Vëllimi poetik “Sandokani rron”-monument letrar për dëshmorin e lirisë, Abedin Rexha

Libra

Vëllimi poetik “Sandokani rron”-monument letrar për dëshmorin e lirisë, Abedin Rexha

Nga: Rrahman Hyseni Më: 21 qershor 2017 Në ora: 17:38
“Sandokani rron”

Gjeneratës së poetëve bashkëkohorë shqiptarë i takon edhe poeti i talentuar nga Podujeva, Zymer Mehani.

Stili i këtij poeti shpeshherë e tejkalon dhe e trandë melodinë e qetë dhe ndjenjat subtile të vizionit të tij poetik dhe me plot arsye ky poet sot, prej shumë poetësh quhet “poeti i dëshmorëve”, e disa të tjerë do ta quajnë edhe “këngëtari i atdheut”.

Me të gjitha përmbledhjet e deritanishme- “Gjuha e truallit tonë”, “Jeho, këngë shqiptare!”,”Gjithçka ke, atdhe”, “Yje të qiellit tim” etj., ky krijues dha dhe po jep  kontribut në drejtim të pasurimit cilësor dhe sasior të  poezisë shqipe në përgjithësi, veçmas të poezisë sonë që krijohet  në Kosovë.

Edhe pse vargjet e poetit Zymer Mehani janë herë të gjata e herë të shkurtra, prore ato janë të përmbushura me plot eksplozivitet. Poeti është jo vetëm “këngëtar i atdheut”, por edhe ndërtuesi tij, e këtë më së miri e dëshmon ky vëllim përkushtues për luftëtarin e lirisë, Komandantin Abedin REXHA, që është libri i dhjetë me radhë nga opusi i tij krijues.

Sikur edhe në vëllimet e tjera poetike, edhe në përmbledhjen më të re “Sandokani rron” poeti Zymer Mehani  ka sjellë kryesisht poezi atdhetare, kësaj radhe kushtuar  dëshmori të kombit, Komandantit Abedin Rexha dhe bashkluftëtarëve të tij.  Preokupimet e veta pra, poeti i paraqet në dritën e zhvillimit të poezisë atdhetare.

Duke qenë kështu, ky poet në përmbledhjen “Sandokani rron” shpërthen me dufin e tij atdhetar, duke thurë vargje për heroin e tij dhe të të gjithë shqiptarëve.

Edhe në këtë vëllim poetik, poeti Zymer Mehani na shfaqet si poet “mjekues i plagëve” të shpirtit të plagosur dhe të trazuar të kombit.

Në poezitë e veta, poeti Mehani përdor një gjuhë të pacensuruar, ku flet haptas përmes vargut poetik, pa farë frike, më së paku pa frikë nga mossuksesi.

Përmbledhja “Sandokani rron” do t’na i rikujtojë dëshmorët dhe heronjtë e lirisë sonë, siç janë kryetrimi kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Jasharët, Komandanti legjendar, Adem Jashari, Komandant Sandukani, (të cilit i përkushtohet kjo përmbledhje) Antigona Fazliu, Nuhi Geci, Ylfete Humolli, luftëtraja Sanije Rexha (bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja e Komandantit Abedin Rexha - SANDOKANIT),  etj.

Të gjithë këta emra dëshmorësh e luftëtarësh poeti Mehani i ka përmendur në vargjete tij me dashuri dhe respekt të denjë për ta.

 

Sandokanit, poeti Zymer Mehani do t’i drejtohet dhe do ta a pyesë:

 

Ti o trim je lule Kosove

Ti je lule Shqipërie

Ti je lule  e lirisë

-Cilat ndjenja i përcolle

Në zemrat e djalërisë?!

.....................................

Me çka të ta mas trimërinë

Atdhedashurinë

Dhe besnikërinë

Më trego, vëlla

Sa do të dëshiroja të flisja pak me Ty

E  të  të shëmbëlleja

Po ta them ndër sy

Pushka jote e gjatë

Krismat kurrë s’i ndërpreu

Gjersa e mundi kulçedrën,

Një perandori e theu

 

E bashkëshortes dhe bashkëluftëtares së Komandant Sandukanit poeti do t’i drejtohet me vargjet:

 

Sa e vlefshme- fjala jote
Zot i dole ti atdheut
Shotë Galicë për mua je MOTËR
Moj stërmbesë e Skënderbeut

Dje në luftë e sot në paqe
Tonin komb po e nderon
Moj lulëkuqe e Kosovës
T' Shqipes emër po e lartëson

 

Ndërsa për vëllain e  luftëtares Sanije Rexha -dëshmor Nuhi Gecin, poeti  Zymer Mehani do të shprehet me këto vargje plot atdhetarizëm:

Prej Yjesh u linde dhe Yjet të rritën
Atdhedashurisht, shqiptarisht t’gatitën
Në radhë të UÇK-së si shqipe u rreshtove
Për liri t’atdheut n’meteor u shndërrove

 

Kur Kombi plot plagë kish n’zemrën e vet
Ti o Trim Lirie s’pyete krajl as mbret                                                                                                               

Por Tokës Dardane, vëlla i dole zot                                                                                                         

Sot je Nderi i Kombit, Lavdi jetë e mot

Trim, o Nuhi Geci, me atë shpirt  arbëror
Në qiell të Atdheut ndrit si meteor

 

E dëshmorit të lirisë, Nuhi Geci, poeti sërish do t’i drejtohet:

 

Ti, trim i vërtetë-
I ndershëm e i drejtë
Dhe i rëndë o trim
Sa Atdheu im

 

Ti o burrë i besës-
Shkëndijëz e shpresës
Bardhësi e Plisit
Krenari e Fisit

 

Vargjet e këtij vëllimi poetik janë shpërthime emocionale ndjenjash që pëlcasin nga shpirti i poetit si një lavë vullkani. Ky vëllim poetik me përmbajtjen e tij, mund të themi se është monument letrar kushtuar Komandantit Abedin Rexha.

E veçanta e poezive të këtij vëllimi poetik është gjuha dhe stili, përdorimi i figurave të ndryshme letrare, siç janë epitetet, metaforat, krahasimet dhe metri e rimimi i vargjeve. Pra, vargu, fjala, fryma dhe të shprehurit poetik janë veçoritë kryesore që poetit i mundësojnë për t’u lidhur me ju, lexues të nderuar. Ju përmes këtyre vargjeve do të mund të futeni brenda botës krijuese, duke e deshifruar si botën poetike, ashtu edhe atë njerëzore të autorit të kësaj përmbledhjeje.

Poezitë e vëllimit “Sandokani rron” kryesisht janë të frymëzuara nga jeta dhe veprimtaria luftarake e Komandant Abedin Rexhës dhe janë dëshmitare për kohën, për atdheun dhe për fatet e tij. Pra, këto poezi sjellin frymë atdhedashurie, duke e thënë vetëm të vërtetën dhe si të tilla shpresojmë se do t’ju lënë mbresa gjatë leximit tuaj.

Poezitë e këtij vëllimi sigurisht se shprehin edhe lidhjen e ngushtë të poetit Zymer Mehani me njerëzit dhe familjarët e dëshmorit të lirisë dhe janë premtuese për rrugëtim të sigurtë të poetit në botën artistiko- letrare dhe në magjinë e poezisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat