Mall e dashuri për atdheun

Libra

Mall e dashuri për atdheun

Nga: Izet ABDYLI Më: 15 shtator 2021 Në ora: 09:49
Foto e kopertines së librit

Libri me poezi “Frymëmarrje jete”, i poetit Imer Gllareva vjen pas një përvoje të gjatë krijuese dhe prezantimit të poetit në publik, ku frymëzimet e tij të çiltra sjellin para lexuesve vargjet e stisura me dashuri për vendlindjen, njerëzit e saj, dëshmorët dhe atdheun. Këtë dashuri dhe mall për atdheun poeti e shpërfaq në forma të ndryshme, qoftë përmes përshkrimit të ngjarjeve, bukurive të vendlindjes, por edhe ndjesinë që ka për ata që sakrifikuan më të shtrenjtën-jetën për lirinë e Kosovës. Ndaj nuk është e rastit që në këtë përmbledhje ka një serë poezish për dëshmorët e rënë në luftën e fundit, por edhe heronj të rënë në etapat e tjera të historisë e që poeti përmes vargjeve të tij na ndërlidhë historinë, si një vazhdimësi e përpjekjeve të popullit tonë për liri.

Duke qenë edhe vetë përjetues i ngjarjeve të luftës në Kosovës, ai me emocione të ndezura jep tabllo e pamje të vuajtjeve, sakrificave por edhe heroizmit të luftëtarëve të lirisë. Thjeshtë ai është i lidhur me trollin e tij, të parët e tij dhe gjithçka që shtjellon në këto poezi sikur e bind lexuesin se ai është katërçipërisht i lidhur me fatin e popullit të tij. Në vargjet e Imerit një vend të veçantë zënë edhe poezitë për më të dashuritë tij prindërit, ku ai shpalos portretin e tyre me tërë madhështinë dhe virtytet njerëzore që karakterizonin ata, madje me jo vetëm një poezi. Dashuria për nënën përshkruhet me nota nostalgjie si në vargjet e mëposhtme:

-Nënë pa ty s’ka kuptim jeta

Kishe zemrën plot mirësi

Askund kokën s’mund e mbështeta

Pa ty dielli s’ka shkëlqesi!

Gjejmë në këtë përmbledhje edhe poezi tjera që cysin mendimin krijues të poetit si: për mërgimtarin, lypsarin, stinët e vitit, lulet e prillit etj. ku poeti na shpërfaq edhe anën tjetër të medaljes se jetës me plotë sfida e vështirësi. Vargjet e poetit shquhen për një leksik të pasur, por edhe figura stilistike dhe një rimë që i bëjnë vargjet edhe më tërheqëse për lexim. Ndonëse autori ka vite që shkruan, ky është libri i parë i tij, i cili sigurisht që do të pasohet me libra tjerë në vazhdim. Autorit i dëshirojmë suksese në rrugëtimin e tij drejt arit poetik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat