Vështrim për poezinë e poetit, Shaban Pllana

Libra

Vështrim për poezinë e poetit, Shaban Pllana

Nga: Zymer Mehani Më: 26 prill 2017 Në ora: 16:56
“Në krahët e ëndrrës” të poetit Shaban Pllana

SH B “Prokultpress” me drejtor Mr. Fatmir Halimi, këtyre ditëve nxori nga shtypi përmbledhjen poetike “ Në krahët e ëndrrës” të poetit Shaban Pllana

Ky vëllim poetik i poetit Shabab Pllana është i konceptuar në 4 cikle:

-I.Molla e Kuqe;

-II. Nga legjenda;

-III.Në lindjen e tyre të dytë;

-IV.Në krahët e ëndrrës; dhe

-V. Peshqesh i dashurisë.

Te cikli “Molla e Kuqe” në çdo varg, strofë dhe poezi poeti Pllana na kthen në retrospektivë, në ato vite të stuhishme 1877-78, kur Serbia qindra e mijëra shqiptarë, nga më shumë se 720 fshatra dhe disa qytete, i dëboi me dhunë, që nga Molla e Kuqe e këndej.

Vërtet është i saktë mendimi se një krijim letrar, qoftë edhe poezi, për ta hartuar, autori gjithnjë mbështetet në diçka që ka ndodhur në të kaluarën, pra lidhet me zhvillimet e ndryshme shoqëroro-ekonomike, ushtarake, politike, kulturore etj etj. Kështu vepron edhe poeti Shaban Pllana, që me vërtetësi historike u referohet ngjarjeve të viteve 1877-78 dhe kështu poezia e tij bëhet mjet i fuqishëm për ta rikujtuar një kohë të kaluar e të hidhur, që i ka ndodhur popullit tonë nga armiku shekullor.

Poezitë e ciklit “Molla e Kuqe” janë të mveshura me petkun real dhe me ndjeshmëri të vërtetë. Sa herë që e lexojmë këtë cikël, ne vetvetiu e kuptojmë fare mirë se ende s’na janë shëruar plotësisht plagët tona nga ai dëbim i paparë dhe i padrejtë  që Serbia e ushtroi ndaj shqiptarëve. Dhe si pasojë, nga dhimbja dhe dëshpërimi, poeti me të drejtë do t’i mallkojë armiqtë që shkaktuan këtë dëbim:

“O Zot

Ua shuaj dritën

Ua verbo sytë

Ua shuaj hisen

Ua digj trungun

Ua humb rrënjën

.......

Mbi shtëpitë e tyre

Vajtoftë qyqja”!

(Poemthi “Muhaxhirët”)

Në ciklin e dytë “Nga legjenda” pena e poetit Pllana ia del që artistikisht t’i reprudukojë në formë krejt të veçantë motivet  e legjendave shqiptare, siç janë nderi dhe besa. Këtu, autori vërtet shkëlqen, sidomos me shtjellimin e motivit të besës shqiptare, që  hasim në vargjet e poezive për Doruntinën.

Për poetin Shaban Pllana, meqë besa për shqiptarët është e shenjtë, ajo

“Midis dy malesh

Midis ëndrrës e shpresës

Varur në cep të qepallës

Të syrit të Doruntinës

Rri varur Besa e Konstandinit”

Poezia “Kush do ta sjellë Doruntinën”)

Te cikli “Në lindjen e tyre të dytë” poeti Shaban Pllana i ka ravijëzuar portretet e dëshmorëve të atdheut duke u ndërtuar atyre vërtet një monument letrar. Këtu poeti vargje do t’u kushtojë Shaban Shalës, Avdyl Lahut,  Zahir Pajazitit, Hyzri Tallës, Afrim Maliqit, Ilir Durmishit, pastaj ish-nxënësit të vet, Fatmir Uka, që dhe sot vuan nga plagët e shkaktuara nga të shtuquajturit plumba “dum-dum” të policisë famëkeqe serbo-jugosllave. Për poetin Shaban Pllana dëshmorët janë “Krushqit e lirisë”. Pra vëllimi “Në lindjen e tyre të dytë” është i ndërtuar me vargje përkushtuese për dëshmorët e kombit tonë.

Cikli “Në krahët e ëndrrës dhe poezi motivesh të ndryshme” përshkohet me poezi temash dhe motivesh të ndryshme, por edhe këtu veçohet motivi i atdhedashurisë. Në poezitë e këtij cikli sërish do të takohemi me bijtë e denjë të popullit, siç janë Agroni, Teuta, Gjergj Elez Alia, Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali, Isa Boletini, Azemi dhe Shota, Zahir Pajaziti, Adem dhe Hamëz Jashari etj etj.

Cikli “Peshqesh i dashurisë” është i fundit i këtij vëllimi poetik të poetit Shaban Pllana. Në vargjet e këtij cikli, kuptohet është i trajtuar motivi i dashurisë. Këtu dashuria na del si ndjenja më fisnike, më e çiltër e njeriut.

Nga këndvështrimi ynë, konstatojmë se poezia e poetit Shaban Pllana shquhet për temat dhe motivet që trajton, dhe çka është më e rëndësishmja, në këto poezi dallohet kujdesi i veçantë me punën ndaj gjuhës, e që përmbledhjes ia shton edhe më tepër vlerën. Pra, poezia e poetit Pllana është e arrirë, inteligjente dhe serioze. Këtë gjë autori e arrin me ndërtim të vargut, me metër të ndryshëm, me rimë, por edhe me varg të lirë, duke e pasuruar vargun edhe me figuracion të pasur poetik.

Këto poezi janë prodhim i imagjinatës së autorit dhe ajo që përbën thelbin e këtij vëllimi poetik është lënda e saj, d.m.th. ngjarjet dhe situatat e shtjelluara, të marrura nga jeta e rëndomtë, të shpjeguara dhe të përshkruara bukur me një gjuhë dhe fjalor të pastër, të mveshura dhe të nuancuara me imagjinatë të jashtëzakonshme.

Poezia e poetit Pllana ia ka dalur që prej ideve të thjeshta, të lidhura me ndodhitë dhe situatat e jetës së përditshme, të arrijë atë fuqi të mendjes së njeriut, e cila është e njohur si shqetësim dhe kështu të zgjerojë ndjenjat e fituara prej ideve, që na mbeten në kujtesë prej ngjarjeve të ndryshme.

Lehtë mund ta hetojmë se për poetin Shaban Pllana poezia është prodhim i një çasti të veçantë të mallëngjimit emocional dhe të një aktiviteti të posaçëm, dhe duke u bazuar në këtë fakt, përfundojmë me konstatimin se për poetin Pllana poezia është derdhje e vetvetishme e ndjenjave të fuqishme.

Duke e vlerësuar vëllimin poetik “Në krahët e ëndrrës” të poetit Shaban Pllana, përfundojmë me konstatimin se ky vëllim është shprehje e lirë e mendimeve dhe e ndjenjave të vetë poetit, çka është krejt e natyrshme. Qëllimi kryesor i poetit është që ta zbulojë të vërtetën dhe këtë e arrin nëpërmjet fuqisë së tij imagjinative.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat