Vështrim për përmbledhjen poetike “Lahuta e Kosovës” të poetit, Sahit Shala

Libra

Vështrim për përmbledhjen poetike “Lahuta e Kosovës” të poetit, Sahit Shala

Nga: Prof. Zymer Mehani Më: 30 prill 2017 Në ora: 20:26
Kopertina e librit

Vëllimi poetik “Lahuta e Kosovës” autori Sahit Shala e ka konceptuar në frymën popullore, duke e ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë është e përbërë nga 10 këngë:

I.”Krisi pushka në Prekaz”,

II.”Drenica”;

III.”Flakë për flakë”;

IV.”Në radhë të parë u vu Blerimi”;

V.”Ikja e madhe”;

VI.”Çeta e trimit”;

VII.”Lufta e Junikut”;

VIII.”Qëndresa”;

IX.”Vendi i Kuvendit”;

X.”Dita e Lirisë”.

Ndërsa pjesa e dytë përbëhet nga cikli “Vargje për Kosovën”.

Në Këngën I të pjesës së parë, tërësisht shtjellohet tema e luftës dhe qëndresa heroike e Familjes Jashari të Prekazit kundër okupatorit serbosllav.Pra, vargjet trajtojnë motivin atdhetar, qëndresën dhe heroizmin e shqiptarëve për liri. Në vargjet e këngës I, Shabani, Ademi e Hamza nga pena e poetit Sahit Shala, krahasohen me Mujin e Jutbinës dhe me Oso Kukën e Vraninës, krahasim ky shumë i goditur artistikisht. Qëndresa e Jasharajve në luftë për liri, nder dhe truall amtar është po ashtu e përshkruar me mjeshtëri dhe e realizuar estetikisht.

Te kënga II, sërish shtjellohet tema e luftës për çlirim nga okupatori shekullor, që shpërtheu në Drenicën heroike. Këtu kemi të trajtuar motivin e guximit, të qëndresës dhe të sakrificës për lirinë. Poeti Sahit Shala me kujdes të veçantë i referohet historisë sonë kombëtare, duke përmendur figura historike dëshmorësh, si Azemi e Shota, Ahmet Delia, Fehmiu e Xheva,, që e dhanë edhe jetën vetëm e vetëm që Drenica dhe mbarë Kosova të mbeten prore shqiptare, ashtu siç i ka falë Zoti.

Në Këngën III shtjellohet prapë tema e luftës çlirimtare  e shqiptarëve për liri, por në këtë rast, e zhvilluar në një pjesë tjetër të Kosovës, në Rrafsh të Dukagjinit (Gjakovë, Pejë, Istog). Edhe kjo tokë lindi e rriti trima, që u flijuan për liri, si Selman Kadria, Haxhi Zeka, Shaban Shala, Ardian Krasniqi e shumë trima të tjerë.

Kënga IV i kushtohet dëshmorit të kombit, Blerim Bala nga Strellci i Deçanit. Kur bisha e tërbuar sllave u vërsul në strellc dhe në pjesë të ndryshme të Deçanit, blerimi me shokët iu përgjigj flakë për flakë:

“Prej atë ditë që duel kushtrimi

N’radhë të parë u vu Blerimi

Se për mote e për vite

Veç pranverë ti Kosovë prite

Për simbolin shekullor

Sa e sa ke dhënë dëshmorë”

Në Këngën V trajtohet tema e dëbimit të popullatës shqiptare prej shtëpive të tyre nga okupatori serb. Edhe këtu poeti Sahit Shala i referohet realitetit historik, kur më shumë se 1.000.0.0.0 shqiptarë policia dhe paramilitarët serbë i përzunë nga vatra shekullore.

Në Këngën VI  me mjeshtëri prej artisti, poeti Shala ravijëzon portretin e gjeneral Ramush Haradinajt. Nga vargjet e kësaj kënge mësojmë për shëmbëlltyrën e këtij trimi dhe luftëtarëve të tjerë, për guximin dhe qëndresën që treguan ndaj pushtuesit serb. Theksohet qëndresa e Gllogjanit heroik dhe e Deçanit me rrethinë.

Në Këngën VII përshkruhen skena nga Lufta e Junikut:
“Krisi pushka n’ato gryka

Shumë armiq ku ja kanë mësy

Po luftojnë djemtë e Kosovës

O nuk lanë atje me hy.

Në Këngën VIII sërish motiv i vargjeve është qëndresa heroike e shqiptarëve të Rrafshit të Dukagjinit kundër policisë dhe ushtrisë serbe:

“T’ndjefsha t’ligën moj Serbi

Tanë me plan tue djegë e gri

Yll Kosove e ka falë Zoti

I thonë n’emën Ukshin Hoti

Që s’duron ai padrejtësi

Shtrigë e quen t’zezën Serbi”

Kënga IX  e përshkruan diegien e qytetit historik të Prizrenit, Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga paramilitarët serbë

“Prizreni e Suhareka

Gjithë petrita e sokolesha

Ferizaji e Gjilani

Ngjiten n’valle nja mbas njani

Dhe asnjani s’i trembet vdekjes

Vllazën, motra t’Kadri Zekës”

Në këngën e fundit (X) të përmbledhjes “Lahuta e Kosovës” poeti Sahit Shala e përshkruan Ditën e Lirisë (13 qershorin e vitit 1999) e cila agoi me mund, gjak e sakrificë nga bijat dhe bijtë e denjë të kombit tonë.

Në pjesën e dytë, ku kemi ciklin “ Vargje për Kosovën” trajtohet motivi atdhetar. Poeti i këndon Kosovës, vendlindjes së tij, dubovikut të bukur, pastaj atdhetarëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, si edhe lirisë së atdheut, për të cilën gjatë shekujsh shqiptarët derdhën mjaft gjak.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat