Ecja në rrugën e dijes

Libra

Ecja në rrugën e dijes

Nga: Hysen Matoshi Më: 2 gusht 2017 Në ora: 18:21
Kopertina e librit

Sapo doli nga shtypi librin me kritikë letrare i Pr. Dr Rrustem Berishës “Shënjëzime leximi”, botuar nga Shtëpia Botuese “FAD” Prishtinë. Rrustem Berisha njëri ndër njohësit më të mire të gjallë të letërsisë popullore dhe autor i disa veprave me poezi dhe kritikë letrare.

Rrustem Berisha është ndër shkencëtarët, krijuesit, publicistët dhe përgjithësisht intelektualët më aktivë në sfera të ndryshme të jetës sonë kulturore e shoqërore. Libri më i ri i tij, i titulluar “Shenjëzime leximi”, është dëshmi e një rrugëtimi të gjatë, e një kronologjie leximesh të veprave shkencore, letrare, publicistike, historiografike që nis në vitet ’60 dhe vijon deri në ditët e sotme. Si një lexues i vëmendshëm, Rrustem Berisha shpeshherë mendon zëshëm për veprat që i bën pjesë të njohjes së tij. Ky libër përbën edhe një kontribut për lindjen dhe zhvillimin e mendimit tonë shkencor, kritik e eseistik, i cili në Kosovë nisi me një numër të paktë autorësh për të marrë trajtë më të plotë e më të strukturuar me kalimin e kohës.

Ndonëse shkrimet e librit nuk janë paraqitur me një rend kronologjik, këto kontribute janë edhe një dëshmi e evoluimit të përgjithshëm kulturor e dituror të shqiptarëve, pjesë e të cilit ka qenë në mënyrë të padyshimtë edhe vetë autori, prania e të cilit në letrat shqipe ka hyrë në dekadën e gjashtë. Edhe pse pothuajse të gjitha shkrimet e këtij libri janë botuar me kohë në periodikun tonë shkencor, kulturor e informativ (me përjashtim të shkrimit “Vepra letrare e pakryer e Zekeria Rexhës”), ardhja e tyre në këtë format ka një rëndësi të veçantë për njohjen e opusit të gjithëmbarshëm shkrimor të autorit. Madje, disa prej shkrimeve janë të periudhës së parastandardizimit të shqipes, ndërsa në këtë vëllim ato janë transliteruar, me çka janë bërë më të komunikueshme për lexuesin e sotëm të mbarë hapësirës shqiptare.

Në aspektin kronologjik, një dorë e këtyre shkrimeve janë të viteve 60, përkatësisht të periudhës kur mendimi kritiko-letrar mungonte në letësinë shqipe. Prandaj, rëndësia e tyre është edhe e dimensionit historiko-letrar, por edhe e njohjes së procesit të evoluimit të mendimit letrar te ne. Janë gjithsej pesë shkrime të kësaj kohe, të cilat marrin shkas nga përvjetorët e autorëve të shquar të letërsisë shqipe (Naim Frashëri dhe Migjeni), nga botimi i veprave të reja (Maksut Shehu dhe Vehbi Kikaj), sikurse edhe një shkrim problemor, i cili nëpërmjet një sensi kritik shtronte shqetësimin e mungesës së vlerave të reja në fushën e krijimtarisë letrare dhe sidomos të kritikës letrare. Ky shkrim i fundit, si një analizë kritike e gjendjes kulturore të kohës, shquhet për gatishmërinë e autorit që të gjykojë dhe të flasë hapur për mungesat në jetën tonë kulturore, për një shterpësi kronike në këtë fushë, duke e konkretizuar shqyrtimin e tij me emra të përveçëm. Kjo nuk ka qenë asnjëherë e lehtë dhe, madje as në qarqet tona, nuk ka kaluar pa keqkuptime. Sot nuk gjejmë shkrime të këtilla që trajtojmë çështje të interesit të përgjithshëm kulturor. Në vend të këtyre qasjeve kritike gjejmë, e shumta, polemika që kanë shtysë përplasjet personale ndërmjet intelektualëve.

Shkrimet e tjera janë të periudhave të mëvonshme dhe kryesisht të viteve të fundit. Ndër to spikatin dy studime, që marrin parasysh përbërësit mitologjikë dhe epikë në vepra të autorëve të njohur shqiptarë. Fjala është për studimet “Subjekte mitologjike në rrëfimet e Mitrush Kutelit” dhe “Eposi i kreshnikëve në romanet e Rexhep Qosjes”, të cilat shquhen për një analizë shteruese të krijimtarisë sonë orale në veprat e autorëve të veçantë, për rolin që kanë pasur ata në tërësinë e veprës artistike etj. Rrustem Berisha ka dëshmuar njohjen e veçantive të këtyre dy formave të krijimit (kolektive-autoriale) dhe të lidhjeve ndërmjet tyre. Në dy shkrime të tjera objekt interesimi është bërë vepra shkencore e Bajram Krasniqit dhe veçantitë e personalitetit të tij prej intelektuali të shquar.

Gjithashtu me interes janë edhe vështrimet për krijimtarinë letrare të Zekerija Rexhës, Rexhep Qosjes, Nexhat Halimit, Shefkije Islamajt dhe Fatmire Durakut, në të cilat del në pah sidomos zotësia e autorit për të vlerësuar, krahas veprave të dëshmuara, edhe prurjet e reja në letërsinë shqipe.

Një varg shkrimesh të një natyre tjetër marrin në shqyrtim vepra publicistike e historiografike për vepra të autorëve si Rexhep Qosja, Sadri Fetiu, Dilaver Goxhai etj.

Përgjithësisht vepra “Shenjëzime leximi” është një përmbledhje kontributesh të nduarnduarta, sikundër janë studimet, vështrimet, recensionet, esetë etj. që u kushtohen materieve po ashtu të ndryshme të kulturës sonë dhe të kaluarës sonë kombëtare. Rrustem Berisha, nëpërmjet kësaj vepre, na dëshmon se jeton me vlerat kulturore e letrare të Kombit, por edhe se preokupohet me të kaluarën dhe fatin e tij. Është një vepër e shkruar për më shumë se gjysmë shekulli, në të cilën shpaloset rrugëtimi dituror, që ka shënuar rritje deri në ditët e sotme, por dhe dashuria për kulturën e të kaluarën kombëtare që shfaqet si konstante e pandryshueshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat