“Sa Qielli” roman i ri që i shtohet reportoarit të letërsisë shqipe

Libra

“Sa Qielli” roman i ri që i shtohet reportoarit të letërsisë shqipe

Më: 27 prill 2017 Në ora: 16:47
Ballina e "Sa Qielli"

Listës së autorëve shqiptarë nga Kosova, sot ia shtua edhe një emër, ai i Beneta Sinidollit e cila solli romanin e saj të parë me titull "Sa Qielli". Promovimi i librit është bërë sot në Bibliotekën Kombëtare, ku u tha se romani është një himn për dashurinë e sinqertë.

Beneta Sinidolli, autore e romanit “Sa Qielli”, tregoi se ndihej e nderuar dhe e lumtur me rastin e përurimit të romanit të saj të parë. Ajo tregoi se shkrimi i këtij romani ishte një punë që e bëri me shumë vullnet dhe dashuri. Sipas saj, është pikërisht dashuria ajo që autorja i jep vëmendjen më të madhe në këtë roman.

Sinidolli: Besoj se secili lexues do ta gjejë veten në ndonjë pjesë të librit

“Besoj që secili  prej jush do ta gjejë veten në ndonjë rresht apo në ndonjë kapitull të këtij romani. Unë si studiuese e shkencave sociale trajtova me shumë dashuri shumë tema sociale, mirëpo fokus të veçantë i dhashë dashurisë, pasi që dashuria është ajo që na mban të motivuar dhe plot energji”, tha ajo.

Meqenëse autorja ka studiuar për shkencat sociale, ajo i jep theks të veçantë edhe motivimit të lexuesit të saj, ku përmes fjalëve nxitëse shpreson që secili njeri të gjejë rrugën e tij për të  realizuar ëndrrat e veta.

Sinidolli: Energjia pozitive magnet i gjërave të mira

“Nuk duhet të heqim dorë nga asnjë ëndërr, por të luftojmë për to deri në frymën e fundit. Në jetë nuk ka gjëra të paarritura por ka gjëra për të cilat punojmë që t’i arrijmë dhe gjëra për të cilat nuk punojmë fare e përfundojmë vetëm duke i dëshiruar. I fortë është ai që buzëqesh pas çdo batice dhe zbatice të jetës. Energjia pozitive është fuqi, magnet i gjërave të mira”, u shpreh ajo.

Të pranishmit në ceremoninë e përurimit të romanit e vlerësuan lartë punën e Beneta Sinidollit, duke thënë se qysh në lexim të parë vërehet talenti i saj për të shkruar.

Kështu kritiku letrar, Prenk Buzhala tha se ky promovim për të ka një rëndësi të veçantë për faktin se në listën e autorëve shqiptarë hyn edhe një femër.

Ai e vlerësoi këtë roman si një himn për dashurinë e sinqertë, ndërkaq autoren të talentuar dhe mjaft të përkushtuar.

Buzhala: Romani jep një mesazh fisnik për lexuesit

“Krijuesja e re Sinidolli, i thurr një himn romanor dashurisë… Jeta dhe Dielli si koncepte, jo vetëm si personazhe por edhe si metafora të romanit konceptual të vlerave të ekzistencës të dashurisë dhe pse jo edhe të ndërlidhjeve shpirtërore me trojet etnike përçojnë mesazhe fisnike te lexuesi”, u shpreh ai.

Kritiku Buzhala tregoi se romani është i strukturuar me hyrje dhe kapituj që shërbejnë si tekst udhërrëfyes e bashkë me të vjen edhe teksti komentues.

Sipas tij, fakti se mirëkuptimi dhe respekti janë themel i çdo lidhje, dëshmohen siç është më së miri në romanin e Sinidollit, roman ky që trajton dashurinë e dy të rinjëve edhe përkundër faktit se personazhet vijnë nga dy fe të ndryshme.

Për Halil Xanin, autorja e re Beneta Sinidolli vjen me një tematikë shumë të mirë dhe mjaft atraktive për të rinjtë. Ai në fjalën e tij u shpreh se duke udhëtuar me personazhet e romanit e kishte kuptuar se arsyeja e emërimit të romanit është pikërisht fakti se vetëm dashuria mund  të  jetë e tillë, e pastër e njëherit e madhe "Sa Qielli".

Ndërkaq, Hasije Selishta nga shtëpia botuese "Atunis" njëherit kontibuese në letërsi, u shpreh se zërat e grave në letërsinë shqipe kanë qenë të pakët, dhe për të ishte një gëzim dhe kënaqësi ideja për të shtypur romanin e Sinidollit.

Ajo konsideroi se ky roman shërben si një litarë që e jep mundësinë e largimit nga trishtimi.

Për fëmijërinë e autores Sinidolli foli profesoresha Ajete Prokshi, e cila ishte kujdestare e shkollimit fillor në shkollën “Asim Vokshi” në Kodrën e Trimave. Ajo tregoi se Sinidolli kishte treguar talentin e saj qysh në bankat fillore.

Prokshi: Beneta kaloi nga oborri i mësimnxënies në oborrin e dritëdhënies

“Beneta ishte në shkollën Asim Vokshi në Prishtinë. Nga oborri i dritënxënies, Beneta kaloi në oborrin e dritëdhënies, mu ku jemi tash, në promovimin e librit të saj”, u shpreh ajo.

Ndryshe romani “Sa Qielli” është vetëm romani i parë i Beneta Sinidollit, pasi që siç edhe u tha nga të pranishmit, ajo ka potencial dhe pritet të shkruaj edhe vepra të tjera.

Image
Beneta Sinidolli
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat