Poezia e poetit Sylejman Pireva

Libra

Poezia e poetit Sylejman Pireva

Zymer Mehani Nga Zymer Mehani Më 28 gusht 2021 Në ora: 09:23
Ballina e librit

Në poezitë e vëllimit “Ky jam ai” të poetit Sylejman Pireva, ne e takuam shpirtin e tij të shqetësuar drejt hapërimit të lehtë në artin poetik, kundruall andrallave e dallgëve të jetës, duke e pasuruar vargun poetik tek ne. Ky krijues sikur s’gjen rehati në këto kohë të pakohë, nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë, prandaj vazhdimisht gjurmon dhe krijon vargun e tij.

Pra, poezitë e vëllimit në fjalë autori i ka koncepuar në dy cikle (1. “Kjo është rruga ime” dhe 2. “Ua heq kapelën”).

Pjesa dërrmuese e poezive të vëllimit “Ky jam ai” kanë strukturë strofike katërvargëshe (katrenë), por aty hasim edhe tercina ndonjëherë të rimuara. Por hasim edhe ca poezi të parimuara dhe pa metër të caktuar ndërtimi, ngase autorit s’i pëlqen ndonjë shabllon për ndërtim të vargjeve. Poezitë e tij janë tejet interesante, qoftë për figuracion, për fjalor të përdorur, për gjuhë të pastër, për ide, motive, tematika e çështje. Ngase poeti ndërton pak vargje me rima, prapëseprapë vargu i tij është muzikal dhe ka një fuqi të brendshme që e dëgjojmë me ëndje.

Ky poet na ka dhuruar poezi mjaft origjinale me laryshi temash, idesh e formash.

Krijuesi i denjë shpesh duhet t’i kthehet së kaluarës. Një gjë të tillë e ka bërë edhe poeti Sylejman Pireva, sidomos te poezitë e motivit social (poezitë: “Opingat e Pirotit, “Lotët për Allxhukën”, “Zgjohu, bir” e ndonjë tjetër. Ai do të na rikthejë edhe në kohën e rinisë së tij, e cila nëpërmjet vagjeve na parakalon si një shirit filmi me imazhet dhe protagonistët e saj karakteristikë (poezia “Zëri i mandolinës”). Nga ky rikonstruktim i së kaluarës ç’mund të pritet prej poetit, veç mallëngjimit (nostalgjisë) dhe përmallimit për shtigjet e rinisë së tij, për Shkollën Normale të Prishtinës, për Gërminë e bukur, për shokët dhe shoqet e shkollës etj. Këtë rikthim në rini të autorit Pireva ne e marrim edhe si pretekst për të rrëfyer një histori të dhimbshme e sociale të kohës së kaluar, kur babai e nëna rropateshin me punë të rënda fizike vetëm për mirëqenie të fëmijëve dhe të familjes së tij (poezia “Kërrabëzat” dedikuar duarve (të arta) të nënës).

Dominante në vëllimin poetik “Ky jam ai” të poetit Sylejman Pireva janë poezitë kushtuese. Ne ato do t’i ndajmë në dy kategori: në të parën bëjnë pjesë poezitë për të afërmit, si “Ti është dashur të jetoje” (motrës Nazmije), “Muaji i qershive” (bijës, Etlevës), “Baladë për gruan në përjetësi (bashkëshorte Bedrijes),”Lutuni për të gjitha sofrat” (Lokes Heteme) etj.; ndërsa në kategorinë e dytë bëjnë pjesë poezitë kushtuese për personalitete kombëtare dhe kulturoro-shkencore, si: “Urithët” (veprimtares së hershme të viteve’90 të shek. XX, Luljeta Pula), “C7 84” (ish-të burgosurit politik Hydajet Hyseni),”Para tri detyrave” (Shkrimtarit Milazim Kadriu), “Kori i korbave” (Astrit Deharit, aktivist i VV-së që pësoi në burg), “Ua heq kapelën” (dëshmorëve të UÇK-së), “Brisku magjik” (Dr. Nehat Halilit- neokirurg), “Për ty, Bajrush” (veprimtarit Bajrush Behrami), “Republika e Ukshinit” (Veprimtarit Ukshin Hoti, në 40-vjetorin e shpërthimit të demonstratave në Kosovë (1981), “Nuk të njohën, miku im” (Dr. Izber Hotit), “Zëri yt përherë i ri (këngëtarit të këngës qytetare gjakovare, Ismet Peja), “Ç’kemi mësuar për rrënjët” (historianes së shquar shqiptare Dr. Elena Kocaqi), “Baresha” (primadonës së muzikës popullore dhe të përpunuar shqiptare, Nexhmije Pagarusha) e ndonjë tjetër.

Ai në artin e tij ngërthen vlera ideo-estetike të pakontestueshme, sepse përdor gjuhë të shkathtë poetike me metafora, simbole, alegori e figura tjera letrare, prandaj kësisoj gjuha e tij na del gjuhë e sintagmave interesante.

Në botën poetike të autorit Sylejman Pireva gjejmë nuanca shumështresore, ku përzihen kohët, ëndrrat dhe zhgjëndrrat, dëshirat dhe shpresat, gëzimet e zhgënjimet, vetëdija e ndërdija.

Ky poet nuk mjaftohet vetëm me përshkrime ngjarjesh, dukurish e fenomenesh, por meqë stili i tij është i gjerë dhe i thellë, ky vazhdimisht e ndryshon këndin e kundrimit, me intensitet të shtuar të interesimit për çdo dukuri dhe fenomen, për çdo subjekt dhe objekt, për çdo detaj e tërësi.

Poeti Sylejman Pireva është mjeshtër i fjalës së bukur artistike dhe si krijues depërton në magjinë e artit përgjithësisht, ngase është gjurmues, vizionar dhe krijues i denjë, që me vargjet e tij kapton shtigje të reja dhe hap botëra të reja imagjinative.

Dhe krejt në përfundim, konstatojmë se krijimtaria e poetit Sylejman Pireva shquhet për origjinalitetin e saj. Ajo karakterizohet me gjuhë dhe fjalor të pastër, me figuracion të bollshëm poetik. Vargjet i skalit me stil të bukur, ku kemi laryshi rimash dhe metër të ndryshëm të vargëzimit poetik. Këto janë fakte që artit poetik të Pirevës ia shtojnë vlerën edhe më tepër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat