Përsiatje rreth vëllimit poetik “Laro dhe patriot” të poetit Sylejman Pireva

Libra

Përsiatje rreth vëllimit poetik “Laro dhe patriot” të poetit Sylejman Pireva

Nga: Zymer Mehani Më: 29 gusht 2021 Në ora: 08:04
Ballina e librit

Vëllimi poetik “Laro dhe patriot” i poetit Sylejman Pireva është konceptuar në dy cikle: 1. “Nuk e ha qeni sakicën” dhe 2. “Do të shkruaj”. Në poezitë satirike-humoristike të vëllimit në fjalë, gjithnjë do të gjejmë pakënaqësi, idhtësi, por edhe krenari, ku poeti Pireva do të vazhdojë të ravijëzojë karakteret e përbrendshme të njeriut, me virtytet apo me veset e tij, siç janë humaniteti, atdhetarizmi, trimëria, besa, miqësia (populli, punëtorët, pensionistët, ata që rrojnë me djersën e vet); grindja, përçarja, tradhtia, hipokrizia, kopracia, smirëzia, maskarenjtë, narcisoidët, biramelët (ata që fusin hundët kudo), sekserët, gjuhë-helmësit, zemërzinjtë, trundryshkurit, servilët, gllabëruesit, hajdutët (pushtetarët e pandërgjegjshëm); gënjeshtarët, premtuesit e rremë, shkelësit e ligjit etj.etj. (fshikulluar në poezitë “Njëherë laro, pastaj patriot”, “Kush është ky”, “Mos hyr”, “Me dorë në zemër”, “Korezion” etj).

Autori Sylejman Pireva përgjithësisht te të gjitha poezitë ia ka dalur që me një ironizim fshikullues dhe therrës të satirizojë të gjitha botëkuptimet, të metat, gabimet dhe makutërinë e mëhershme të pseudopolitikanëve dhe të atyre të aktualitetit të këtij nënqielli.

Pra, mund të shprehemi figurativisht që ky libër përmban kallinj dhe fruta të arrirë poetikë, ngase fjala është për poetin Sylejman Pireva, i cili i ka zhvilluar me përpikëri harqet e veta të artit poetik, që është përcaktuar me sukses dhe ka zënë vend në horizontet e letërsisë shqipe përgjithësisht, e veçanërisht në poezinë tonë humoristike dhe satirike.

Poezitë e paraqitura në përmbledhjen “Laro dhe patriot” të poetit Pireva, mund të thuhet se dallohen me me tematikë dhe motivikë të larmishme, poashtu edhe me një stil krejt të veçantë. Në këto poezi do të gjejnë vend për t’u trajtuar hidhërimi, mashtrimi, gënjeshtra, koprracia, karrierizmi etj., si dhe vese të tjera të shëmtuara, duke pasur kujdes në formë dhe përmbajtje.

Në vëllimin “Laro dhe patriot”, autori Sylejman Pireva e ka pasuruar edhe më tej stilin dhe leksikun poetik duke na dhuruar medaljone të vërteta humoristike-satirike, në të cilat ka gjetur vendin e vet shprehja lapidare, me laryshi imazhesh të reja autentike lirike.

Poeti do të kritikojë me vargjet e veta hipokrizinë, sidomos të pushtetarëve (poezia “Një herë laro, pastaj patriot”), servilizmin (poezia “Servilët”), narcisoizmin (poezia“Kush është ky”), trundryshkurit (poezia “Korezion”) etj. Pastaj në ciklin e dytë do t’i fshikullojë me satirën e tij therëse premtuesit e rremë nëpër fushata (“poezia “Në fushatë”), sekserët, që bëjnë pazare me vota (poezia “Sekserët”), veteranët e rremë (poezia “Pendimi i “veteranit”), gënjeshtarët në kohë fushate (poezia “Sy ndër sy”), gllabëruesit pushtetaxhinj (poezia “Gllagërim”), qeveritarët hajdutë (poezia “Të raftë pika”), keqpërdoruesit e posteve zyrtare “poezia “Si s’të vjen turp”) etj.

Autori Sylejman Pireva bën thirrje që njeriu të jetë i virtytshëm, sidomos ndaj kombit dhe atdheut.

Te poezitë satirike (ironike, humoristike) poeti Sylejman Pireva do të përdor në vargjet e veta thumbimin e fishkullimin me fjalën artistike, që do t’i godasë njerëzit me vese (deputetë e pushtetarë të pandërgjegjshëm, por edhe këdo tjetër) dhe do t’i ironizojë e satirizojë pamëshirshëm, ashtu siç di ai me penën e tij majeprehtë.

Dhe fare në fund duhet përmendur se Sylejman Pireva e kupton me seriozitet rolin dhe detyrën e artistit (të poetit), ngase frymëzimin dhe lëndën i gjen duke kërkuar, hulumtuar problemet

dhe çështjet e përgjithshme, me të cilat çdonjëri prej nesh preokupohemi vazhdimisht. Ai e ka këndin e vet të të vrojtuarit, nga i cili i shikon dhe heton anomali e deformitete të zhvillimit tonë individual e shoqëror, pa u mashtruar asnjëherë. Thënë poetikisht, ai nëpër zgavra i ka shikuar e hetuar problemet dhe çështjet dhe pastaj zëshëm i ka thënë ato që i ka menduar, duke na dhënë një pasqyrë krejt reale të aktualitetit.

Poeti Sulejman Pireva, sidomos te poezitë satirike-humoristike bën shpalosjen e përbrendshme të njeriut si karakter, me virtytet apo veset e tij, siç janë humaniteti, atdhetarizmi, trimëria, besa, miqësia; grindja, përçarja, tardhëtia, hipokrizia, kopracia, smirëzia etj.

E njerëzit me vese autori i ironizon dhe i satirizon (siç janë veç tjerash edhe dy figurat tona politike H. Thaçi e K. Veseli), që si karaktere kanë pësuar rënie dhe jo ngritje, prandaj mllefi i poetit Pireva shpërthen edhe ndaj tyre (poezitë “Shko se u bëre përrallë!” dhe “Hikmeti n’xhep t’Kadrushit”).

Në poezinë e poetit Sylejman Pireva hasim herë-herë edhe leksik popullor, frazeologji popullore të përdorur shumë saktë dhe me vend, si dhe nuanca të muzës së popullit (te satirika), që e pasurojnë dhe ua shtojnë vlerën edhe më tepër vargjeve të tij.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat