800 vjet shtet, çfarë apologjie!

Libra

800 vjet shtet, çfarë apologjie!

Nga: Dëfrim Cani Më: 20 maj 2017 Në ora: 07:53
Dëfrim Cani

Kur na kanë ardhur copa- copa këngët, rrëfimet për luftërat, emrat e burrave me plagë trupit, një hartë e mbushur me pellgje gjaku, themele kullash e qytetesh antike të mbetura rrënoja, kalendare kur përplaseshin perandoritë e ushtritë e tyre për jetë a vdekje, kur historia ka një pezulli hutimi e pa-aftësi për t’i zbuluar gjurmët tona, Azgan Haklaj rreket seriozisht me shpirt e me zemër, me zë e me hap të na “ri-kthejë” lisin 800 vjeçarë-arbër.

“Jam arbër- 800 vjet shtet”, përveçse është një dritësim i mrekullueshëm kulture e dinjiteti për një komb në zemër të gadishulli më emblematik të botës, në historinë e qytetërimit të tij, është një lloj apologjie e shenjtë për qytetërimin e vetëdijen e shqiptarëve, të cilët askush më shumë dhe më dhimbshëm se ata, nuk e ka bërë udhëtimin historik dramatikisht e tragjikisht. Përjetësisht skajeve të greminës, hap pas hapi për t’u zhdukur nga historia njerëzore, shekull pas shekulli në projektet e asimilimit të fqinjëve të tyre.

Azgan Haklaj duket se rishfaq në shekullin e Rendit të Ri një “protagonizëm” historik, atë të një luftëtari, që nga brezi në brez, nga epoka në epokë, nga lufta në luftë ne e kemi njohur nga epi popullorë. Një histori 800 vjeçare, e mbuluar me pluhur, me plagë, me kulla të rrëzuara e gurë të hedhur honeve, me deformime të kohë-paskohëshme në interpretimet historiografike e akademitë nacional- shoviniste, Haklaj kërkon ta “shkulë” nga thellësitë e errëta këtë epokë të ndritur, këtë lis të moçëm shqiptar, për të na e treguar neve, të ardhmes, miqëve dhe armiqëve të Shqipërisë.

Një punë që ngjan me restauratorët e qytetërimeve të lashta, që prej coprave, arrijnë të ndërtojnë epokat, qytetërimet, psikologjitë njerëzore, dijet dhe kulturën. Një punë e vështirë, të cilën deri më sot nuk kanë arritur ta bëjnë shteti i Shqipërisë dhe Kosovës, akademitë e shkencave, institucionet e dijes historike, por që duhet bërë patjetër. Këtë e ka kuptuar fare mirë ndjesia e thellë, intuita dhe pasioni për imazhin e vendit të tij Azgan Haklaj.

Azgan Haklaj është artist, njeh mirë politikën dhe historinë, është kulturolog dhe një atdhetar i sprovuar, e për këtë fakt, fuqia dhe energjia e tij e njohur kërkonte të mishërohej patjetër diku.

Jo pak njerëz vital, me kulturë dhe me dije e përdorin mirë fuqinë e tyre. Shqipëria vijon të jetë një vend problematik për promovimin e njerëzve të saj. Këtë e kanë provuar kohët e shkuara dhe kohët e sotme, dhe dëmet për këtë kanë qenë jo të pakta. Dhe Azgan Haklaj e ka kuptuar mirë këtë. Zgjidhja ishte ngritja e njërit prej forumeve më të mira që sot kanë trojet shqiptare, i njohur me emrin “Unioni Artistik i Kombit Shqiptar”, i cili pavarësisht vështirësive të njohura në Shqipëri ka arritur të mbijetojë.

Dhe pse termi “mbijetesë” më duket i dhimbshëm, unë mendoj se Shqipëria është vendi që ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër për promovim vlerash kulturore, historike, turistike, bashkëkohore, folklorike, etnografike dhe për më tepër, zgjimin dhe vënien në lëvizje të gjithë energjisë, përvojës dhe imazhit kombëtarë, në nyjet e kombit dhe në ngjarjet e shënuara të tij.

Azgan Halkaj është treguar i mençur dhe i zgjuar, jo vetëm pse forumit të tij “Unionit Artistik të Kombit Shqiptar” të njohur i ka dhënë realisht karakter kombëtar, por ai ka arritur të realizojë një përfshirje të madhe të forcave artistike, kulturore, të imazhit dhe emrat e njohur të tyre në evenimentet gjithëkombëtare.

Është një zgjidhje me mirësi të gjithanshme, pasi artisti don skenën dhe publikun, historia don nderimin e saj. Unioni i Azgan Haklajt e plotëson këtë. Unioni, të cilin e ka ideuar, krijuar dhe drejtuar “Mjeshtëri i Madh” Azgan Haklaj, duket se ka përmbushur jo vetëm hapësirën e brendëshme të autorit, por gjithë vokacionin kombëtarë, në të cilin është reflektuar një komunikim racional, i rëndësishëm dhe korrekt i shumë zhvillimeve politike, historike, kulturore dhe sociale të ndërsjellta. Në zhvillimet politike të Shqipërisë dhe të faktorit shqiptarë në Ballkan, ka pasur ngjarje, ulje- ngritje, probleme me demokracinë, probleme me fondamente të rëndësishme jetike, kështu që mediumi i “Unionit Artistik të Kombit Shqiptarë” ka qenë raportues, konsultues, bashkëpunues, përbashkues i kauzave të vërteta kombëtare, duke u ngritur mbi palët për arsyen e misionit të tij.

Pjesa më e madhe e këtij libri reflekton këto zhvillime, duke përbërë një akt qytetarë reflektimi dhe transparence, jo vetëm për Azgan Haklajn, por duke u treguar aktiv në zhvillimin dhe mbrojtjen e demokracisë. Mbrojtja e demokracisë është një akt sublimn, i shenjtë, një realitet dhe mundësi bashkëpunuese mes njerëzve dhe faktorëve të tjerë. Mendoj se për të kuptuar leximin e këtij libri, vërtetë interesant, më së pari duhet kuptuar metafora e tij, lënda e tij, e lançuar në mediumet më të hapura të komunikimit me zhvillimet dhe shoqërinë.
Libri ka dy kohë të rëndësishme, të cilat në një mënyrë apo formë të caktuar kërkojnë të plotësojnë njëra- tjetrën. Një kohë që nuk është, një kohë që vjen si një lloj simbolike dhe metafore literale dhe një kohë që është, por që nuk mund të jetë nëse nuk kupton atë kohën që nuk është.  

Pse ka vepruar kështu dhe kontekstualisht Azgan Haklaj?

Duket se autori ka një shqisë më shumë për t’i interpretuar gjërat.

Analizat, evenimentet kombëtare, të cilat janë prekur nga opinioni i Azgan Haklajt, mënyra se si ai i interpreton, motivet që e ushqejnë atë në një punë të përditshme dhe të pashterrshme, krijon një ide optimiste se, kombi shqiptar do të bëhet një ditë, ashtu si e duan dhe si është më mirë për shqiptarët. Në të vërtetë kështu thonë dhe patriotët, atdhetarët, njerëzit e të gjithë trojeve shqiptare që e duan këtë vend dhe këto troje, por Azgan Haklaj gjen fakte të rëndësishme, të cilët të gjithë i kemi ditur në një lloj njohjeje, por nuk kemi arritur t’i bëjmë bashkë.

Autori i librit “Jam arbër- 800 vjet shtet” e njeh mirë energjinë që ka pasur dhe vazhdojnë të kenë trojet shqiptare. Ai është nisur nga thellësia e shekujve dhe e historisë për të na folur për shtetin e arbërit, një nga zhvillimet më të rëndësishme në historinë tonë. E ne s’kemi pse të mos e besojmë Azgan Haklajn.

Vërej një kontinuitet të qëndrueshëm tek Azgan Haklaj, që domosdoshmërisht është i pranishëm në këtë libër në raport me kombin. Kombi është lartësi, identitet dhe krenari, por brenda këtij personi publik, ai ka një përhershmëri hyjnore, biologjike, shqisore dhe veprimtarie.

Shqisa e kombit është refleksive tek Azgan Haklaj dhe kur flet, dhe kur shkruan, dhe kur krenohet, dhe kur bie në mendime, dhe kur ka dhimbje, dhe kur ka gëzim. Kjo vendosje genetike ka një arsye njohëse prej autorit. Kur ai konsideron se jemi një shtet 800 vjeçarë, ka një shpjegim racional e shkrimorë.

Lexon me vëmendje analizat, përkujtimoret, situatat politike të spektrit politik shqiptar në Maqedoni, Malin e Zi, çështja Çame, ajo në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, baticat dhe zbaticat politike në shtetin shqiptar në Shqipëri dhe shtetin shqiptar në Kosovë, dhe autori pozicionohet në bazamentin historik të shqiptarëve. Konkretisht në të gjithë historinë shqiptare mbi 800 vjeçare, autori në vijimsi, deri në ditët tona, gjen dhe na propozon kaq shumë figura emblematike, që nga perandorë, papë, mbretër, guvernatorë, ushtarakë, dijetarë, filozofë, klerikë, nobelistë, luftëtarë, sa duket se shqiptarët e kanë ndërtuar këtë Ballkan dhe këtë Evropë.

Në çdo epokë, histori, në çdo ngjarje madhore të Evropës dhe Ballkanit, që nga kohët e lashta, Azgan Haklaj nxjerr nga errësirat dhe panteonet e kronikave të zverdhuna e arna-arna, që historiografia shqiptare s’na i ka thënë; prijës, udhëheqës, reformatorë, luftëtarë dhe klerikë shqiptarë, të cilët kanë vendosur ekuilibra apo kanë sjellë zhvillime progresive shoqërore. Shumë prej tyre nuk i dinë akoma shqiptarët.

Këtë pasuri dhe realitet historik- njerëzor, autori e ka ndërtuar funksionalisht në librin “Jam arbër- 800 vjet shtet”, përmes një vijimsie historike të kohëpaskohshme, për të ardhur në një rrjedhim logjik të zhvillimeve të sotme shqiptare, në të gjithë hapësirën etnike dhe problematikën e saj.

Jo se unë besoj të barazojmë Justinianin, shën Konstandinin, Aleksandrin e Madh, shën Jeronimin, Pirron, Skënderbeun, Priam Dardanin, Teutën, Nënë Terezën dhe gjithë “grigjën” e artë të figurave shqiptare, me Ali Pashë Gucinë, Oso Kukën, Bajram Currin, Azem Galicën, Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën, Ramush Haradinajn, Ali Ahmetin, por simbolika që Azgan Haklaj përdorë në kontekstet dhe zhvillimet shqiptare duket se merr vëmendje dhe krijon motive.

Libri “Jam arbër- 800 vjet shtet”, pavarësisht larmisë tematike, raportimit analitik të zhvillimeve shqiptare është një libër imazhi, pa e lënë në ndonjë rast dhe debatin apo kritikën. Historikisht shqiptarët kanë qenë populli më i neglizhuar mbi imazhin e tij. Azgan Haklaj është artist, e pavarësisht mjeteve, stilit, konceptit, mjeteve e ritmit që përdor lidhur me këtë çështje, çështja e kombit është shqetësim i kapshëm. Në mënyrën më të mirë të mundëshme, ai ka përdorur një medium të hapur, bashkëpunues dhe valorizues për një çështje të tillë.
Prezent në të gjithë hapësirën shqiptare, dialogu i hapur me historinë dhe njerëzit, duket si një mësim që shpjegohet thjeshtë nga mjeshtëria e një njeriu të ditur. Për ta njohur, dashur dhe nderuar kombin, nuk duhet domosdo të lexohen enciklopedira, duhen vetëm ca gjëra të domosdoshme, duhet vetëm sinqeritet dhe dashuri.

Libri “Jam arbër- 800 vjet shtet”, duket se i ka këto cilësi të nevojshme, që me një natyrshmëri korrekte të çon në thellësitë e kombit, prej të cilave qëndrojnë rrënjët tona të forta. Libri duket se është një mësim i urtë si ta duam kombin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat