Mbetet i gjallë kujtimi brezit të vitit 1966/67 të Shkollës Normale të Prishtinës

Libra

Mbetet i gjallë kujtimi brezit të vitit 1966/67 të Shkollës Normale të Prishtinës

Nga: Sadri Rexhepi Më: 26 maj 2017 Në ora: 18:02
Ish shkolla normale në Prishtinë

Sot në Prishtinë në ambientet e Hotelit ,,Sun House“, u bë promovimi i librit monografik me titull “50 Vjetori i gjeneratës i vitit1967 i Normalës të Prishtinës” nga autorët Prof. Abaz Osmani dhe Prof.Sejdi Gashi.  

Rreth këtij libri që i kushtohet 50 Vjetorit  të gjeneratës së Shkollës Normale në Prishtinë, mund të thuhet se libri përfshinë të dhëna, dokumente, faksimile dhe fotografi të ndryshme të kësaj gjenerate të pa harruar për arsimin shqiptar në Kosovë.

Koha kur u shkollua kjo gjeneratë ishte e rëndë për të gjithë shqiptarët, por veçanërisht për ata të cilët dëshironin ta rritnin nivelin e dijes dhe zgjërimin e njohurive.

Në këtë rast kjo vlen edhe për këtë gjeneratë të Normales së Prishtinës, sepse në krye të ish shtetit jugosllav qëndronte antishqiptari i tërbuar Aleksandër Rankoviqi. Pasi e lexova librin, vërejta se libri ishte punuar jashtëzakonisht mirë, me një stil të lartë, ku gërshetohej modeli i stilit të poetit, shkrimtarit, gazetarit e historianit.

Gjatë leximit u njoha me lëndën shumë të gjerë që ka libri monografik, por kjo tregon më së miri për punën e mundimshme,  por edhe shumë të suksesshme të autorëve Prof. Abaz Osmanit dhe Prof.Sejdi Gashit, për mbledhjen e materies me seriozitetin e hulumtuesve të vëmendshëm, lëndë bukur e gjerë për një monografi.

Në të vërtetë gjatë leximit të dorëshkrimit vërejta se autorët me zellin e madh prej intelektuali, kishin përshkruar shumë detaje, që në fakt bëjnë një histori, sikurse janë listat e të gjithë nxënësve, dokumentet që do të harroheshin nga koha, foto aq të rralla, por edhe aq shprehëse që do t’ia rrisin vlerën kësaj monografie.

Megjithatë, gjatë leximit të librit ndjeja një dhembje për të gjithë ata nxënës të kësaj gjenerate dhe shumicën e profesorëve që kanë vdekur.

Përmes këtij libri janë kujtuar dhe do të kujtohen edhe në të ardhmen të gjithë nxënësit e gjeneratës për të gjitha ato që ka bërë për ne, për arsimin, për kulturën, për ardhmërinë e Kosovës.

Së këndejmi, lexuesi shqiptar do ta ketë në dorë një libër me një  qasje shumë interesante, me shumë informacione dhe shumë të dhëna të befasishme. E kjo don të thotë, të gjithë lexuesit, si i riu, si i vjetri, si nxënsi, si mësuesi, si punëtori, si minatori, si poeti, si shkrimtari, si shkencëtari, si historian, si publicisti e si gazetari, do të kenë çfarë të marrin nga ky libër  monografik.

Ish nxënësit e gjeneratës pasi ta marrin në dorë dhe ta shfletojnë këtë libër monografik, do ta kujtojnë veten se si kanë qenë para 50 vjetësh, cilat ishin planet e tyre para 50 vjetësh, të gjithë kanë menduar së pari ku do të punësoheshin, në fshat apo në qytet, si do të dukeshin si mësues para nxënësve, si do të përpiqeshin që të shpjegojnë sa më mirë dhe të përgatitnin gjenerata sa më të afta, që kur të regjistrohen në fakultete, t’i mbarojnë me sukses dhe të orientohen në rrjedhat jetësore, shoqërore dhe shtetërore. 

Së këndejmi, me dëshirën më të madhe kjo gjeneratë ka dashur që diturinë që ka marrë nga profesorit e nderuar, ta transmetojnë apo më mirë të themi ta bartin tek gjeneratat e reja.  

Disa prej tyre kanë filluar dhe kanë mbaruar studimet në fakultetet e ndryshme të Universitetit të Prishtinës, e dikush prej tyre kthehet në këtë vatër diturie si mësimëdhënës, si bie fjala, Prof. Abaz Osmani, etj.

Me këtë rast them se Prof. Abaz Osmani bashkë me Prof.Ali Malokun, deri para pak kohe ishin ligjërues në disa kolegje private, të cilët dhanë një kontribut të çmueshëm në arsimin shqip në Kosovë.

Gjenerata e para 50 viteve e Shkollës Normale të Prishtinës kurrë nuk duhet t’i harrojë mësimdhënësit e nderurar dhe shumë të respektuar, si bie fjala, Rexhep Hoxha, Hazir Shala, Beqir Kastrati, Xhemail Pllana, Mitat Sahiti, Nexhat Ibrahimi, Shirin Hyseini, Bahri Bajrami etj. Dikush nga koj gjeneratë ka pasur deshirë të bëhet si Rexhep Hoxha por nuk ja kanë arritur.

Emër i njohur, sikurse është Rexhep Hoxha, njëri ndër shkrimtarët më të mirë andej e këndej kufirit shqitaro-shqiptar, me veprat e të cilit janë rritur me dhjetëra e dhjetëra gjenerata të tre milionë shqiptarëve.

Ata ndoshta kanë mund të bëhen si Hazir Shala, por nuk kanë arritur, sepse Hazir Shala ishte ndër intelektualët e parë në Kosovë që kundërshtoi haptas regjimin pushtues serbo-jugosllav e antishqiptar.

Si mësimdhënësit tjerë ndoshta kanë arritur të bëhen që të ligjërojnë bukur e mirë para nxënësve, por të bëhen patriotë me vepra ishte e vështirë. Megjithatë, çdo njëri prej tyre ka fatin të jetë i emocionuar, sepse ata kanë transformuar dijen dhe arsimin e popullit.

Kësaj gjenerate i takon një meritë e madhe që ka edukuar breza të shumtë në rrugën e ardhmërisë kombëtare shqiptare. Gjenerata bashkë me mësimdhënësit tjerë të Kosovës ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet e nëntëdhjeta kur ka mbajtur mësim pa asnjë lekë dhe ka dhënë kontribut që duhet të  shënohet me shkronja të arta në historinë e arsimit dhe çlirimit të Kosovës.

Dallim prej tyre bën Xheladin Gashi-Plaku, i cili periudhën okupuese dhjetëvjecare, sikur gjithë shqiptarët e përjetoi shumë rëndë. Me shpërthimin e spiralës së dhunës nga soldateska serbe, duke parë gjithë atë që ndodhte mbi popullin tonë, Xheladinit i lindi ideja që edhe ushtarakisht t’i bashkohet luftëtarëve të lirisë, duke u radhitur në ballë të forcave çlirimtare dhe duke iu bashkangjitur bijve dhe bijave më të dëshmuara të kombit tonë.

Ishte njëri ndër themeluesit e UÇK-së në Drenicë. Trimëria dhe heroizmi i Xheladinit ishte vazhdimësi e amanetit të Adem Jasharit dhe Zahir Pajazitit dhe shumë të tjerëve që u angazhuan për lirinë e Kosovës.

Botimi i librit dhe promovimi i monografisë së gjeneratës së para 50 vjetëve është një mirënjohje për të gjithë ata që sot janë gjallë dhe ata që kanë vdekur dhe që kanë dhënë kontribut në arsim, por edhe për ata të cilët që me kënaqësi do të ndiheshin në mesin tonë, por fati deshti që ata të mos jenë më në mesin e të gjallëve.

Edhe unë pata fatin që disa nga anëtarët e kësaj gjenerate të para 50 viteve t’i kam pasur mësimdhënës, kolegë pune dhe bashkëveprimtarë.

Kjo monografi duhet të shërbejë si model dhe nxitje për nisma të tilla, por me përgjegjësi e kompetencë shkencore si kjo. Së këndejmi, kështu si ju, duhet të veprojnë edhe gjeneratat tjera dhe secila gjeneratë duhet ta botojë një kësi lloj libri monografik, sepse vetëm kështu shkruhet historia e Shkollës  Normale të Prishtinës, vetëm kështu shkruhet historia e arsimit shqiptar në Kosovë.

Zonja e Zotrinj! Këtë shkrim po e përfundoj me një përurim tradicional shqiptar: Paçit shëndet dhe jetë të lumtur ju mësimdhënës bashkë me profesorët tuaj të dashur dhe të nderuar të gjeneratës së para 50 viteve që frymëzuat popullin shqiptar në rrugën e lirisë e të pavarësisë së Kosovës!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat