Disa fjalë për romanin “Fanarët e një Shtrëngate” të shkrimtarit Zymer Mehani

Libra

Disa fjalë për romanin “Fanarët e një Shtrëngate” të shkrimtarit Zymer Mehani

Nga: Fadil H. Curri Më: 7 shtator 2021 Në ora: 15:30
Kopertina e librit

1.

Lufta e UÇK-së frymëzoi shumë artistë: poetë e shkrimtarë që krijimet e tyre letrare t’ia kushtojnë kësaj ngjarje të lavdishme të histories më të re të Kosovës.

Një ndër penat e spikatura që shkroi poezi dhe prozë për epokën e lavdishme dhe të ndritshme të UÇK-së, për dëshmorët dhe martirët, është edhe shkrimtari Zymer Mehani-penë e mprehtë dhe frytdhënëse nga Llapi.

“Romani Fanarët e një shtrëngate) është libri i radhës i shkrimtarit Mehani që I dedikohet luftës së UÇK-së në Llap. Ky roman historik, si të thuash lexohet me një frymë, duke na lënë mbresa të thella. Thjesht dhe qartë autori paraqet talbo dhe portrete nga lufta heroike e zhvilluar në Llapin ilirik, ku si protagonistë kryesorë në roman janë disa luftëtarë të orëve të para, si Front Llapi, Lis Bajgora, Furtuna Forta, Vigan Llapiasi, Shkëmb Kaçandolli (personazhe fictive), Zahir Pajaziti, Behar Begolli, Shefki Kuleta, Bedri bajrami, Bedri Ahmeti, Isë Havolli, Mirsad Gashi, Fatmir Hyseni (personazhe historike) dhe një vargan i pafund luftëtarësh të lirisë.

Në kohën kur edhe trevën e Llapit e përshkuan flakët e luftës çlirimtare (1998-99) edhe llapjanët kontribuuan që ajo luftë të fitohej me sukses. Sakrifica e tyre qe jashtëzakonisht sublime, andaj shkrimtari Zymer Mehani me kujdes të veçantë skicoi portretizimin e luftëtarëve të lirisë, duke e përshkruar edhe pastërtinë dhe atdhedashurinë e tyre, si shtylla të forta të karakterit kombëtar.

Porosia e autorit Mehani gjithnjë është njerëzore, përherë e brumosur me tabanin kombëtar. Ky shkrimtar në veprat e tij, sikurse edhe në romanin në fjalë, në mënyrë të thjeshtë shkruan për atë epokë të artë të UÇK-së, e cila gjysmës së kombit tone (në Kosovë) ia ktheu dinjitetin duke i dalur zot identitetit dhe përkatësisë shqiptare të saj.

Romani “Fanarët e një shtrëngate” i shkrimtarit Zymer Mehani është një pasqyrim i luftës heroike të ZOLL-it dhe një përjetim artistik i realitetit tonë të asaj kohe.

Në roman shkrimtari I është përmbajtur kronologjisë së zhvillimit të ngjarjeve që çuan në shpërthimin e luftës çlirimtare të llapjanëve. Kështu, shkrimtari fillon me vitet 1955/56, 1968, 1981, 1991, 1997 etj., si vite të rëndësishme për historinë e Kosovës, kur okupatori serb dhe jugosllav në forma shtypëse dhe të paskrupullta e ndrydhte lirinë e shqiptarëve, duke përdorur mjete dhe metoda tiranike, sin ë Aksionin Famëkeq të Mbledhjes së Armëve, në demonstratat për Flamurin Kombëtar, në vitin e Pranverës së Zgjimit, në vitet e helmimit të rinisë dhe të nxënësve shqiptarë e deri me ballafaqimin tytë më tytë me grupet guerile të kryetrimit Zahir Pajaziti, për të vazhduar pastaj me përshkrimin artistic të zhvillimit të luftës në Llap (1998-99).

Tablo interesante janë betejat e zhvilluara në Majas, Kodrion, Tabe të Llapashticës, Shkozë, Rrezare etj., në të cilat luftëtarët shqiptarë të brumosura me atdhedashuri luftuan dhe qëndruan gjer në triumph, e shum prej tyre ranë dëshmorë me armë në duar.

Romani do të përfundojë me arritjen e gurkave britanike në qendër të Podujevës (në Mesianë), me përzënien e forcave të okupatorit nga Llapi dhe Kosova dhe me ngritjen e flamurit tone në ndërtesën e komunës, duke festuar e gëzuar për ditën e lirisë gra, fëmijë e burra llapjanë, bashkë me forcat e NATO-s dhe luftëtarët e lirisë.

2.

Z. Zymer Mehani është një krijues i mirëfilltë, poet e kritik letrar. Me një fjalë, është njeri i artit dhe i kulturës, që shkruan e boton. Pra kemi të bëjmë me një shkrimtar model për shumë vite, që është i veçantë në krijimtarinë e tij letrare, me shumë vlera artistike e kuptimore, me një rrezatim pozitiv dhe me një individualitet të spikatur të opusit krijues. I tillë është z. Mehani që nga koha, kur u njoha me të dhe i tillë ka mbetë në jetë: me shumë virtyte, qëndrestar, i durueshëm por edhe që din ta ruajë kurajon e tij krijuese dhe jetësore…

I veçantë. E po dikush mund të pyesë: e pse i veçantë z. Zymer Mehani?

I veçantë, sepse z. Mehani din ta ruajë bukur diversitetin kulturor dhe është një shembull i mirë se si kalohen sfidat e kohës në kulturë dhe vlera kombëtare…
Vepra “Kundrime” I-II-III (Prishtinë, 2019)

Janë më të vërtetë një përjetim i bukur arti, sepse duke i lexuar njeriu ato, fiton përshtypjen se po bisedon me shpirtin e kijuesve të kohëve tona, ku poeti Mehani, me syrin e kritikut këtu i zbulon ngjyrat e opusit krijues të shumë krijuesve shqiptarë në zhanre të ndryshme, brenda gjithë gjeografisë sonë kombëtare, por edhe në diasporë, që janë të shtjelluara bukur në këto tri vëllime, të titulluar “Kundrime”, nga poeti dhe kritiku ynë letrar Mehani. Pra, arti s’do mend se është i kohës sonë dhe brenda vetë veprave tona, për të cilin flet autori Mehani… Këto “kundrime” janë shëmbëllim drite nëpër kohë, e pas leximit të tyre, me të drejtë mundë të themi se poeti apo shkrimtari Mehani, mundohet ta japë shpirtin dhe zemrën e tij për lexuesit, e pra këto kundrime letrare janë thesare letrare për kulturën tonë letrare… Analizat letrare dhe prezentimet e afërsisht 70 titujve të librave të ndryshëm nga autorë të ndryshëm, nga gjithë gjeografia e atdheut, po edhe atyre nga mërgata, në këto tri vepra të z. Mehani, si ato me poezi, romane, poema, mendime të arta, prozë, për dëshmorët e kombit, etj, etj., të gjitha këto janë art e vlerë e madhe, që na japin të kuptojmë se z. Mehani bashkëjeton me gjithë krijuesit të përfshirë në këto kundrime letrare dhe artin ai ua atribon prapë githë krijuesve të përfshirë në këto tri “kundrime” I-II-III. Për këto tri vepra letrare ne mund të flasim me orë të tëra, por mendoj se më së miri atyre do t’u gëzohen lexuesit gjatë leximit. E lexuesve ju uroj lexim të këndshëm, ndërsa auutorit suksese të reja në vazhdimësi…

Veprat letrare dhe studimore të shkrimtarit Zymer Mehani:
1. “Shkollat dhe arsimi në Halabak, në Tërrnavë dhe në Bellopojë ( 1900-2010)’’ ( monografi ), Prishtinë, 2010;( ribotim më 2021);
2. “Yje të qiellit tim’’ (poezi) Prishtinë 2017;
3. “Sandokani rron’’ (poezi), Prishtinë 2017;
4. “Pranverojnë lulëkuqet tona” (poezi), Prishtinë, 2018;
5.“Diellza diellon’’ (poezi për fëmijë), Prishtinë 2018;
6. “Flas me Sandokanin’’ (poezi), Prishtinë 2018;
7. “Sahit Shala-ky uragan i pandërprerë” (monografi për shkrimtarin sahit Shala dhe veprat e tij letrare), Prishtinë, 2019;
8. “Kundrime”, I,(kritikë), Prishtinë, 2019;
9. “Kundrime”,II (kritikë), Prishtinë, 2019;
10. “Kundrime”, III (kritikë), Prishtinë, 2019;
11. “Të gjithë duam të shkojmë atje” (poezi për Familjen Jashari), Prishtinë, 2019;
12. “Jeton Gona n’zemrat tona” (poemth për dëshmoren Antigona Fazliu), Prishtinë, 2019;
13. “Besa e Besimit” (poezi për dëshmorin Besim Berisha), Prishtinë, 2021;

14. “Betimi i Beharit” (poezi për dëshmorin Behar Begolli).
 

15. “Me laps në dorë” (elegji për mësuesin Bedri Raçi), Prishtinë, 2020;

16.”Fjala e fistarit të fisit (poezi për poetin martir, Havzi Nela” (Prishtinë, 2021);

Ai është bashkautor me poetin z. Fadil H. Curri, në përmbledhjen me poezi’’ Gjuha e truallit tonë’’,
-me poeten znj. Lumturije S. Drenica me përmbledhjen’’ Veç një atdhe’’ dhe “Jeton Havzi Nela”.
-me poetin Sahit Shala në librat “Dy pena-shumë mendime” dhe “dy pena me mendime të arta”.
Zymer Mehani është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipëris-Dega në Kukës dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat