Fryma e dashurisë dhe nostalgjia si çasje universale dhe përqueshmëri e mesazhit

Libra

Fryma e dashurisë dhe nostalgjia si çasje universale dhe përqueshmëri e mesazhit

Xheladin MJEKU Nga Xheladin MJEKU Më 16 qershor 2017 Në ora: 05:27
Kopertina e librit

Të shumtë janë lexues, krijues e studiues të letërsisë që kanë shkruar për poezinë e Agim Vincës që nga paraqitjet e saj të para në shtypin e kohës. Edhe tash vazhdojnë të shkruajnë e shpalosin mendime për këtë poezi, por asnjëherë nuk ia kanë arritur ta thonë mendimin dhe vlerësimin shterrues për këtë krijimtari poetike, meqë edhe vetë vargu i poetit nuk shterron për asnjë çast.

 Agim Vinca i takon brezit të krijuesve nga më të frytshmit, me bagazh të madh botimesh në poezi, studime e publicistikë, duke i dhuruar kulturës, artit dhe shkencës vlera të padiskutueshme. Veçanërisht vlerësohet lart puna e tij prej pedagogu për më shumë se katër dekada, ku i dha jetë pjesës më të bukur të letërsisë, duke e ligjëruar varg për varg e autor pas autori, që ta kemi sa më të kompletuar dhe të përfaqësuar Mbretëreshën e fjalës së bukur me dell homerian.

Shtrirje konceptuale nëpër kohë

Agim Vinca vjen me librin e tij të radhës, duke sjellur të përmbledhura “Lëmsh” poezitë e tij, për t’i zbërthyer fije-fije, i shtrënguar të ballafaqohet me ngjarje e situata që nganjëherë ia trazojnë ëndrrat e bukura  dhe e rikthejnë në “Nostalgji për kohërat e rrezikshme”, gjithnjë duke  tërhequr diagonale mes kohërash dhe për të kujtuar ndryshimet, që këtu shpeshherë i dalin me dallime të vogla, të veshura me petk tjetër, të pispillosura, po fare pak të pranueshme si vlera të një shoqërie në transformim e sipër. 

Nga dëshira për ta argumentuar sa më bindshëm me dëshmi e mbresa të bukura edhe periudhën e pasluftës, poeti i qaset trajtimit të socializimit të vendlindjes krah ndryshimeve dhe zhvillime të shpejta të vendeve tjera në perspektivën bashkëkohore. Në këtë frymë vjen poezia “Takim me vendlindjen, ku gjithçka ka ndryshuar në mënyrën moderne. Poeti e rikujton të kaluarën e fëmijërisë në fshatin e tij, duke e përshkruar me pedantëri edhe të tashmen: “E ikin vitet, medet, medet/ Mallin e derdhim në internet/ Në internet, faks e fejsbuk/ Nuk ka më sofër, po fast food?” (fq. 11). Të tilla poezi janë edhe: “Romancë vere”, “Lisi i Vojnicës”, e ndonjë tjetër, ku bashkëveprojnë e kaluara zakonore, traditat dhe e tashmja e ndryshimeve të mëdha, duke ndjekur hapin e kohës, por gjithnjë e brumosur nga “Nostalgjia…” që herë vjen e bukur, herë si një kujtim i hidhur, që ka lënë vërragë në kujtesën e poetit, për ta shtjelluar përmes vargut të tij  si krahasim i rrjedhojave historike të përjetuara e jetuara gjithandej. Poaq i përkushtuar është vargu i Vincës edhe kur i kujton motrat, (“Motrat”, “Elegji për motrën”), ku dashuria, dhimbja dhe kujtesa e pashlyer në mendjet e poetit sikur kanë një lidhshmëri të pandryshuar për asnjë çast. Pasqyrimin e rrjedhave historike të të parëve të vendlindjes, Vincës së tij të bukur dhe poaq edhe të dashur, e sjell këtu me Apokrifin për Marko Këqezën “Këngë për të parin e fisit”, që nis me përshkrimin e shtrirjes gjeografike të vendlindjes së tij “Në defterin osmanlli/ Shkruan qartë, me bojë të zezë/ N’Dibër t’Poshtme, përmbi Dri’/ Kish një fshat me emrin Vincë.” (fq. 25), për ta kujtuar zhvillimin e familjes nga i pari i fisit, si shprehet poeti: “Tund mustakun, dredh ciagren/ Ngjesh kësulën përmbi sy./ Mark Këqeza eshtërmadh/ Nga një shpi bëhet një mijë”, (po aty).    

Veçohet, sidomos Triptiku poetik “Tri këngë për Marinin”, duke takuar këtu tri periudhat  historike të prezencës së këtij emri, që pasqyrojnë lidhjen e fuqishme të gjakut dhe ruajtjen e traditës sonë nëpër shekuj. Edhepse i lindur në Amerikën e largët, nipi i tij ka tiparet e një burri që u gjason Vincajve, por “Lajmi për ardhjen tënde në jetë/ u përhap rrufeshëm në  Internet”, do ta përshkruan këtë veçori poeti, duke aluduar në ndryshimet e zakoneve të vjetra ku shkrepej pushkë për gëzime të tilla. “Sa shumë Marinë paskësh përkundur nëna Shqipëri!/ Barleti, Beçikemi, Sirdani…Burra me nam./ Emra që s’shuhen dot ndër brezni!”, për ta portretizuar   nipin e tij me poaq tipare të tyre, të përcjellura edhe në brezat e rinjë. “Po ti që emrin Marin ta dhamë”/ U bëfsh i urtë e trim si emnakët e tu, Marinët e vjetër,/ dhe bir besnik i vendit tënd, patjetër!/ Marin i  Vincajve…” (“Marinët e historisë”, fq. 34).       

Kujtesa dhe dashuria për një kohë të kaluar, ku ikja e shokëve, thinjat e pleqërisë, shijimi i bukës dhe sarajlitë e shijshme të qytetit të fëmijërisë dhe rinisë së hershme, deri edhe kujtimet e gjyshit nga Tetova, vijnë të latuara bukur nga liriku i devotshëm Agim Vinca, tek poezitë: “Notesi”, “Pleqëri pa thinja”, “Kornizë e, zverdhur”, “Sarajlitë e Strugës” dhe “Duf shekujsh”, duke skalitur mjeshtërisht  vulën e asaj periudhe kohore që e jetoi edhe poeti në vendlindjen e tij. Në ato rrethana kohore u rrit dhe u burrërua me bashkëmoshatarët e tij, që secili në mënyrën e vet po bënin hapat e parë të jetës, me synimin drejt një të ardhme më të ndritur. Mbase, peisazhe të bukura nga e kaluara e vendlindjes së poetit ravijëzojnë pashlyeshëm edhe shumë karakteristika të atij ambienti jetësor plot vlera tradicionale, që e portretizojnë njeriun autokton, me doket dhe zakonet e ruajtura gjatë shekujve.

Agim Vinca nuk harron të takoj edhe bashkudhëtarët e tij, poetët, me të cilët çmallet përmes vargjeve dhe kujtimit për ta. Këtë komunitet të veçantë dhe nga më të dashurit, i takon gjithandej bulevardeve të qyteteve të ndryshme ku sogjojnë kaltërsitë e vendlindjes, diellin që rrezaton bukuritë natyrore të vendit, gatishmërinë e përhershme për t’i bërë roje atdheut, etj. për të frymëzuar parreshtur breza krijuesish kurdo që ndodhen përballë tyre. “Poeti me kone”, “E unë as cuc nuk kam!”, “Adieu, adash!’, “Elegji për Ndoc Gjetjen”, portretizojnë disa nga emrat që pikas pena e Vincës, si: Lasgush Poradecin, Ndoc Gjetjen, Agim Devën, që poaq i ndërlidh me dhimbjet, jetën dhe veprimet e tyre me Eseninin, Nerudën, Brodskin, etj. për t’i përjetësuar përmes vargjesh deri në pavdekshmëri.

 “Shamia” për poetin nuk është veç një petk i rëndomtë ashtu si trajtohet në përditshëri. Ai e gjen atë edhe në kohërat “ende pa dalë Bibël e Kuran”, për ta ndërlidhur fuqishëm me motivin e dashurisë së çiltër, ku: “Më trimat rrëmbenin shaminë,/ Tok me të bukurën./ Dhe digjnin shaminë e beqarit/ Në natën plot vezullimë” (po aty, fq. 95). Vargje të tilla ku shpaloset e kaluara me karakteristikat e dokeve dhe zakoneve, veshjeve autoktone, këngëve nga melosi burimor, etj.  gjithsesi do t’i kemi takuar edhe në krijimtarinë e mëhershme të autorit, meqë ai për asnjë çast nuk e ndanë këtë pjesë, sa të bukur, poaq edhe të veçantë, pa të cilën nuk mund të mendohej jeta e begatë kulturore, e  dashuria njerëzore, si elemente qenësore për një popull me tradita të lashta kulturore.

Fjala e tij poetike është aty ku koha lë gjurmë të pashlyeshme, aty ku plagët e njerëzve hallemëdhenjë duhet kuruar me të gjitha mjetet e mundshme, qoftë edhe me vargun lirik. Krahas kësaj, nostalgjia për të bukurën, për atdheun dhe lirinë e shumëpritur nuk ka të mbaruar për asnjë çast. Kjo, për pasojë të një kohe, ndonëse ekziston një liri e fituar, poeti në vazhdimësi e kërkon shpjegimin kuptimplotë të saj, duke kujtuar se “Jetoj në vendin ku liria ende është emër kuptimi” (“Ky vend…” fq. 50), për ta shprehur edhe më tutje këtë shqetësim, që e takojmë edhe në poezitë: “Monolog i të rënëve në Reçak”, “Certifikata e lindjes”, “Grafit në bulevard”, etj. I saktë në vlerësime dhe i rreptë në kundërvënje veprimeve të papranueshme, Vinca mbetet i pandryshueshëm, gjithnjë duke shtruar problemin në rrafshin e veprimeve të mirëkuptimit dhe ndërgjegjësimit njerëzor.

Rebelimi, ironia dhe sarkazma, ashtu si nuk i takojmë te autorët tjerë

Pegasi poetik i Agim Vincës nuk ndalon asnjëherë. Ai shtrinë krahët gjithandej, sogjetar dhe vigjilentë në çdo lëvizje, ndryshim dhe arritje të atdheut të tij, pa mos u pajtuar asnjëherë me  veprime e vese të njerëzve të kategorive të ndryshme, sidomos atyre që bëjnë politikën e  pasçlirimit, kryesisht “njerëz misterioz me xhipa të zinj”, që për interesat edhe përfitimet ditore bëjnë veprime nga më befasueset, duke sjellur “Çdo ditë në mëngjes posa hapi sytë/ Te dera e shtëpisë sime në katin e dytë” gjithçka i duhet e nuk i duhet njeriut me çmime të ulta, pa prejardhje dhe plotësisht të dyshimta, poaq sa është e dyshimtë edhe mundësia e organizimit të sigurtë të jetës në një vend të tillë, “Ku jetojnë europianë të rinj të papunë,/ Pleq pa pension/ Amvisa pa shportë”, etj. për ta rikthyer kujtesën në një kohë ku rreziku ishte më afër se këmisha në trup, po shpresat na mbanin gjallë e energjik për ardhmërinë, si komb i një qytetërimi të lashtë. Sa ka të drejtë ta shpreh këtë nostalgji autori e argumentojnë edhe vargjet e poezisë, sipas së cilës emërtohet edhe përmbledhja poetike “Nostalgji për kohërat e rrezikshme”:    

“Në Kosovën tonë të lirë e demokratike!

Eci rrugës fillikat

“Mjekërbardhë si Babadimri

Dhe befas më merr malli për kohërat e rrezikshme

Kur në mëngjes te dera e shtëpisë

Gjeja fletushkën ilegale “Çlirimi!”!

 (Po aty, fq. 85)

Rebelizmi në poezinë e Vincës është i pranishëm pothuajse në çdo përmbledhje të tij poetike.  Edhe këtu nuk është anashkaluar kjo frymë, prej nga autori shpërfaq fuqishëm revoltën dhe papajtueshmërinë e tij me të keqen, intrigën, me antivlerën që sa vie e i imponohet këtij njeriu të vuajtur e plot halle. Me këtë tematikë veçohet, sidomos poezia “Përse, Madhëri?”, ku shquhet për trajtimin interesant të krahasimit mes popullit tonë të dëshmuar si liridashës dhe pjestarëve të kancelarive evropiane, të cilët luajnë lojëra të dyfishta. Derisa në vendet e tyre i kanë të mbushura përplot bulevardet e sheshet me emra e statuja gjeneralësh, ushtarësh e heronjësh, para të cilëve falen si para altarit në festa e data të shënuara, për të njëjtat veprime na sugjerojnë anashkalimin e figurave të  lavdisë kombëtare e deri edhe në harresën e përhershme të së kaluarës historike. Në fakt, kjo poezi shquhet për mënyrën e sugjerimeve të vazhdueshme për ndryshimin e shoqërisë që është katandisur rrugëve të interesave të ngushta, duke u dhënë kurajo për ardhmërinë e ëndërruar me shekuj.

Kur ndodhet “Te Ura e Ibrit në Mitrovicë” poeti ndihet në mes dy botërave, që ia kujtojnë një periudhë jo edhe aq të largët, ku “Gjysma e qytetit prapë serbisht/ Dhe gjysma tjetër shqip” (fq. 97). Por as me këtë rast nuk i humb shpresat, përkundër gjendjes që takon aty, e me bindjen se kjo është e përkohshme, duke rikthyer sërish besimin, apo duke ngushëlluar veten; ndjenta të përziera në situata të tilla, por, megjithatë e mban optimizmi për një të ardhme, se: “E Ibri rrjedh ngadalë si përherë/ Poshtë urës që lidh brigjet e tij” (po aty, fq. 97). Dashuria dhe dhimbja këtu gërshetohen fuqishëm. Kjo ngjarje nga më të veçantat dhe me ndjeshmëri të padiskutueshme bën që shqetësimet të jenë të përhershme, por gjithnjë duke reflektuar një shkëndi shprese, se një ditë do të triumfoj e vërteta historike.  

Agim Vinca, tashmë i dëshmuar prej vitesh, me vargun e tij lirik bredh gjithandej në çdo cep të atdheut, si një bletë e vyer, për të mbledhur sa më shumë nektar për lule-poezitë e tij, që pastaj t’i qerash me atë ëmbëlsirë shpirtërore adhuruesit e fjalës poetike. Sikur aparati i fotografit profesionist, pena e tij parreshtur kap pamje nga më të veçuarat, për t’i përjetësuar në vargun plot gurgullimë lirikash, që pastaj të mbesin dëshmi kohe për brezat që vijnë. Këtu, veçohet sidomos  poezia “Provim (2). Riprovim”, një katrenë që prek dy kohëra, poashtu të jetuara e që ndërlidhen me njëra-tjetrën për shumë arësye. Derisa, siq e shpjegon edhe autori në fusnotën poshtë poezisë, ndërlidhjen e kësaj poezie, me të njëjtin titull, por me ndryshime të mëdha, meqë në kohën e luftës së 1999-tës “Salla gjysmë e zbrazët. Pak student/ Cerberë në postblloqe rrugës për Prishtinë/ Mungon Drenica e Dukagjini…/ Tani atje jepet tjetër provim”, në versionin e pasluftës, kjo poezi vjen me trajtimin e aktualitetit të ri, ku në po atë “Sallë përplot studentë. Të gjithë me celularë/, E fletëza kopjesh në gji e ndër shalë…/ Në rrugë njerëz e makina, zhurmë e uturimë. / Në sytë e poetit në mur - pikëllim…” (fq. 99). Këtu, si askund tjetër, pasqyrohet jeta në prizmin e kohës nga dy kënde të ndryshme, por me të njëjtin qëllim-mbijetesën dhe kapërcimin e asaj situate plot dhimbje, për ta rinisur pastaj nga e para në periudhën e pasçlirimit. Por, pavarësisht ndryshimeve,  në shpirtin e poetit përsëri diçka nuk shkon mirë. Ai e shpreh me një varg të  vetëm atë pikëllim, për të krijuar hapësirë të mendohet se, vallë ka ngelur ende punë për ta arsyetuar atë sakrificë njerëzore që brezat e ardhshëm të kenë sa më shumë mundësi të shprehin  vlerat e punës së tyre, që ta kurorëzojnë mundin me suksese dhe të hapin horizonte të reja të zhvillimit të këtij vendi të vuajtur e persekutuar nëpër shekuj. Besnik Mustafaj me plot të drejtë shprehet se “Agim Vinca është poet që e ka jetuar dramën e popullit të vet dhe ka gjetur gjuhën universale për ta shprehur atë”. Ky vlerësim i qëndron saktë kësaj poezie, por jo vetëm. Me tematikë të tillë janë trajtuar edhe shumë poezi tjera, që i takojmë, jo vetëm në këtë përmbledhje, meqë poeti  është i mishëruar me jetën, me vuajtjet, synimet dhe vlerat e popullit të tij. Edhe lirikat, si: “Soditje nga ballkoni”, “Përrallëz vjeshte”, “Kambanë në qafë” e ndonjë tjetër, paraqesin situata të ndieshme, të ndërtuara mbi realitetet tona, pavarësisht sajesave të mundshme letraro-artistike, që bashkudhëtojnë me botën reale, me dhimbjen, dëshirën për rizgjimin dhe vetëdijësimin e njeriut të tij shekullor.

  Agim Vinca, jo pa qëllim të caktuar e vendos poezinë “Ujk i vetmuar” si epilog i kësaj tërësie  poetike. Në atë vetmi ai e gjen veten e tij pa ndonjë përkrahës të denjë në rrugëtimin drejt ndryshimeve të domosdoshme të shoqërisë. Kjo shpërfillje e vazhdueshme vjen si pasojë e transformimeve të mëdha, por duke qëndruar larg nga realiteti i botës demokratike, që gjithnjë e më shpesh po përdoret si skenë prapa të cilës fshihen aktorët keqbërës dhe devijuesit e stërvitur të vlerave për të cilat synohej në vazhdimësi në këtë nënqiell liridashës. Këtu ndalon fryma e poetit, për ta shprehur kundërshtimin e tij rebelues, meqë ai me vrojtimin prej vizionari nuk duron që para syve të botës të luhen skena e role që nuk korrespondojnë me qëllimet sublime të popullit të tij. Mbase do të ketë bashkudhëtar në çasjen drejtë të ngjarjeve e fenomeneve të shoqërisë, për të krijuar pasqyrimin real të një jete të re dhe meritore për njeriun e përvuajtur të këtij nënqielli.

Epilogu, apo fuqia e shprehjes së mendimit poetik

Për asnjë çast nuk mund të arrihet ndonjë përkufizim a përmbyllje shterruese për poezinë e Vincës. Kështu,  semantika e vargut, figuracioni, shumësia e metaforave, e sidomos toponime e mikrotoponime të shumta që pasqyrojnë edhe shtrirjen gjeografike të kësaj poezie gjithandej etnikumit kombëtar dhe çiltërsia e gjuhës komunikative me lexuesin, nuk mund të kontestohen asnjëherë në krijimtarinë poetike të tij. Të gjitha këto elemente të gërshetuara në mënyrë mjeshtrore dëshmojnë bindshëm se kemi të bëjmë me një ndërtim të qëndrueshëm artistiko-stilistik të kësaj poezie. Kjo veprimtari poetike vjen si freski shpirtërore; vjen si shkollë intensive ku mësohet në vazhdimësi të shkruarit bukur të poezisë dhe komunikimi i pashkëputshëm e spontan mes lexuesit dhe përfaqësimit tematiko-motivor të artshkrimit të kësaj gjinie letrare.

Përqueshmeria e mesazhit tek receptuesi dhe çasja universale - tematike me motivacione të ndryshme e bëjnë poezinë e Agim Vincës sa të njohur, poaq edhe të dëshiruar për adhuruesin e fjalës së bukur artistike përtej shtrirjes sonë gjeografike, me rrezatim të gjërë të përmasave evropiane, si bashkudhëtare e denjë me zhvillimet e poezisë botërore, gjithandej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat