Lexuesit i bën mirë - pak humor e pak satirë

Libra

Lexuesit i bën mirë - pak humor e pak satirë

Nga: Gani Bajrami Më: 22 gusht 2021 Në ora: 11:02
Për vëllimin me rrëfenja të Hamza Halabakut, “Rrugëtim interesant”, botuar nga Drita Press, Prishtinë 2021

Shkrimtari dhe publicisti Hamza Halabaku para lexuesve këtë radhë paraqitet me librin e tij, të dhjetin me radhë, vëllimin me tregime, siç i ka quajtur ai rrëfenja, me titull “Rrugëtim interesant”. Në këtë vëllim janë përfshirë tregime të shkurtra, të cilat kanë një dozë humori e satire, ndërsa rrëfimet shpalosin një mori ngjarjesh e situatash, sa gazmore aq edhe komike. Duket që autori në secilin nga rrëfimet e tij niset nga presupozimi se lexuesit i bën mirë pak humor e pak satirë në këtë kohë të tensioneve jo vetëm politike nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë.

Hamaza Halabaku, i cili është autor edhe i nëntë librave të tjerë letrarë e publicistikë, me temat dhe motivet që trajton, ia del me sukses që në këtë vëllim me tregime të shpërfaqë probleme jetësore dhe vese të personazheve të tij, me nëntekstin e ngjyrimit me një dozë humori të lehtë deri në ironi e sarkazëm. Ndonëse temat dhe motivet që trajton autori në këtë vëllim janë të ndryshme, karakteristikë e përbashkët e tyre është rrëfimi paksa gazmor, i brumosur me humor e satirë dhe aty-këtu edhe me ironi e sarkazëm, që në ndonjë rast arrin edhe shkallën e groteskut.

Përderisa humori i lehtë, që autori përdor në tregimet e tij, mund të konsiderohet qetësues, duke nxitur të qeshura, herë pas here janë të pranishme edhe ironia e satira, që vijnë si denoncuese ndaj një dukurie, vesi apo marrëzie. Pra, autori Halabaku përdor humorin, satirën, ironinë dhe sarkazmin si shprehje letrare, në radhë të parë për të argëtuar lexuesin, por edhe për të përcjellë mesazhe të ndryshme shumë domethënëse. Në shumicën e tregimeve autori është vetë protagonist, narrator dhe përjetues i ngjarjeve, ndërsa karakteret e personazheve të tij përshkohen me situata komike, herë nga të menduarit, herë nga të folurit e herë nga veprimi.

Tregimet e këtij vëllimi të autorit Hamza Halabaku, para së gjithash, i shquan rrëfimi përplot ndjesi mbresëlënëse, që zgjojnë kërshërinë e lexuesit dhe kjo ndikon që këto tregime të lexohen me kënaqësi nga të gjitha moshat. Edhe gjuha e autorit është e pasur, gjithë kolorit dhe e pastër, larg manive të kohës sonë për të përdorur sa më shumë fjalë të huaja. Pra, librin e pasuron gjuha e pastër e autorit, me fjali të ndërtuara mjeshtërisht e me kolorit të pasur leksikor, duke përdorur aty-këtu fjalë të vjetra e toponime karakteristike, por edhe frazeologji nga treva e Anamoravës dhe Pashtrikut.

 Komikja dhe gazmorja, si kategori shprehëse letrare

Duke lexuar faqet e këtij vëllimi me rrëfenja të Hamza Halabakut, lexuesi do të gjejë edhe urti popullore, por edhe naivitet e injorancë te personazhet e caktuara nga shtresat e ndryshme të popullit, të cilët në njëfarë mënyre identifikohen me mirësjellje dhe burokraci, begati dhe varfëri, por edhe me prirje për situata komike, që prodhojnë jo vetëm humor e satirë, por aty-këtu edhe ironi të thellë e sarkazëm deri në groteskë. Mirëpo, gjithsesi duhet konstatuar se në pjesën më të madhe të tregimeve humori është i lehtë dhe nuk synon më tepër sesa argëtimin e lexuesit, duke i dhënë këtij vëllimi epitetin e një libri të mirë për freskimin e shpirtit. Prandaj, në tregimet e Halabakut ka shaka dashamirëse e thumbuese njëkohësisht, por me një thumbim të lehtë, me dashamirësi e me të qeshur, shaka që populli i quan pa zarar, të cilat godasin një të metë, por që nuk lëndojnë shumë.

Autori Hamza Halabaku në këtë vëllim proze i kultivon me sukses komiken dhe gazmoren, si kategori shprehëse letrare, duke i nxjerrë ato nga situatat e rrethanat, nga ngjarjet dhe konfliktet dramatike, por edhe nga vetë karakteret e personazheve. Zaten, humori mund të veçohet si një cilësi më e spikatur te ky vëllim i tregimeve të Hamza Halabakut. Humorin e gjejmë të grimcuar ndër personazhe e situata të ndryshme, që shpeshherë manifestohet si humor spontan e ndonjëherë edhe si humor i drejtpërdrejtë. Pra, humori në këto tregime nuk e kalon masën, në thelb është një cilësi që e pranon rrëfimi. Humori në këto tregime shkrihet natyrshëm me rrjedhën e ngjarjeve, si dhe në harmoni me veçantitë psikologjike të personazhit. Një tjetër veçori, që e bën edhe më çlodhës leximin e tregimeve të këtij autori, është humori funksional, herë-herë i mprehtë, një armë kjo që i jep librit freski, duke ia ngritur dukshëm nivelin artistik.

Ajo që vërehet në rrëfenjat e përmbledhura në këtë vëllim, sikurse edhe në tregimet e tij të mëhershme, është aftësia e autorit Hamza Halabaku për ta konceptuar tregimin e shkurtër për një ngjarje të vërtetë, ose të sajuar, duke përdorur lloje të ndryshme të karaktereve në historitë e rrëfyera, të cilat përmbushin role të ndryshme në procesin narrativ, shpeshherë me situata gazmore që të bëjnë të qeshësh. Tregimet e tij rrjedhin qetësisht, natyrshëm, plot ngrohtësi, mbushur me detaje jetësore, të cilat autori i përdor mjeshtërisht.

Personazhe që mbeten në mendje për karakterin e tyre të veçantë

Në tregimet e këtij vëllimi, personazhet janë kryesisht njerëz të zakonshëm, me botën e fizionominë e tyre të përcaktuar e të veçantë dhe me ngjarjet që pasqyrohen, gjë që autorin e bëjnë një mjeshtër të vërtetë, me aftësi të rrallë për të krijuar personazhin. Prandaj, edhe ato skena komike e gazmore thuaja çdo herë dalin si të natyrshme, pa ndonjë sforcim të domosdoshëm të linjës së humorit. Dhe, lexuesi nuk e ka të vështirë që personazhe të këtilla, me karaktere të ngjashme, të gjejë kudo në rrethin e vet.

Kujtojmë që kjo është aftësia e autorit në tipizimin e personazheve, të cilat të krijojnë përshtypjen sikur i ke njohur më parë, sikur i ndesh çdo ditë. Autori me përkushtim ka ndërtuar personazhe që mbeten në mendje për karakterin e veçantë, për atmosferën dhe mesazhin që përcjellin, por edhe për dimensionet njerëzore me të cilat janë veshur, si dhe botën e tyre të brendshme në të cilën nganjëherë me sukses depërton shkrimtari.

Me gjithë përcaktimin e autorit që lexuesit t’i ofrojë rrëfime të brumosura me pak humor e pak satirë, nuk mund të thuhet se tregimet nuk kanë në thelb të paktën një konflikt me të cilin personazhet ballafaqohen, qofshin ato konflikte të brendshme, qofshin të jashtme. Kjo mënyrë e të rrëfyerit të autorit i jep një ton të veçantë gradacionit të zhvillimit të ngjarjeve, situatave dhe dialogut ndërmjet personazheve.

Shkrimtari Hamza Halabaku me dozën e humorit, satirës, sarkazmit dhe groteskut ka arritur të bëjë tipizimin e shumë personazheve të tij, siç janë, bie fjala tandemi Alushi e Malushi, Luani e Lirushi, por edhe personazhet që përfaqësojnë njeriun e sinqertë e të padjallëzuar, siç është Abdullahu, që Dullë e thërrasin të gjithë te tregimi “Letrat ia lashë Tahirit mbi tavolinë”, ose personazhet që përfaqësojnë vëllazërinë me interes, deri në servilitet, siç është Xhema, te tregimi “Letër për Xhemën”, i cili tashmë është tjetërsuar dhe bëhet se nuk e njeh kushëririn e tij të deridjeshëm, që kishte qenë një zyrtar shteti dhe nga i cili një kohë të gjatë kishte kërkuar favore.

Janë disa tregime që në fabulën e tyre trajtojnë fate jetësore (“Derisa t’i lypin burrat e vet”, “Miku shkon për të pame te miku”, “Ankesa si lavdërim për mësuesin”), si dhe sjellje të ndryshme (“Qyqja Shpresa, e qyqja”, “Lumja tezja për ty, u mbushe mend”, “Te bajga e kalit”, “Vëllezërit që u zunë për hiçgjë”).

Dialogu mbresëlënës që zhvillohet ndërmjet personazheve

Te disa tregime të këtij vëllimi është mbresëlënës dialogu që zhvillohet ndërmjet personazheve, duke krijuar situata komike dhe gazmore, shaka dhe shpoti. Të tilla janë tregimet: “Këpucët e reja”, “Një kafe për Lekën”, “Shyqyr që plasi kaca e rasojit”, “I bëra njëqind e tetë”, “Edhe unë ta qes një lakror”, “Në kalë je, o babë”, “Pleqtë e tre brezave”, “Luani i klasës së dytë”, “Copat e tjegullave”, “Cili do të hyjë në gjerdek, Luani a Lirushi?!” dhe “Ndërrimi i vendit të numrave”. Ka tregime që motivi mbështetet në ndonjë anekdotë (“Rrugëtim interesant”), në frazeologji (“Nëna e këtij trimi, është vjehrra e nënës sime”) dhe në besëtytni (“Nata e Shëngjergjit”).

Dukuria e interesit personal stigmatizohet në tregimet: “Dikujt nxehtë, e dikujt ftohtë”, “Rri edhe ndonjë ditë!” dhe “Baba Tushi dhe Pero Borizani”. Bie fjala, Baba Tushi, kur e merr vesh se nuk ka ndonjë përfitim nga Pero Borizani, një ish-zyrtar i pushtetit, i cili tashmë ishte pensionuar, nuk ia paguan as kafenë këtij të fundit, ndonëse e fton të ulet në tavolinën e tij. Te tregimet “Vetura nuk ecën me ujë, “Sillja Shpatit një çaj!” dhe “Ma jep një cigare, o Altin” shpërfaqen dhe stigmatizohen vese, siç janë koprracia, lypësia etj.

Ironia, stigmatizimi dhe tallja, deri në grotesk, shpërfaqen në disa tregime, prej të cilave dallohen: “Haxhiu në namaz, e dhentë në ara të huaja”, “Emrin tënd nuk e përmend njeri”, “Analizat e gjakut” dhe “Do të bëhet politikan”. Bie fjala, te tregimi “Analizat gjakut”, grotesku shprehet kur xhaxhai e stigmatizon nipin, duke i thënë se nuk ka nevojë fare të shkojë në qytet për analiza laboratorike, ngase rezultatin e tyre do t’ia tregonte ai. “Ti, Shkëmb, sa i përket analizës së gjakut e ke gjakun të thartë e nëse të duhet edhe ajo e urinës, po të them shkurt e shqip se ti je shurra e dreqit!”. Ndërkaq, te tregimi “Do të bëhet politikan”, kulmi i groteskut arrin kur në ceremoninë e ditëlindjes së Sokolit, apo siç e quanin Kolit, më i moshuari ndër mysafirët e pranishëm, xha Bardhi, prognozon se vogëlushi trevjeçar, kur të rritet, do të bëhet politikan! “E shihni ju? Ai është ulur në oturak dhe para nesh po bën nevojën, duke na shikuar drejt në sy të gjithëve me radhë, pa u skuqur fare! Ju që jeni në moshë të re, do ta shihni se ky do të bëhet politikan!”

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat