“Sandokani Rron”, libër për Abedin Rexhën

Libra

“Sandokani Rron”, libër për Abedin Rexhën

Më: 3 korrik 2017 Në ora: 14:40
Promovimi i librit

Është promovuar libri “Sandokani Rron”, kushtuar heroit të kombit, komandatit Abedin Rexha.

Ky vëllim me poezi, i autorit Zymer Mehani u vlerësua lartë, duke qenë se poeti Mehani shfaqet si mjekues i plagëve të shpirtit të plagosur dhe të trazuar të kombit.

Recensenti i librit “Sandokani Rron” Rrahman Hyseni, u shpreh se ky poet për shumë arsye quhet poet i dëshmoreve. Sipas tij, Mehani ka dhënë dhe po jep kontribut të madh drejt pasurimit cilësor dhe sasior të poezisë shqipe.

Hyseni: Poeti është jo vetëm këngëtar i atdheut, por edhe ndërtues i tij

“Edhe pse vargjet e poetit Zymer Mehani janë herë të gjata, herë të shkurta prore ato janë të përmbushura me plotë ekspozivitet. Poeti është jo vetëm këngëtar i atdheut, por edhe ndërtues i tij. E këtë me së miri e dëshmon ky vëllim përkushtues për luftëtarin e lirisë, komandanti Abedin Rexha, që është libri i dhjetë me radhë nga opusi i tij krijues. Sikurse edhe në vëllimet e tjera poetike, edhe në vëllimin e tij me të ri “Sandokani Rron”, poeti Mehani ka sjellë poezi kryesisht poezi atdhetare, kësaj radhe kushtuar komandantit Abedin Rexha dhe bashkëluftëtarëve të tij”, tha Hyseni.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, vlerësoi lartë figurën e Abedin Rexhës komandant “Sandokani” duke thënë se ka qenë dhe ka mbetur ushtar fanatik i UÇK-së, duke vënë tërë jetën e tij në shërbim të luftës për liri.

Sipas tij, “Sandokani”, bashkë me Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Hamëz Jasharin, Mujë Krasniqin, e shumë tjerë u bënë udhërrëfyes dhe inspirim për brezat dhe ushtarët e ri të UÇK-së.

Haradinaj: Sandokani, tërë jetën e kaloi në shërbim të kombit

“Abedin Rexha ishte i veçantë, e kam njohur mirë, trim i pathyeshëm, i dashur për familje e i respektuar për shokët. Ishte i veçantë sepse tek ai kam parë gjithmonë luftëtarin kryengritës, i rreptë në jetë, por edhe unifikues në shoqëri. Tërë jetën e kaloj në shërbim të kombit e në kërkim të lirisë së vendit të vet dhe kur ishte nxënës, kur ishte student, në mërgim, edhe kur u kthye ishte i përkushtuar për ta çliruar Kosovën”, theksoi Haradinaj.

Një përshëndetje në promovimin e librit, e dha edhe bashkëshortja e Abedin Rexhës, Sanije Rexha, e cila tha se vet fakti i veprës dhe rënies së Abedinit është një dhimbje dhe krenari për të. Derisa, librin e Mehanit e vlerësoi lartë duke thënë se u ka dhënë emocione të veçanta.  

Ndërsa, vet autori i librit Zymer Mehani, personazhin e librit të tij e quajti unifikues, sepse  sipas tij, gjatë luftës “Sandokani” i bashkoi shqiptarët, ashtu siç i bashkoi edhe në promovimin e librit për të.

Mehani: Ta vazhdojmë rrugën e heroit, sepse kemi mbetur mbrapa

“Nuk mjafton vetëm një libër por ne duhet të punojmë që gjithmonë të shkojmë rrugës deh ta realizojmë amanetin e heroit, sepse kemi mbetur në gjysmë të rrugës, duhet të ecim të vazhdojmë”, u shpreh Mehani.

Abedin Rexha u vra me 7 tetor të vitit 1998. Ai ishte njeri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat