Monografi në 50 vjetorin e një gjeneratë të pishtarëve të arsimit

Libra

Monografi në 50 vjetorin e një gjeneratë të pishtarëve të arsimit

Nga: Milazim F. KADRIU Më: 2 gusht 2017 Në ora: 19:51
Kopertina e librit

Gjenerata që përfundoi Normalen në Prishtinë në vitin shkollor 1966/67,u takuan disa herë për të kremtuar përvjetorin e përfundimit të shkollës normale  dhe kështu arritën deri në kremtimin e 50 vjetorit të cilin e shënuan edhe me botimin e një monografie për këtë gjeneratë të asaj kohe që  dolën në detyrën e mësuesit kur vendi kishte shumë nevojë për mësues të kualifikuar. Roli I Normales së Prishtinës në arsimimin,aftësimin dhe edukimin e brezave të mësueseve ka qenë një institucion I pazëvendësueshëm dhe ishte shembull për të gjitha shkollat normale po edhe të drejtimeve tjera  në Kosovë e ndoshta edhe më gjerë. Për këtë shkollë janë shkruar edhe monografi tjera  të cilat e vërtetojnë këtë mendim për rezultatet e mira të punës dhe kontributin e çmuar në zhvillimin e arsimit në Kosovë.

Në parathënien e këtij libri,prof. Abaz Osmani ndër tjera thotë se  “ Jubileu i 50 -Vjetorit të gjeneratës sonë këtë vit ( 2017 ) përputhet me 130 Vjetorin e një ngjarje  të madhe në historinë tonë,në historinë e shkollës shqipe. Ndërlidhet me ditën kur në vitin e largët 1887, për herë të parë  në historinë tonë, në Korçë, u hap Mësonjëtorja  e Gjuhës Shqipe. Ky fakt, kremten tonë e bënë edhe më madhështore , sepse Mësonjëtorja e Gjuhës Shqipe  e Korçës po shënonte  më në fund ditën kur shqiptarët, pas shumë shekujsh mohimi të gjuhës, kulturës, historisë dhe qenies së tyre kombëtare, po fillonin lëvrimin, kultivimin dhe studimin e gjuhës  së tyre amtare, të historisë, të kulturës të identitetit kombëtar në mënyrë të organizuar, me programe dhe plane të qarta duke hapur rrugën e zhvillimit, civilizimit dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare në luftën për çlirimin e trojeve shqiptare dhe faktorizimin e popullit tonë në Ballkan ”.

Shkolla Normale e Prishtinës  një kohë të gjatë ishte e vetmja vatër e arsimit që përgatiste kuadro për shkollat shqipe të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore, e sidomos pas saj u hapën në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare.  Autorët në këtë libër shkruajnë konkretisht për gjeneratën e normalistëve që në vitin shkollor 1966/67 e kryen normalen dhe morën titullin e profesionit të shenjtë atë të mësuesit. Shumica nga ta që nga atëherë dhanë kontribut të çmuar në arsimimin dhe edukimin e nxënësve.

Ndonëse libri nuk është ndarë në kapituj, pjesa e parë është pjesa historike, ku flitet për Shkollën Normale të Prishtinës, Shkollën Normale të Elbasanit, për kontributin e Ministrit të arsimit të Shqipërisë, Ernest Koliqi (1941-1944), që dërgoi në Kosovë  shumë mësues për të hapur shkollat shqipe. Më tej  shkruhet për ambientin e shkollës Normale të Prishtinës, aktivitetet jashtëmësimore, bibliotekën e shkollës, konviktin etj.

Në vazhdim paraqitet një tabelë me  emrat e mësimdhënësve dhe lëndën që e kanë ligjëruar, për të vazhduar më tej me biografitë e disa mësimdhënësve si : Bahri Bajrami, Beçir Kastrati, Dali Emërllahu, Engjëll Berisha, Emin Karakashi, Faik Rizvanolli, Fehni Pushkolli, Hamit Thaçi, Hazir Shala, Mithad Saiti, Nexhat Ibrahimi, Pajazit Nushi, Ramiz Musa. Rexhep Hoxha, Rexhep I. Gashi, Sadullah Brestovci, Salih Nushi, Shefqet Veliu, Shirin Hyseini, Zeqir Bajrami, Zeqir Islami. Pastaj regjistri i nxënësve të kësaj gjenerate dhe biografitë e tyre. Në fund të librit është një  album i pasur me foto të ndryshme të kësaj gjenerate.

Biografitë si të mësimdhënësve të Normales së Prishtinës të asaj kohe dhe nxënësve të  gjeneratës që e përfunduan mësimet në këtë vatër diturie në vitin shkollor 1966/67,  i ofrojnë  lexuesit një letërnjoftim të tyre duke filluar nga  data e lindjes, shkollimi, punësimi dhe aktivitetet tjera që kanë zhvilluar gjatë gjithë kohës  sa kanë punuar,ndonëse të gjithë tashmë kanë arritur të jenë pensionist e një numër sish  edhe kanë ndërruar jetë por duke lënë pas vetes  punën dhe aktivitetin e tyre  në ato kohë të vështira. Shumë nga ta përpos kontributit në arsim u dalluan edhe me punën e tyre në rrugën e lirisë kombëtare. Kontributi i tyre ishte i çmuar ku idetë e tyre përparimtare ata i përhapnin edhe tek të tjerët e sidomos tek nxënësit e tyre. Nxënës i kësaj gjenerate ka qenë edhe tash heroi i Kosovës, Xheladin Gashi - gjeneral Plaku. Po edhe të tjerë nxënës të kësaj gjenerate po edhe shumë nxënës të tyre që ata i edukuan në mbarë Kosovën u dalluan në radhët e UÇK-së . Ky libër është iI mirëseardhur ngase hedhet dritë në një pjesë të historisë së Shkollës Normale të Prishtinës  dhe gjeneratës 1966/1967 dhe kontributit të tyre në arsim, ku pjesë e tyre ishin edhe autorët e librit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat