Këndi lirik i "Përtej syve" midis realitetit dhe idealitetit

Libra

Këndi lirik i "Përtej syve" midis realitetit dhe idealitetit

Nga: Prend Buzhala Më: 31 maj 2017 Në ora: 17:49
Kopertina e l i "Përtej syve"

Poeti i beson poezisë, prandaj edhe e krijon. Njeriu është dhe qenie krijuese, dhe, së këndejmi, e vë jetën e tij në krijimin e tij artistik, pikërisht pse dëshiron ta ndjejë pulsin e jetës, ta ndjejë në hapësirat e saj të gjera, të pakufi, universale. Të jetë në harmoni me të gjithë dhe të jetë në raporte njerëzore me të gjithë. Këso pulsimesh të zgjojnë vargjet e Përparim Blakajt te libri “Përtej syve”.

1. Semantika lirike e shikimit

Përse poetit i pëlqen ta pagëzojë librin e tij me sintagmën lirike "Përtej syve"? Te syri shënjohet pafajësia:

Më lër të të shoh se si buzëqesh,

se si shikon qiellin me ngjyrën blu, si të syve të tu.

Herë-herë këta sy këndohen si lot i dhimbjes e i pikëllimit (“Atje ku vihet dashuria në pah, nuk ekziston,. kur sytë lotojnë pa dashuri”), shpeshherë i mallit të dashurisë, i rrahjes së zemrës a i gjakimit për të bukurën (“Mos qaj syri im, nuk e meriton lotin ti o i bukur”, apo: “mos më zgjo nga kjo ndjenjë, melodi./më puth në mes të dy syve të mi”), herën tjetër i butësisë (“t’i dua sytë që flasin butësisht”) apo i zemërimit (“të pëlcas e të mos pushojë syri im”), ose për të epitetizuar trimërinë dhe burrërinë ("Sy të patrembur, burrëri").

Por nganjëherë poeti arrin të depërtojë përtej këtij shikimi që kap horizontin e jetës ("Sytë e mi shkëlqyen nga pafundësia"). Shënjohen, kësisoj, dhe situatat emocionale e refleksive me syrin e mendjes apo me syrin e zemrës, kur këto gjendje kundrim-vëzhgimi pikëzohen emocioni dhe arsyeja:

ishte ti, nuk e dëgjove me syrin e zemrës (...)

me syrin e mendjes bërtas...

Zemra është emocioni, syri është shenjë e arsyes, racionalitetit. Përtej këtij shikimi krijuesi letrar kërkon lumturinë, kur i shijon përvojat e hidhëta, apo kur është i prekur e mposhtur nga malli a dhimbja, të ngrihet në këmbë. Mirëpo, poeti e hedh shikimin e tij në jetën përreth, dhe nuk mund të kalojë pranë një njeriu a familjeje, që goditet nga socialiteti i rëndë i realitetit, apo varfërisë, diku nga rrethanat mizore të luftës apo nga veprimet e pashpirta të shoqërisë njerëzore:

Jeta më dha një shuplakë të fortë,

më rrëzoi me kokë e më bëri të qaj.

Nuk më dha shpresë të jetoja dot,

E shpeshherë sytë mi mbushi me vaj.

Këndshikimi a syri i tillë vëzhgues, pajiset me vetëdijen për situatën, për jetën dhe për gjërat që e rrethojnë, që i ndien, dhe e shtrëngojnë të shohë më qartë, të ndiej më mirë, të meditojnë më saktë e më thellë se ç'hidhet shikimi në të parën herë... Mbase, sintagma lirike-refleksive "përtej syve" na drejton dhe në një kundrim tjetër reflektimi: a varet jeta jonë nga këndshikimi i gjërave në horizontin që ka shikimi?

A varet gjithçka vetëm nga ajo që shohim?

Sigurisht që poeti nuk është i mendimit që gjithnjë ta përjetojmë dhe shijojmë vetëm hidhësinë a të ligën, për ta parë se ç'është e mira dhe e bukura, lumturia dhe mirësia. Së këndejmi, ky këndshikim, këta sy, ndiejnë më bukur e përjetojnë më thellë, kur këndon me pasion për dashurinë, për situatat herë të gëzuara e herë dramatike të përjetimit të këtij emocioni të bukur dashuror. Folësi lirik (ky folës a personazh lirik është ideografi poetike autoriale), sikur pajiset edhe me një prirje tjetër: njeriu ka nevojë të ketë diçka më shumë, të veprojë diçka më shumë.

A thua, duke e disiplinuar veten, dhe duke i nxjerrë vetes pengesa, a mos jeton me të njëjtat gabime nëpër vite e mileniume? Poeti nuk ngarkohet me këtë barrë kaq të rëndë meditimi:

I tillë është njeriu gjithnjë e gjithmonë, kënaqet, kërkon, por edhe e detyron vetën në shtrëngesë-ndalime të tilla...

Dhe gjithnjë, shpesh i pakënaqur me ato që i ka. Ashtu si ta dikton dialektika e jetës dhe drama e dashurisë. Prandaj, sado që të duket sikur lexon një kërkim të këndshikimit ideal, të idealitetit të jetës, përsosmërisë, sado që kërkon ta jetojë atë rreth vështrimi "përtej syve", megjithatë ai jeton brenda këtij shikimi, brenda këtij realiteti, nga njëra anë, dhe mediton për ato gjëra sublime a vlera që mungojnë, nga ana tjetër.

2. Besimi te krijimi poetik

Poeti ka dhe një besim tjetër te krijimi poetik. Krijon të jetë afër të tjerëve, të mos jetë i vetmuar. Duke e kërkuar këtë harmoni, të vërtetën, duke gërmuar në njohjen e ejtës e të realitetit, deri te realiteti suprem hyjnor; ai dëshiron të qëndrojë sa më afër pikërisht ndaj këtyre vlerave, të vërtetës, dashurisë, jetës, së bukurës, dhe, gjithsesi, edhe përjetimit intim të vlerave hyjnore.

Këndimi i të vërtetave të përhershme e të amshueshme, sado banale qofshin, ato mbesin të vërteta të vazhdueshme e të rëndësishme, dhe është lirika ajo që u jep zë, vjelë thesaret e urtisë së përjetshme.

Kur poeti i këndon dashurisë: "me mall, me mall, poezia është vaji i poetit", gjithsesi, që i tërë ky vëllim poetik frekuentohet më së shpeshti nga fjalët mall, dashuri, poezi, e, mandej, vijnë dhe fjalët e besimit, Zotit, mëkatit, të vërtetës, mirësisë etj. etj.

Jojo Moyes, një gazetare angleze, thotë. “Një njeri i urtë më tha se shkrimi përbën një rrezik, për shkak se nuk je të jesh gjithnjë I sigurt që fjalët tua do të kuptohen drejt, prandaj do shkruaj drejtpërdrejt. Dëshiroj të flas me ty, deri sat ë mos kemi më zë, dhe deri sa më nuk mund të flasim.”

Dhe ligjërimi poetik i Përparimit nuk pikësynon labirintet meditative të thënies a të figuracionit. Jo, ai dëshiron të ligjërojë haptas, përzemërsisht, butësisht, këshillueshëm, qortueshëm e vetëqortueshëm ndonjëherë.

Kur poezia merr karakter këshillues të paimpoueshëm, aty ku lulëzojnë vlerat etik, duket sikur humb nga spontaniteti i saj, sikur bie në didaktizëm. Por e ruan sensin e masës edhe në këso rastesh, sepse lirika kadhe kërkesat e e saj artistike.

Sado që njerëzi gjatë jetës së tyre kërkojnë shumë gjëra nga më të ndryshmet, shfaqin dëshira të ndryshme, kanë qëllime, mendime e veprime të ndryshme; gjërat që ti i konsideron të shenjta, tjetri i përbuz, madje as që i vlerëson, duke i konsideruar përjetësisht të huaja, duke mos e njohur njëri-tjetrin, - megjithatë, te bota e poezisë secili afrohet e bashkohet, secili në vetvete e ka poezinë ë e tij.

O Zot, faleminderit

sot flas shqip e vuaj shqip

Zemra qan bijtë e Shqipërisë

të bashkuar, jetojmë çdo ditë.

Nuk është e habitshme, prandaj, përse në fjalorin e tij poetik frekuenton dhe fjala mëkat, kund e kund ndonjë poezi i kushtohet kësaj kategorie të borës etike: ("Kur të mbulohem plot me mëkate,/ dhe trupi të peshojë nga to, tonelata,"), ai sikur dëshiron ta dëgjojë edhe zërin tjetër, posaçërisht atë hyjnor: ("fale këtë robin tënd mëkatar, të shkretë"). Sokrati antik do të thoshte: "Mos i konsidero besnikë ata besimtarë që i lavdërojnë dhe vlerësojnë të gjitha fjalët dhe veprimet tua, por ata të cilët në mirëbesim të qortojnë për shkak të gabimeve tua."

Ngjashëm, duke e kontrolluar emocionin e tij, shkruan edhe Përparimi:

Fjalët e tua nuk janë e vërteta ime,

qofshin lavdërime apo paragjykim,

qofsha unë i mirë apo aq i lig,

qofsha i pasur apo i skamur, i fiktë.

Këtij racionaliteti i shkon edhe përpjekja e peotit që

para gjithçkaje , e parapëlqen të vërtetën:

nëse ikin nga e vërteta, prore, dorëzohem.

Dorëzimi është domethënës: nuk mund ta ndihmosh dikë që gjendet në hall, kur ai nuk dëshiron ta shohë ku ka rënë, kur realitetin e sheh me sy të verbër...

3. Poetika: imazhi jetësor dhe paradigma muzikore e lirikës

Duke e krijuar poezinë me anë të ritmit dhe rimës, dhe duke përsëritur shpesh formula vargjesh me semantemën mall, vargje të paradigmës muzikore ("mall sot ndjeva,", "Sonte të kujtova, ndjeva mall!", "ndjeva mall e u dogja përbrenda"), kjo do të thotë se ai poezinë e konsideron një lloj muzike, të cilën duhet ta dëgjosh që ta përjetosh.

Kësisoj, sikur muzat e artit ecin dorë për dore: muza e poezisë e kërkon atë të muzikës, kurse muza e imazheve nga jeta dhe pamjeve (figurative) u bashkëngjitet për t'i dhënë një plotni të realizuar lirikës. Te poezia krijuesi i ri i bashkon të gjitha rrjedhat e  frymëzimeve ("Brenda meje rrjedh një mal dëshirash,/një oqean ëndrrash"), i bashkon gjërat që do, qeniet më të dashura, që nga nëna e deri te e dashura, që nga miqësia e deri te paqja dhe harmonia, që nga dëshirat e deri te betejat për jetën.

Lirikë pa këndim emocional, nuk ka, prandaj ajo është zhanër i botës së brendshme. Por poetët, duke u dhënë edhe tek temat e këndimit filozofik mbi jetën, i drejtohen arsyes, si të vetmit reagens motivues për të gjitha qeniet njerëzore (përmendet shpesh dhe kjo leksemë), por, megjithatë, njeriu ka dhe botën e tij të brendshme, vulën e personalitetit të tij të papërsëritshëm, ka natyrën e tij dhe dashurinë e tij... dhe, së këndejmi, është poezia ajo që lëshon thirrmën e saj për t'i bashkuar njerëzit, për ta përafruar me qenien që do. Dhe, mbi të gjitha, për ta shquar mjeshtërinë e krijimit.

Do theksuar se ky vëllim poetik ka një larmi motivesh e këndimesh lirike, ka një botë të pasur emocionale, me pikësynime për ta pasuruar gjithnjë e më shumë dhe nga ana meditative. Të mos harrojmë: poezia, në radhë të parë, është lirikë, kurse përmasa e saj krijuese-artistike, përbëhet nga lirizmi, që u këndon ndjesive, shqetësimeve, dëshirave e përjetimeve të tjera (çasteve të gëzuara, të menduara, ndjesisë së atdhedashurisë, historisë apo femrës). Dhe poezitë e Përparimit, në këso rastesh, dalin më lirike, më të ndjera, më të realizuara. I ndërgjegjshëm për këtë kërkesë të poezisë, prandaj ai ato i krijon me varg të lidhur, me ritëm e me rimë, kur krijohet ndjesia e përjetimit të jehonave e tingëllimeve me ëmbëlsi lirike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat