Mite deri përtej

Libra

Mite deri përtej

Nga: Zenun Hysenukaj Më: 20 maj 2017 Në ora: 07:23
Kopertina e Librit

Në vitin e largët 1884 i madhi Konstandin Kristoforidhi e pati fillue rrëfimin e ''Gjahu i malësorve'' në variantin gegë. Sot pas kaq vitesh kur është muaji Maj, që ka kalue edhe dita e tetëmbëdhjetë e tij kam para një fushë gjahu, vargjesh e motivesh të një poeti verior, Hasan Muzli Selimi.

Nuk e kam veç mik tash sa vjet, por disi më është bërë domosdoshmëri në përditshmërinë time për të lexue herë pas here kur ai shkruan. Kur them se jam në një fushë gjahu, poeti nuk më la çifte për të gjuajtur, por më la në dorë dorëshkrimet e tij. Vet Hasani iku atje ku zhurmojnë Rozafa, Buna e Taraboshi. Apo, ku ndjehet jehona e largët e Fishtës, Mjedës e Koliqit.

Ky libër m'u tret duarve që kishin marrë trajtë lutjeje prej një altari. Ky ishte altari i poetit Hasan Selimi.
Këtu lexon motive të djegura nga prushi i mesazheve, nga vatra e së vërtetës flakët përhapin kodin e Feniksit. Poezia është e thjeshtë, e drejtëpërdrejt, jetësore e përzierë me elipset e dashurisë.

Kur e lexon këtë vëllim poetik duket se shikon në një pasqyrë ku shperthyerja e këndeve dhe këndëveshtrimi i poetit krijojnë një metaforikë të vullkanizuar.
Poeti Hasan Selimi hyn në thelbin njerëzor,  gdhend dhembjen e tij, e bën intimen të përbotshme, rrënjën e gjakut e josh me gurgullima lumi. Ai arrin të na jap në pëllëmbë të dorës prushin e nxehtë të kohës.

Poeti është këmbëngulës dhe gjithmonë gjen shtegdalje ndoshta hera herës edhe Migjeniane nga situatat e krijuara, nga tundimet e mëdhaja që e shterngojnë deri në saje të UN..it njerëzor, për arsye të njohura duke u përpjekë që brezave të rinjë t'u ofrojë pikpamje vizionare përmes fjalës poetike. Autori thërret deri në klithje se e shemtuara duhet të marrë formen e të bukurës, e liga duhet të marrin kultin e mirësisë. Paraqet shumëdimensionalitetin , e begaton me ngjyrime të intimes shpirtërore me bollshmëri të termave, figurave, motive dhe gjini letrare.
Poeti gjithmonë thotë diçka, nuk flet për të ndertuar vargëzim sa për të vjershëruar mbi hapësiren e fletës së bardhë, por për arsye shumë më të thella që e ngacmojnë poetin të bërtasë kësisoj kur thotë.

Janë mbaruar edhe fjalët.

Fjalori është grisur.

Nga fillimi duhet të nisemi.

Të ndërtojmë diçka të re

Me gëzimin e lindjes të vallëzojmë.

Botimet e shpeshta të poetit më sjellin në mendje se ky poet akoma se ka shfrytëzue deri në fund potencialin e tij krijues, akoma s’ka shterue energjitë e tij të brendshme që do të sajojë dimensione të reja artistike.

Para se ta mbyll, poetit i dëshiroj jetë të gjatë, shëndet e mbarësi, me shpresë  se do të kemi edhe libra të tjerë për ushqim mendjesh.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat