e përfill, atë thënien e një patriarku të lashtë kinez: “Kthehuni tek rrënja dhe do të gjeni kuptimin.” Janë stuhitë e shekujve që kanë goditur qenien tonë.

Sido që të jetë, poeti i drejtohet kohës sonë në ecjet tona, që të mendojmë e dimë se ku kemi qenë keqas e ku mirë. Ai e di se forca e një peme qëndron tek rrënjët, ashtu sikundër edhe forca e një kombi qëndron tek rrënjët e tij trashëgimore (historike, atdhetare, shpirtërore).

Është ai qortimi për të mos harruar se nga kemi ardhur. Dhe ky rikthim përbën rrugën më të vështirë, pikërisht për shkak të kaq mohimeve të dhembshme.

Në përqasje me përmasat tjera të kësaj poezie, që i përvijuam në fillim, atëherë patjetër që akti i rinjohjes, akti etik i qenies dhe akti krijues, e vetëmohues, do të hedhin rrënjë në shumë anë e në shumë drejtime, dhe do të selitin hapësira të reja të lulëzimit. E ardhmja gjendet në amëzën e të shkuarës.

E, po qe se e dimë se kush kemi qenë, si kemi shtegtuar deri këtu dhe kah duhet të mësyjmë, subjekti lirik do të dëshironte të na thoshte se nuk ka forcë për të na ndaluar të mësyjmë andej ku shkojmë. Përmasa e tillë shënjon edhe një tashme të mbarsur me revoltë, si te tërësia poetike “E vërteta e shekujve”.

Djalli modern

është i përbërë

prej pjesëve të imta të atomeve,

por mos harroni

se po jetoni në botën e rrejshme

Ballafaqimet e tilla të tematizuara artistikisht,  i hasim edhe te shumë krijime tjera.

Është si ajo përballja përpara së keqes dhe ligësisë. Figurativisht: si ka një përballja mes ujit dhe shkëmbit, që e këndojnë shumë poetë. Poeti nuk ka si ta gjejë atë hapësirën e pajtimit midis mohimit dhe bjerrjes së vlerave njerëzore e nacionale dhe ruajtjes e ringjalljes së tyre, midis shqetësimeve dhe gjendjes së rëndë:

në oborr shqetësimesh

duke i përlotur

orët e gjata të pritjes

pa buk e pa çelës...

Shqetësimet nuk njohin frikën, por shfaqin revoltën. revoltën për t'u përballur me tragjedinë, mohimin a dhembjen, sado të hidhura të jenë këto përplasje. Bota e shqetësuar e folësit lirik është mbutojë e shpirtit, është kujdesi për gjërat e çmuara, është hapi që të çon kah ecja përpara. Është shenja e një hapësire të ngarkuar me situata psiko-sociale e ekzistenciale, me situata mohimesh po edhe denigrimesh.

I shqetësuar jam

me rrugicat e mia

bërtas nëpër skaje

edhe me vetveten,

nuk e di

shpesh herë

çka më del prej gojës

nëpër dhembje,

bota dhe unë

nuk kuptohemi

krejtësisht!

E, shqetësimi i tillë, që, për shkak të moskuptimit, të shpie në monologët pëlcitës; shqetësim që shfaq vlerën më të çmueshme të vetive njerëzore, për shkak të brengës për gjithçka të mirë e për njerëzit e mirë. Kjo do të thotë që edhe jeta jonë merr kuptim më të plotë, sepse aty do të mbillet fara e së mitrës aty do të mbëltohen rrënjët e së ardhmes së ndritur. Një spiritualist i njohur i Lindjes, thotë: "Forma më e dhembshur e dhurimit të vetvetes, bëhet pa asnjë mendim ose pritje të shpërblimit, dhe bazohet në shqetësime të sinqerta për të tjerët. Sfida sot është të bindni njerëzit për vlerën e së vërtetës, ndershmërisë, dhembshurisë dhe shqetësimit për të tjerët." (Dalai Lama).

Binjake me shqetësimet, është revolta poetike, që shpërthen kundër secilës tirani dhe kundër secilës shtypje.

Një mendimtar thotë: "Edhe një krimb kthehet kundër këmbës që e shtyp atë." Shtypja nis me mohim e qenies kombëtare dhe përfundon në asimilim e pushtim të plotë:

Çka kemi për të thënë

në këtë shkrim të revoltës-

Tregu i Ri

ishte zgjuar jermisht

vidhte pa pushim

jetën plot vuajtje

nën çadrat e huaja,

e një Mal pat mbetur

tërësisht i Zi

nëpër shkrepat e dhembjes

nga vrasjet

e dhunimet sllave

pa ndenjën e lirisë!...

(Poezia "Pranvera e viteve")

Vetë Albert Kamy (Albert Camus) e thotë: "Arti dhe revolta do të vdesin vetëm me njeriun e fundit." Pikërisht pse në këtë botë ndeshen errësira me dritën, siç e pamë te përmasa e dytë e kësaj poezie. Tashmë përballja ka dalë në sipërfaqe te përmasa e tretë, me shënjime referenciale të dukshme, konkrete.

E kur folësi lirik shpërfaq tërë mizorinë e armiqve, me referencat konkrete, ai arrin të depërtojë përtej një reference të tillë, me një penelatë lirike:

buzëqeshja na është ngrirë

në fjalët e bjerra

të dhembjes!

5. Poezia e mendimit: devocioni krijues i fjalës

Brahim Avdyli, pothuajse, nga lirika në lirikë, shfaqet poet i mendimit. Përvojat jetësore dhe shpirtërore, krijuese dhe ekzistenciale, ai i ndërthur me ato të përsiatjeve lirike, një si devocion lirik. Në fakt, autori pleks meditimin me soditjen, me kundrimin, domethënë, me atmosferën e ndotur kohore, politike, shoqërore, shpesh edhe armiqësore. Menditimi dhe poeti janë një:

mendimet tuaja

janë urat midis shekujve

pa të cilat

asgjë nuk do të ishte

mu kështu

në glob

Duket sikur te fundi i këtij ferri jemi ne vetë me përbuzjen tonë ndaj të ligave që na rrethojnë! Me frikën e ankthin për pasigurinë tonë... Kjo kohë, pra, na ballafaqon edhe me stigmatizimet që kemi ngritur për njerëzit e goditur. Nuk janë njerëzit e tillë të goditur si dënim i perëndisë, siç mendojnë indusët e mençur për gjoja shpirtin e fëlliqur që ka ekzistuar më përpara në një jetë dhe bartet tek jetët tjera: është edhe përbuzja jonë që vjen nëpërmes indiferencës shoqërore ndaj qenieve të tilla.

Buzëqeshja

është e tharrë

mbi buzë

e drejta

mezi lëvizë

nga barra e shekujve

ajo fatin

para syve

e ka të ngrirë

në pikëpyetje!

Krimet

nuk duhet kërkuar në Kosovë

por nëpër Serbi

dhelprat e Shumadisë

e ujqërit e bardhë të Siberisë

atje e kanë jatakun,

Vetmia shpesh na del si një kryetemë e kryefigurë e kësaj poezie, tek i ngërthen në vete shprehjen filozofike dhe metaforike të poetit, në një si përballje me sfidat e jetës. E te kjo sfidë ai e sintetizon rebelimin vetjak, të heshtur, përvëlimtar, gjithsesi për ta shprehur edhe madhështinë e qenies poetike, me mesazhin dhe forcën e mendimit, në gërshetim me dhembjen, melankolinë e atdhedashurinë, me ndrydhjet e heshtjet e pashqiptuara. E lexojmë edhe thënien e papajtueshmërisë, ashtu si shfaqet e madhërishmja, si kategori estetike.

Është ai devocion krijues i mendimeve nëpër vargje që na shpërfaqet si një ditar spiritual i reagimit të situatave kohore, personale e nacionale.

e krijoj të tërën

me mendimet

e shtresuara në gjurmë!...

Përpos prirjes për kundrime e përsiatje të brendshme, peti ka prirjen që këlto t’i zhvendosë edhe jashtë vetvetes, d.m.th. Në një situatë njerëzore, nacionale, historike apo aktuale, herë me struktura të ngjeshura narrative-poetike, e herë-herë me asociacione ironike të fatit njerëzor e personal. Porse shoesh e shpesh ky devocion krijues-meditativ i fjalës, plekset me energjinë vetëflijuese që dhuron dritë, me pasionet e gjakimet e kërkimeve të të madhërishmes:

të eksplodoni

në miliona thërrmija të imta,

të jepni shpirt

pas secilit mendim

nëpër vite,

por mos harroni

se po jetoni në botën e rrejshme

e jeni vetëm

flluskë e energjive!

Meditimet e çojnë kah shënjimi i së keqes, së ligës. Sipas shkrimeve biblike dhe sipas përfytyrimeve mitologjike, vepra të Demonit janë grindjet, pasiguria, sëmundjet mentale, histeria, psikopatia, si dhe të këqijat e të ligat e të gjitha të këqijave.

Djalli modern

është i përbërë

prej pjesëve të imta të atomeve,

por mos harroni

se po jetoni në botën e rrejshme

e jeni vetëm

flluskë e energjive!

Thuhet se Hyji e ka krijuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij, kurse njeriu e krijoi djallin sipas pamjes së tij; se njeriu u krijua nga balta, kurse gjarpri nga zjarri. Atëbotë njeriu, së bashku me demonët, kaluan dhe u përbiruan nëpër zjarr e nëpër ujë.  E, shkrimtari di ta zbresë , këtë raport të lashtë bibliko-mitik, në truallin e raporteve njerëzore, në truallin e bashkërendimit të elementeve krejt heterogjene të përvojave historike, mitologjike e shoqërore. Kjo zbritje, e kuptuar si art letrar, ndodh edhe në rrafshin e paraqitjes së ëndrrave e të fanitjeve, të vetëdijeve të nduarnduarta e të rrjedhave të ndërdijes. Në ato punkte të rrëfyestores prozaike e të suazave psikologjike, do të humbin e do të zhduken edhe suazat e racionales, aty ku kjo poetikë e “zbritjes” do të përshkohet nga fantazmagoritë, nga arketipet e nga obsesionet tjera njerëzore të çoroditura...

Mandej vjen teksti,

vjen katarsisi i publikut.

ia vlon mendimet

nëpër batica e zbatica

nëpër ngitje

e zbritje,

provat

na dëshmojnë

kalkulimet e fatit!

Poeti nuk i reshtet vuajtjes krijuese, as asaj të ekzistencës, vetëm e vetëm ta prodhojë e japë njerëzoren, artin, të bukurën në jetë e në art. Ta dhurojë kanëqsëinë e krijimit artistik. Ka kënaqësi që janë të bukura (kënaqësia e artit, e jetës, e miqësisë, e dashurisë, e rrethit familjar... ), që e fisnikërojnë jetën tonë, por ka dhe kënaqësi të dëmshme. Hedonistët e sotëm e paguajnë haraçin e kënaqësive të veta shumëfish... posi kënaqësia e drogës që krijon vartësi, një pleksje e fortë në mes kënaqësisë dhe vuajtjes së pafund... dhe këta të fundit poeti i godet shpesh e shpesh me penën e tij.

Sigurisht që njeriu bën gjithçka t'i ikën vuajtjes... Por edhe secila vuajtje, thuhet, nuk është e keqe. Edhe tek vuajtjet ka fisnikëri, ka vuajtje që na forcojnë, që na ndihmojnë në shpëtimin tonë... Vuajtja e gjatë nëpër burgje, a nuk ishte një dritë shpëtimi për të arritur tek liria?! Njerëzit tanë, vërtet, kanë përjetuar vuajtje të mëdha, të pafund, humbjen e të dashurve në luftë... Prandaj, nëse njeriu bart mbi vete kryqet e jetës (vuajtjeve biblike), ato i bart që nga e keqja e madhe të shpëtojmë dhe që e keqja e madhe TASH të mos përsëritet...

Atëherë

e kuptoja mirë

njërën anë të përpëlitjeve

kthinave pa dritë

të burgjeve serbo-sllave

në vitet më të rënda

të shekullit martir,

me qasjet e pa numëruara

të vuajtjes së madhe

nën shtrigën kohë!...

Dhe, filozofët (e teologët), kanë të drejtë: ata që mësyjnë të grabisin sa më shumë kënaqësi (mbi kurrizin e tjetrit), nuk fiton asgjë tjetër, përveçse vuajtjeve pa fund pa shpresë; ai që heq dorë nga kënaqësitë e tilla, fiton kënaqësi dhe gëzime të pafund.

Poeti bëhet dëshmitar në kohë. Dëshmitar me jetën e me veprën e tij. Është një dyshues te e përditshmja, posi ai Shën Toma i Biblës; gjakues i së bukurës, posi Platoni te Simposioni, i drejton shumë pyetje kohës dhe jetës, posi filozofët modernë, e shprish historinë posi dekonstruksionistët e sotëm postmodernë, dhe i risemantizon mitet posi letërsia moderne e shekullit XX. I drejtohet Absolutit dhe Universit. Këtë gjë ia detyron aspekti shumëpërmasor i artit, ndërlikueshmëria e krijimit.

5. Në dalje

Fillimi i librit nis me “Parafjalë”, me zanafillën poetike të këngëtimit dhe përfundon me një shenjëzim pas-ciklor: “Një fjalë e pafund”, e që shënjon një cikël të gjithmonshëm të përsëritjeve, fundit të një fillimi e fillimit të një fundi... pambarimisht. Është shpresa ajo që mbetet në fund, pas kaq e kaq dhembjesh, mohimesh, tradhtish, katrahurash, përplasjesh, tragjedish: 

çdo njeri që vjen e shkon

e ruan

për ditët e dritës së vet!...

Ka shpresë, thotë poeti në fund, sepse lëvizjet e ndërrimeve epokale shoqërore nisin me një akt nacional ( e njerëzor) të shpresës.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat