“Trishtësia e së vërtetës” libri poetik që përcjell sfidat e jetës

Libra

“Trishtësia e së vërtetës” libri poetik që përcjell sfidat e jetës

Nga:  Albert Z. Zholi Më: 28 gusht 2021 Në ora: 08:59
Ballina e librit

Kur bota endet ende në vorbullat e paqarta të Pandemisë, poetja Premisa Kerthi vjen para lexuesit me vëllimin e parë poetik “Trishtësia e së vërtetës”, që përbën një sfidë ndaj kohës. Në tërë hapësirën e vargjeve pa hyrë në recensë, po ju sjell disa vargje nga poezia “Jetë për të jetuar”: 

Nuk dua materializma, 
Dua njerëz që falin dashuri, 
Që jetojnë t’thojnë t’bukurën fjalë, 
Pasi askush nuk jetoi në përjetësi! 

Si përgjigje ndaj kësaj poezie po jus jell një dialog që vjen nga historia njerëzore…
- Një ditë, një njeri i pasur i dha një shportë me mbeturina një njeriu të varfër. I varfëri buzëqeshi, e mori shportën dhe iku. E boshatisi shportën, e lau dhe e mbushi me lule të bukura, dhe i’a ktheu njeriut të pasur. Njeriu i pasur, i suprizuar i tha të varfrit: Përse më jep lule të bukura, ndërsa unë të dhashë mbeturina?! Dhe i varfëri u përgjigj: Ç’dokush jep atë që ka në zemër!... Këto fjalë nuk duan koment…. 

Autorja ka disa vjet që është në mërgim, është në vendin më të begatë të botës, Amerikë, por dhe pse ka kushte më të mira ekonomike, edhe pse është më e sigurt për jetën, edhe pse ka hapësira më të mëdha për të gjetur vetveten, ajo sërish mendjen e ka në atdhe, tek Shqipëria e saj e pazëvendësueshme. Në këtë vëllim poetik ajo ka një tematikë mbresëlënëse, plot kolorit, ku ka përshkruar ndjenjën e mallit për atdheun, të afërmit, nënën, gjyshen, fisin, shoqet, shokët, problemet sociale, ëndrrat për të ardhmen, fshatin, qytetin, të varfrit, të pasurit, kujtimet e pashlyeshme në atdheun e saj të dashur.

Në këtë vëllim spikatin dy tipare, që zakonisht përbashkojnë krijuesin dhe poetin, ku në thelb është analiza e dukurive dhe fenomeneve sociale, përmes dukurive dhe fenomeneve të veçanta etnopsikologjike dhe së dyti sinteza, të cilat janë rezultante të nevojshme në poezinë bashkëkohore ashtu si dhe në publicistikë. Në vargjet e saj poetike autorja na ka shpërfaqur një përpjekje mbijetese në emigracion ku dylufton me mallin e madh dhe ëndrrat e parealizuara.

Libri i kësaj natyre ku negociohet me mallin dhe dashurinë për atdheun dhe largësinë për ti patur gjithmonë pranë, nuk mund të shkruhet nga kushdo dhe kurdo për shkakun e autenticitetit që ai ka, për shkakun e specifikave të jetës së autores, e cila mes dyzimit mori rrugën e mundimshme dhe plot dhimbje të emigracionit. Në harkun kohor të 30 e ca viteve janë shkruar shumë libra për emigracionin, ku përcillen emocione kaq të fuqishme që krijon kjo kategori e shoqërisë, ku poetja bashkë me emigrimin pleks rreth vetes, familjes dhe shoqërisë probleme të natyrave të ndryshme shqetësuese.

Përgjithësisht kjo lloj “letërsie”, librat e kësaj teme kanë një “sekret” të çuditshëm, ato vuajnë nga shabllonet dhe stereotipet e përshkrimeve, ngjarjeve, dhe disa here mbushen me ngjarje të të njëjtës natyrë, por ndryshojnë vetëm personazhet realë, që në fund të fundit për lexuesin janë vetëm personazhe dhe jo individë. Ndërsa autorja në tërë poezitë e saj është vetvetja, ka  gjetje specifike, një akumulim seleksionues, një përshtatje reale, një përshkrim elegant, një përqasje kohore, të vëna në funksion të idesë dhe mesazhit të poezisë. Vargjet e saj janë të mbushura me befasi, me iluzione, me ankthe, me dhimbje, vështirësi, me zhgënjime, me pritje, gëzime, situata të ndjera, dhe të papritura të cilat sjellin një intimitet jetësor real, që filtrojnë ambalazhimin fals dhe sjellin atmosferë jete me të gjitha përmasat e saj. Në poezi flitet me vargun e lirë se kështu ka ndodhur gjithmonë me emigrimin, i çdo forme dhe natyre qoftë, pavarësisht disa specifikave, të cilat koha i bjerr dhe i bën të parëndësishme me kalimin e saj.

Emigrimi është një koncept universal në historinë e njerëzimit dhe specifikat kombëtare dhe të popujve për të, burojnë nga marrëdhënia dhe raporti që popujt vendosin me zhvillimin dhe pragmatizmin e tij. Ky perceptim është prezent në librin e Premisës. Në poezitë e saj ajo mediton, krahason, analizon situata, përforcon mendime, idealizon atdheun, krijon lidhje shpirtërore largësie me të, dylufton me veten për situatat e vështira dhe rrok një tematikë të gjerë në poezitë e saj. Vargu në këtë poezi është një gërshet mendimesh të pjekura, të lëmuara ku secili mendim plotëson tjetrin dhe harmonizon lëndën. Një ndër poezitë specifike është poezia “Bija ime”…. 

Tashmë dihet se marrëdhënia mes nënës dhe vajzës është një nga më intimet dhe më uniket në të gjithë botën. Kushdo prej nesh e ka të qartë se, një nënë nuk na ka lënë asnjëherë vetëm dhe dëshiron të na shohë gjithmonë të lumtur, rrethuar me dashuri dhe përkujdesje. Për dashurinë e nënës për fëmijën ka shumë shprehje…. “Vajza mund të rritet më shumë se prehëri yt nënë, por nuk do të rritet asnjëherë më shumë se zemra jote”. “Vajza është kujtimet e lumtura të së shkuarës, kujtimet e gëzueshme të së tashmes dhe shpresa e premtimi i të ardhmes”.

Ja disa vargje: 
Bija ime Ti je poezia më e bukur në botë,
 Je melodia që përkëdhel çdo dhomë të zemrës sime, 
Je ndjesia e të mbushurit me jetë, Je jeta dhe drita, 
Je motivi dhe shpresa, 
Je e bukura dhe frymëmarrja ime! 
 Sa frymëzuese, sa madhështore duken këto vargje nëne. 

Një krahasim brilant, një metaforë sintetike “Je e bukura dhe frymëmarrja ime”! Për gjyshërit nipërit dhe mbesat janë mjalti i mjaltit. Dashuria e tyre për ta i kalon kufijtë e reales. Sigurisht e rritur me dashurinë e gjyshes, autores nuk i ka shpëtuar ky detaj jetësor kaq i rëndësishëm për të. Të rritesh me gjyshër, e ardhmja jote do të jetë më e mirë, më e sigurt pasi bëhesh më i dashur me njerëzit dhe sigurisht më i shoqërueshëm. Fëmijët me gjyshër mund të kënaqen më shumë, edhe pse shumica thotë që bëhen më të llastuar.

Nuk ka gjë më të mirë sesa të jesh i rrethuar me sa më shumë njerëz që të duan dhe janë gjithmonë aty kur ti ke nevojë... Me gjyshërit mund të luhet në çdo orë, sepse ata nuk thonë asnjëherë “jo” kur nipërit e mbesat ua kërkojnë, dhe shfaqin vullnetin ta mësojnë, ndryshe nga prindërit që ndonjëherë do gjejnë një justifikim ta shtyjnë për më vonë…

 Idhulli im (Kujtim, 16-06-2018) 
Kush do më thotë mua:- O të keqen ty! 
O, Nenesi, nonës, tani…
Kush do më presi mua me duar hapur, 
Kush do të bërtasë kur të hyjë unë në derë, 
Ku do jetë ai zëri aq e ëmbël, 
Ku do jetë ajo buzëqeshja, 
Kush do të shikoj nga pragu i derës për mua... 
Ku të të kërkoj O gjyshja, idhulli im?! 

Vargëzime që të tronditin! Autorja e ka shijuar dashurinë, magjinë e gjyshes, pasi ajo ishte e gatshme të organizonte çdo gjë për të, të luante me lodra, kukulla, të dilnin në natyrë shëtitje, të lexonte apo tregonte përralla. Fal gjyshërve edhe fëmijët bëhen më të mirë, bëhen më ndihmues. Është lumturi për fëmijët kur gjyshërit gëzojnë shëndet të mire dhe përcjellin tek fëmijët vetëm atë dritë dielli që i bën më të bukur, më të zgjuar, më human, më njerëzor.

Pra, libri i parë i Premisa Kerthit është një sinjal rrugëtimi plot shpresë se, poezia e saj do kalojë labirintet e së panjohurës për të mbërritur te lexuesi i kualifikuar që do i jap vlerësimin real. Tematika e gjerë, individualiteti poetik, figuracioni letrar, detajet jetësore, e bëjnë poezinë e saj të lexueshme, si një kurorë lulesh shumëngjyrëshe që përcjellin çiltërsinë e një vajze shqiptare pa komplekse. Poezia e saj frymon, tundon, reflekton dhe pikturon në mënyrën me të bukur dashurinë për atdheun por jo vetëm kaq.

Në poezinë e saj nuk ka stisje, por realizëm, frymë shqiptarie, dëshirë për të parë shqiptarët dhe atdheun e saj më të bukur, më të kamur, më frymëzues që një ditë ti mbledhë “zogjtë e saj në prehrin e ngrohë Arbëror”. Në këtë vëllim lexuesi do të gjejë një pjesë të jetës së tij, do gjej ëndrrat dhe dëshirat, vizionin e së ardhmes, kërkesat dhe pendesat jetësore, frymën dhe modelin e njeriut të ri që kërkon perfekten në këtë kohë krize, ku njerëzorja sipas autores duhet të jetë kryefjala e ditës.   

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat